Në Pritje të Prokurorisë Shtyhet Gjykimi i Punëtorëve të Fakultetit (TV)

Ish- udhëheqësit e Fakultetit të Biznesit në Pejë akuzohen se duke bashkëpunuar që nga viti 2003 e deri në vitin 2008 kanë regjistruar student pa konkurse, e po ashtu kanë përdorur vulën zyrtare duke vërtetuar dokumente te rreme.

Kjo seancë u shty për arsye se të akuzuarit përveç se e kundërshtuan akuzën, deklaruan se nuk janë të gatshëm të vazhdojnë këtë shqyrtim pa i pasur edhe ata në posedim provat në bazë të të cilave prokuroria ka ngritur akuzën.

Pas kësaj kërkese, gjyqtari i rastit, i dha prokurorisë 20 ditë kohë që t’u dërgojë provat të akuzuarve dhe mbrojtjes së tyre.

Ish-dekani Ali Sylqa dhe sekretari i fakultetit, Minush Hoxha, akuzohen se si anëtarë të komisionit Ad Hoc për ripërtëritjen e dosjeve nga studentë të Shkollës së Lartë Ekonomike (SHLE) në studentë të Fakultetit të Biznesit, kanë përvetësuar të holla në shumën prej 10.000 eurosh.

Sipas aktakuzës, ata kanë bërë qindra regjistrime të studentëve jashtë konkurseve, jashtë çdo rregulli dhe në kundërshtim me statutin e UP-së, ligjeve, rregulloreve dhe urdhëresave administrative që janë në fuqi.

Manipulimet në ripërtëritjen e dosjeve, për të cilat Sylqa dhe Hoxha akuzohen kanë përfshirë persona që asnjëherë nuk kanë qenë studentë, ndërsa tash sipas prokurorisë të gjithë këta studentë figurojnë të diplomuar, madje shumë nga ta janë të punësuar dhe ushtrojnë funksione publike.

Përveç Ali Sylqës dhe Minush Hoxhës, të përfshirë në aktakuzë janë edhe  Valdet Hoxha ish–shef i referentëve në këtë fakultet, Zekije Vokshi–ish referente, Blerim Zeka ish-student dhe Muradije Gjikolli-arkiviste.

Prokuroria komunale në Pejë,në nëntor të vitit 2011 ka ngritur aktakuzë kundër këtyre personave për “shpërdorim të detyrës zyrtare ose të autorizimit”, “falsifikim të dokumentit zyrtar”, “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” dhe “marrje të ryshfetit”.

I pandehuri i parë në këtë çështje, ish-sekretari Minush Hoxha ishte më i zëshmi në kundërshtimet e tij ndaj aktakuzës, ndërsa për Gazetën Jeta në Kosovë tha se është e pa vërtet dhe e pa bazuar që kanë bërë falsifikimin e diplomave.

“400. Ky si numër është mjaft i lart dhe i pa mundur të ekzekutohet”, tha Hoxha.

Po ashtu edhe  Sylqa e ka kundërshtuar aktakuzën.