Në Norvegji të Falimentuar e në Kosovë Jetojnë Si Yje

Dy vëllezër nga Kosova falimentuan bashkë me kompaninë e tyre për ngjyrosje të shtëpive në Norvegji. Musa dhe Isa Gërbeshi u kishin kreditorëve të tyre borxh 20 milionë kruna, e nuk kishin mjete për ta kthyer këtë borxh. Gazetarë të gazetës së Oslos “Aftenposten” erdhën në Kosovë vetëm për të zbuluar se njëri prej vëllezërve posedon një dyqan që shet pajisje për banjë. Tjetri bleu një fabrikë funksionale gjatë kohës kur para gjykatës po zhvillohej procedura e falimentimit. 

Katër anëtarë të së njëjtës familje, secili prej të cilëve posedonte nga një kompani për ngjyrosje të shtëpive, parashtruan kërkesa për falimentim për të mbuluar pretendimet prej mbi 22 milionë krunash (2.4 milionë euro). 

Autoritetet tatimore të Norvegjisë zbuluan se këto kompani ishin të përfshira në punë klandestine dhe faturim fiktiv. Hetimet u përqendruan në punime të kryera në zyra qeveritare dhe projekte banimi në lagjen luksoze të Oslos Tjuvholmen.

Nëntorin e vitit të kaluar ekipi “Aftenposten” erdhi në Kosovë për të zbuluar më shumë për familjen Gërbeshi. 

Hulumtimi i pasurisë së tyre filloi në fshatin Livoq të Epërm, një vend i bukur, i vendosur mbi kodrat e Gjilanit, një orë e gjysmë larg kryeqytetit. Këtu do duhej të gjendej shtëpia e Musa Gërbeshit. Por, ku është ajo? E dimë që afër jemi. 

Musa Gërbeshi, shtepia e madhe dhe pishina

Një vajzë e vogël e cila po kthehej nga shkolla na u përgjigj kur e pyetëm për Musën. “Ai jeton në shtëpinë e madhe ngjyrë të verdhë, e cila gjendet prapa kthesës… nuk mund të mos e shihni. Por, ai nuk është aty, sepse jeton në Norvegji!”

Hyjmë më thellë në lagje. Musa Gërbeshi kishte postuar në Facebook fotografi të vetes në një pishinë. Në atë fotografi, ai qëndronte pranë pishinës me duar të zgjatura në njërën prej të cilave mbante një birrë Corona, ndërsa në fyt i shndriste fort një qafore. 

 

A do ta gjejmë këtë pishinë? 

Më 28 prill 2014, Musa Gërbeshi falimentoi në Norvegji me kompaninë “Saba Maler Arbeid”, pronar i së cilës ishte. Kjo kompani dikur kishte punësuar 17 persona. 

Pasqyrat tatimore paraqesin rreth 8 milionë kruna (1 milion euro) shumën e parave të kompanisë. Musa ka qenë në pushim mjekësor që nga marsi/prilli 2013 dhe ka gëzuar përkrahje nga Byroja Kombëtare e Sigurimit Social – NAV. 

Ai tha se nuk kishte para ndonëse me vete përkthyes privat gjatë seancës së parë gjyqësore të mbajtur në ndërtesë të gjykatës së Oslos. 

Administratori i rastit, Odd Magne Gjerde, citon raportin e kontrollit financiar nga Skatteetaten: Zyra Tatimore ka ekzaminuar shfrytëzimin e tetë “nënkontraktorëve” nga Musa Gërbeshi. 

Ata nuk kanë biznese reale, karakterizohen me falimentime dhe identitete të rrejshme, janë të akuzuar për pranim të mallrave të vjedhura dhe janë të lidhur me persona të cilët kurrë nuk janë paraqitur para administratorëve të falimentimit. Sipas Zyrës Tatimore “Saba Maler Arbeid” ka qenë e përfshirë si ndërmjetëse në faturime fiktive. 

Gërbeshi nuk u pajtua me këtë. “Unë nuk kam burime për t’i kundërshtuar këto akuza,” sqaroi ai para gjykatës pranverën e vitit të kaluar.  

Por, versioni i paraqitur nga bojaxhiu dhe situata financiare e tij nuk përputhen me ngjarjet që u zhvilluan disa muaj më vonë. 

Në muajin gusht ai investoi 100.000 euro në kompaninë e tij të sapokrijuar në Kosovë – “Metro sh.p.k” dhe bleu fabrikën e mobilieve “Bamboo” në vendlindjen e tij në Gjilan. 

Sipas postimeve të kësaj kompanie në Facebook, ajo aktualisht është duke e mobiluar “Cafe Capitol”-in në qendër të Prishtinës me banka të gjata ngjyrë vjollce. 

Më 27 shtator 2014, bojaxhiu i falimentuar kishte marrë pozë nën logon e neonit të kompanisë, në të cilën shkruante “Bamboo” me shkronja të mëdha të gjelbra. Ai është drejtor i një dyqani dhe një fabrike. Brenda mund të shihet një komplet mobiliesh, me kombinim të ngjyrës së bardhë dhe ngjyrës së arit. 

Musa Gërbeshi nuk e ka udhëhequr vetë biznesin në Norvegji. Sipas autoriteteve tatimore kompania e tij ka bashkëpunuar për së afërmi me kompaninë “Ëesa Malerservice” e vëllait të madh të tij, Isa Gërbeshit. Edhe kjo kompani ka falimentuar, ndërsa pretendimet e kreditorëve arrijnë 12 milionë kruna (1.3 milionë euro). “Ëara Malerservice”, e cila ka qenë e angazhuar për projektet në Tjuvholmen, është duke u hetuar për veprimtari kriminale. 

Raporti i falimentimit rëndon mjaft shumë mbi të falimentuarit: “Veprat penale të mundshme përfshijnë kontabilitetin neglizhent, mosdorëzimin e deklaratave të kontabilitetit, përvetësimin e fondeve, mashtrimet tatimore, faturat fiktive dhe mashtrime tjera,” thuhet në këtë raport. 

Nga pasuria e firmës nuk kishte mbetur gjë për borxhlinjtë, më i madhi prej të cilëve është zyra e tatimeve. 

 

Shtëpia e Isës në Prishtinë

Pak kilometra në jug të Prishtinës, pranë autostradës për Lipjan, ne gjetëm pronën që nga anëtarët e familjes njihej si “shtëpia e Isës në Prishtinë”. Kjo shtëpi doli të jetë një ndërtesë e gjerë trekatëshe ngjyrë hiri. Një zonjë e cila gjendej në një nga ballkonet e katit më të lartë me nguti kapi telefonin mobil, kur na pa se po i nxjerrim kamerat. Dy katet e tjera kishin dritare të gjata në drejtim të autostradës. Prapa xhamit mund të shihnim se banjat ishin dekoruar me pllaka të shtrenjta. 

Administratorja, z. Anne Helsingeng, nuk i kishte parasysh këto fakte kur po i barazonte pasurinë dhe llogaritë e “Wara Merservice” në Norvegji. Kompania ishte themeluar në vitin 2008 dhe ishte regjistruar në emër të bashkëshortes së Isës atëbotë.

Shumica e 30 punëtorëve të kompanisë u zhdukën pa gjurmë pas falimentimit. Isa Gërbeshi i kishte të regjistruar dy vetura në emër të kompanisë, mes tyre një “Mercedes-Benz”, ndërsa tani të dyja janë zhdukur. 

Znj. Helsingeng kishte kërkuar arrestimin e gruas së Gërbeshit për ta marrë në pyetje. Ajo dhe ish-punonjësit thonë se ishte Isa ai që udhëhoqi kompaninë. Administratori supozon se ish-gruaja “ka lejuar që të shfrytëzohet si themeluese e një kompanie individuale e cila do shfrytëzohej për veprimtari kriminale.”

Kjo grua tani jeton në një bujtinë dhe mbi të rëndon një borxh tatimor prej disa milionë krunash. Vendndodhja e Isës nuk është e ditur. Ai është dëbuar nga Norvegjia por supozohet se ka qëndruar atje ilegalisht për periudha të stërzgjatura kohore.

Administratorja ka hequr dorë nga përpjekjet për ta gjetur Isën. Si do të mund të kërkonte nga policia që të arrestojnë një individ i cili formalisht nuk ka asgjë të bëjë me kompaninë, i cili është dëbuar nga vendi dhe i cili nuk ka adresë? 

 

Ne menjëherë arritëm ta identifikojmë vilën në fshat nga postimet e Musa Gërbeshit në Facebook. Shtëpia ishte katërkatëshe e ngjyrosur me të verdhë dhe me dekorime vjollce nëpër ballkone. Rrugica e shtruar brenda gardhit të shtëpisë shpinte tek garazhi për dy vetura. Duke qenë se është vjeshtë e vonë, pishina ishte e zbrazur, e në të shihej mozaiku i kaltër i dekoruar me delfinë.

“Musa dhe Isa jetojnë këtu kur vijnë për vizitë,” thonë fqinjët. Ata sqarojnë se nëna e tyre jeton në vilë kur nuk qëndron me Isën në Prishtinë. Të nesërmen në Prishtinë ne e kuptuam se ajo ishte “mbretëreshë e pronave”. Ajo ishte pronare e shtatë parcelave të tokës, me sipërfaqe të gjithmbarshme prej mbi 25 hektarësh, në paralagje të kryeqytetit. Edhe katër parcela tjera në Gjilan ishin të regjistruara në emër të saj. Sipas regjistrit të pronave, bashkëshorti i saj dhe babai i djemve, është pronar i një shtëpie dhe dy parcelave të tokës. 

Vila e verdhë është e banuar. Një set çelësash ishin lënë në derë në katin e parë, ndërsa jashtë ishte parkuar një veturë. Ne i ramë ziles jashtë por nuk u përgjigj njeri. Megjithatë, porta e lartë e çeliktë ishte e hapur. Ne trokitëm në derë. Nga brenda vinin zëra. Ne filluam të bëjmë zhurmë dhe të thërrasim. I ramë ziles edhe në katin e parë. Nuk përgjigjej njeri. Ishte e qartë se brenda ka njerëz por se ata nuk donin të flisnin me ne. 

 

Kushërinjtë fqinj 

Fqinji i parë ka një portë të bukur. Prapa saj shohim shtegun e shtruar që shpie drejt një ndërteseje monumentale me një sërë ballkonesh të drejtuara nga dielli. Kjo shtëpi luksoze duket se është mbyllur gjatë këtij sezoni. Perdet e gjelbra bllokonin pamjen brenda dritareve të larta. Shpejt kuptuam se kjo shtëpi i përket kushëririt të Isës dhe Musës, bojaxhiut të tretë norvegjezo-shqiptar i cili ndërlidhet me punë klandestine. 

Njeriu i cili thuhet se është pronar i kësaj vile grandioze, në Norvegji është i akuzuar për kontakte me të ashtuquajturin “Rrjeti Zvonko”.

Persona të përfshirë në këtë rrjet kishin shpëlarë 40 milionë kruna (4.3 milionë euro). Në një shtëpi më modeste të një fqinji shohim shenja jete, ngase rrobat po i thanin në shkallë të shtëpisë. Një grua doli nga shtëpia dhe na përshëndeti me mirësi. Ajo ishte kunata e kushërinjve të falimentuar, Isës dhe Musës. Një zotëri energjik më në moshë dhe tre fëmijë që e përcillnin atë, po ktheheshin në shtëpi. Ai po e bartte një thes patatesh të cilin ia lëshoi në duar gruas. Ai është babai i kushërinjve dhe jeton në shtëpinë ngjyrë rozë me djalin dhe rejën.

Ai na thotë me krenari se shtëpia e madhe e hirtë është e djalit të tij, për të cilin ne e dimë se është pronar i dy firmave të falimentuara në Norvegji. Këtë shtëpi djali e përdorë vetëm gjatë pushimit të verës kur nuk është në Norvegji. 

– Sa kushtoi shtëpia?

– Rreth 150.000 euro. 

– Si po u shkon biznesi djemve tu në Norvegji?

– Jo edhe aq mirë tani, na tha babai si nën dhëmbë. 

 

Jo, nuk është duke shkuar mirë. Njëri nga djemtë ka falimentuar edhe me kompaninë që ishte biznes individual i tij edhe me kompaninë e organizuar si shoqëri aksionare. E borxhlinjve nuk u ka mbetur shumë për të marrë. Më 17 qershor 2014 ai u paraqit në gjykatën e qarkut Asker og Bearum, i përcjellë nga i biri në cilësinë e përkthyesit, në seancën e parë për inicim të falimentimit të “SG Maler AS”. 

– A keni para, pyeti gjykatësi?

– Jo. 

– A keni borxhe tjera? 

– Vetëm disa fletëpagesa për taksë rrugore dhe taksën vjetore të regjistrimit të veturës. 

Në raportin e përkohshëm të falimentimit, administratorja Znj. Helsingeng thotë se kompania “SG Maler” u shfrytëzua për të mbuluar konsumin privat të familjes. Në vitin 2013, ata kishin transferuar 250.000 kruna (27.300 euro) në llogarinë e bashkëshortes së pronarit.

Tërheqjet private nga anëtarët e familjes kishin vazhduar edhe në vitin 2014. Mes aseteve të cilat Znj. Helnsigeng po kërkon është edhe vetura “Mercedes-Benz”, e cila ishte blerë si veturë e kompanisë për 1.1 milionë kruna (120.000 euro) dhe iu shit gruas së pronarit për më pak se gjysmën e çmimit në fjalë vetëm tre muaj më vonë.

Pretendimet kreditore për të dyja ndërmarrjet arrijnë 1.7 milionë kruna (185.000 euro), ndërsa pjesa më e madhe e tyre janë tatime të papaguara. 

Vila e hirtë në Kosovë nuk është e regjistruar në regjistrin e pronave në emër të pronarit të “SG Maler”. Megjithatë, disa prona zyrtarisht i përkasin babait të tij. Në vitin 2013, në moshën 68-vjeçare babai i tij themeloi një ndërmarrje që merrej me ndërtimtari dhe disa veprimtari tjera. 

Vëllai i pronarit të “SG Maler” falimentoi pas më shumë se një viti veprimtarie me kompaninë “Eri Maler AS” në Norvegji, në vitin 2011. Kompania nuk ka paraqitur pasqyrat financiare vjetore në regjistrin qendror të kompanive norvegjeze në Brønnøysund. Në raport të falimentimit nuk përmendet ndonjë vepër penale. Humbjet e borxhlinjve vlerësohen të jetë rreth 200.000 kruna (21.800 euro). 

Ky vëlla edhe në Kosovë ka një biznes të quajtur “Eri Color”, i cili është themeluar rreth të njëjtës kohë si edhe “Eri Maler” në Norvegji. Veprimtari kryesore e regjistruar e këtij biznesi është tregtimi me shumicë i kemikaleve, por anëtarët e familjes të cilët i takuam pranë shtëpisë së tyre, mohojnë se pronari i “Eri Color” është duke e mbajtur ndonjë biznes në Kosovë. Në Norvegji ai ende ka një kompani për ngjyrosje me gjashtë punëtorë. 

Në Facebook, pronari i “SG Maler” ia ka vënë vetes titullin drejtor i “S. GAS”. Djali i tij 18-vjeçar e ka krijuar firmën me po këtë emër më 4 dhjetor 2014. 

Edhe Musa Gërbeshi është aktiv në këtë veprimtari në Norvegji.

Ai ka themeluar një shoqëri aksionare me bashkëshorten e tij në vitin 2012, por nga kompania u tërhoq pak para falimentimit personal. Tani ai pretendon të jetë vetëm punonjës i kësaj kompanie. Vëllezërit Isa dhe Musa Gërbeshi kanë marrë kontrata të ngjyrosjes në vende të profilit të lartë anembanë Norvegjisë, përfshirë godinat qeveritare, punimet në të cilat financohen nga tatimpaguesit norvegjezë. 

Drejtori i përgjithshëm i “Edvardsson Entreprenor”, Per-Erik Edvardsson, konfirmon se kompanitë e vëllezërve i kanë pasur nënkontraktorë për rindërtimin e R6 në ndërtesën qeveritare. Puna u krye në vitin 2012 dhe në atë ndërtesë tani janë të vendosura zyrat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Shëndetësisë. 

Më 31 tetor 2014, administratori Odd Magne Gjerde mbylli rastin e falimentimit personal të Musa Gërbeshit në Oslo. Ai nuk gjeti kurrfarë asetesh. Por, ai thotë se borxhlinjtë do të vazhdojnë të paraqesin pretendime ndaj pronarit edhe pasi procesi të jetë përmbyllur. 

 

Intervista e Aftenposten me Musa Gërbeshin

Hulumtimet e “Aftenposten” kanë zbuluar se Musa dhe familja e tij janë pronarë të pronave të vlefshme. Se a do të mund t’i fusin në dorë këto pasuri autoritetet tatimore të Norvegjisë është diçka tjetër. Norvegjia dhe Kosova nuk kanë marrëveshje tatimore.

Kjo gazetë i ka dërguar disa e-maila, dhe është përpjekur që të bie në kontakt me familjen Gërbeshi përmes telefonit, për të marrë përgjigje në pyetjet që i ka për ta. Pas pak ramë në kontakt me anëtarë të familjes të cilët na premtuan se do t’ia përcjellin kërkesën tonë Musës.

Ai na u lajmërua më 9 dhjetor 2014. Ne i ofruam të flasim anglisht, por ai preferoi norvegjisht. Ne i treguam se po shkruanim një artikull mbi falimentimet e firmave të familjes së tij, si dhe për bizneset e klanit të tij në Kosovë. Nga ai kërkuam komente për këto. 

Musa Gërbeshi thotë se ai momentalisht punon si bojaxhi në Norvegji. E pyetëm lidhur me falimentimin e tij. Ai tha se nuk është pronar i asnjë aseti. 

– Por, a keni asete në Kosovë?

– Jo. Nuk kam. 

– A keni prona në Kosovë? 

– Jo, nëna ime ka prona dhe ajo është e sëmurë për momentin. Unë jam duke qëndruar për vizitë tek ajo. 

– Ju keni themeluar kompaninë “Metro” me kapital aksionar prej 100.000 eurosh dhe e keni blerë apo themeluar ndërmarrjen e mobilieve dhe dyqanin e quajtur “Bamboo”? (Kjo u përcoll me qetësi dhe belbëzim të Musës, sikur nuk na kupton.) 

– “Bamboo?” Pse nuk i janë dhënë këto informata administratorit të falimentimit tënd dhe autoriteteve norvegjeze?

– Nuk po ju kuptoj. Unë do të vij në shtëpi javën që vjen dhe mund të flas me ju atëherë. Tani jam për ngut. 

– Por a mund t’ua dërgoj pyetjet me e-mail?

– Po. 

E marrim e-mail adresën. Të nesërmen, më 10 dhjetor 2014, ia dërgojmë disa pyetje të detajuara. Musa do t’ia përcillte pyetjet në fjalë edhe vëllait të tij – Isës. Ne marrim konfirmimin e pranimit të e-mailit dhe një premtim se do të na përgjigjet përmes telefonit javën vijuese. Pyetje korresponduese iu dërguan edhe dy kushërinjve. “Aftenposten” u dërgoi rikujtime më 23 dhe 29 dhjetor. Përveç kësaj, u përpoqëm që të biem në kontakt me anëtarët e familjes, përmes Facebookut, telefonit dhe SMS-ve, por pa sukses. 

Kreditorët pretendojnë asetet në Kosovë. “Ne jemi duke i shqyrtuar me shumë seriozitet gjetjet e “Aftenposten”-it dhe do të bëjmë çdo gjë që mundemi për të marrë këto asete,” thotë avokatja Anne Helsingeng. Ajo ishte administratorja e procesit të falimentimit të kompanisë së Isa Gërbeshit “Ëara Malerservice”, të cilën e udhëhiqte nën emrin e ish-gruas së tij. 

Përveç kësaj, Helsingeng është e angazhuar në falimentimin e papërfunduar të kushëririt të tij, njeriut i cili është pronar i vetëm i ndërmarrjes individuale “Siti Maler” dhe shoqërisë aksionare “SG Maler”. Asnjë prej tyre nuk ka paraqitur ndonjë pronë në Kosovë edhe pse e kanë obligim ligjor të deklarojnë të gjitha asetet. Prandaj, znj. Helsingeng është duke shtjelluar me shumë kujdes informatat e “Aftenposten” lidhur me asetet e familjes në Kosovë: 

“Është ajo që kemi pritur. Ne dyshojmë se ka shpëlarje parash dhe në atë rast këto para duhet të jenë diku. Nuk është larg mendsh që paratë të kenë gjetur rrugën drejt shtetit amë,” thotë ajo. 

Administratorja nuk e di faktin se Musa Gërbeshi është pronar i pronave të regjistruara në qytetin e tij të lindjes në Kosovë dhe se ka investuar një shumë të konsiderueshme parash gjatë kohës kur në Norvegji ishte duke u zhvilluar procesi i falimentimit. 

“Ai nuk ka informuar lidhur me asetet jashtë vendit në deklarata tatimore, ndërsa që edhe gjatë procesit të falimentimit është pyetur nëse ka të tilla,” thotë Odd Magne Gjerde, i cili është administrator i falimentimit personal të Musa Gërbeshit. Ai e mbylli procesin tetorin e kaluar, por konfirmon se kërkesat e kreditorëve do të mbesin valide. Nëse borxhlinjtë nuk ngrenë pretendime brenda tre vjetësh, të njëjtat do skadojnë. 

“Ne kemi indikacione të qarta se paratë që kanë qenë subjekt i evazionit tatimor janë kontrabanduar jashtë vendit në të gatshme,” thotë udhëheqësi i Departamentit të Krimeve Tatimore në Skatt øst, Jan-Egil Kristiansen. Që nga viti 2008, ai ka qenë tejet aktiv në projektin e autoriteteve tatimore për të zbuluar faturimet fiktive, andaj këtë rast e komenton vetëm përgjithësisht. 

Autoritetet tatimore norvegjeze pohojnë se deri tani kanë zbuluar vepra për shumën prej 350 milionë kruna (38.3 milionë euro) të kryera nga rrjetet që i kanë zbuluar. “Ne kemi zbuluar 1.1 miliardë kruna (120.4 milionë euro) evazion të TVSh-së, të ardhura nga pronat dhe pagesës së rrogave të fshehta.

Gjysma e kësaj shume ndërlidhet me pagesat klandestine. Kompanitë shpesh falimentojnë pa asnjë aset. Në Norvegji është vështirë të grumbullohen këto pretendime, sepse rrjetet kriminale kanë lidhje të ndërlikuara. Njerëzit zhduken kur ua paraqesim pretendimet tona, apo edhe jetojnë nën identitete të rrejshme,” thotë Kristiansen. 

Transferet e parave jashtë vendit regjistrohen në regjistrin norvegjez të valutave – 

Valutaregisteret. “Janë disa transfere të tilla bankare drejt zonës së Ballkanit, por nuk janë të shumta. Ne mendojmë se paratë po kontrabandohen atje. Rrjetet bazohen në tërheqje të parave të gatshme dhe pronarët e kompanive e vendosin mbetjen pas pagesës së pagave klandestine në xhepat e tyre,” thotë Kristiansen. Ai e konsideron shumë interesant faktin që “Aftenposten”-i i ka zbuluar këto asete jashtë vendit. 

“Kjo i konfirmon dyshimet tona, por, për fat të keq ne me Kosovën nuk kemi marrëveshje tatimore, e cila do të na e mundësonte realizimin e pretendimeve tona atje,” tha Kristiansen. 

Juristi policor Andreas Meeg-Bentzen është udhëheqës i “Operasjon Svartmaling” (operacioni Boja e Zezë), i cili heton rrjetet kriminale në biznesin e bojaxhinjve. Ai nuk dëshiron të komentojë rastet specifike të përmendura nga “Aftenposten”. 

“Por ka fare pak dyshim se profitet nga punësimi i punonjësve ilegalë në ndërtimtari, e në veçanti në kompani të specializuara për ngjyrosje, janë duke u nxjerrë jashtë vendit. Policia konkretisht dyshon se këto para janë duke u nxjerrë dhe dërguar në rajonin që e quajmë Ballkani Perëndimor,” tha juristi i policisë. 

“Personat në qarqet që ne po i hetojmë kryesisht vijnë nga ky rajon. Për neve problem përbën fakti se kur nga ne kërkohet të nisim hetimet, për shembull nga autoritetet tatimore, krimet veç janë kryer. Paratë e gatshme që rezultojnë nga faturimi fiktiv nuk ka mundësi të kthehen,” tha Meeg-Bentzen.

Meeg-Bentzen thekson se policia duhet të përqendrohet në atë që po ndodh tani. “Kësisoj, ne mund të zbulojmë asete që janë ende në vend, t’i mbrojmë ato nga veprimtaria kriminale dhe t’i godasim personat që po nxjerrin fitime nga kjo,” tha ai. 

Gjahu tatimor i “Aftenpost”-it në Kosovë 

Nxjerrja e informatave në Kosovë shpërfaqi disa sfida. Ky është një shtet i ri, të cilit i mungon shumëçka, përfshirë qasja në informata çfarë jemi të mësuar ta gëzojmë në Norvegji. Kosovarët jo që nuk kanë adresar telefonik, por nganjëherë as emra të rrugëve. 

“Aftenpost”-i shfrytëzoi regjistrat e pronave dhe ndërmarrjeve për të gjetur informata lidhur me persona të caktuar në Kosovë. Ne gjithashtu arritëm t’u qasemi numrave identifikues përmes listave zgjedhore të publikuara. Këta numra identifikues janë të domosdoshëm për kërkimet në regjistra.

Të dhënat personale na siguruan informata lidhur me zonat zgjedhore të cilave i përket personi i caktuar. Ne iu qasëm regjistrave kombëtarë dhe lokalë të pronës për të siguruar informatat e paraqitura. E më pas edhe i vizituam shumicën e pronave që i përmendim në këtë artikull. Puna u krye në bashkëpunim me BIRN Kosovë.

Baza e hulumtimit tonë ishte puna e kryer në hetimin e rrjeteve të bojaxhinjve shqiptarë në Norvegji për një periudhë më të gjatë kohore. 

 

Artikulli u botua fillimisht ne Aftenposten, gazetën më madhe norvegjeze, me datën 5 janar 2015.

BIRN koontribuoi në këtë artikull.