Në Kërkim të Arit: Si iu Bashkuan Kosovarët Garës për Kripto-Valuta?

Duke mihur, shitur, dhe zhvilluar valuta digjitale ‘peer-to-peer’, kosovarët janë duke ndërtuar një ambient të përshtatshëm që vendi të përjetojë një lulëzim të ri teknologjik.

A e di se, më pyeti Milot Mehmeti derisa po rrinim në kafenenë e tij, për të deponuar para në bankë në Kosovë duhet të paguash një euro? Për këtë arsye, më tha ai, nuk kam një llogari personale bankare.

NDËRLIDHUR

Një mihës dhe shitës i kripto-valutave gjatë ditës, Mehmeti është edhe pronari krenar i biznesit të parë kosovar që pranon bitcoin, një valutë digjitale ‘peer-to-peer’ që i anashkalon bankat si ndërmjetëse në transaksion. Kafeneja e Mehmetit, e hapur vetëm para dy jave, është po ashtu shtëpia e një nga dy bankomatet e para të bitcoin në vend, përmes të cilave mund të shkëmbehen eurot e fituara me djersë për bitcoina, një njësi e vetme e të cilit vlerësohet momentalisht 2,875 dollarë amerikan.

Kafeneja, e titulluar Satoshi sipas shpikësit anonim të bitcoinit, Satoshi Nakamoto, është një vrimë e vogël e sapo lyer me një tarracë të bukur që shpreson të bëhet epiqendra e komunitetit të kripto-valutavë në Kosovë, i cili është rritur dukshëm, sidomos pasi që kapitalizimi i tregut të kripto-valutave në përgjithësi (dhe Bitcoin në veçanti) ishte fryrë majin e shkuar.

“Për momentin komuniteti është i shpërndarë. Ne duam ta ndryshojmë këtë,” tha Mehmeti për BIRN. Ai është themelues i Cryptex, një kompani lokale që ka mihë dhe shitur kripto-valuta përafro një vit e gjysmë. Sipas tij, ekziston ende një stigmë ndaj kripto-valutave dhe kjo pjesërisht është edhe arsyeja pse komuniteti nuk është duke shkëmbyer informacione në mes vete.

Një aurë e misterit dhe legalitetit të dyshimtë i përcjellë kripto-valutat gati gjithkund në botë. Kjo është rezultat kryesisht i risisë së tyre duke pasë parasysh që bitcoin, valuta e parë ‘peer-to-peer’, është shpikur vetëm në vitin 2009.

Foto: Atdhe Mulla

Sikur në vendet e tjera, kripto-valutat s’janë ende të rregulluara me ligj në Kosovë. Por, nuk ka pasur as ndonjë tentativë për t’i ndaluar ato.

Megjithatë, një kombinim i shpërblimeve potenciale të mëdha, mungesa e mundësive për investim, dhe një shkallë e lartë e penetrimit të internetit, e ka bë Kosovën një ambient specifikisht të gatshëm për një bum të mihjes dhe shitjes së kripto-valutave.

Nga asgjë

Përderisa valutat digjitale mund të duken abstrakte – paraja në vetvete është koncept abstrakt: paratë e letrës që i përdorim nuk kanë vlerë në vetvete. Deri në vitin 1971, kur edhe u hoq standardi i arit, paratë e letrës kishin domethënie – ato ishin të lidhura me rezervat e arit që kishte një vend. Por që nga atëherë, vlera e fiat valutave, një monedhë që prodhohet nga banka qendrore e një shteti, bazohet në garancionin e shtetit dhe sa ne i besojmë atij.

Kështu që kur Satoshi Nakamoti botoi artikullin “Bitcoin: Një sistem peer-to-peer për kesh elektronik” (Bitcoin: A Peer-to-Peer Electronic Cash System”) në vitin  2008, çështja nuk ishte nëse një valutë virtuale do adoptohej ndonjëherë, por nësë kjo shpikje në veçanti do të mund të garantonte që njerëzit s’do mund të falsifkonin paranë, apo ta shpenzonin më shumë se njëherë pa involvuar një pale të tretë, siç është një bankë, për të garantuar transaksionin.

Milot Mehmeti. Foto: Atdhe Mulla

Nakamoto propozoi një rrjet të decentralizuar të nyjeve (nodes), të gjitha prej të cilave do të kishin qasje në një libër publik të llogarive, dhe në të njëjtën kohë do ta bartnin (host) atë. Këta kompjuterë po ashtu do të verifikonin të gjitha transaksionet, do i vulosnin me kohën e kryerjes dhe do i rendisnin në një zinxhir të një llogarie të enkriptuar të ndarë në blloqe. Në vitin 2009, ai e lancoi rrjetin në internet, dhe kështu blockchain – apo bllokzinxhiri- u lind.

Përderisa bllokzinxhiri u shpik bashkë me bitcoin, teknologjia e tij nuk mund të reduktohet thjesht në valutë. Principi themelor i bllokzinxhirit – decentralizimi i një regjistri publik që mund të përmbajë një sistem të çfarëdo të dhënash, prej transaksioneve financiare deri te postimet në media sociale – ka gjetur mbështetje të gjerë.

Deri më sot, bitcoin është kripto-valuta më e suksesshme;  duke qenë që shumica e shteteve lejojnë përdorimin e tij dhe duke qenë që disa investitorë të mëdhenj e përkrahin, vlera e tij është rritur qëndrueshmërisht. Për më tepër, vlera e bitcoin supozohet se do rritet tutje sepse sipas dizajnit të algoritmit, numri i zhetonëve që mund të prodhohen ndonjëherë është i limituar në 21 milionë. Përveç 50 bitcoinëve të parë që i ka shpërndarë Satoshi, të gjithë zhetonët tjerë duhet të mihen nga kompjuterët që janë pjesë të rrjetit të lidhur përmes softuerit mihës.

Mihja e bitcoinit dhe shumicës së kripto-valutave tjera është një proces garues përgjatë të cilit minatorët duhen të gjejnë “provën e punës” (proof of work), e cila i lejon minatorët që e gjejnë ta shtojnë një bllok të ri në zinxhir. Sapo të verifikohet blloku nga të gjithë dhe t’i shtohet zinxhirit, minatorët shpërblehen me monedha – bitcoinë apo të tjerë – që mund të ruhen në kuleta digjitale apo të shkëmbehen në platforma si Coinbase, Poloniex, dhe Kraken.

Por, pranimi i bitcoinit anëmbanë botës ka rritur vlerën e monedhës dhe numrin e minatorëve, duke bërë kështu mihjen e kësaj valute jo-profitabile (përpos nëse dikush ka një minierë kineze për bitcoinë).

“Në fillim ke mundur të mihësh me një kompjuter të thjeshtë,” shpjegoi Ermal Sadiku, drejtor menaxhues i LinkPlus IT dhe një admirues i kripto-valutave, për BIRN. “Unë kam filluar të mihë kur ka qenë ekstrem lehtë,” tha ai, duke shtuar që atë kohë ai gjeneronte nga tri deri në katër bitcoinë brenda natës, thjesht duke e lënë kompjuterin lëshuar gjatë tërë natës. “I kam harxhu’ monedhat duke luajtur World of Warcraft, apo Dragon Soldier. Ishte mënyrë për të blerë gjëra në internet, diçka si një mburojë ose shpatë në një lojë.”

Sikur Sadiku t’i kishte ruajtur monedhat e tija, ai do të ishtë sot milioner. Transaksioni i parë “real” i regjistruar kishte ndodhur në vitin 2010, kur Laszlo Hanyecz arriti te paguante për pica me bitcoinë. Atëkohë një bitcoin vlente përafërsisht 0.0025 dollarë amerikanë; sot ka vlerë gati 3,000 dollarë.

Duke qenë që transaksionet me bitcoinë janë anonime, monedha u bë valutë e përsosur për tu përdorur për shitjen e prodhimeve dhe shërbimeve ilegale në “rrjetin e errët” (kur Silk Road u mbyll në vitin 2013, FBI kapi bitcoinë me vlerë prej tre deri në katër milionë dollarë) dhe është forma e preferuar e pagesës për hakerë që kërkojnë shpërblesë për t’i kthyer të dhënat.

Foto: Atdhe Mulla

Por valuta ka bërë një rrugëtim të gjatë. Dhjetëra mijëra biznese legale anëmbanë botës e pranojnë, duke përfshirë edhe kafenenë e Mehmetit, derisa plot vende i kanë rregulluar transaksionet dhe shkëmbimin e bitcoin edhe nëse s’e kanë adoptuar vet valutën.

Në mes të korrikut, Banka Qendrore e Kosovës, BQK, kishte lëshuar një deklaratë për shtyp, duke ia tërheqëur vërejtjen të gjithë investitorëve dhe përdoruesve të kripto-valutave se “përdorimi i parave virtuale, siç është për shembull Bitcoin, nuk është i rregulluar ligjërisht dhe përbën një rrezik që mund të rezultojë me humbje financiare.”

Por vetëm në korrik, dy biznese, Satoshi Cafe dhe AlbVisioni funksionalizuan bankomatë një-anësh për bitcoin brenda një jave të vetme, gjë që tregon për një interes të rritur për këto valuta. Një makinë e tretë, një bankomat dy-anësh dhe që shkëmben disa monedha virtuale, pritet ta bijë Bitsapphire në fund të muajit në ICK.

Përmes një emaili, zëdhënësi i BQK-së Besnik Kada i kishte treguar BIRN se, “sipas legjislacionit në fuqi Agjensionet për transferet e parave kërkohet të licencohen nga BQK-ja si institucione financiare Jobankare me aktivitet të shërbimit te pagesave. ATM e kriptovalutave nuk konsiderohen të tilla.” Për momentin, pra, ato operojnë në një vakum ligjor.

Suksesi i bitcoinit po ashtu ka ndihmuar që të niset një vlug i kripto-valutave që janë të ndërtuara mbi bllokzinxhirin dhe e zgjërojnë përdorimin e tij përtej funksionit të valutës. Ndonëse bitcoin ende e dominon tregun me 48 përqind, Ethereum, një platformë kripto-valutore dhe monedha e saj ether, u ngrit për 4,500 përqind mes janarit dhe qershorit të vitit 2017, duke e ndjekur prapa “standardin e artë” të kripto-valutave si e dyta monedhë.

Rig-u

Arbër Arifi, drejtor ekzekutiv dhe themelues i provajderit të dytë të internetit në Kosovë, Kujtesës, kishte dëgjuar për bitcoinin për herë të parë në vitin 2010, por e kishte injoruar me lehtësi. Gati pesë vite më vonë, ai ishte duke porositur një kompjuter për të luajtur Counter Strike dhe po kërkonte për një kartelë grafike me performancë të mirë, e cila mund të përdoret edhe për mihje të kripto-valutave për shkak të fuqisë procesuese.

“Isha duke lexu për kartela grafike, dhe po e shihja konstant termin ‘cryptocurrency’,” më tregoi Arifi, plot energji.

“Derisa pajisjet erdhën, kisha lexuar aq shumë, sa që veç e dija që ky kompjuter s’kish me lujt’ – po do të mihte.”

Ky ishte testi i parë i Arifit – e montoi kompjuterin dhe ai kishte mihur 73 etherë për një natë. “Paramendo vlerën që e ka sot! I kam harxhu’ krejt,” më tha ai duke qeshur, derisa po rrinim në zyrën e tij të vogël të rrethuar nga gumëzhima e ventilatorëve që po e ftohnin “Rigun,” një rrjet me 333 kartela grafike, GPU-ja, që po mihnin Ethereum, një pajisje që Arifi dhe ekipi i tij e ndërtuan në vitin 2015. Rig-u ka mihë ether që nga dita e parë.

“E porosita një numër më të madh pajisjesh për të nisur një pilot-projekt për të testu’ dhe mësu’ prej tij. Qëllimi im është të ndërtoj një rig më të mirë, me kushte më të mira të punës,” tha Arifi, i cili e ka kthyer një shtëpi të vjetër në laborator duke i thyer muret e brendshme për të bë vend për kompjuterët. Ndonëse punëtorët e Kujtesës janë të interesuar në teknologjinë, Arifi thotë se ky është projekti i tij personal.

E pyeta se sa kishte investuar në të dhe nëse ia kishte vlejtë investimi.

“Kemi investuar rreth 300,000 euro. I ka nxjerrë ato pare shumë moti,” më tha ai, duke qeshë. “Kthimi në investim që e ka pasë Rig-u, kur e krahasoj me Kujtesën, më bën të mendoj dy herë.”

Edhe Mehmeti kishte filluar të mihte para bumit, në vitin 2016. “Ne kemi mihë ether që kur ka qenë 80 centë,” u lavdërua ai, duke shtuar se atë kohë të vetmit njerëz që po mihnin ishin ata nga kompanitë më të mëdha që kishin teknikë që dinin se si të monton rig-at dhe të siguronin ventilimin e duhur.

Sipas shumë njerëzve në sektorin e IT-së dhe biznesit në Kosovë, sot numri i minatorëve dhe investitorëve të kripto-valutave në Kosovë është rritur dramatikisht. Shumica janë duke mihë ose Ethereum, ose monedha tjera më pak të vlefshme.

Një nga arsyet kryesore, thonë ekspertët, është shkalla e lartë e penetrimit të internetit në Kosovë, e cila është 83 për qind për shtëpi – një nga shkallat më të larta në Ballkan (për krahasim, Maqedonia e cila e ka shkallën më të lartë të përdoruesve të internetit për kokë banori, ka një shkallë të penetrimit të internetit për shtëpi prej 73.5 përqind).

Kjo e bëri të mundshme që kosovarët të futen në tregun e kripto-valutave mjaft herët. Derisa disa ‘techies’ si Taulant Ramabaja kanë folur për përdorimin e bitcoin dhe bllokzinxhirit që nga viti 2011, disa filluan të mihnin në atë kohë dhe u ndalën ndërkohë, ndërsa tjerët u futën vetëm në vitin 2015. Lulëzimi i vërtetë, megjithatë, ndodhi vetëm pasi që vlera e Ethereumit kërceu nga 50 deri ne 90 dollarë amerikanë, e më pastaj ne 350, në maj të këtij viti. Ishtë një “bum” global, dhe kosovarët u futën shpejt në biznesin profitabil.

Midis janarit dhe korrikut të këtij viti, në Kosovë janë importuar kartela grafike në vlerë të 800,000 euro, sipas të dhënave të Njësisë së Inteligjencës Financiare, NJIF. Numri nuk përfshin rigat për mihje që shiten në tregun e zi, të cilat janë të reklamuara lirisht në Facebook dhe portale si MerrJep, dhe çmimi i të cilave është dyfishuar prej majit.

“Në Kosovë interesimi rritet dhe bie sipas vlerës së valutave, e cila po ashtu shkon lart e poshtë. Unë njoh shumë njerëz që kanë investuar e dy lidhje me financa nuk i kanë,” tha për BIRN Taulant Ramabaja, bashkëthemeluesi i Bitsapphire. “Ky fakt më tmerron.”

“Është bërë aq e popullarizuar sa që gjithkush është duke folë për këtë punë: rri me policinë, me njerëz që punojnë në qeveri, njerez të biznesit, gjithkush është i interesuar të mihë sepse dikush i familjes veç ia ka nisë,” shpjegon Arianit Fazliu, bashkëthemeluesi i kompanisë për programim, Kutisë. Vet Fazliu kishte filluar të mihte ether dhe disa monedha tjera majin e shkuar – por “veç ishte vonë”.

Foto: Atdhe Mulla

Atë kohë, sipas kalkulimeve të Sadikut, një set me shtatë GPU-ja mund të gjeneronte ether me vlerë prej rreth 525 dollarë në muaj. Nëse kalkulohet sot, i njëjti set do të gjeneronte një përfitim prej vetëm 250 dollarëve amerikanë, sepse vlera e Ethereum-it ka rënë prej qershorit dhe sepse vështirësia për të mihë është rritë eksponencialisht. Duke qenë që  për momentin një set i vetëm mund të kushtojë deri në 4,700 euro në Kosovë, kthimi i investimit nuk është as i shpejt as i sigurt siç ka qenë.

“Njerëzit janë keq-informuar, fituesit më të mëdhenj kanë qenë ata që kanë shitë pajisje,” tha Fazliu, duke shtuar se disa njerëz kanë porositë pajisje në maj dhe ende po i presin.

Parakushtet për të mihë ethereum po ashtu do të ndërrohen shumë shpejt, Fazliu shpjegoi, duke i bërë pajisjet që përdoren tash jofunksionale.

“Njeri s’është duke bërë pare prej kërkahit, edhepse ashtu mund të tingëllojë,” shpjegon Sadiku, duke shtuar që kostot e rrymës, internetit, harduerit, dhe mirëmbajtjes së makinës përmbledhen. “Ti e zgjidhë problemin dhe shpërblehesh me ether ose bitcoin, e pastaj merr pare varësisht për sa i shet….Problemi nuk është duke u sqaruar. Njerëzit janë duke menduar se në momentin që e futë makinën në internet, miliona euro do të dalin në bankë.”

Disa njerëz me të cilët BIRN ka folur, u pajtuan se interesimi i rritur në kripto-valuta në Kosovë mund të jetë pasojë e mungesës së mundësive për investim.

“Është shumë vështirë të investosh para në Kosovë, për këtë arsye ne kemi shume biznese të ngjashme: kemi shumë pompa të benzinës, bazena, sepse njerëzit s’janë shumë inovativë dhe s’e kane guximin me investu në gjëra të reja,” shpjegon Sadiku, duke shtuar se një faktor shtesë mund të ketë qenë edhe ndryshimi i tarifave të rrymës në prill.

Duke qenë së vlera e valutave ndryshon çdo ditë, fitimet më të mëdha mund të bëhen duke i shitur ato në momentin e duhur. Brenda dy javëve për shembull, monedha XRP e Ripple, e cila përdoret për procesimin e pagesave në mes të bankave, kishte kërcyer nga 0.02 dollarë amerikanë to 0.3. “Miliona dollarë janë bërë për një ditë,” më tha Fazliu.

Arifi për shembull ka një ekip të shitësve profesionalë, derisa Sadiku personalisht ka eksperimentuar me shkëmbim. Çmimet luhatin aq shumë sa për disa mund të jetë dëshpëruese.

“Njerëzit lodhen, flasin keq, s’besojnë më në teknologjinë dhe ikin,” tha Mehmeti.

“Është një ngritje e hershme spekulative,” më tha Sam Crawford, një analist financash që punon në New York. Ai shtoi se është shumë herët për të krahasuar me fluskën e internetit që kishte shpërthyer në vitet e 90-ta, sidomos pasi që tregu i kripto-valutave përfaqëson vetëm “një fraksion të një të dhjetës së një pikë përqindje të tregut global.”

“Gjithkush është duke e bërë për të përfituar – edhe unë – por mendoj që përfitimi më i madh do të ishte nëse do të adoptohej si valutë e vërtetë,” e pranoi Fazliu.

Çështje sigurie

“Ne e dimë se interneti sot është i thyeshëm në çdo nivel…edhe serverët më të sigurt të bankave apo shërbimeve të inteligjencës mund të thehen – është vetëm çështje kohe,” më tha Arifi derisa po ledhatonim një nga gjashtë qentë që jetojnë tek laboratori. “Por bllokzinxhiri është bash e kundërta – është e vetmja teknologji që nuk është e thyeshme.”

Duke qenë që bllokzinxhiri është një libër llogarie i shpërndarë, e jo i vënë në një server apo kompjuter të vetëm, për ta ‘hack’ do të duhej të “thehej historia e secilit bllok,” shpjegon Arifi. Sipas artikullit  të Nakomotos, përderisa shumica e nyjeve në rrjet janë “të ndershme” apo nuk janë duke e sulmuar sistemin dhe kanë shumicën e fuqisë procesuese, sistemi do të ishte i sigurt.

Ndonëse teoria mund të jetë e shëndoshë, në praktikë tregu i kripto-valutave është pllakosur me mashtrime dhe skandale hack-imi, duke e bërë këtë “sferë të re për ekonominë botërore,” siç e quan Crawford, të dyshtimë. Në vitin 2014 për shembull Mt. Gox, plaftorma më e madhe për shkëmbimin e kripto-valutave në atë kohë, kishte bankrotuar pasi që kishtë vërejtë vjedhjen e gati 800,000 bitcoinëve.

Ethereum, që është adoptuar nga shumë start-up biznese dhe platforma e të cilës është duke u përdorë për të mbledhë fonde për zgjidhje të reja për ‘kontrata të mençura’ (që po ashtu quhen Ofertë e Parë e Monedhës, ICO,) po ashtu është pllakosë nga skandale. Në vitin 2016, një haker kishte arritur të vjedhë ethere me vlerë mbi 50 milion dollarë nga DAO, ndërsa vetëm muajin e fundit, ka pasur dy hack-ime të mëdha: një derisa CoinDash po bënte shitjen e vet të parë si ICO; tjetra si rezultat i një problemi të brendshëm të aplikacionit kuletë Parity.

“Secili fillim i ka rreziqet e veta. Derisa bllokzinxhiri është 100 për qind i sigurt, momentin që e bën një transaksion apo e hapë një kuletë, është momenti kritik ku të tjerët kane qasje në komunikimin tënd,” shpjegoi Arifi.

Kuletat e kripto-valutave funksionojnë si llogari bankare, duke i lejuar përdoruesit të pranojnë apo transferojnë monedha. Përderisa ekziston një numër i madh i kuletave, kuletat e ftohta offline, e sidomos kuletat harduerike, janë më të sigurtat.

“Ka shumë kuleta që nuk kanë çelësa privat – duhet me qenë të kujdesshëm, sepse ka shumë mashtrues që janë duke e keqpërdorë gjendjen emocionale për të përdorë dikë që mund të mos e ketë informacionin e duhur,” tha Mehmeti.

Edhe Sadiku thotë se kur bie puna tek thyerje të sigurisë, në të shumtën e rasteve janë rezultat i gabimeve njerëzore se sa problem i bllokzinxhirit.

Është vështirë të rregullosh një valutë, qëllimi parësor i të cilës është t’i ikë rregullimit dhe me zgjerimin e tregut global të kripto-valutave, qeveritë do të sfidohen të reagojnë në mënyrë të duhur. Përderisa disa shtete në SHBA kanë rregulluar përdorimin e valutave virtuale, ende jemi në një fazë “të hershme të adoptimit,” shpjegoi Crawford.

“Qindra mijëra kredit kartela thehen çdo ditë, po kjo është e mira e të pasurit një palë të tretë – banka e garanton që të kthehen paratë,” përfundoi ai.

Por a është legale?

Përderisa Bashkimi Europian i njeh valutat virtuale si “një inovacion në sektorin financiar,” Këshilli është pajtuar të bëjë ndryshime në direktivën për parandalimin e shpëlarjes së parave, duke kërkuar që ofruesit e shërbimeve të shkëmbimit dhe transferit të valutave virtuale të identifikojnë klientët e tyre.

“Ka një rrezik të madh politik ngase qeveritë e botës kanë një interes mjaft të fuqishëm që të mos lejojnë funksionimin e një sfiduesi të madh e robust të sistemit të tyre të kontrolluar të valutave fiat,” tha Crawford, duke shtuar se është ende çështje e hapur se si do të merren me këtë punë.

“Qeveritë janë të ngadalshme. Kjo do të jetë një dramë e madhe, nuk është storie që përfundon shpejt.”

“Kur kripto-valutat të adoptohen nga tregu i botës, do të ketë më shumë siguri,” tha Dardan Nuhiu, drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare. “Kjo s’ka ndodhur ende.”

Zyra e Nuhiut, e cila u anëtarësua në rrjetin jo-formal të njësive ndërkombëtare financiare, Egmont Group, shkurtin e kaluar, ka ndjekur zhvillimet ndërkombëtare dhe lokale të tregut të kripto-valutave me interesim të madh.

Ngjashëm si kolegët e tyre në mbarë botën, NJIF ka rezerva dhe ndonëse nuk është zyrtarisht pjesë e Task Forcës për Aksione Financiare, FATF, është duke pritur që rrjeti ndërkombëtar të adoptojë rregulla para se “të ngutet të ndërmarrë ndonjë veprim.”

“Ka disa pika që na bëjnë të rezervuar neve që merremi me implementimin e ligjit kundër shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit,” tha Nuhiu për BIRN, duke renditur anonimitetin dhe mungesën e një trupi mbikqyrës si çështje kyçe.

Por ardhja e bitcoin bankomatëve ka shtyrë institucionet e Kosovës të ndërrojnë shpejtësinë e punës. Ata kanë filluar të konsultojnë ekspertë lokalë dhe ndërkombëtarë në mënyrë që të përpilojnë një draft rregullore.

“Qëllimi ynë nuk është t’i ndalojmë, por t’i rregullojmë,” tha Nuhiu.

Përfaqësuesit e dy operatorëve të bankomatëve, Satoshi dhe AlbVision, thanë për BIRN se bizneset e tyre janë në pajtim me direktivën e BE-së kundër shpëlarjes së parave, ndërsa Ramabaja, kompania e të cilit do të sjellë një bankomat të tretë deri në fund të muajit, po ashtu tha se biznesi i tyre të funksiononte në pajtim me protkollin KYC, duke i skanuar letërnjoftimet e klientëve.

“Jemi duke u bërë të stërkujdesshëm,” më tha ai.

Entuziastët e bllokzinxhirit

“Paraja do të jetë vetëm një nga sferat në të cilat do të përdoret bllokzinxhiri. Çdo gjë që komunikojmë, për shkak të sigurisë dhe mungesës së mbikqyrjes, do të përfundojë duke shkuar në këtë drejtim,” më tha Arifi, i cili e ka në majë të gjuhës ndonjë citat të Don Tapscott apo Julian Assange kur e shpjegon vizionin e tij për një ardhmëri të shtyrë nga bllokzinxhiri.

“Filozofikisht, më ka shtyer të mendoj për influencën që teknologjia mund të ketë në neve si njerëz…Çka është e bukur për këtë teknologji është se nuk është e koncentruar askund por është e shpërndarë. Nuk ka një Vëlla të Madh në këtë teknologji,” vazhdoi ai.

“Në të ardhmen, do të kemi një identitet unik digjital…Nuk do të kemi nevojë t’i bajmë dokumentet kur shkojmë te mjeku, gjithçka do të jetë në bllokzinxhir.”

Ekipi i Arifit me katër krye-inxhinierë tashmë janë duke punuar në një softuer të ri, në monedhën e tyre, dhe duke munduar që të programojnë një protokoll interneti të bazuar në bllokzinxhir.

Foto: Atdhe Mulla

“Edhe nëse mund të bëjmë përmirësime mbi Ethereum, do të ishte okej. E di si tingëllon kjo,” tha ai, duke u munduar të tejkalonte modestinë e vet. “Por edhe nësë dështojmë ia vlen të provojmë…është koha për ndryshime radikale.”

Planet grandioze të Arifit mund të tingëllojnë si ëndrra syhapur për disa, por ai s’është i vetmi në Kosovë që është i interesuar në kripto-valuta përtej mihjes dhe shitjes.

Kompania e Ramabajës, e cila ofron konsulenca për teknologjinë bllokzinxhir, është po ashtu duke zhvilluar një start-up kuletë të quajtur Moonstone.

“Bllokzinxhiri definitivisht do të shkaktojë një ndërprerje, sepse kosto dhe benefiti i teknologjisë do të ndryshojë komplet. Bankat do të ‘unbundle’ – kanë shumë funksione për momentin,” shpjegoi Ramabaja.

“Tregu i kuletave, për shembull, është shumë kompetitiv…por ne besojmë që ofruesit e kuletave do të përfundojnë të jenë këmbimorja finale,” ai tha. “Moonstone është një kuletë multi-monedhëshe dhe ka përvojën më të mirë për përdorues, në botë,” u lavdërua ai

Zhvillimi i aplikacionit kishte filluar në vitin 2015, dhe deri tash ata kanë arritë të i shtojnë tri monedha në kuletë. Thellësia e tregut të valutave virtuale megjithatë është ende “shumë e vogël në krahasim me valutat normale,” tha Ramabaja për BIRN duke shtuar se për këtë arsye Moonstone është më shumë një investim afatgjatë.

Madje edhe Sadiku, kompania e të cilit kryesisht ofron ‘augmetim te resurseve,’ apo out-sourcing të specialistëve të IT-së, është duke punuar në zhvillimin e një monedhe në Ethereum.

Sadiku planifikon të lancojë monedhën e tij me një ICO dhe të tentojë të replikojë suksesin e Tezos, që kishte arritur t’i mblidhte 200 milionë dollarë amerikanë për katër ditë të vetme.

“ICO-të janë të lehta, online dhe të shpejta…Realisht e qetë komplet konceptin në shitje. Nëse dëshiron të krijosh këtë koncept – këtë zgjidhje – e cila mund ta ketë emrin Ermalcoin, apo çkado, me këto monedha, që në fakt janë zhetona, e vendos çmimin e parë dhe pastaj tregu vendos nëse janë të gatshëm të shpenzojnë bitcoinë apo etherë për të përkrahur idenë.”

ICO-të janë mënyrë e mirë për të tërhequr investitorë globalë, dhe kjo është ndoshta një nga përparësitë më të mëdha të një teknologjie të tillë: i tejkalon kufijtë nacional.

“Mendoj se teknologjia e bllokzinxhirit është një mundësi për neve. Nëse disi e pranojmë, nëse i bëjmë disa ligje që do të ishin të mira për komunitetin e bllokzinxhirit, ndoshta do të mund të shiheshim si një vend interesant, të tërheqim investime për zhvillim dhe hulumtim,” më tha Sadiku me sinqeritet, duke shtuar se nuk është duke thënë se mihja do të jetë gjithnjë profitabile. “Por bllokzinxhiri si teknologji është interesant. Kishim mundur të dalloheshim.”

“Për momentin ne jetojmë në vendin më të varfër në Europë,” tha Sadiku, duke shtuar buzagaz,” Do të doja shumë ta shihja këtë vend së paku të dytin prej fundit.”

19 Gusht 2017 - 13:45

Lura Limani 19/08/2017 - 13:45
NDËRVEPRIMI0