Në AKP Punojnë Zyrtarë të Pakualifikuar

Në raportin e Auditorit për raportin financiar të AKP-së për vitin 2016 nuk përmenden pozitat të cilët udhëhiqen prej personave të pakualifikuar.

“Në tri raste kualifikimet profesionale nuk ishin relevante me pozitat përkatëse, në tri raste mungonin kopjet e diplomave, ndërsa në dy raste ishin vetëm certifikatat për përfundimin e studimeve”, thuhet në raportin e auditorit.

Në dy raste diplomat e fituara jashtë Kosovës, sipas auditorit, nuk ishin të nostrifikuara sipas udhëzimit administrativ të MASHT-it.

Auditori ka gjetur se në dy raste në pozitat zyrtare ishin caktuar ushtrues detyre që nga viti 2014 dhe 2015, të cilët ende vazhdojnë të jenë ushtrues detyre.

“Sipas Ligjit për Shërbimin Civil (neni 30.4), ushtrues detyre nuk mund të emërohen më gjatë se tre muaj. Në 22 raste, emërtimet e pozitave në akt-emërime nuk ishin të listuara në rregulloren e pagave të nëpunësve të AKP-së, kjo ka krijuar mospajtueshmëri me përshkrimin e emërtimeve të pozitave”, thuhet në raportin e auditorit.

Me gjithë këto konstatime sa i përket personelit është pajtuar menaxhmenti dhe bordi i AKP-së.

AKP-ja është pajtuar edhe me të gjeturat e auditorit sa i përket prokurimit publik. Auditori ka gjetur se në një aktivitet të prokurimit një anëtar i komisionit të vlerësimit kishte qenë i emëruar edhe si menaxher i kontratës.

“Kjo sipas rregullave të prokurimit publik nuk është e lejueshme, sepse asnjë anëtar i komisionit vlerësues nuk mund të jetë në menaxher i projektit”, thuhet në raportin e auditorit.

ZKA-ja ka gjetur gjithashtu që AKP-ja ka paguar më shumë se sa shuma që është cekur në kontratë, në një rast të caktuar.

AKP-ja, sipas auditorit, nuk guxon të paguajë asgjë më shumë sesa çmimi i përmendur në kontratë.

Auditori ka gjetur se në një aktivitet prokurimi, AKP-ja ka paguar 34 mijë euro e 725 euro. Sipas AKP-së kjo ishte bërë për shkak të shmangies së ndëshkimeve dhe interesave për pagesa të vonuara.

“Sipas memorandumit për veprim të datës 01.09.2016 menaxhmenti i AKP -së kishte aprovuar pagesat e faturave për rastet e tejkalimit të kontratave për vitin 2013 në shumë 34,725 euro për shërbimet e përkthimit, shërbimet postare, dizajnimin e reklamës dhe gazetave vendore dhe ndërkombëtare. Kjo për shkak të keqmenaxhimit të kontratave nga personat përgjegjës për menaxhimin e kontratave të vitit 2013”, thuhet në raportin e auditorit.

AKP-ja nuk është pajtuar me këtë të gjetur, duke dhënë shpjegime për arsyen e kësaj pagese.

“Pasi që për këto raste, pagesat më të mëdha do të kishte pala, në rast se do të shkonin me konteste gjyqësore dhe përveç pagesës së obligimeve do të paguanim edhe shpenzimet gjyqësore”, thuhet në arsyetimin e AKP-së.

Ky arsyetim nuk ia ka ndërruar qëndrimin Auditorit të Përgjithshëm.

Auditori ka konstatuar se AKP-ja nuk i ka përmbushur pjesën më të madhe të rekomandimeve të dhëna nga ZKA-ja para një viti.

“Deri në fund të auditimit tonë për vitin 2016, vetëm katër rekomandime ishin zbatuar, gjashtë janë zbatuar pjesërisht dhe gjashtë nuk janë zbatuar ende. Kjo ka ndodhur për shkak se AKP-ja nuk ka ndjekur ndonjë proces formal për të menaxhuar dhe monitoruar mënyrën e zbatimit të rekomandimeve”, thuhet tutje në raport.

Me këtë konstatim nuk është pajtuar AKP-ja, të cilët kanë thënë se në baza periodike kanë punuar në përmbushjen e rekomandimeve. Qëndrimi i AKP-së nuk ia ka ndërruar qëndrimin auditorit.

AKP-ja ende nuk e ka të hartuar strategjinë gjithëpërfshirëse për zhvillim të institucionit.

“Strategjia gjithëpërfshirëse e zhvillimit të institucionit nuk është hartuar. Sipas sqarimit të dhënë nga AKP-ja, dokumenti strategjik është në proces të përpilimit nga agjencia. Proceset e monitorimit të rregullt lidhur me progresin e arritjes së objektivave konsiderohen si të vendosura, mirëpo dëshmitë për mbështetjen e konkluzioneve në lidhje me to janë të mangëta”, vazhdon raporti i auditorit.

AKP-ja nuk është e saktë në shlyerjen e borxheve thotë raporti i auditorit.

“Në pesë raste kishte vonesa në pagesën e faturave prej një deri në gjashtë 6 muaj. Më tutje edhe fatura e muajit dhjetor për shpenzimet e rrymës, në shumë prej 5 mijë e 594 euro nuk ishte prezantuar në PFV si obligim i papaguar, që barten për t’u paguar në vitin vijues”, thuhet në raportin e auditorit.

Në konkluzionet e dhëna nga ZKA-ja thuhet që edhe pse menaxhmenti i AKP-së kishte zbatuar disa kontrolle të brendshme për të siguruar qeverisje të mirë brenda institucionit, prapëseprapë janë gjetur dobësi në qeverisje.

“Auditimi ynë ka identifikuar një numër të dobësive të qeverisjes brenda AKP-së veçanërisht në lidhje me kontrollet menaxheriale, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial. Konfirmimet në listën kontrolluese të vetëvlerësimit të plotësuar nga AKP-ja nuk ishin të mbështetura me dëshmi, raportimi menaxherial jo i plotë dhe moszbatimi i tërësishëm i rekomandimeve të vitit të kaluar nga auditimi i jashtëm janë çështje të cilat AKP-ja duhet t’i ketë parasysh për të përmirësuar qeverisjen në institucion”, thuhet në raportin e auditorit.