Kompleksi "Princesha" në "Mati 1" | Foto: GjnK

Ndalja e Ashensorit Mbyll në Banesa të Pafuqishmit

Ndalja e ashensorit në një ndërtesë të kompleksit banesor “Princesha” në Mati 1, po i detyron banorët e saj të përdorin shkallët, ndërsa ata që nuk mund të ngjiten të mbyllen në banesa.

Ashensori i objektit 2 në këtë kompleks është ndalur që dy javë, për shkak të mosmarrëveshjeve mes kompanisë ndërtuese dhe kompanisë që mirëmban liftat.

Flamur Dylhasi, njëri nga banorët e ndërtesës me ashensor të ndalur, thotë se përdorimi i shkallëve është i mundimshëm si ngjitja në minare të xhamisë.

“Shumica e banorëve të cilët kanë hy në banesë kanë hy pasi që është vendos lifti, për arsye se janë bazuar në lift. Është shumë vështirë ecja në shkallë si me hyp në minare të xhamisë. Është shumë vështirë për nënat me fëmijë, personat me mbipeshë, të sëmurët kronikë dhe personat e moshuar. Sidomos katet më të larta e kanë shumë më të vështirë ecjen në shkallë”, tha Dylhasi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Për ndaljen e ashensorit kompania ndërtuese “Princesha Construction” dhe kompania e mirëmbajtjes së ashensorëve “Liftkos” fajin ia hedhin njëra-tjetrës.

Jahir Morina, përfaqësuesi i “Princesha Construction” tha se komania “Lifkos” ka ndalur funksionimin e një ashensori në këtë kompleks, ngase sipas tij po synon t’i marrë paratë e fondit të garancisë.

Morina shpjegon se dhjetë për qind e parave sipas marrëveshjes përbëjnë fondin e garancisë për pranim teknik.

“Kompania ‘Liftkos’ i ka marrë paret e mirëmbajtjes nga banorët dhe nga kompania në mënyrë të rregullt, tani shantazhon për marrjen  e 10% që është garancion për pranimin teknik”, trehgon Morina për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ai bën me dije se ashensorët në Kompleksiin “Princesha” janë lëshuar që tre vjet, një prej “Princesha Group” dhe tre prej “Liftkos”-it.

Morina tregon se ende nuk është bërë pranimi teknik i ashensorit, ndërsa paralajmëron padi për “Liftkos”-in.

“Fondi i garancisë nuk merret për ata e kam padit, do të vazhdoj të e padis, ai do të japë përgjegjësi dhe garanci për ashensorët, sepse ashensori është seni më i rrezikshëm në një ndërtesë. Këtu është çështja- tash ai don mi marrë edhe 10 përqindëshin para kohe pa u bo pranimi teknik dhe mos me majtë përgjegjësinë”, tha Jahir Morina.

Gazeta Jeta në Kosovë kontaktoi Prokurorinë e Shtetit për ta pyetur nëse ka padi të “Princesha Group” ndaj “Liftkos”-it, por nuk mori përgjigje prej prokurorisë.

Por Merita Shala nga kompania “Liftkos” Sh. P. K. që vepron në Parkun e Biznesit në Drenas, thotë se “Princesha Group” nuk ua ka dhënë paratë për ashensorin që nuk punon.

“Kompania jonë ka montuar ashensorët dhe ka mirëmbajtur ashensorët sipas kontratës në fjalë. Përkundër kësaj, Princesha Group Sh.p.k. nuk e ka paguar çmimin e ashensorëve”, thotë Merita Shala për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo mohon se “Liftkos”-i ndaloi ashensorin.

“Ashensori ka funksionuar në gjendje të rregullt. Ne nuk kemi kontratë me banorë për mirëmbajtje të ashensorit. Ne gjithashtu nuk e kemi ndalur ashensorin. Banorët kanë kontratë të shitblerjes me ‘Princesha Group Sh.p.k.’ dhe atë mund ta marrin në përgjegjësi”, tha Shala.

Ajo deklaroi se ndaj “Princesha Group” është iniciuar procedurë përmbaruese për pagesën e ashensorit.

“Është iniciuar procedura e ekzekutimit ndaj ‘Princesha Group Sh.p.k.’, por e njëjta nuk ka mjete në llogari. Një procedurë falimentimi nuk është iniciuar nga pronari për kompaninë ‘Princesha Group Sh.p.k.’. Sipas informatave që kemi, tani pronari i saj operon me kompani tjetër ‘Princesa Bani Com Sh.p.k’”, shpjegon Shala.

Për lëshimin e sërishëm të ashensorit në objektin numër 2 të kompleksit “Princesha” në “Mati 1″ të Prishtinës banorët e saj nëpërmjet Flamur Dylhasit i janë drejtuar me kërkesë kompanive “Liftkos” e “Princesha”, Policisë së Kosovës, Inspektoratit të Komunës së Prishtinës dhe Shoqatës për Mbrojtjen e Konsumatorëve.

Në letrën që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se banorët e ndërtesës po i vuajnë pasojat e përballjes përmbarimore në gjykatë nes dy kompanive.

“Ju lutemi që të merrni masa ndaj zgjidhjes së këtij problemi, duke kthyer në gjendje funksionale ashensorin, marrë parasysh se në këtë ndërtesë banojnë banorë me sëmundje kronike kardiovaskulare, nëna shtatzëne dhe nëna me fëmijë të porsalindur dhe të vegjël të cilat detyrimisht lëvizin me karroca për fëmijë, i pamundësohet lëvizja e lirë, ndihma eventuale mjekësore emergjente, sidomos në ditët e fundit me temperatura të larta”, thuhet në letër.

Në letër më tutje shpjegohet se së paku dy banorë të këtij kompleksi janë mbyllur në banesat e tyre në pamundësi për të lëvizur me ashensor.

“Me sa kemi kuptuar, në këtë hyrje ekzistojnë 2 persona, të cilët  pas nxjerrjes nga funksioni të ashensorit nuk kanë lëvizur fare jashtë, nga frika e pamundësisë për t’u kthyer në banesë të tyre”, tregohet në letër.

Adonis Tahiri, zëdhënësi i Komunës së Prishtinës thotë se komuna me ligj nuk mund të ndërhyjë mes kompanive private të ndërtimit dhe atyre të mirëmbajtjes, edhe pse e pranon që banorët i kanë kërkuar ndihmë komunës.

“Banorët e kanë në bashkëpronësi banesën. Nuk është pronë e komunës, por e tyre, edhe shkallët, edhe krejt. Tash ata organizohen me majtë shpinë e vet. Komuna nuk mundet me ndreqë se është pronë e tyre. Me ligj nuk lejohet komuna mu përzi në ndreqjen e liftit”, tha Tahiri për Gazetën Jeta në Kosovë.

Sipas Tahirit, ndihma për rregullim të liftit mund t’u vijë banorëve nëpërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore.

“Ndërmarrja Publike Banesore, nëse lidhin kontratë me ndërmarrjen, ata ia tregojnë tarifën sa duhet me pagu në muaj dhe i ndihmojnë, por me ligj për bashkëpronësi hyrjet e banesave janë pronë e përbashkët e banorëve”, shpjegoi Tahiri.

Ndërmarrja Publike Banesore në një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se nëse banorët e kompleksit “Princesha” dakordohen ta kontraktojnë, ajo mund t’i mirëmbajë hapësirat e përbashkëta të ndërtesës.

“Nëse banorët e ndërtesës dakordohen të kontraktojnë Ndërmarrjen Publike Banesore, NPB-ja në saje të ofertave që ofron, pas marrjes së kërkesës për mirëmbajtje nga ana e përfaqësuesve të hyrjes së objektit në fjalë, do të fillojë me procedurat  e kontraktimit, me ç’rast do të fillonte edhe marrja e përgjegjësisë së mirëmbajtjes së hyrjes dhe ashensorit”, thuhet në përgjigjen e NPB-së.