Nacionalistët Serbë Rikthejnë Gjuhën e Urrejtjes

Janari i 2013-ës pa një ringjallje ogurzezë të gjuhës së urrejtjes në gazetat dhe revistat serbe, ku ndaj shqiptarëve drejtohen shpifje raciste, kroatët etiketohen si hajdutë patologjikë, dhe një transmetues rajonal publik akuzohet se është fasadë për interesat e Zagrebit.

Një retorikë e tillë tregoi se kushdo që kritikon nacionalizmin rrezikohet të vihet në shënjestër për origjinën e tyre etnike ose etiketohen “anti-serbë” – fyerje që përdoret për të fyer liberalët, njerëzit me mentalitet perëndimor dhe të gjithë që kundërshtojnë në ndonjë mënyrë ideologjinë e qeverisë.

Ka lindur frika se retorika ndarëse e Serbisë së viteve 1990-të është përsëri në rritje, dhe organizata e djathë “Naši” ka vënë posterë me listën e emrave të “agjentëve të huaj”, përfshirë mediat dhe organizatat joqeveritare që janë, ose kështu besojnë ata, të lidhur me CIA-n.

Grupe të tilla duan që shteti të nisë hetime, bëjnë akuza për spiunazh dhe etikojnë zyrtarisht të gjitha këto organizata që marrin fonde të huaja nga “agjentët e huaj”, duke imituar një ligj që është prezantuar në Rusi, viti e shkuar, që rikujtoi paranojën e epokës komuniste, duke i urdhëruar të gjithë OJQ-të e mbështetura nga perëndimi, të identifikohen publikisht si agjentë të fuqive të huaja, në të gjithë literaturën e tyre zyrtare.

Rritja e ekstremizmit të djathtë vijoi zgjedhjet e vitit të shkuar të një qeverie të re që ka në radhët e saj shumë zyrtarë, të cilët më parë kanë shërbyer nën liderin Slobodan Milosevic, në një kohë kur diskursi nacionalist arriti në konflikt të armatosur.

Rritja e retorikës ndarëse në media që në atë kohë ka inatosur aktivistët vendas të të drejtave të njeriut dhe ka shkaktuar shqetësime ndërkombëtarisht.

Serbia, si anëtare e Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri në Europë, OSBE, ka “nënshkruar marrëveshje për të promovuar lirinë e të shprehurit dhe të luftojë jotolerancën dhe diskriminimin”, paralajmëroi misioni i OSBE-së në Serbi në një deklaratë të shkruar për BIRN-in.

Ndizen ndjenjat patriotike

Ndjenjat nacionaliste u forcuan nga lirimi nëntorin e kaluar të gjeneralëve kroatë, Ante Gotovina dhe Mladen Markac, nga Tribunali i Hagës dhe paaftësia e komunitetit ndërkombëtar për të gjetur përgjigjen e duhur ligjore për krimet e luftës të kryera gjatë Operacionit “Stuhia”, në vitin 1995, kur 200 000 serbë u dëbuan nga Kroacia.

Lirimi nga Tribunali i OKB-së i Gotovinës dhe Markacit, për krime të kryera gjatë ofensivës, fuqizoi besimin mes atyre që kanë qenë më parë të pavendosur se një padrejtësi historike po bëhej ndaj popullit serb, duke ndezur gjithashtu teoritë e konspiracionit se komuniteti ndërkombëtar ka një plan “anti-serb” për Ballkanin.

Gotovina dhe Markac arrijnë në Zagreb, pas lirimit nga Haga | Foto: Beta

Në të njëjtin muaj të lirimit nga Haga, gjykata kushtetuese serbe vendosi të mos ndalojë organizatat e djathta, dhe të dyja ngjarjet i kanë dhënë guxim ekstremistëve nacionalistë për të rritur fushatat e tyre, beson Milan Antonijevic, drejtor i Komisionit të Avokatëve për të Drejtat e Njeriut, YUCOM.

“Në këto fushata, minoritetet prezantohen si armiq, bëhen lista tradhtarësh, dhe kjo ka fituar momentum në fillim të vitit 2013”, tha Antonijevic për BIRN-in.

Progresi në negociatat e ndërmjetësuara nga BE-ja mes Beogradit dhe Prishtinës ka inatosur gjithashtu shumë që e konsiderojnë Kosovën të jetë toka e shenjtë e Serbisë dhe i interpretojnë bisedimet si një hap të mëtejshëm për ndarjen e detyruara të serbëve.

Ndërkohë, një grindje për çështjen e autonomisë së rritur të rajonit verior të Vojvodinës në Serbi ka inatosur më tej nacionalistët, tha Sonja Biserko, drejtoresha e Komisionit të Helsinkit në Beograd.

Më 14 janar, aktivistët nacionalistë dogjën flamurin e provincës përballë zyrës së Lidhjes së Social Demokratëve në Vojvodinë, që ka lobuar për më shumë autonomi – diçka që të djathtët e shohin si kërcënim për unitetin serb.

“Grupet ekstreme janë krahu i djathtë i qeverisë që do të heqë autonominë e Vojvodinës me çdo kusht”, tha Biserko për BIRN-in.

Aktivistët e djathtë besojnë se disa media dhe organizata joqeveritare po marrin të fondet e perëndimit për të shtyrë përpara politika që janë kundër interesave të Serbisë.

Revista javore “Peçat”, më 18 janar akuzoi disa nga gazetarët e transmetuesit publik në Vojvodinë, RTV, se janë “luftëtarë anti-serbë” dhe pjesë e një “lobimi kroat” që kërkon pavarësi për rajonin.

“Në bazë të origjinës etnike të shumicës se menaxherëve… është e vështirë t’i rezistohet konkluzionit se lobimi kroat është përgjegjës për këtë krim”, thuhej në artikull në revistën, e cila është pronë e Milorad Vucelicit, ish-aleat e Milosevicit.

OSBE-ja paralajmëroi se një retorikë e tillë mund t’i vërë në rrezik gazetarët.

“Gjuha e urrejtjes, si një sulm i drejtpërdrejtë në të drejtën për të qenë dhe menduar ndryshe, mund të rrezikojë sigurinë e atyre, emrat e të cilëve janë listuar dhe mund të rrezikojë funksionimin e RTV-së”, tha OSBE-ja në një deklaratë për BIRN-in.

Sidoqoftë, qeveria ka mohuar çdo përfshirje.

“Nuk i mbështes gjuetitë e shtrigave, kudo nga vinë, sepse kjo nuk sjellë diçka të mirë për askënd”, tha këtë muaj për B92, ministri i Drejtësisë, Nikola Selakovic.

Deklamimet raciste nuk dënohen

Menaxhmenti i RTV-së tha se do të ngrejë akuza për shpifjet e “Pecatit”.

“Artikulli… përdor haptazi gjuhë urrejtjeje që na kujton retorikën nacionaliste të viteve 1990-të”, tha RTV-ja në një deklaratë.

Shoqata e Pavarur e Gazetarëve, ndërkohë, ka paralajmëruar se artikuj të tillë “inkurajojnë të djathtët të bëjnë sistematikisht lista për media dhe organizata, duke i akuzuar për akte anti-serbe” dhe përfaqësojnë një hap prapa drejt retorikës së kohës së Milosevicit, kur njerëzit ishin të ndarë në “patriotë” dhe “tradhtarë”.

Ndërkohë, Antonijevic tha se edhe pse grupet e shoqërisë civile kanë reaguar fuqishëm ndaj incidentit, “është e qartë se nuk ka pasur përgjigje nga qeveria e shtetit”.

Sidoqoftë, në vend që të kërkojë falje për deklarata të tilla raciste, autori i artikullit publikoi një seri artikujsh të tjerë, duke përdorur gjuhë të njëjtë dhe duke insistuar se “urrejtja ndaj serbëve është bërë virtyt i shoqërisë sonë”.

Disa nga shembujt më shqetësues të retorikës së fundit nacionaliste kanë qenë haptazi raciste.

Një gazetë e njohur ditore publikoi këtë muaj një artikull për arrestimet e serbëve në Kosovë ditën e Krishtlindjeve Ortodokse, më 7 janar, me titullin “Shiptarët Bëjnë Arrestime për Krishtlindje”.

Përdorimi i fjalës “Shqiptar” në versionin serb “Šiptar” është një mënyrë për të përqeshur shqiptarët dhe për t’i prezantuar si racë inferiore ndaj serbëve, në një mënyrë të ngjashme si fjala “Ustashë” është përdorur disa herë për t’i etiketuar kroatët si fashistë në mediat serbe, në fillim të luftërave të viteve 1990-të.

Toni ndoshta nuk është aq histerik sa në të shkuarën, por tituj të tillë nxitës ndihmojnë për të frymëzuar urrejtjen etnike, tha Antonijevic.

“Çdo bashkëpunim me shqiptarët konsiderohet tradhti. Kjo duhet të ndalojë sepse i lë njerëzit me ndjenjën se duhet të urrejnë kombet e tjera”, tha ai.

Retorikë edhe më shqetësuese ka dalë në media online, ku njerëz që thonë se janë anëtarë të njësisë së njohur të operacioneve speciale të Ministrisë së Brendshme serbe që është shpërbërë një dekadë më parë, bënë një kërcënim ushtarak për shqiptarët në Kosovë.

Screenshot e shpalljes për shtyp të ish-njësisë së operacioneve të posaçme të MUP-it

“Iu bëjmë thirrje organizatave patriotike, partive politike dhe individëve të na bashkohen në çdo formë luftimi, përfshirë të armatosur, kundër shqiptarëve”, u tha në deklaratën e publikuar online, këtë muaj.

Autoritetet përsëri nuk e dënuan përdorimin e gjuhës së urrejtjes, por thjesht thanë se letra nuk mund të merrej seriozisht sepse njësia është e shpërbërë.

Fantazmat e viteve 1990-të

Retorika zyrtare ndërkohë ka përsëritur diskursin racist në media.

Këshilltari për kulturë i presidentit serb, Tomislav Nikolic, këtë muaj ka akuzuar kroatët se janë “kleptomaniakë” dhe hajdutë ordinerë, pasi autoritetet në Zagreb lansuan një monument të madh në autostradën Split-Mostar për versionin e alfabetit cirilik, që shihet nga shumë serbë si pjesë e identitetit të tyre kombëtar.

“Do t’i vjedhin gjithmonë çakmakët dhe gotat e të tjerëve nga tavolina”, tha këshilltari i presidentit, Radoslav Pavlovic, një skenarist për film, televizion dhe teatër, që u inatos gjithashtu nga një deklaratë e Akademisë së Shkencave në Kroaci duke e deklaruar ciriliken si trashëgimi të vendit.

Në një moment të ndjeshëm politik kur fantazmat nacionaliste të viteve 1990-të duket se po ngjallen, politikanët duhet të moderojnë retorikën e tyre, nëse duan të shmangin dëmtimin e marrëdhënieve me fqinjët e Serbisë dhe ndezin ndjenjat raciste në vend, tha Antonijevic.

“Politikanët nuk kanë të drejtë të mbështesin urrejtjen dhe të përhapin mungesën e tolerancës”, tha ai.

Ndërkohë OSBE-ja ka këmbëngulur se gjuha e urrejtjes duhet larguar “veçanërisht në diskursin politik, duke njohur rëndësinë e balancimit të respektit për lirinë e të shprehurit me detyrimin për të luftuar diskriminimin”.