Mungojnë Tetë Nota Verbale

E plotësuar më 4 korrik 2013

Ministria e Punëve të Jashtme konfirmoi gjatë javës së kaluar se numri i vendeve që njohën shtetësinë e Kosovës ka kaluar 100-shin. 

MPJ-ja njoftoi se Egjipti dhe El Salvadori, njohja e 101-të, janë dy vendet e fundit që kanë konfirmuar njohjen e pavarësisë së Kosovës, të shpallur më 17 shkurt të vitit 2008. 

Por, Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar kaq nota verbale nga vendet që kanë konfirmuar se e njohin pavarësinë e Kosovës. 

Vetëm 92 nota verbale- një dokument që formalizon marëdhëniet diplomatike, janë pranuar nga autoritetet në Kosovë. 

Enver Hoxhaj, ministër i Punëve të Jashtme, në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë deklaroi se i kanë të gjitha notat verbale, për secilën njohje që i ka ardhur Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka parë të gjitha notat verbale që kanë arritur në Ministrinë e Punëve të Jashtme, pas kërkesës që i është bërë asaj, për qasje në dokumentet publike.

Prej 100 shteteve që e kanë njohur Kosovën [ditën e premte-para njohjes nga El Salvadori] në ministri kanë arritur 92 nota verbale.

Në dosjen e numrit të njohjeve mungojnë notat verbale të Emirateve të Bashkuara Arabe, shtetit të Senegalit, Islandës, Polonisë, Norvegjisë, Nigerisë, Burundit, Egjiptit dhe El Salvadorit, që mori të premten vendimin për njohje të Kosovës. 

Sipas MPJ-së, njohja nga El Salvadori do të formalizohet me një shkresë zyrtare në fillim të javës.

Vetë ministri Hoxhaj më vonë, pasi që disa prej notave verbale mungonin, pohoi se ka edhe tjera mënyra që formalizojnë marrëdhëniet diplomatike.

“Kur njohja del edhe në faqen zyrtare të shtetit përkatës, atëherë merremi vesh si dojm më formalizu këtë pjesë, përmes notes verbale, marrdhënieve dplomatike apo formave tjera të bashkëpunimit”,  tha Hoxhaj.

Kryediplomati Hoxhaj deklaroi se në momentin kur një ministër i një shteti i konfirmon njohjen, lajmëron menjëherë Presidenten dhe Kryeministrin e Kosovës.

Në mesin e shteteve që mbështesin pavarësinë e Kosovës janë dy vendet afrikane Uganda dhe Nigeri, por që sipas Hoxhajt ende nuk e kanë njohur shtetësinë e vendit tonë.  

Hoxhaj thotë se këto njohje janë në proces të formalizimit në qeveritë e Ugandës dhe Nigerit.

Njohjen nga këto dy vende e kishte paralajmëruar Pacolli në mars të vitit 2012, por Ministria e Punëve të Jashtme kishte deklaruar se në këtë institucion nuk ishin dorëzuar nota verbale të njohjes.  

Enver Hoxhaj | Foto: mfa-ks.net

“Qeveria e pakoordinuar për njohjet”

Shpend Kursani nga Instituti KIPRED pohon se një prej arsyeve që mungojnë disa nota verbale ka mundur të jetë moskoordinimi ndërmjet zyrtarëve shtetëror që janë të ngarkuar me punë të jashtme. 

“Kjo ka mund të ndodhë edhe për shkak të moskoordinimit të MPJ-së me Presidencën, dhe zv/kryeministrin e angazhuar për Punë të Jashtme (Behgjet Pacollin), ku ka ndodh që njohjet mos të vinë në MPJ, siç e dëshiron praktika diplomatike”, tha Kursani.

Skënder Hyseni, anëtar i Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme dhe ish-ministër i Punëve të Jashtme, ka thënë se ekzistojnë dy mënyra për njohjen e një shteti, në pajtim me Konventën e Vjenës mbi marrëdhëniet diplomatike.

“Ministri, zv.Ministri apo edhe ndonjë ambasador, mund të bëjë publike një njohje vetëm kur ka një konfirmim zyrtar, qoftë edhe përmes telefonit, me kusht që nota verbale vjen më vonë, ose përmes një komunikate, ku në të thuhet që shteti ynë, dëshiron të krijojë marrëdhënie diplomatike me shtetin tuaj, e kjo nënkupton automatikisht njohjen”, tha ish-ministri Hyseni.

Ish-ministri Hyseni i tha gazetës se paqartësitë që janë krijuar rreth numrit të njohjeve, kanë lindur  nga “mosdija e të kuptuarit të problematikës”.

“Kanë një mungesë totale të dijes për marrëdhëniet diplomatike dhe funksionimin e tyre mes shteteve”, tha Hyseni.

Kursani thotë se gara mes Hoxhajt dhe Pacollit, se kush po i sjellë më shumë njohje Kosovës, është një gjë e mirë për shtetin.

“Kjo e rrit energjinë dhe angazhimin e tyre për njohje”, thotë Kursani.

“Megjithatë mungesa e koordinimit mes vete, ku secili ndjehet më i rëndësishëm se tjetri dhe shpeshherë refuzojnë të flasin ndërmjet veti,  bën që konkurrenca mes tyre në rritjen e numrit të njohjeve të jetë e dëmshme për Kosovën”, thotë Kursani.

Ai thotë se Kosova ka disa objektiva të politikës së saj të jashtme mirëpo nuk ka strategji të mirëfilltë për lobim.

Edhe Skender Hyseni, thotë se këta tre vjetët e fundit, në çështjen e lobimit është vepruar “ad hoc”.

“MPJ-ja nuk kanë vepruar me një strategji pak më të shtruar dhe afatgjate, por nuk kanë qenë as të koordinuar mes vete”, tha ai.

Por, ministri Hoxhaj, thotë se koordinohen brenda Qeverisë me Pacollin dhe se meritat për disa njohje i takojnë zv.kryeministrit të parë.

Këshilltari i Pacollit, Jetlir Zyberaj, ka thënë se çdo gjë po shkon në rregull për sa i përket koordinimit me Hoxhajn.

Ai edhe më herët pati deklaruar se Zyra e zv/kryeministrit Pacolli koordinohet për njohjet me Ministrinë e Punëve të Jashtme. 

“Ne si zyrë (e zv.kryeministrit të parë, Pacolli), praktikojmë një bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës. Në kuadër të këtij bashkëpunimi, ne, në vazhdimësi i përcjellim të gjitha korrespodencat me shtete të ndryshme të botës, me të cilat punojmë për njohjen e Republikës së Kosovës”, pati deklaruar Zyberaj.

Shpend Kursani | Foto: kipred.org

Hoxhaj vs Pacolli

Behxhet Pacolli, zv.kryeministri i parë i Kosovës, njihet si njeriu që me lobimin e tij i ka sjellë njohje shtetit të Kosovës.

Jetlir Zyberaj këshilltar politik i Pacollit nuk dha përgjigje se cilat janë  njohjet që i ka sjellë Pacolli. 

Sipas tij të gjitha notat verbale të njohjeve të siguruara nga Pacolli janë dërguar në MPJ. 

Në faqen zyrtare të AKR-së subjektit politik që drejtohet nga Pacolli, janë të publikuara lajme të cilat tregojnë për takimet e tij me zyrtarë të shteteve të ndryshme, që sipas tyre e kanë njohur Kosovën.

Në lajmin i cili tregon për njohjen e Kosovës nga Tanzania, i cili është i publikuar në faqen e AKR-së thuhet se “Njohja nga Tanzania është rezultat i punës së zëvendëskryeministrit të parë, z.Behgjet Pacolli në Afrikë”.

“Kjo është njohja më e rëndësishme për Kosovën. Pas kësaj njohjeje, do të ketë edhe shumë shtete tjera që do ta pranojnë pavarësinë e Kosovës”, pati deklaruar Pacolli.

Në këtë faqe janë të publikuara lajmet edhe për njohjen nga Burundi, Sao Tome, Gana e Uganda.

Behgjet Pacolli në njërën nga mbledhjet e Komisionit të Punëve të Jashtme (17 prill 2013), pati deklaruar se gjatë vitit 2011 ai ka sjellë 13 njohje, derisa gjatë vitit 2012 ai ka sjellë 14 njohje për shtetin e Kosovës.

Ndërsa vetë Hoxhaj në po të njëjtin Komision gjatë muajit shkurt të 2013-ës pati deklaruar se gjatë vitit 2012 Kosovës i kanë ardhur 10 njohje.

Sipas Hoxhajt edhe shkresat e njohjeve nga Nigeri dhe Uganda, që ende nuk janë formalizuar, kanë qenë në adresë të Pacollit.

Një keqkuptim tjetër që kishte ndodhur mes Hoxhajt e Pacollit ishte për njohjen e Malit, që pretendohej se i kishte ardhur Kosovës.

Ministri Hoxhaj i ka treguar detaje gazetës rreth kësaj çështjeje.

“Ambasada jonë në Berlin pati marrë shkresë, në të cilën thuhej se Mbretëria e Malit e ka në procedurë njohjen e Kosovës”, citon Hoxhaj shkresën e dërguar nga Mali. 

“Unë i kam thënë Kryeministrit se Mali po na njeh, pasi ky ishte një komunikim mes ambasadave (ambasadës së Kosovës dhe Malit në Berlin) dhe nuk guxon të thuhet diçka që nuk qëndron”, tregon më tej Hoxhaj.

Por Pacolli, e kishte prezantuar njohjen pa ardhur shkresa zyrtare sipas Hoxhajt, edhe pse thotë se e kishte lutur mos ta bënte këtë gjë.

“Kur më është qartësuar se njohja nuk ka ndodhë une e kam thirr Kryeministrin dhe i kam thënë se njohja nuk ka ndodh”.

Ky ka qenë sipas tij skandali më i madh që ka ndodhur në procesin e njohjeve, që nga shpallja e Pavarësisë së Kosovës.

“Me këtë rast ia kam bërë të qartë Pacollit dhe çdo kujt tjetër në qeveri se nuk mund të luajnë më me procesin e njohjeve”, i tha Hoxhaj gazetës.

Skender Hyseni | Foto:mfa-ks.net

Pacolli kishte pohuar se njohja i ishte konfirmuar nga presidenti i Malit Dioncounda Traore në gusht të vitit 2012. 

Në shtator të vitit të kaluar Pacolli në emisionin “Interaktiv” të KTV-së thoshte se Hoxhaj duhet të ketë pasur zbrazëti në tru kur ka deklaruar se Mali nuk e ka njohur kurrë Kosovën.

Pacolli deklaronte se kishte dërguar në Mali pesë kompjuterë e kolltuqe në kuadër të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes vendeve. 

Por, vitin e kaluar shteti afrikan i Malit kishte pasur probleme të brendshme dhe Pacolli deklaronte se do ta vizitonte sërish këtë vend për të formalizuar njohjen. 

Republika e Malit nuk figuron si vend që e ka njohur Kosovën në listën e vendeve të Ministrisë së Punëve të Jashtme që kanë njohur pavarësinë. 

Skënder Hyseni, i cili e la ministrinë e Punëve të Jashtme me 72 njohje, thotë se i gjithë ky proces në disa raste është bërë për interesa personale.

“Keqkuptimet e krijuara mes dikastereve të institucioneve se kush ka sjellë një njohje ose tjetër, kanë krijuar paqartësi tek njerëzit se sa njohje i ka sheti i Kosovës” tha Hyseni. “Madje edhe unë si anëtar i Komisionit për Punë të Jashtme, nuk e di sa njohje kemi”.