Njësi speciale të policisë së Kosovës | Foto: KALLXO.com

A Mund t’i Rehabilitojë Kosova Ekstremistët e Saj?

Kosova po i ndjek hapat e shteteve evropiane si Danimarka e Gjermania duke krijuar programe rehabilitimi dhe çradikalizimit për qytetarët që akuzohen se janë përfshirë në luftërat e Sirisë dhe Irakut.

Zyrtarë nga qeveria e Kosovës thonë se janë duke përgatitur pesë programe të cilat do të merren “veçanërisht dhe në mënyrë të qartë” me rehabilitimin e personave që ose kanë marrë pjesë ose janë gati për t’ju bashkuar grupeve terroriste në Siri apo kudo tjetër në Lindjen e Mesme.

Edon Myftari, këshilltari për siguri i Kryeministrit Isa Mustafa, i ka thënë BIRN: “Këto programe parashikojnë trajtimin e personave të burgosur apo personave që jetojnë në Kosovë dhe që mund të jenë radikalizuar edhe pa marrë pjesë në konflikt por për shkak të llojeve të ndryshme të indoktrinimit”.

Programet priten të jenë gati në mes të korrikut të këtij viti dhe po planifikohen në bashkëpunim me Institutin Ndërkombëtar për Drejtësi dhe Sundim të Ligjit të Maltës.

Nga shtatori i vitit 2014 janë arrestuar afro 100 persona të cilët akuzohen se u janë bashkuar apo janë anëtarësuar në grupet terroriste të ISIS dhe  Al-Nusra.

Autoritetet vlerësojnë se rreth 300 shqiptarë të Kosovës u janë bashkuar ISIS dhe Al-Nusra. Sipas Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), diku 130 janë kthyer në Kosovë kurse besohet se rreth 60 kanë vdekur. Më shumë se 50 janë duke u gjykuar.

Studiuesi në kuadër të QKSS, Skënder Perteshi, ka kritikuar prokurorinë e shtetit dhe shërbimet korrektuese duke i akuzuar për trajtim të papërshtatshëm të personave të arrestuar.

“Janë disa njerëz [që janë kthyer nga Siria dhe Iraku] që u kanë ndihmuar institucioneve të sundimit të ligjit për ta kuptuar këtë dukuri. Ata kanë bashkëpunuar, por prokuroria nuk ka mundur t’i mbrojë këta njerëz”, ka thënë ai.

Perteshi po ashtu e ka vënë në dyshim kapacitetin e Kosovës për të rekrutuar profesionistë të rehabilitimit, çradikalizimit dhe riintegrimit të njerëzve që kanë qenë pjesë apo janë gati t’i bashkohen luftës në Siri.

“Kemi shumë psikologë dhe sociologë dhe njerëz në shërbimet korrektuese që besojnë se po e kryejnë punën e tyre si duhet”, I ka thënë ai BIRN.

“Por, ç’është e vërteta, ne kemi mungesë të personave me ekspertizë që mund të punojnë në rehabilitimin e njerëzve që janë kthyer nga Siria apo Iraku”, Perteshi ka shtuar.

Ekspertët dhe shoqëria të përjashtuar

Krijimi i programeve të rehabilitimit dhe çradikalizimit është pjesë e “Strategjisë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit që çon drejt terrorizmit”, të cilën Qeveria e ka publikuar shtatorin e kaluar.

Ky dokument 32-faqësh radhit masat specifike që duhet të merren për identifikimin e shkaqeve, faktorët dhe grupet e synuara, parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit, ndërhyrjen, dhe çradikalizimin dhe riintegrimin e personave të radikalizuar.

Ekstremizmi radikal fetar është problem relativisht i ri për Kosovën dhe është adresuar seriozisht vetëm në vitin 2014, dhe ka pak specialistë në sociologjinë e fesë apo në psikologjinë e rehabilitimit të njerëzve të radikalizuar.

Mesatarisht 5,000 studentë dimplomohen nga Universiteti I Prishtinës çdo vit, por lëndët që përqendrohen në psikologjinë dhe sociologjinë e fesë janë të pakta.

Profesori i sociologjisë, Ismail Hasani, i ka nxitur autoritetet e Kosovës që t’i përdorojnë kapacitetet ekzistuese teksa psikologë, sociologë dhe antropologë të tjerë trajnohen ndërkohë.

“Zyra e Kryeministrit duhet të krijojë një rrjet më të gjerë të njerëzve dhe të përfshijë individë të profileve të ndryshme gjatë procesit. Ata duhet t’u qasen psikologëve klinikë, teologëve, antropologëve, sociologëve të fesë dhe të tjerë”, ka thënë ai.

Strategjia po ashtu parasheh “këshillimin psikologjik dhe fetar të të burgosurve lidhur me aktivitetet e jashtëligjshme që kanë të bëjnë me ekstremizmin, si dhe mbështetjen sociale për familjarët e tyre.

Sidoqoftë, Perteshi thotë se njerëzit që ndikohen më së shumti nga elementet radikale apo indoktrinimi fetar aktualisht nuk po trajtohen fare nga autoritetet.

“Ne shohim takime mes zyrtarëve në nivel komunal dhe në nivel qendror, por mesazhi nuk po dërgohet drejt komunitetit që ndikohet më së shumti nga kjo dukur”, ai ka pretenduar.

Komuniteti Mysliman duhet të ketë rol

Në vitin 2015, Kosova ka adaptuar legjislacion për ndëshkimin e pjesëmarrësve në konflikte të huaja deri në 15 vjet burgim.

Gjatë shtatë-tetë muajt e fundit, autoritetet pretendojnë se nuk kanë regjistruar asnjë individ nga Kosova që është nisur drejt Sirisë për t’ju bashkuar grupeve terroriste atje.

“Fakti që askush nuk është duke shkuar nuk do të thotë që askush nuk dëshiron të shkojë [në Siri]”, ka paralajmëruar  Perteshi.

Ekspertët e sigurisë njoftojnë se, pavarësisht arrestimeve të ekstremistëve radikalë islamikë dhe masave të tjera të sigurisë, një numër mjaft i madh i të rinjve nga Ballkani vazhdojnë të radikalizohen përmes internetit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, i ka thënë BIRN se një nga sfidat kryesore me të cilat përballet Departamenti Antiterrorizëm është interneti.

“Përveç aksioneve në teren, organizatat terroriste janë po ashtu shumë aktive në internet, sidomos për rekrutimin e anëtarëve të rinj dhe përhapjen e ideologjisë përmes rrjeteve sociale”, ka thënë ai.

Ndërkohë, ekspertët nxisin autoritetet e Kosovës që t’i qasen këtij komuniteti përmes forumeve dhe burimeve të cilave u besojnë më së shumti personat e radikalizuar.

Bashkësia Islame e Kosovës, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm në vetëdijesimin për rreziqet e pjesëmarrjes në luftë në Siri, shihet si aktor kyç.

Ferdi Kamberi, sociolog dhe autor i librit “Fundamentalizmi i feve të mëdha monoteiste dhe globalizimi”, i ka thënë BIRN se Komuniteti Mysliman mund të luajë një rol të rëndësishëm në çradikalizimin e njerëzve.

“Roli i komunitetit fetar është vital”, ka thënë ai.

“Kohëve të fundit kemi parë një rol më të rëndësishëm të fesë në nivel lokal dhe rajonal. Prandaj, këto komunitete/organizata… duhet ta kenë një metodologji pedagogjike në vijë me principet e një shoqërie sekulare në mënyrë që të shmanget radikalizimi i njerëzve”, ka shtuar ai.