Mujës i Bëhet Padi

Organi i akuzës në Prizren po përgatitet të iniciojë padi ndaj Kryetarit Ramadan Muja pasi ai ndaloi përfaqësimin e ekspertëve nga Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrit për të dhënë ekspertizë në gjykatë.

Muja kishte obliguar ekspertët të nxjerrin vendim të veçantë për mospërfaqësim në lëndë të caktuara nga gjykata edhe pse ata janë të obliguar me ligj që ta bëjnë një gjë të tillë.

Ai e nxori vendimin më 2 gusht, ia përcolli atë vetëm Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrit, ndërsa nuk e njoftoi fare gjykatën e cila e kuptoi lëvizjen vetëm përmes rrugëve jozyrtare.

Më 1 shtator gjykatësi Valon Totaj i cili kishte caktuar një seancë në procedurë kontestimore për atë ditë, kishte kuptuar vetëm përpara fillimit të saj nga eksperti i gjeodezisë i licencuar nga gjykata, Derat Sezairi, se ai nuk mund të jepte mendim-ekspertizë, shkaku i vendimit të ri.

Për këtë arsye gjykimi i paraparë u shty, sikurse ka ndodhur dhe po vazhdon të ngjajë që shumë qytetarëve të tjerë t’u mos u procedohen zgjidhjet e kontesteve pronësore.

Në vendimin e Mujës dërguar gjeodetëve dhe kadastrit, nuk jepen arsyetime.

“Urdhërohet Drejtoria e Gjeodezisë dhe Kadastrës që me vendim të veçantë të ndalojë pjesëmarrjen e ekspertëve gjeodetë të Drejtorisë së Gjeodezisë dhe Kadastrës që në cilësinë e zyrtarit të komunës të bëjnë ekspertizat gjyqësore për nevojat e gjykatave kompetente”, lexon vendimi.

Vendimi nuk është në përputhje me kodin e Procedurës Penale të Kosovës, përkatësisht nenin 148 të tij, i cili thotë se ‘të gjitha organet publike detyrohen që gjykatave dhe organeve tjera kompetente që marrin pjesë në procedurën penale t’u japin ndihmën e nevojshme, sidomos për hetimin e veprave penale ose vendndodhjen e kryerësve’.

Muja po ashtu ka bërë edhe shkeljen e ligjit mbi gjykatat e rregullta, ku në nenin 18 thuhet se ‘organet shtetërore kanë për detyrë t’u ofrojnë ndihmën gjykatave në kryerjen e funksionit të tyre’.

“Organizatat e punës së bashkuar, organizatat dhe bashkësitë e tjera vetëqeverisëse kanë për detyrë t’u japin gjykatës pa shtyrje të dhënat dhe informatat e nevojshme për zhvillimin e procedurës”, vazhdohet në nen.

Komuna nuk duket të ketë marrë parasysh këtë obligim ligjor dhe ajo vazhdon të mbetet e patundur në vendimin e vet ndonëse në gjykatë lëndët po vazhdojnë të shtyhen çdo ditë.

Zëdhënësi i komunës, Ymer Berisha ka thënë për Gazeta Jeta në Kosovë se nxjerrja e një vendimi të tillë është plotësisht e drejtë dhe se komuna e ka marrë atë për faktin se nga ana e gjykatës janë ftuar vetëm gjeodetët e zgjedhur, nga ana tjetër ata të cilët nuk kanë pasur afërsi me gjykatën kanë mbetur pa u angazhuar.

Berisha deklaroi se gjeodetët të cilët po angazhohen nga gjykata, ‘më shumë janë të dhënë pas punëve private në gjykatë, sesa për punët e komunës’.

Organet e drejtësisë kanë mendim tjetër. Kryetari i gjykatës së qarkut, Ymer Hoxha thotë se me këtë vendim po bllokohet procesi i punës në gjykatë dhe i njëjti shpreson se kryetari do të bindet për gabimin e bërë. Ai e konsideroi vendimin joligjor dhe tha se duhet të tërhiqet.

Takime ndërkohë janë zhvilluar në mes gjykatës dhe komunës, mirëpo kanë kaluar javë dhe ende nuk është arritur ndonjë marrëveshje. Me qindra seanca gjyqësore janë grumbulluar.

Kryeprokurori i prokurorisë së qarkut, Sylë Hoxha ka deklaruar se në rast se ‘kryetari Muja nuk do tërheq vendimin, ndaj tij do të ngritët padi’.

Edhe ashtu, disa drejtorë drejtorish në komunën e Prizrenit janë duke u gjykuar për vepra penale ‘shpërdorimi i detyrës zyrtare dhe i autorizimit’.

Gjykata ka kompletuar lëndën dhe ia ka dërguar prokurorisë, e cila pritet të ndërmarrë hapin e saj të padisë.