Sokol Havolli (në mes). Foto: Facebook

Motra e Shefit të Kabinetit të Kryeministrit Punësohet në Institucion të Qeverisë

Ministria e Shëndetësisë udhëhiqet nga Imet Rrahmani. E kryeshef i AKPPM-së është Jeton Shala, i zgjedhur në ketë post në shtator të vitit 2015 përmes një vendimi të qeverisë Mustafa.

Sulltane Havolli është vajza e Ymer Havollit. Ky i fundit është ortak i biznesit me Isa Mustafën në ‘BPrAL RIINVEST’ SH.A. dhe në ‘Instituti Riinvest’ Sh.p.k. Havolli aktualisht është kryetar i Bordit të Trustit të Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Isa Mustafa gjatë kohës sa udhëheq me qeverinë për këshilltar dhe shef të kabinetit e kishte emëruar Sokol Havollin, që është djali i Ymer Havollit dhe rrjedhimisht vëllai i Sulltane Havollit.

Punësimi i Sulltane Havollit është bërë përmes një konkursi të hapur të hapur në muajin prill të këtij viti për dy vende pune: zyrtare e lartë në departamentin e autorizimit për marketing dhe zyrtare e lartë e licencimit.

Në pozitën e parë, si zyrtare e lartë në departamentin e autorizimit për marketing, kandidate e suksesshme është zgjedhur Sulltane Havolli.

“Në pozitën -Zyrtare e lartë shqyrtuese në Departamentin e Autorizimit për Marketing, është përzgjedhur kandidatja më e suksesshme, Sulltane Havolli, si dhe në pozitën -Zyrtarë e lartë e Licencimit, Pranvera Gjata”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë për KALLXO.com

Në një prononcim për KALLXO.com, Sokol Havolli, shef i kabinetit të kryeministrit Isa Mustafa, ka thënë se nuk ka ndërhyrë në këtë çështje.

“Jo në rastin e motrës time, por në asnjë rast tjetër unë nuk jam përzi në çështje të punësimit”, tha Havolli për KALLXO.com

“Shkoni në AKPPM, merrni secilën dosje të aplikimit që është bërë, merreni vlerësoni dhe nëse eventualisht shihni që nuk është e suksesshmja, atëherë është çështje që ju duhet me adresu, nëse e shihni që gjithçka është në rregull, po shpresoj që keni me neglizhu si temë”, shtoi Havolli për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kërkuar nga AKPPM më 4 Korrik që të ketë qasje në dosjet e kandidatëve, por nuk kemi marrë përgjigje edhe pse kanë kaluar gati 3 javë.

Zyra për komunikim e AKPPM-së, është arsyetuar se menaxheri i resurseve humane është në pushim.

“Menaxheri i Resurseve Humane, është akoma në pushim veror, dhe askush nuk kemi të drejtë të qasemi në dokumentet që ju kërkoni”, thuhet në përgjigjet e AKPPM-së.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Sulltane Havollin, e cila thotë se nuk ka nevojë për ndihmën e anëtarëve të familjes për punësim, pasi thotë se është mjaftueshëm e kualifikuar për këtë pozitë.

“Nga tre pozitat e shpallura unë kam të drejtë si çdo profesionist të aplikoj. Kur marr parasysh përgatitjen time profesionale, e konsideroj se nuk kam nevojë që të më ndihmojë askush. Këtë e them sepse kam përgatitjen shkollore, profesionale dhe përvojën më se të mjaftueshme”, tha Sulltane Havolli për KALLXO,com.

Ajo thotë se është Magjistre e Farmacisë dhe ka të përfunduar postdiplomike në MBA. “Jam specializante  ne drejtimin -hulumtim dhe kontroll i barnave (drejtim specifik për AKPPM)”, tha ajo.

Sulltane Havolli thotë se ka 10 vjet përvojë pune profesionale në fushat farmaci komunitare, poliklinika dhe në mësimdhënie të lëndëve profesionale të drejtimit të Farmacisë.

“Rrjedhimisht, nuk kam pasur dhe nuk me është nevojitur ndihma e askujt, por profesionalizmi im është përcaktues i pranimit tim edhe karrierës time, jo vetëm në këtë rast, por edhe në të ardhmen. Këtë mund ta verifikoni edhe ju përmes informatave që mund t’i merrni edhe më të detajuara nga institucioni përkatës”, tha Sulltane Havolli.

Por, KALLXO.com e ka pasur të pamundur të sigurojë dosjet e të gjitha kandidatëve për pozitën në të cilën është pranuar Sulltane Havolli, për të parë nëse ka pasur shkelje. KALLXO.com ka pritur më shumë se tre javë përgjigje nga AKPPM-ja.

KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe me Jeton Shalën, por i njëjti nuk iu është përgjigjur thirrjeve. Edhe për të në AKPPM kanë thënë se ai është në pushim.

Qeveria në detyrë e udhëhequr nga Isa Mustafa së fundmi e ka ngritur në detyrë edhe Berat Havollin, që është djali i vogël i Ymer Havollit, ortak në biznes me kryeministrin Mustafa. Berat Havolli me vendim të qeverisë është emëruar Këshilltarit të Konstituencës të Qeverisë së Republikës së Kosovës në Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ky i fundit ishte ngritur në pozitë në ministrinë e Financave në muajin qershor.