Një mjeke familjare në Rumani po vaksinon një fëmijë. Foto: Tudor Vintiloiu

Mosveprimi Fatal: Si u Rikthye Fruthi?

Karla nuk ishte vaksinuar kurrë për fruthin. Shëndeti i saj nuk e lejonte. E lindur me ezofag të ndërprerë, ajo e kaloi foshnjërinë duke hyrë e dalë nga spitali, shpesh me pneumoni.

Gjatë një qëndrimi rutinë në Spitalin e Urgjencës për Fëmijë Louis Turcanu në qytetin e Timishoarës në Rumaninë perëndimore, foshnja u gjend në të njëjtën dysheme me një vajzë që kishte fruth. Shpejt, Karla kaloi në ethe.

Ajo u transferua në anën tjetër të qytetit te Spitali Klinik për Sëmundje Infektive dhe Pneumonologji Victor Babes. Spitali ishte aq i tejmbushur me pacientë me fruth sa fillimisht Karla u vendos në një pavion me të rritur. Temperatura e saj u përkeqësua, duke u rritur në deri 42 gradë Celsius.

Gjatë natës së 18 dhjetorit 2016, ajo filloi të rënkojë në një mënyrë që nëna e saj, Florentina Marcusan, nuk e kishte parë kurrë më parë. Ajo kishte acarim në fytyrë dhe kraharor.

Pak pas orës 8 të mëngjesit, ndërsa një infermiere po i bënte Karlës një injektim, koka e vajzës filloi të dridhet. Ndërsa infermierja vrapoi për të kërkuar ndihmë, Marcusan e mbajti fëmijën e saj në krahë.

“Kur pashë se nuk po reagonte më, më zuri paniku dhe e vura në krevat, sepse e dija se ajo kishte vdekur… në krahët e mi,” rikujton ajo.

Doktorët e nxorën nënën e shqetësuar jashtë pavionit ndërsa u përpoqën ta ringjallnin vajzën. Ajo priti në të ftohtë para ndërtesës, duke ndezur cigaret njëra pas tjetrës dhe duke shtrënguar arushin tedi të Karlës.

Dyzet e pesë minuta më vonë, në orën 9.10, Karla Iasmina Georgiana Popa u deklarua e vdekur. Ajo ishte një vjeç e tre muaj.

Vajza e vogël ishte një nga 10 viktimat e fruthit në Rumani, sëmundje që deri në fund të nëntorit ka vrarë 36 vetë – më së shumti foshnja – dhe ka infektuar rreth 10 mijë të tjerë që kur u raportuan rastet e para në janar.

Kjo është epidemia më vdekjeprurëse në këtë vend që nga viti 2005, kur regjimi me dy raunde i vaksinimit kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, MMR, filloi të funksionojë.

Rastet e fruthit të lidhura me Rumaninë janë dalluar edhe larg në Belgjikë, Spanjë dhe Irlandë, por shpërthimet atje janë shumë të vogla në krahasim me epideminë që vrau Karlën.

Nëna e vajzës ia hedh fajin spitalit ku ajo qëndroi që nuk bëri mjaftueshëm për ta mbrojtur atë.

“Kam kaq shumë urrejtje brenda,” tha Marcusan, duke folur gjashtë muaj pas vdekjes së Karlës në fshatin e saj të lindjes Dubesti, rreth 90 kilometra nga Timishoara.

“Nuk i besoj më askujt.”

Mungesa e besimit është në zemër të krizës së fruthit në Rumani, ku besimi në shërbimet shëndetësore pengohet nga perceptimet mbi kushtet e këqija dhe keqmenaxhimet.

Pavarësisht disponueshmërisë së vaksinave falas të MMR-së pranë mjekëve të familjeve, të cilat i jepen fëmijëve në dy doza me distancë disavjeçare, normat e vaksinimit kanë rënë ndjeshëm.

Sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH, dhe sipas ministrisë së shëndetësisë së Rumanisë, normat për dozën e parë kanë rënë me 11 për qind përgjatë dekadës së fundit dhe për dozën e dytë kanë rënë me 29 për qind.

Shumë me shpejtësi akuzojnë për epideminë një lëvizje të ethshme kundër vaksinimit, por mjekët dhe ekspertët e shëndetësisë i vënë gishtin edhe autoriteteve rumune, duke përshkruar një dështim sistemik për parandalimin e një krize të paralajmëruar.

Nga keqmenaxhimi i stokut të vaksinave te dhënia e alarmit tepër vonë, ata paraqesin një tablo burokracie të paaftë dhe të vetëkënaqur – me pasoja shkatërrimtare.

“Programi i imunizimit nuk mund të jetë më i mirë se sa programi i shëndetësisë që e organizon atë,” tha Eduard Petrescu, një koordinator te Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF, në Rumani.

Të tjerët e shohin si një rrëfenjë paralajmëruese të asaj se çfarë ndodh kur autoritetet dështojnë të sjellin bashkësitë e margjinalizuara – në këtë rast minorancën Rome – nën kujdesin shëndetësor kombëtar.

“Nëse nuk vaksinon vazhdimisht, në mënyrë sistematike dhe me këmbëngulje, virusi e mbush boshllëkun menjëherë,” thotë Adriana Pistol, drejtoreshë e Qendrës për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Komunikueshme në Rumani, pjesë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik dhe e ministrisë së shëndetësisë.

Florentina Marcusan studion dosjen mjekësore të vajzës së ndarë nga jeta. Karla. Foto: Octavian Coman

Jashtë sistemit

Para shpikjes së vaksinës së fruthit në vitet 1960, pothuajse të gjithë fëmijët sëmureshin nga ajo pa i mbushur ende të pesëmbëdhjetat. Virusi shumë infektues transmetohet përmes kollës, teshtitjeve apo kontakteve me pështymën e infektuar.

Para fushatave masive të vaksinimit, epidemitë madhore shpërthenin një herë në dy apo tre vjet, duke vrarë mesatarisht 2.6 milionë njerëz në të gjithë botën, sipas OBSH-së. Në vitin 2016, vdekjet në botë ranë në rreth 90 mijë.

Faktet: Shkenca e fruthit

Fruthi është një nga sëmundjet njerëzore më ngjitëse. Para zbulimit të një vaksine më 1963, ajo merrte më shumë se 2 milionë jetë dhe infektonte më shumë se 30 milionë vetë çdo vit. Këto janë disa nga faktet kyçe mbi këtë sëmundje.

* Fruthi vret një ose dy njerëz për çdo 1 mijë që kanë kontakt me virusin.

* Nuk ka trajtim specifik përveç lehtësimit të simptomave.

* Simptomat e para shpesh përfshijnë ethe, kollë, inflamacion dhe sëmundje të përgjithshme. Dy deri në katër ditë pas kontaktit dallohet një rëndim tipik i menjëhershëm.

* Pacientët kanë tendencën të jenë ngjitës nga rreth 4 ditë para shfaqjes së shenjave deri katër ditë pas shpërthimit të tyre.

* Fruthi është më vrasës mes fëmijëve nën pesë vjeç. Fëmijët që janë të kequshqyer, kanë deficencë në vitaminë A ose kanë çrregullime imunologjike të tila si HIV/AIDS janë më të rrezikuar.

* Komplikimet e zakonshme përfshijnë pneumoninë, diarre, otit dhe inflamacion.

* Në raste të rralla, fruthi mund të shkaktojë bymim të trurit, gjë që mund t’i lërë fëmijët të shurdhët ose mendërisht të paaftë.

* Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon që fëmijët të vaksinohen dy herë. Koha e dozave varion nga vendi në vend por e para zakonisht bëhet kur fëmija është 12 muajsh.

* Nëse një popullsi është e vaksinuar gjerësisht, fruthi ka shumë më tepër vështirësi që të përhapet, gjë që do të thotë se edhe njerëzit që nuk janë vaksinuar fitojnë mbrojtje për shkak se virusi nuk arrin të qarkullojë në bashkësi. Kjo njihet si imuniteti në tufë.

Burimi: OBSH, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara, Qendra për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve Komunikuese në Rumani.

 Vaksinat e fruthit u përdorën në Rumani për herë të parë më 1979, por ndodhi vetëm në vitin 2004 kur injeksioni i kombinuar MMR u bë pjesë e programit kombëtar të imunizimit falas. Një vit më vonë, një dozë e dytë e MMR-së u shtua. Normalisht fëmijët injektohen në moshën një dhe pesë vjeç.

Normat e vaksinimit të MMR-së arritën 97 për qind për injektimin e parë dhe 96 për qind për të dytin në vitin 2007, më shumë se sa kufiri prej 95 për qind i rekomanduar nga OBSH si minimumi i nevojshëm për të mbajtur fruthin nën kontroll.

Por normat e vaksinimit kanë rënë në rreth 86 për qind për injektimin e parë dhe 67 për qind për të dytin në vitin 2016, kur goditi epidemia e fundit, sipas të dhënave të ministrisë së shëndetësisë.

Kjo shifër ka gjasa ishte edhe më e ulët për anëtarët e bashkësisë Rome, minoriteti i dytë më i madh etnik në Rumani pas hungarezëve.

Sipas një studimi të vitit 2012 nga UNICEF dhe organizata të tjera, 45 për qind të fëmijëve romë nuk kanë marrë të gjitha vaksinat që përfshihen në programin kombëtar të imunizimit.

Punonjësit e shëndetit në bashkësi thonë se familjet rome mund të gjenden të përjashtuar nga rrethanat apo nga zgjedhja. Disa nuk janë regjistruar te mjekët për shkak se i mungojnë dokumentet e identifikimit. Të tjerët kanë stile jetese shëtitës.

Diskriminimi është gjithashtu një faktor. Sipas një studimi të vitit 2013 të OBSH-së, “cilësia e keqe e perceptuar për ndërveprimin me profesionistët e shëndetësisë përfaqëson një pengesë madhore [për romët] nga të kërkuarit të ndihmës mjekësore”.

Studimi zbuloi një seri praktikash diskriminuese nga shërbimi shëndetësor, përfshirë përdorimin e gjuhës fyese, kontaktit të kufizuar fizik gjatë ekzaminimit mjekësor dhe segregimin në pavionet e materniteteve.

Shpërthimi i fundit i fruthit ndodhi fillimisht në një bashkësi rome rreth fshatit Reteag në Rumaninë veriore, sipas zyrtarëve të shëndetësisë.

Romët në Reteag janë relativisht me mirëqenie. Shtëpitë këtu janë të mëdha dhe të reja. Disa i kanë dyert të zbukuruara me statuja luanësh.

Shumë fëmijë kanë emra që tingëllojnë si italianë: Rikardo, Franceska, Mateo ose Zoro. Kryebashkiaku Vasile Cocos shpjegoi se banorët kalojnë një pjesë të madhe të vitit në Itali, një praktikë migrimi që i ka rrënjët nga rënia e komunizmit më 1989.

Tregtarët romë nga fshati në mënyrë tipike udhëtojnë në Napoli për të blerë rroba dhe mallra për konsum familjar, të cilat i shesin në anë të tjera të Italisë.

Pas një vizite të tillë, dy fëmijë romë, në moshën 7 dhe 9 vjeç, sollën fruthin pas në Rumani në janar 2016.

Zyrtarët e shëndetësisë e dinë se virusi e kishte origjinën në Itali për shkak se i përket llojit B3. Nëse do të kishte nisur në Rumani, virusi do të kishte gjurmën gjenetike D4 të shpërthimeve të kaluara.

Në Reteag, shumë prindër i kanë marrë fëmijët e tyre në Itali para se ata të ishin mjaftueshëm të rritur për vaksinim, thotë Mihaela Catana, një infermiere e cila punon si ndërmjetëse mes mjekut të familjes për zonën dhe bashkësisë rome.

“Ne kemi ende këtë migrim […] Ia kam frikën sëmundjeve të tjera, si polio, të cilat janë më të rrezikshme,” tha ajo.

Ana Lingurar, 56, ndihmoi shërimin e dy prej tetë nipërve të saj pasi ata u kthyen nga Italia me fruth. Djemtë nuk ishin vaksinuar, ndoshta për shkak se ishin jashtë vendit në kohën kur duhej të kishin marrë injektimin, thotë ajo.

“Në Itali, nëse nuk je në listën e një mjeku familjeje, ata nuk janë të interesuar për fëmijën tënd,” thotë ajo.

Epidemiologia rumune Adriana Pistol fërkon fytyrën e saj nga lodhja. Pistol paralajmëroi për krizën e fruthit në RUmani por thotë se përpjekjet e saj për t’i rënë alarmit ranë në veshë të shurdhët. Foto: Tudor Vintiloiu

‘Nuk është prioritet’

Nga gushti i vitit 2016, raste të fruthit po raportoheshin nga më shumë se gjysma e vendit, duke infektuar njerëz nga të gjitha etnitë, të pasur apo të varfër.

Asgjë e tillë nuk erdhi si surprizë për Adriana Pistol nga Qendra për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Komunikueshme.

Më 2015, ajo pati dalluar e alarmuar mbulimin gjithnjë e më të dobët me vaksinim. Për shembull, vetëm gjysma e fëmijëve të distriktin perëndimor të Timis, shtëpi e rreth 700 mijë njerëzve, pati marrë injektimin e parë MMR, tregojnë të dhënat nga autoriteti shëndetësor vendor.

Ajo i dërgoi shqetësimet e saj te ministria e shëndetësisë, duke paralajmëruar për një epidemi të pritshme.

“Le të themi se kjo po vjen: nëse ke fëmijë, shko dhe vaksinoji,” rikujton ajo se i tha zyrtarëve. “Thoni diçka, dreqi e marrtë! […] Nuk është prioritet. Në shumë fusha, ne punojmë si zjarrfikës. Ne bëjmë diçka vetëm pasi shpërthen zjarri.”

Nga janari 2017, ndërsa numri i të vdekurve në Rumani arriti në 10, qeveria filloi të nxisë prindërit të vaksinonin fëmijët e tyre. Ministria e shëndetësisë vendosi një muaj më herët të jepte një injektim suplementar MMR për foshnjat nëntë muajshe si një masë e përkohshme krize.

Por shumë u shfaqën te mjekët e familjes vetëm për t’u përzënë.

Të dhënat e ministrisë së shëndetësisë tregojnë se në prill 2017, vetëm 36 mijë injektime MMR ishin të disponueshme nëpër të gjithë vendin, katër herë më pak se sa të njëjtin muaj të një viti më parë.

Mjekët e zemëruar thanë se qeveria u vonua tepër për porositjen e stoqeve të tjera.

Dalida Mosorescu, një mjeke familjeje në qytezën jugore të Kraiovës, tha në korrik se ajo pati pritur për dorëzimin e injektimeve MMR për dy muaj – edhe pse ministria e shëndetësisë i kishte siguruar njerëzit se stoqet ishin të disponueshme.

“Disa pacientë e kuptuan se ne nuk i kishim,” tha ajo. “Nuk ishte se unë po i pija vaksinat apo po ia injektoja vetes. Por disa ishin të zemëruar: ‘Hej, zonjë, unë kam parë të TV [që vaksinat ishin të disponueshme]. Pse nuk na i jep?”

Eksperienca e saj nuk ishte e pazakontë. Të dhënat e siguruara nga autoriteti shëndetësor rajonal në distriktin Dolj, ku Kraiova është kryeqendër, mjekët morën vetëm 20 nga 4,120 injektimet e kërkuara në prill.  Muajt e tjerë kishin gjithashtu mungesa ekstreme.

Një zëdhënës për Autoritetin e Shëndetit Publik për Rajonin Dojl tha se ai nuk e dispononte informacionin e saktë për shkaqet e mungesave.

Ndërkohë, një raport i ministrisë së shëndetësisë tregon se deri në fund të korrikut, më shumë se 224,000 fëmijë mes moshës nëntë muaj deri nëntë vjeç nuk ishin vaksinuar kundër fruthit në të gjithë vendin. Raporti thekson se autoritetet kishin stoqe të pamjaftueshme dhe buxhet të paktë për t’u përballur me epideminë.

“Nëse shk0n në një klinikë të lagjes dhe dëshiron të vaksinosh fëmijën por nuk gjen vaksinë, ka më pak gjasa që të kthehesh javën pasuese,” thotë Robb Butler, menaxher programi për Europën për sëmundjet e parandalueshme me vaksinim te OBSH.

Destabiliteti politik gjithashtu nuk ndihmoi. Që nga fundi i vitit 2015, Rumania u qeveris nga një qeveri teknokratësh pas dorëheqjes së kryeministrit të shkuar për shkak të zemërimit publik nga një zjarr vrasës  në një klub nate.

Pasi zgjedhjet parlamentare krijuan një qeveri të udhëhequr nga social-demokratët në janar, ministri i ri i shëndetësisë Florian Bodog kritikoi paraardhësin e tij teknokrat, Vlad Voiculescu, se pati lënë pas atë që ai e përshkroi si “katastrofë” në lidhje me stokun e vaksinave.

Voiculescu mbrojti punën e vet, duke thënë se stoqet e MMR-së ishin në nivelin e duhur në kohën kur ai iku nga ministria.

Bodog refuzoi një kërkesë për intervistë por ministria e shëndetësisë iu përgjigj një liste me pyetje. Ministria tha se nuk kishte pasur mungesë vaksinash MMR mes viteve 2015 dhe 2017 por se injektimi suplementar për foshnjat nëntëmuajshe dhe fushatat për të vaksinuar fëmijët e pavaksinuar vitet e shkuara pati shkaktuar presion mbi furnizimet.

Ish-ministri teknokrat, Voiculescu, i tha BIRN se sapo stoku i vaksinave bie poshtë një niveli të caktuar, ministria duhej të vepronte për të marrë më shumë. “Ky është një problem menaxhimi,” tha ai.

Stoqet e MMR-së më në fund u rimëkëmbën, por vetëm pasi qeveria firmosi një kontratë të re të madhe me një furnitor në fillim të korrikut.

Sipas statistikave të ministrisë së shëndetësisë, 338,445 doza ishin të disponueshme në të gjithë vendin në korrik, në krahasim me 116,193 në të njëjtiin muaj një vit më parë dhe 227,250 në korrik 2015.

Ditta Depner, një personalitet rumun anti-vaksinë, dyshon mbi shkencën e vaksinologjisë. Foto: Tudor Vintiloiu

Antivaksinues të zemëruar

Qeveria po përpiqet të miratojë një ligj që t’i bëjë vaksinimet të detyrueshme. Nëse miratohet drafti i paraqitur në parlament, ai mund të hyjë në fuqi më 2018.

Lëvizja i ngriti në këmbë vaksinoskeptikët. Në gusht, rreth 200 vetë, të quajtur anti-vaksinues, protestuan në Bukuresht. Në një prej banderolave shkruhej: “Vaksinimi i detyruar është vdekje e detyruar!” Më shumë protesta pasuan në vjeshtë gjatë debateve parlamentare për ligjin e ri.

Disa antivaksinues shqetësohen se MMR mund të shkaktojë autizëm, një frikë e krijuar nga një kërkim i një ish-mjeku britanik, kërkim i diskretituar tashmë prej kohësh.

Për Ditta Depner, një skeptike e njohur e vaksinave në qytetin Brasov, vetë shkenca e vaksinologjisë është e gabuar.

Nëna e një djali dhe një vajze – që të dy të pavaksinuar – jep leksione mbi lindjen natyrore dhe beson se sëmundjet kanë shkaqe emocionale.

“Kjo çmenduria me fruthin dhe ‘shpërthimin’ është thjeshtë sajesë e lapsit”

  • Skeptikja e vaksinave Ditta Depner

“Ethet nënkuptojnë zemërim më i madh i brendshëm,” tha ajo, ndërsa kishte një medaljon të madh argjendi dhe ishte ulur në një park.

Depner është e bindur se rastet e fruthit të raportuara në Brasov ishin fabrikime për t’i frikësuar njerëzit të vaksinonin fëmijët e tyre.

“Kjo çmenduria me fruth dhe ‘shpërthime’ janë thjesht sajesa të lapsit,” tha ajo.

Por megjithëse lëvizja anti-vaksinë është e zhurmshme, numri i tyre nuk e shpjegon në tërësi rënien e normave të vaksinimit përgjatë dekadës së fundit.

Në shkurt, Qendra për Mbikëqyrjen dhe Kontrollin e Sëmundjeve të Komunikueshme në Rumani kreu një studim me mbi 15 mijë fëmijë 18 muajsh e më shumë për të kuptuar arsyet se pse disa prej tyre nuk ishin vaksinuar.

Prej 3,690 fëmijëve që nuk ishin imunizuar siç duhet – pothuajse një e katërta e atyre të studiuar – afërsisht nëntë për qind e popullsisë së vrojtuar kishte prindër që kundërshtonin vaksinimin, veçanërisht injektimet MMR.

Kjo është pak më e lartë se sa numri i fëmijëve që gjendeshin jashtë vendit në kohën kur duhej të vaksinoheshin – dhe më pak se 13.6 për qind që ishin këshilluar nga mjekët të mos e merrnin vaksinën për arsye mjekësore.

Grupi më i madh nga të gjithë – rreth 42 për qind – thjesht “nuk kishte shkuar te mjeku”, duke sugjeruar një moskokëçarje të mundshme për vaksinimin ose mungesë besimi te shërbimet shëndetësore.

Shumica e të sëmurëve të shtruar në spital me fruth në Brasov ishin nga bashkësia rome, 20 kilometra më tutje në fshatin Zizin, ku mjeku vendës Jan Badan vlerëson se gjysma e fëmijëve të lindur në vitet e fundit nuk është vaksinuar.

Fshati Zizin është përplot me rrugë të përbaltura dhe me shtëpi të rrënuara me oborre të mbushura me plehra.

Disa nga banorët e Zizinit kishin teoritë e veta mbi origjinat e fruthit.

“Gjëra si kjo vijnë nga pisllëku,” tha Costantin Otelas, një këshilltar me tatu i zonës, i cili nuk ishte i sigurt se cili prej nëntë fëmijët e tij ishte vaksiuar apo jo.

Një i ri tha se ai mendonte se virusi ishte “hedhur nga një aeroplan”.

Marcela Taranu, 20 vjeç, tha se vajza e saj gjashtëvjeçare e pavaksinuar pati marrë fruthin dy javë më herët. Ajo tha se ishte përpjekur ta vaksinonte më herët se sa goditi kriza por i patën thënë se vaksina ishte e padisponueshme.

Duke folur jashtë kabinës së saj me një dhomë prej dërrase, ajo shprehu pak besim te fushata e autoriteteve për vaksinim.

“Nuk e kuptoj unë këtë,” tha ajo. “Disa e bënë vaksinën, por fëmijët nga këtu në ‘vendin e arixhinjve’ sërish e morën sëmundjen.”

Marcela Taranu thotë se ajo nuk e vaksinoi vajzën e saj sepse vaksinat nuk ishin të disponueshme. Foto: Tudor Vintiloiu

‘Mjafton vetëm një rast’

Dështimi i Rumanisë për të parandaluar shpërthimin, lejoi shpërndarjen e virusit jashtë vendit, por vetëm në ato vende ku gjeti terren pjellor, thonë ekspertët.

Autoritetet në Hungari patën frikë se fruthi mund të shpërndahej nga kufiri rumun më herët në këtë vit kur 29 raste u raportuan në juglindje.

Një shpërthim i kohëve të fundit në Serbi ngriti shqetësime të ngjashme, megjithëse autoritetet janë më të shqetësuar për rastet që vijnë nga Kosova, e cila po përballet me shpërthimin më të madh të fruthit që kur konflikti përfundoi në vitin 1999.

Epidemiologu Predrag Kon nga Instituti i Shëndetit Publik në Beograd tha se ndonëse virusi i gjetur në Serbi kishte të njëjtin tip gjeni B3 si ai në Rumani, autoritetet nuk kishin konfirmim se këto raste kishin ardhur nga kufiri rumun.

Sipas Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, nëntë vende të BE-së zbuluan 104 raste të fruthit mes tyre me një lidhje të mundshme me Rumaninë në vitin para shkurtit 2017: Austria, Republika Çeke, Franca, Gjermania, Irlanda, Italia, Spanja, Britania dhe Belgjika.

“Mjafton vetëm një rast për të rindezur shpërndarjen, pasi virusi hyn në një bashkësi që nuk është e mbrojtur,” thotë Remy Demesteer, një specialist i sëmundjeve infektive në Spitalin Marie Curie në qytetin Sharlërua në Belgjikë.

“Nuk ke nevojë për migrantë ilegalë që të sjellin sëmundjen. Çdokush mund të jetë mbartës i agjentit patogjen [një virus ose bakterie]”.

Sharlërua është një nga qytetet më të mëdha në rajonin frëngjisht-folës të Valonias në Belgjikën e jugut, ishte qendra e shpërthimit të fruthit që filloi dhjetorin e kaluar, duke infektuar pothuajse 300 vetë.

Shpërthimi u gjurmua te një burrë rumun i pavaksinuar i cili jetonte në Belgjikë. Ai e solli sëmundjen pas me vete pasi vizitoi të afërmit në Rumani, sipas Carole Schirvel, kreut të Njësisë për Mbikëqyrjen e Sëmundjeve Infektive të Valonias.

Virusi u përhap me shpejtësi mes të afërmve, miqve dhe fqinjëve.

Schirvel tha se shumë prej të prekurve ishin nga bashkësitë rome nga Rumania apo Serbia që jetonin në rajon dhe që binin në boshllëqe të sistemit shëndetësor belg për shkak se udhëtonin dhe nuk i mbanin fëmijët e tyre nëpër shkolla.

Të paregjistruar me mjekët, disa u dërguan menjëherë te shërbimet e urgjencës, duke infektuar të tjerë. Vetëm vaksinimi kundër polios është i detyrueshëm në Belgjikë, megjithëse infermieritë në Valonia i kërkojnë prindërve t’i japin fëmijëve vaksinat edhe për sëmundjet e tjera, përfshirë fruthin.

“Brenda tri apo katër javësh gjithçka shpërtheu,” tha Schirvel.

“Ti nuk ke nevojë për një migrant ilegal që të sjellë sëmundjen me vete. Çdokush mund të jetë bartës i një agjenti patogjen”

Remy Demesteer, specialist i sëmundjeve infektive

Edhe punonjësit e shëndetësisë u sëmurën, dhe përbënë 12 për qind të rasteve, megjithëse nuk pati raste fatale. Fruthi është bërë kaq i rrallë në Belgjikë sa disa mjekë dështuan ta identifikonin atë, duke vonuar diagnozën.

Italia pati shpërthimin më të keq të fruthit pas Rumanisë, me 4,794 raste – përfshirë katër vdekje – deri në fillin të nëntorit këtë vit.

Epidemiologia Adriana Pistol përshkroi një lloj “shkëmbimi virusesh” në të cilin fruthi pati origjinë në Itali por më pas rumunët sollën disa raste pas në Itali.

Por për Giovanni Rezza, drejtor i Departamentit për Sëmundjet Infektive në Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik të Italisë në Romë, shpërthimi i epidemisë është një problem i parandalimit dhe jo i migrimit.

Vaksinimi nga fruthi në Itali ishte në nivelin 87 për qind në vitin 2016, sipas ministrisë së shëndetësisë. Në rajonin e Tirolit të Jugut në kufi me Austrinë dhe Zvicrën, vaksinimi ishte vetëm 67 për qind.

Sëmundja preku në mënyrë disproporcionale adoleshentët dhe të rriturit, duke reflektuar shkallë të ulët vaksinimi në vitet pas prezantimit për herë të parë të vaksinës në Itali në vitin 1976, sipas Institutit italian të Shëndetit Publik.

Kërkimet nga instituti tregojnë gjithashtu se popullsia rome e Italisë nuk ishte veçanërisht e prekur, ndryshe nga shpërthimet e së shkuarës.

Surpriza e madhe ishte që punonjësit e shëndetësisë – më shumë se 300 prej tyre – u sëmurën.

Një studim i publikuar në mars nga Universiteti La Sapienza në Romë tregoi se vetëm 38 për qind e stafit mjekësor të vrojtuar brenda dhe përreth Romës mendonte se vaksinimi nga fruthi duhet të jetë i detyruar për punonjësit e shëndetit publik.

Rezultatet zemëruan Giuseppe La Torre, personin që kreu studimin.

“Nëse je një pediatër, doktor apo infermier i përfshirë në njësitë e kujdesit intensiv, në një njësi të kujdesit intensiv  neonatal, ti duhet të jesh i vaksinuar për çdo gjë,” tha ai.

Në përgjigje ndaj epidemisë, qeveria miratoi një legjislacion të ri, i cili kaloi në parlament në korrik, duke e bërë të detyrueshëm për fëmijët që të vaksinohen kundër dhjetë sëmundjeve, përfshirë fruthit, para se të nisin shkollën apo kopështin.

Florentina Marcusan shfleton dosjen mjekësore në shtëpinë e prindërve të saj në Dubesti. Foto: Tudor Vintiloiu

Në Rumani, perspektiva për vaksinim të detyrueshëm sjell pak ngushëllim për Florentina Marcusan, nëna që humbu vajzën e saj, Karlën, nga fruthi.

Në disa aste ajo shkon te varri i Karlës gjatë natës me një dëshirë të brendshme që të jetë me të. Herë të tjera ajo thotë se lutet që të bjerë në gjumë e të mos zgjohet më kurrë.

Ajo thotë se i mësoi rreziqet e fruthit vetëm pasi ishte tepër vonë.

“Nëse unë nuk e dija, të tjerët duhet ta dinë.”

Octavian Coman është një gazetar i lirë me bazë në Bukuresht. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni Erste dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur, në bashkëpunim Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.