Monumentet e Çuditshme të Ballkanit

Kur ish-presidenti i Amerikës, Georgë W. Bush erdhi në Shqipëri në qershor të vitit 2007, nuk ishte popullor as në vendin e tij,  në Lindjen e Mesme dhe në shumicën e vendeve që vizitoi në Europë, ku shpesh u përball me protesta të dhunshme.

Por në Shqipëri ishte ndryshe, veçanërisht në qytetin e vogël të Fushë-Kujës, ku statuja e tij tani zbukuron sheshin kryesor. Bush vizitoi qytetin e Fushë-Krujës rrugës për në aeroport, për të diskutuar një mikrokredi të financuar nga shteti amerikan me një berber, rrobaqepës dhe bari, dhe u mirëprit si një rockstar.

Festim Çela e kujton atë ditë me nostalgji dhe ka arsye të mirë për këtë. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ndaloi në lokalin e tij në Fushë-Krujë për kafe.

“Ishte njeri shumë i thjeshtë dhe i qetë, me kopsa të këmishës të zbërthyera dhe  mëngë të përveshura,  jo aq zyrtar. Familja ime dhe qyteti nuk do ta harrojnë kurrë atë ditë”, kujton Çela.

Statuja, që u zbulua më 12 qershor 2011, është punim i skulptorëve Qazim Kertusha dhe Ibrahim Reçi.
Kertusha kujton se pas ndalesës së presidentit, të nxitur nga lajmet në media për mirëseardhjen e ngrohtë dhe mbështetjen e Bushit për pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ata vizituan qytetin dhe bindën kryetarin e bashkisë dhe Këshillin bashkiak të miratonin monumentin.

 “Projekti ynë i preferuar si artistë ishte një memorial me formën  e kalendarit për të shënuar deklaratat e fuqishme të bëra nga Bushi aty, që simbolizuan fillimin e një epoke të re për kombin tonë”, tha Kertusha.

 “Sidoqoftë, banorët e qytetit dhe ata që e takuan atë ditë e konsiderojnë njeri të ngrohtë dhe të thjeshtë, kështu që Këshilli bashkiak vendosi ta bëjë presidentin Bush të pavdekshëm përmes një statuje”, shtoi ai.

Kadri Veseli, tani 80 vjeç, e kujton mirë vizitën e Bushit.

 “Bushi shtrëngoi duart jashtë kafenesë dhe pastaj ndaloi te furrxhiu ku hëngri një copë bukë”, kujton Veseli. “Ai ishte presidenti i Shteteve të Bashkuara, por mua m’u duk njeri shumë i mirë dhe miqësor, dhe është diçka shumë e mirë që e kemi përkujtuar vizitën e tij me një monument”, shtoi ai.

Çela që nga ajo kohë e ka quajtur kafenenë George W Bush “Për ne, vizita është krenari dhe për një kohë të gjatë kemi pyetur veten se pse zgjodhi qytetin tonë”, tha ai. “Statuja do të garantojë se vizita nuk do të harrohet dhe do t’i qëndrojë kalimit të kohës”.

Nëna Terezë e Maqedonisë

Murgesha katolike, Nëna Tereze mund të ketë fituar çmimin Nobel për paqe, por në vendin e saj të lindjes në Shkup,  ajo është bërë qendra e konfliktit të gjatë mes maqedonasve etnikë dhe shqiptarëve.

E lindur Anjeza Gonxhe Bojaxhiu në vitin 1910 në Shkup në një familje shqiptare, Nëna Tereze fitoi çmimin Nobel për 40 vjet shërbimi ndaj të varfërve dhe të sëmurëve në Indi.

 “Nga gjaku, jam shqiptare, nga nënshtetësia jam indiane, nga feja jam katolike”, ka thënë ajo njëherë.
Trashëgimia e saj është kontestuar ashpër edhe nga tri vendet fqinje në Ballkan, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.

Në Shkup u ngrit statuja e parë e murgeshës në qendër të qytetit në vitin 1990, dhe në vitin 2009 qeveria hapi një shtëpi memoriali për Nënë Terezën.

Shtatorja e Nenë Terezes Shkup, Foto: Flickr-Zoran Poposki

Planet e reja që do të implementohen së shpejti përfshijnë një kompleks të madh memorial 20 metra të lartë në sheshin kryesor në Shkup, të financuar nga biznesmeni indian, Subrata Roy dhe të përshëndetur nga kryeministri maqedonas, Nikola Gruevksi.

 “Pavarësisht se çfarë bëjmë, nuk mund të jetë asnjëherë e mjaftueshme për Nënën Tereze”, tha Gruevski kur prezantoi projektin më të fundit në janar.

Ndërkohë, vendi fqinj, Shqipëria ka emëruar me emrin e saj aeroportin ndërkombëtar, një spital dhe një shesh.

Ajo është figurë e dashur gjithashtu në Kosovë, ku shumica e qyteteve kanë një shesh të emëruar sipas saj.

Shumë shqiptarëve nga Maqedonia dhe vendeve të tjera nuk u pëlqen fakti që Maqedonia ka theksuar faktin se ajo ka lindur në Shkup, shpesh duke e përshkruar si “Shkupjanja Nëna Tereze”, ndërsa vazhdimisht nuk përmend etninë e saj shqiptare.

Partia opozitare Demokratike e shqiptarëve, një nga partitë më të forta etnike shqiptare në Maqedoni, këmbëngul se vendi duhet të ndërpresë së portretizuari murgeshën si të veten.

 “Ajo [Nëna Tereze] për nga origjina dhe misioni i saj, nuk i përket trashëgimisë maqedonase. Me interesim të parezervuar po ndjekim përpjekjet tinëzare të qarqeve të ndryshme maqedonase për të fshehur rrënjët e saj shqiptare, duke e mjegulluar me terma ngatërrues si “Shkupjanja”, ose “Qytetarja  Maqedonase”, tha partia në një letër drejtuar kryeministrit në vitin 2006.

Sidoqoftë, autorja e librit “Shkupjanja Nëna Tereze”, Jasmina Mironski, argumenton se duke përmendur vendin e lindjes së murgeshës, askush nuk po i mohon rrënjët e saj etnike. Ajo këmbëngul se asnjë vend nuk duhet të ketë të drejtë ekskluzive për trashëgiminë e saj.

 “Është e pamundur të përvetësohet një person”, tha Mironski.

Punonjësit në memorialin e Nënës Tereze këmbëngulën gjithashtu që etnia e saj nuk duhet parë si diçka e rëndësishme.

 “Këtu nuk flasim a është maqedonase apo shqiptare. Kjo nuk ka rëndësi për ne. Ajo është humanitare e njohur në mbarë botën që ka lindur në Shkup dhe nuk shoh asgjë të gabuar për ta lartësuar këtë fakt”, tha një punonjës që kërkoi të mbetej anonim.

Por disa njerëz që ecin në trotuarin aty afër mendojnë ndryshe.

 “Shqiptarët nuk kanë të drejtë të na ndalojnë së lartësuari Nënën Tereze. Pse? Sepse ajo ka lindur këtu dhe me sa di unë,  nuk është as 100 për qind e sigurt a ishte shqiptare apo vllahe, ose diçka tjetër”, tha Angel Mojanov, maqedonas 30-vjeçar.

 “Është e gabuar të portretizohet si maqedonase, sepse nuk është dhe qeveria duhet të ndërpresë së bëri këtë” , tha një shqiptare 45-vjeçare që kërkoi të mbetej anonime, duke shtuar se duhet të paktën të kishin shkruar emrin e saj në shqip [nën monumentin në qendër të Shkupit], nëse donin të tregonin respektin e duhur”.

Bob Marley i Serbisë

Në një vend të vetmuar përballë një shkolle në fshatin e vogël verior të Serbisë, Banatski Sokolac, ikona xhamajkiane e paqes dhe tolerancës, ylli i muzikës reggae, Bob Marley, ngre grushtin drejt qiellit.
 “Luftëtar me kitarë në dorë”, thuhet në mbishkrimin nën statujë.

Prapa xhamajkianit ka disa monumente të vjetra jugosllave nga Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore, që krijojnë një skenë që është qesharake dhe humoristike në të njëjtën kohë; vend i paqëllimtë i improvizimit të vërtetë ballkanik.

Monumenti i Marleyt, i bërë me poliestër nga skulptori kroat, Davor Dukic, u ngrit në vitin 2008 nga muzikantët serbë dhe kroatë, gjatë festivalit të përvjetshëm “Rock Village” në fshat, ku jetojnë më pak se 400 banorë.

Monumenti është interpretuar si përgjërim për pajtim dhe si një deklaratë humaniste, kundër luftës për “një dashuri të vetme” mes njerëzve të të gjitha racave. Pas statujës së boksierit Rocky Balboa në Zhiitiste në Serbi dhe yllit të filmit kung fu, Bruce Lee, në Mostar, në Bosnjë, u sugjerua se projekte të tilla përfaqësojnë përpjekje nga një brez më i ri, për të gjetur heronj që mund të bashkojnë dhe jo të ndajnë.

 “Pas ndarjes së ish-Jugosllavisë dhe gjakderdhjeve të viteve 1990, njerëzit rrallëherë mund të pajtohen për idhujt e tyre dhe preferojnë figura që nuk kanë lidhje me rajonin”, sugjeroi një artikull gazete pas ngritjes së statujës.

Por statuja e Bruce Lee është larguar që nga ajo kohë pasi u vandalizua, dhe Marley i Banatski Sokolacit nuk është është vetëm aq sa duket. Propozuesi i projektit, Mirko Miljus, që organizon festivalin “Rock Village” në fshat, thotë se figura e yllit nga Xhamajka që qëndron shumëngjyrëshe dhe krenare në mes të asgjëkundit, në rrafshinën e Vojvodinës, nuk është monument, por pjesë e dekorit të skenës, “e imagjinuar si pjesë e festivalit”.

Statuja e Bob Marley-t në Banatski Sokolac, Foto: Nemanja Cabriq

Ai pajtohet se Marley ishte simbol ndërkombëtar i paqes, por  tha se statuja ka kuptim vetëm gjatë festivalit, “kur ky fshat i vdekur gjallërohet pak”.

Skulptori Dukic sidoqoftë këmbëngul se statuja ka vlerë të vërtetë si një vepër arti. “Statuja është e vyer për të gjithë popujt që jetojnë këtu”, tha ai, duke shtuar se ka pasur incidente ndër vite, kur racistët dhe huliganët kanë dashur ta shkatërrojnë, por vendasit dhe organizatorët e festivalit kanë arritur ta mbrojnë.

Përveç popullaritetit të këngëve të tij në Ballkan që u ka qëndruar viteve, ka disa lidhje të vogla mes Marleyit dhe ish-Jugosllavisë.  Marley adhuronte shokun e ish-liderit Josip Broz Tito, Haile Selassie, avokues i Lëvizjes së Mosangazhimit që themeloi Jugosllavia. Marley ishte gjithashtu ortodoks; u pagëzua shtatë muaj para se të vdiste nga kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Etiopiane dhe kështu ka të njëjtën fe me 80 për qind të serbëve.

Nikola Tesla i Kroacisë

Një statujë e Nikola Teslës qëndron në një depo në Zagreb, viktimë e një konflikti që lindi shumë kohë pasi vdiq shpikësi pionier.

Tesla kishte origjinë serbe, por u lind në Kroaci, dhe statuja u ngrit për ta përkujtuar atë në qytetin e vogël kroat të Gospiqit, afër fshatit të tij të lindjes në Smiljan, në vitin 1981, kur Jugosllavia ishte ende e bashkuar. Serbia e konsideron hero kombëtar dhe aeroporti i Beogradit është emëruar sipas tij.

Monumenti i Teslës në Gospiq ishte replikë e statujave të krijuara nga skulptori i famshëm kroat, Fran Krsniq, në Ujëvarën e Niagarës dhe në Beograd, por kur filloi lufta e Kroacisë për pavarësi dhe simbolet “serbe” u vunë në shënjestër, monumenti u bombardua nga sulmues të paidentifikuar.

Në vitin 2006, kur  u festua 150-vjetori i ditëlindjes së Teslës, statuja u rivendos në shkritoren e Akademisë së Arteve Pamore në Zagreb, si pjesë e një bashkëpunimi mes Ministrisë së Kulturës kroate dhe asaj serbe.

Nikola Cerjanc, zëvendësdrejtor i shkritores, e përshkruan statujën si “kryevepër”.

Por pavarësisht, ka mbetur peng i nacionalistëve që e shohin Teslën si serb, dhe si pasojë si armik.
Tri vjet më parë, kryebashkiaku i Gospicit, Nikola Kolic tha se autoritetet lokale nuk donin që të kthehej statuja e Teslës, por që në vend të saj të vihej ajo e presidentit kroat të luftës, Franjo Tudjman.

Koliq është anëtar i Bashkimit Demokrat Kroat, parti politike e themeluar nga Tugjmani, që qeverisi Kroacinë në një kohë kur shumë monumente u shkatërruan për arsye politike.

Në janar të këtij viti, kryeministri kroat, Zoran Milanoviq u bëri apel autoriteteve të Gospiqit ta kthejnë monumentin e Teslës.

 “Tesla është një nga njerëzit e rrallë që i përkasin trashëgimisë së gjithë njerëzimit, dhe mendoj se duhet të ketë një monument edhe në Zagreb, edhe në Gospiq”, tha Milanoviq.

Pavarësisht kësaj, statuja mbetet  në depon e shkritores duke pritur që të ndryshojnë erërat politike.

Bill Clintoni i Kosovës

Në bulevardin e Bill Clintonit në Prishtinë, qëndron një statujë tri metra e lartë e ish-presidentit të SHBA-së që mban në dorë një libër me mbishkrim datën “24.3.1999”- ditën kur NATO-ja filloi fushatën e bombardimeve që i dha fund luftës në Kosovë, në vitin 1999.

Monumenti u ndërtua për të falënderuar Clintonin për rolin e tij në urdhërimin e bombardimit të Serbisë, dhe dhjetëra mijëra veta dolën për ta përshëndetur kur mori pjesë në inaugurimin e monumentit në nëntor të vitit 2009, shumë prej tyre mbanin flamurë të Shteteve të Bashkuara dhe foto të heroit të tyre amerikan.

 “Nuk e kam pritur kurrë se dikush do të bënte një statujë timen kaq të madhe”, i tha Clinton turmës që brohoriste, dhe shtoi se skulptori “ka bërë një punë të mrekullueshme”.

Statuja e Bill Clintonit Prishtinë, Foto: Edona Peci

Por kritikët në Kosovë që nga ajo kohë janë ankuar se statuja është jo vetëm artistikisht e papërshtatshme, por ndoshta edhe më keq, as që duket si ish-presidenti.

Projekti u propozua nga një organizatë shqiptaro-amerikane e quajtur “Miqtë e Bill Clintonit, miqtë e Amerikës”. Grupi dërgoi 6 000 euro për statujën, ndërsa Ministria e Kulturës në Prishtinë dhuroi rreth 20 000 euro dhe Banka Private për Biznes kontribuoi një sasi të papërmendur parashë.

Kritikët janë ankuar se statuja, e disenjuar dhe krijuar nga Izeir Mustafa, jo vetëm është e shëmtuar dhe jo e punuar mirë, por edhe është e vendosur keq mes ndërtesave të mëdha që rrethojnë Clintonin dhe e bëjnë të duket i shkurtër .

Disa kalimtarë në kryeqytetin e Kosovës janë gjithashtu thellësisht të zhgënjyer.

 “Kur hyn në Prishtinë dhe shikon statujën, e kupton që as nuk duket si Clintoni”, tha Fisnik Nimoni, student nga Peja.

 “Forma  e statujës- dora e ngritur në shenjë përshëndetjeje- është e ngjashme me monumente të periudhës komuniste”, shtoi ai.

Mustafë Halili, ish-shef i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës, tha se vendimi që nënshkroi për të ngritur statujën në vendin që qëndron tani “ishte i duhuri, sepse duhej vënë në bulevardin që mban të njëjtin emër”.

Por edhe Halilit iu desh të pranonte se mund të ishte bërë një punë më e mirë. “Jam dakord me kritikët, sepse statujës vërtet i mungojnë vlerat artistike, por  [Izeir] Mustafa [skulptori] kishte filluar të punonte kur filluan të shikonin për një artist që mund ta bënte këtë projekt. Për këtë arsye, vendosëm t’ia jepnim atij paratë e planifikuara”, tha ai.

Vladimir Vysotsky i Malit të Zi

Si përfundoi në Podgoricë statuja e rapsodit të madh rus, Vladimir Vysotsky? Vysotsky shkroi këngë emocionale dhe vjersha që e bënë poet hero në mbarë ish-Bashkimin Sovjetik para se të vdiste në vitin 1980, në moshën 42-vjeçare, pas vitesh abuzimi me alkoolin dhe drogën, por pothuajse nuk njihet në Ballkan.

Statuja e Vysotskyt qëndron afër urës Milenium, simbol i rimëkëmbjes së Malit të Zi pas trazirave të viteve 1990, në buzë të lumit Moraça, dhe është një nga monumentet që kremtojnë lidhjet historike të vendit me Rusinë, që përfshijnë gjithashtu një statujë të poetit Aleksandër Pushkin.

E rrethuar nga një kornizë gjeometrike metalike që reflekton dritë verbuese në verë, monumenti i Vysotskyt shfaq një këngëtar me gjoks të zhveshur dhe të zbathur, duke mbajtur një kitarë në një dorë dhe krahun tjetër të ngritur në ajër, ndërsa një kafkë qëndron në bazë të piedestalit.

Statuja e Vladimir Visotskit Podgoricë, Foto: Wikimedia Commons

Statuja u ngrit në vitin 2004, si dhuratë nga Moska, por shumica e vendorëve kanë pak ide se kush është Vysotsky. “Mendoj se ndërtimi i një monumenti të tillë është kujtim i këndshëm për qytetin, për shkak të haresë që përçon”, tha një grua që po kalonte aty pranë. E pyetur nëse e dinte se për kë është monumenti, ajo u përgjigj, “për një kitarist”. Në fakt kështu i referohen shumica e Podgoricës monumentit- si “kitaristi rus”.

Këngët e Vysotskyt shprehën “një përzierje shpërthyese dhimbjeje, humori, sarkazme dhe dëshirë të dëshpëruar për të vërtetën”, ka shkruar kritiku veteran i rokut në Moskë, Artemy Troitsky. Ai u ndalua nga sovjetikët, por u pranua nga fansat që dolën me mijëra në funeralin e tij. Edhe tani, ai është një zgjidhje e pazakontë e simbolit publik për qeverinë moderne ruse që ndonjëherë akuzohet të jetë autoritare.

Por, sekretari i Kulturës në Podgoricë, Hamdo Kocan shpjegoi se Vysotsky njëherë kishte vizituar Malin e Zi dhe “kishte rënë në dashuri” me vendin.

Ai tha se Vysotsky shkroi një poezi për vendin, një rresht që është gdhendur në monumentin e tij në Podgoricë: “Pendohem që në këtë jetë nuk kam dy rrënjë, dhe nuk mund ta quaj Malin e Zi si atdhe të dytë”.

Më shumë se dy dekada pas vdekjes së tij të parakohshme, ai më në fund u kthye, të paktën simbolikisht.

 “Vladimir Vysotsky… nuk kishte ide se një ditë statuja e tij do të qëndronte në këtë vend. Monumenti për Vysotskyn përfaqëson një simbol të ri të miqësisë qindra vjeçare mes Malit të Zi dhe Rusisë”, tha konsulli i asaj kohe i Rusisë, Yuri Bychkov, në ceremoninë e inaugurimit, në të cilën mori pjesë djali i këngëtarit, Nikia.

Podgorica dhe Moska që në atë kohë kanë mbajtur lidhje të ngushta; kur Rusia deklaroi luftë me Japoninë në vitin 1904, Mali i Zi dërgoi simbolikisht dhjetëra ushtarë për mbështetje. Paqja me Japoninë u  deklarua në mënyrë zyrtare më shumë se 100 vjet më vonë, kur Tokio njohu zyrtarisht rishpalljen e pavarësisë së Malit të Zi, në vitin 2006.