Monumenti Petrova Gora. Foto: Relja Dusek.

Monumentet Antifashiste, ‘Trashëgimia e Padëshiruar’ e Kroacisë

Me strukturën e tij të fortë prej hekuri dhe betoni, monumenti Petrova Gora ishte një nga skulpturat më të shquara përkujtimore të Luftës së Dytë Botërore në ish-Jugosllavi.

Ai u ndërtua në Kroacinë qendrore pranë kufirit me Bosnjën dhe Hercegovinën për të përkujtuar një kryengritje nga njerëzit në zonat e Kordunit dhe Banijës kundër milicisë fashiste ustashe dhe regjimit nazist kukull në fuqi në atë kohë, Shteti i Pavarur i Kroacisë.

Por ky monument dikur krenar, i cili u desh një dekadë të ndërtohej dhe u përfundua më në fund në vitin 1981, sot ngjan si një skelet kalbur gati të rrëzohet, me pllakat e çelikut që mungojnë, duke zbuluar betonin që është gati të bjerë.

Ndërtimi, i cili u krijua nga arkitekti i njohur jugosllav Vojin Bakiç, ndan fatin e shumë monumenteve të tjera që u ndërtuan për të përkujtuar luftën kundër fashizmit në vend.

Gjysma e monumenteve në Kroaci, rreth 3,000 prej tyre, u dëmtuan ose shkatërruan gjatë luftës së viteve 1990, ose më pas nga vandalët, ose u hoqën më vonë nga autoritetet.

Skulptura tjetër e famshme e Bakiçit, Monument për Fitoren e Popullit të Sllavonisë, që u zbulua në vitin 1968 në fshatin Kamenska në verilindje të Kroacisë, u minua dhe shkatërrua nga Ushtria Kroate në vitin 1992.

Një nga fotografitë më të famshme të ish-Jugosllavisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, është ajo e një luftëtar i ri partizan antifashist, Stjepan Filipoviç, duke pritur me krenari ekzekutimin e tij me duart lart, duke bërtitur: “Vdekje fashizmit, liri e popullit!”

Memorial i tij në Opuzen, në Kroacinë jugore, u shkatërrua gjithashtu në vitin 1991, bashkë me shumë të tjerë.

Fati i këtyre monumenteve u bë tema e një dokumentari të quajtur “Trashëgimi e padëshiruar” nga regjisorja kroate Irena Skoric. Dokumentari u shfaq për herë të parë në Festivalin e Filmit të Sarajevës vitin e kaluar, ndërsa premiera kroate u mbajt në muajin mars në Zagreb, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar.

“Gjithçka filloi rreth gjashtë vjet më parë. Mendova se duhej të realizoja një film për kryeveprat e shkatërruara të artit tonë në mënyrë që ato të ruhen pavarësisht barbarëve që u përpoqën t’i fshihnin ato nga memoria kolektive e popullit kroat,” tha Skoriç për BIRN.

“Rreth të njëjtës kohë, fotograf i famshëm belg Jan Kampeners botoi një libër për monumentet e Luftës Nacionalçlirimtare në Jugosllavi dhe për shumë njerëz në të gjithë botën, këto monumente ishin sensacionale. Në një farë mënyre, një i huaj duhet të vinte dhe të theksonte se monumentet tona të bukura historike janë unike në modernitetin dhe kreativitetin e tyre,” tha ajo.

Skoriç  tha se ajo beson se shkatërrimi në shkallë të gjerë i monumenteve kishte një qëllim të qartë politik.

“Këto monumente me vlerën e tyre të lartë historike ishin promovimet më të mira për antifashizmin. Në fund, kjo është pikërisht arsyeja pse ata u shkatërruan,” u shpreh ajo.

Një problem me historinë

Shkatërrimi është i dukshëm në monumentin Petrova Gora. Foto: Relja Dusek

Antonio Grgiç është një artist nga Kroacia që ka vënë në skenë një pjesë të quajtur “Hijet e Monumenteve”. Për projektin, Grgiç studioi shkatërrimin e monumenteve në të gjithë rajonin dhe gjithë Europën Lindore – dhe thotë se Kroacia është unike sepse ajo është shteti i vetëm që ka një problem me historinë e saj antifashiste.

Ai beson se asnjë shtet tjetër nuk ka dëmtuar ose hequr kaq shumë monumente që janë ndërtuar për të përkujtuar luftën kundër fashizmit.

“Pjesërisht, kjo gjë u bë ligjërisht. Në qytetin lindor kroat të Osijekut, kur një politikan nacionalist kroat dhe gjeneral ushtrie, Branimir Glavas ishte një kryekomandant, këshilli i qytetit vendosi se të gjitha monumentet e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare duhet të restauroheshin,” tha Grgiç për BIRN.

“Sigurisht, ky ishte thjesht një justifikim për t’i hequr ato. Dhe kjo ndodhi. Monumentet u eliminuan nga hapësira publike dhe nuk u kthyen më kurrë në vendet e tyre.”

Grgic u shpreh megjithatë se një problem i madh ishin monumentet që u zhdukën pa gjurmë.

“Kush dha urdhër për shkatërrimin e atyre monumenteve? E kuptoj që ishte një kohë kaotike (në fillim të viteve 1990) dhe se ishte luftë, por më e keqja është t’i pranosh të gjitha këto si diçka normale. Kjo nuk është normale,” tha ai.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se 20 vjet që nga fundi i luftës së saj për pavarësi, Kroacia ka ende një problem për ballafaqimin me vitet e saj komuniste.

Origjina e kësaj daton nga Lufta e Dytë Botërore dhe Shteti i Pavarur i Kroacisë, që respektohet ende nga disa njerëz që injorojnë faktin se ai ishte një shtet kukull i Gjermanisë naziste.

Ata shprehen se Kroacia ishte më në fund e pavarur atëherë dhe se Jugosllavia nuk ishte një mundësi që kroatët e zgjodhën lirisht. Qeveria pretendon se Kroacia nuk është pasardhëse e Shtetit të Pavarur të Kroacisë, por ajo i shikon krimet e kryera nga të gjitha regjimet totalitare – fashiste dhe komuniste – si të barabarta.

Si rezultat i kësaj qasjeje, edhe ato monumente që nuk u shkatërruan apo hoqën, shumica u lanë të shkatërroheshin pa u mirëmbajtur dhe u vandalizuan.

Historiania e artit Snjeska Knezeviç tha se që nga vitet 1990, humori anti-komunist është rritur në Kroaci, duke rezultuar në më pak respekt për luftën antifashiste. Në të njëjtën kohë, ka pasur përpjekje për të rritur statusin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë.

“Në vendet ish-komuniste, tërbimi ikona thyes u drejtua kundër monumenteve apologjet me ideologjinë e komunizmit dhe protagonistët e saj, por memorialet nuk ishin të dëmtuara. Në Kroaci ato u shkatërruan,” tha Knezevic për BIRN.

Knezeviç megjithatë beson se shteti kroat nuk mori pjesë në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkatërrim.

“Memorialet iu lanë grupeve të ndryshme politike të djathtëve, anti-komunistëve, nacionalistëve ose neo-ustashëvre, që i shkatërruan ato,” tha ajo.

Një çast special

Stjepan Filipoviç në varje dhe monumenti kushtuar atij në Opuzen para se të shkatërrohej.

Grgiç tha ndërkohë se ai është i zemëruar se monumente që ai i përshkruan si “çastet më të lavdishme në historinë e këtij rajoni” – mposhtja e fashizmit – po shkatërrohen ose hiqen.

“Këto monumente përfaqësojnë një çast special në historinë tonë dhe disa njerëz po përpiqen ta rishkruajnë me forcë atë. Unë ende besoj se ka dashuri, vëllazëri dhe unitet midis njerëzve,” tha Grgiç, duke iu referuar sloganit komunist “vëllazëri dhe unitet”, që u shpik nga puna.

“Kjo nuk ishte një gënjeshtër dhe shkatërrimi i monumenteve nuk do të ndryshojë asgjë,” këmbënguli ai.

Sanja Horvatinciç e Institutit të Historisë Artit në Zagreb mendon se monumentet e tilla janë kryesisht të një rëndësie historike, edhe pse disa prej tyre kanë vlerë serioze artistike.

“Nëntëdhjetë për qind e monumenteve nuk i kushtohen liderit jugosllav Josip Broz Tito apo komunizmit, por personave specifik dhe ngjarjeve historike,” tha Horvatinciç për BIRN.

“Ata nuk kanë thjesht rëndësi lokale për ndonjë komunitet në veçanti, por kanë gjithashtu rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare, sidomos në kontekstin e konsensusit europian mbi faktin që Lufta e Dytë Botërore përfundoi falë antifashizmit,” tha ajo.

Fatkeqësisht, u shpreh ajo, autoritetet kroate ndiejnë se ajo çla ajo e përshkroi si “një lloj sikleti” për mënyrën si t’i trajtojnë ato – si edhe perceptimi midis disa zyrtarëve se regjimi kroat pro-nazist që sundoi gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk ishte më keq sesa ai komunist që e pasoi atë.

“Sistemi i mbrojtjes së monumenteve reflekton konfuzionin në vend dhe perceptimin e tij për Luftën e Dytë Botërore dhe barazimin e palëve kundërshtare në luftë,” tha ajo.