Monopoli i Krijuar nga Mujota në Ikje

Fehmi Mujota i PDK-së pesë muaj para se t’ia dorëzonte Lutfi Zharkut të LDK-së detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe në kohën e ngërçit politik, më 1 korrik të këtij viti, nënshkroi një vendim që favorizon një firmë private që kishte në përbërje një përkahës të partisë së tij.

Vendimi i Mujotës e autorizon kompaninë Instituti për Hulumtime dhe Analiza “Leka Gas” me bazë në fshatin Korroticë të Drenasit që të bënte certifikimin e veturave që përdorin gas (plin). 

Autorizimi vlen deri më 1 korrik të vitit 2019 dhe veturat që nuk i nënshtrohen kontrollit të përvitshëm në “Leka Gas” nuk mund të qarkullojnë nëpër territorin e Kosovës. 

Kompania në kohën e autorizimit ishte në përberje të biznesmenëve Mirsad Manxhuka, Arsim Gërbeshi, Menderes Berisha, Blerim Morina dhe Bashkim Shala.

I fundit prej tyre, Bashkim Shala, është një përkrahës i Partisë Demokratike në pushtet dhe mik i zëvëndëskryetarit të saj Kadri Veselit.

Shala e largoi emrin e tij nga regjistri i biznesit, pasi Gazeta Jeta në Kosovë më 20 nëntor i dërgoi pyetje Ministrisë së Infrastrukturës dhe kompanisë private lidhur me monopolin e krijuar në certifikimin e veturave që përdorin gasin si lëndë djegëse.

Agjencia për Regjistrimin e Biznesit që operon në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë konfirmoi se Shala i barti aksionet e tij tek njëri prej ortakëve të kompanisë më 27 nëntor të këtij viti.

“Në bazë të dokumentacionit të dorëzuar në ARBK-ja, z. Bashkim Shala është larguar nga ky biznes në bazë të Kontratës mbi Shitjen e Aksioneve. Blerës i aksioneve është Menderes Berisha”, tha Mehdi Pllashniku, kordinator për çështje ligjore në ARBK.

Shala fillimisht mohoi se ai ka të bëjë me Kompaninë “Leka Gas” kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

 “Nuk kam lidhje unë me atë kompani (Leka Gas). Jo jo nuk kam qenë unë jo, ka qenë tjetër Bashkim, jo unë”, tha Shala.

Por ai e pranoi më pas kur iu përmend se Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar të dhëna nga Agjenica për Regjistrimin e Biznesit lidhur me përfshirjen e tij në këtë biznes.

Shala tha se ishte aksionar në fillim, por u tërhoq pasi që nuk kishte para për të investuar.

 “…(emrat) i kanë qit ata (në certifikatën e regjistrimit të biznesit) se kemi dashtë me hi si aksionarë, se aty është dashtë më hy dhe çka ka pas investime aty, ata e dinë, dhe unë s’ kam mundur dhe ata e kanë qitë emrin dhe është hekë dhe s’jam unë aty tash”, shtoi ai. 

Shala, një përkrahës i PDK-së nga fshati Broliq i Pejës, komentoi edhe lidhur me autorizimin e marrë pikërisht nga Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr deri më tash nga Fehmi Mujota i kësaj partie politike. 

Ish-ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota

 “Për besë unë nuk di, vetëm e di se këta i kanë plotësuar kushtet, kjo ka shku në rrugë të rregullt, se Mirsadi (Manxhuka) e këta janë profesionistë”, tha Shala.

Kur Kadri Veseli kishte bërë fushatë në Gjakovë në rrugën “Xhemajl Kada”, mbrapa tij qëndronte Bashkim Shala.

 “Kam shku aty pasi që jam anëtar e përkrahës i Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Shala duke shtuar se me Kadri Veselin që tash mban pozitën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës kanë qenë shokë gjatë luftës. 

 “Mundem  si shok me pi kafe si me ton tjerët”, tha Shala.

Kadri Veseli ende nuk ka dhënë një koment lidhur me përfshirjen në këtë biznes të mikut të tij prej kohës së luftës. 

Ngjashëm ka vepruar edhe ish-ministri i Infrastrukturës Fehmi Mujota. Ai ende nuk ka dhënë një koment lidhur me autorizimin që i është dhënë pikërisht kompanisë “Leka Gas” gjatë kohës sa ishte aksionar një anëtar i PDK-së.

Ministria: Kompania i plotësoi kushtet

Ministria e Infrastrukturës tri javë pas dërgimit të pyetjeve ktheu një përgjigje lidhur me autorizimin e kompanisë “Leka Gas”.

Saranda Jusufi, udhëheqëse e zyrës për media në këtë ministri, në një përgjigje të shkuar tha se kushtet për marrjen e autorizimit për atestim të automjeteve të cilat përdorin plinin për karburant janë të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ për Stabilimentet dhe Pajisjet për Ngasje të Automjeteve Motorike me Gaz.

 “Kusht për marrje të autorizimit janë përmbushja e kritereve të përcaktuara me këtë udhëzim administrativ”, tha Jusufi.

Ajo shtoi se Ministria e Infrastrukturës më 28 qërshor 2013 bëri publike në katër gazeta të shtypura njoftimin për të interesuarit që dëshirojnë të ofrojnë shërbimin e atestimit të veturave që përdorin gaz/plin. 

Por Ministria e Infrastukturës nuk tregoi se sa komani konkurruan për të ofruar këtë shërbim dhe cilat ishin ato, përkundër që Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi tri javë përgjigje lidhur me këtë çështje.

Edhe Mirsad Manxhuka nga “Leka Gas” tha për Gazetën Jeta në Kosovë se kjo kompani i ka plotësuar të gjitha kriteret që parashihen me udhëzimin administrativ mbi Stabilimentet dhe Pajisjet për Ngasje te Automjetet me Gaz.

Manxhuka tha se kompania ku është aksionar është duke kryer një punë të rëndësishme që ka të bëjë me sigurinë e jetës për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacionin rrugor.

Sipas tij deri më tash në “Leka Gas” janë kontrolluar 455 automjete.

 “Deri me tani totali i automjeteve që janë certifikuar është 455 automjete prej te cilave 384 automjete nuk e kanë kaluar atestin në kontrollin e parë dhe të cilat pasi qe i kanë mënjanuar parregullsitë e evidentuara gjatë procedurës për atestim dhe i janë nënshtruar për herë të dytë procedurës për atestim dhe certifikim dhe e kanë marrë certifikatën”, tha Manxhuka. 

Çmimi për kontrollim i përcaktuar nga Ministria e Infrastukturës është 60 euro. 

 “Pagesa kryhet vetëm njëherë. Me rastin e kontrollimit për herë te dytë për verifikimin e rregullimit të parregullsive të evidentuara në herën e parë, gjithçka është pa pagesë”, tha Manxhuka.

Bazuar në çmimoren e përcaktuar nga Ministria, del se kompania “Leka Gas” deri më tash ka mbledhur 27 mijë e 300 euro. 

Por Manxhuka, i cili është edhe kryetar i Shoqatës së Qendrave të Kontrollit Teknik, nuk komentoi lidhur me një deklaratë të mëhershme të tij dhënë më 22 prill 2014 për të Përditshmen “Zëri” ku kundërshtonte krijimin e monopoleve, ndërsa tash vetë mban pozitë të tillë në treg. 

Ministria e Infrastrukturës ka ngarkuar qendrat e kontrollit teknik që të marrin nga qytetarët nga 5 euro për incizimin e procedurës së kontrollit teknik të automjetit.

Këto para më pas dorëzohen te kompania “Eurolab” me bazë në Fushë-Kosovë që kryen homologimin e automjeteve.

 “300 mijë automjete janë në Kosovë dhe nga 5 euro, bëjnë 1.5 milion euro, të gjitha këto para në i mbledhim për QAK ‘Eurolab’, pa kurrfarë përfitimi”, thoshte Manxhuka duke akuzuar se ‘Eurolab’ është favorizuar nga autoritetet duke mbajtur monopol në këtë shërbim tash e pesë vjet.

Riza Gjakova, përfaqësues i Eurolab i pati thënë Zërit se shuma prej 5 eurosh është bërë në përputhje me udhëzimin administrativ që rregullon këtë çështje.

 “Në periudhën e kaluar ka pasur laramani ne formën e pagesës së obligimeve të qendrave të kontrollimit teknik ndaj QAK – Eurolab”, pati thënë Gjakova duke shtuar se tash e tutje kjo do të bëhet nëpërmjet nënshkrimit të kontratave me secilën qendër të kontrollit teknik. 

Antimonopoli është jofunksional

Ndërkohë institucioni që duhet të marrë vendime lidhur me zhbërjen e monopoleve është jofunksional.

Gani Asllani është anëtar i vetëm i Bordit në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës. Ai thotë se ky organ është jofunksional që nga 7 nëntori i vitit 2013 kur i skadoi mandati edhe dy anëtarëve tjerë të bordit. Dy të parëve iu kishte skaduar mandati më 2011, dy vjet pas themelimit të këtij institucioni.

”Rasti i përmendur nga ju hyn në fushën e dhënies së të drejtave ekskluzive dhe me kompletimin e komisionit (bordit) kjo çështje do të trajtohet. Nga përvoja e deritanishme ne në ketë rast mund të marrim dy veprime: a) dhënien e rekomandimit të Ministrisë së Infrastrukturës të rishikimit të këtij autorizimi, apo b) fillimin e monitorimit të punës së kësaj ndërmarrjeje”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë Gani Asllani, anëtari i vetëm i Bordit në Autoritetin Kosovar të Konkurrencës.

“Komisioni (bordi) është jofunksional sepse ka vetëm një anëtar, kështu që bazuar në ligj nuk ekziston mundësia e vendimmarrjes, fillimeve të hetimeve apo dhënien e rekomandimeve të tjera”, shtoi ai.

(Tekstit i kontribuoi edhe Kaltrina Rexhepi)