Varret e viktimave të Srebrenicës | Foto: Wikicommons

‘Mohimi i Gjenocidit’ do të Mbizotërojë Zgjedhjet në Srebrenicë

Vendimi i kësaj jave nga partitë politike nga entiteti i Republikës Srpska në Bosnjë për të mbështetur një kandidat të përbashkët në zgjedhjet komunale të tetorit në Srebrenicë – Mladen Grujiciç, kryetari i shoqatës Familjet e Luftëtarëve të Kapur, Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur në Republikën Srpska – është përshkruar si një ofendim i papranueshëm nga të mbijetuarit e gjenocidit dhe organizatat që përfaqësojnë të kthyerit e pasluftës në zonë.

Shoqatat e viktimave boshnjake, si dhe kryetari aktual i komunës së Srebrenicës, Camil Durakoviç, i cili po rikandidon përsëri në zgjedhje, e akuzojnë Grujiciç si një “mohues të gjenocidit”, sepse ai një herë ka thënë se masakrimi i më shumë se 7,000 burrave dhe djemve boshnjakë nga Srebrenica në korrik të vitit 1995 nuk arrinte në përmasa gjenocidi.

Grujiciç nuk i është përgjigjur pyetjeve në lidhje me nëse ky është apo jo ende qëndrimi i tij përsa i takon çështjes së gjenocidit, por ai këmbëngul se ai do të ishte një kryetar i shkëlqyer për të gjithë banorët e Srebrenicës, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.

“Kam punuar me viktimat gjatë tetë viteve të fundit dhe mund të lidhem me të gjitha viktimat. Nuk kam dëgjuar kurrë të thuhet ndonjë fjalë e keqe për mua, tha Grujiciç për BIRN.

Për t’u siguruar që Durakoviç të ruajë postin e tij aktual në komunë në zgjedhjet e tetorit, një grup fushate elektorale i quajtur Mars 1, i cili punon me njerëzit që janë kthyer në Srebrenicë pasi u zhvendosën nga lufta, tha për BIRN se do të përpiqet të regjistrojë votuesit boshnjakë që tani jetojnë në entitetin e Federatës dhe jashtë vendit që të votojnë në zgjedhjet komunale.

Edin Ikanoviç, një aktivist nga shoqata Mars 1, tha për BIRN se puna në terren tashmë ka filluar.

“Ne kemi disa baza ku mund të mbështetemi. Kryesisht këta janë banorë të Srebrenicës që tashmë jetojnë në entitetin e Federatës dhe ata që jetojnë në diasporë,” tha Ikanoviç.

“Ne do t’i mobilizojmë ata, do t’i regjistrojmë dhe nuk do të dorëzohemi, por do të luftojmë për atë që është e jona dhe i përket këtij qyteti,” shtoi ai.

Ai argumentoi se fakti që partitë politike serbe të Bosnjës nuk mund të bien dakord midis tyre në lidhje me ndonjë gjë tjetër përveçse për një kandidat të përbashkët në Srebrenicë, sugjeron se atyre u duket e dhimbshme të pranojnë “të vërtetën për gjenocidin”.

“Kjo është arsyeja pse viktimat nuk mund të lejojnë një mohues gjenocidi të bëhet kryetar komune,” tha ai.

Kryetari aktual i Srebrenicës, Camil Durakoviç | Foto: Facebook
Kryetari aktual i Srebrenicës, Camil Durakoviç | Foto: Facebook

Boshnjakët duan një kryetar boshnjak

Presidentja e Shoqatës Nënat e Viktimave të Srebrenicës, Hatidza Mehmedoviç, tha se ajo beson se për shkak të natyrës së krimeve të kryera në Srebrenicë në vitin 1995, kryetari i komunës duhet të jetë një boshnjak; një boshnjak e ka mbajtur atë post për më shumë se 15 vjet deri tani.

“Ne duhet të sigurohemi që një boshnjak të jetë kryetar komune, derisa të kemi breza të rinj njerëzish që jetojnë këtu, në mënyrë që të mos kemi më mohues të gjenocidit,” tha Mehmedoviç për BIRN.

“Ky do të ishte ofendimi më i keq për viktimat dhe ne do të bojkotojmë rezultatet e zgjedhjeve, nëse ky serb fiton,” shtoi ajo.

Mehmedoviç gjithashtu argumentoi se zgjedhjet janë në thelb të padrejta, sepse boshnjakët që duhet të votojnë janë në qendrën e memorialit në Potocari pranë Srebrenicës, ose janë dëbuar nga ushtria serbe e Bosnjës.

Por Grujiciç, i cili gjatë tetë viteve të fundit ka qenë kryetar i degës lokale shoqatës Familjet e Luftëtarëve të kapur, të Vrarë dhe të Civilëve të Zhdukur të Republikës Srpska, tha se ishte krenar që kandidatura e tij po mbështetet nga të gjitha partitë serbe, të cilët shpesh grinden me njëri-tjetrin.

“Mbështetja e tyre thotë se nuk kam njolla në karrierë dhe se të gjithë besojnë se do të jem më i miri dhe do të punoj me të gjithë për ta çuar këtë komunë drejt një jete më të mirë,” tha ai.

Ai tha se politikat e tij do të orientohen drejt krijimit të një të ardhmeje më të mirë në komunën e varfër për të ndaluar largimin e të rinjve dhe të të arsimuarve.

“Ne po shohim se jeta këtu është e keqe dhe se serbët dhe boshnjakët po largohen. Do të luftoj për një jetë më të mirë. E vetmja rrugë përpara është e ardhmja, por jo duke lënduar njëri-tjetrin. Nëse zgjidhem unë, asnjë boshnjak s’duhet të ndihet i kërcënuar,” këmbënguli ai,

I pyetur se si e shikonte ai debatin në lidhje me gjenocidin në Srebrenicë, Grujiciç tha se ai ishte një djalosh i ri në fillim të viteve 1990 kështu që nuk kishte përvojë për ta komentuar këtë gjë. Por ai shtoi se ai humbi babanë në luftë dhe se kështu mund të lidhet me të gjitha viktimat.

“Njerëzit duan të projektojnë një situatë në të cilën serbët dhe boshnjakët e urrejnë njëri-tjetrin këtu dhe kjo s’është e vërtetë,” tha ai.

Qendra e qytetit të Srebrenicës | Foto: Benutzer Samum/Wikicommons
Qendra e qytetit të Srebrenicës | Foto: Benutzer Samum/Wikicommons

Pritet retorikë nacionaliste

Kryetari aktual i Srebrenicës, Camil Durakoviç, i cili do të kandidojë përsëri në vjeshtë, tha se ai nuk e ka problem që partitë serbe kanë një kandidat të përbashkët – duke shpjeguar se ata patën gjithashtu një të tillë në zgjedhjet e fundit katër vjet më parë – por se ai ishte i zhgënjyer nga emërimi i Grujiciçit.

“Ne shohim se ai është një njeri i lidhur me luftën (nëpërmjet punës së tij si president i shoqatës së Familjeve të Luftëtarëve të Kapur, të Vrarë dhe Civilëve të Zhdukur në Srebrenicë), një njeri që ka një mendim kontroversial dhe që mohon gjenocidin, dhe është e qartë se emërimi i tij është një manipulim paramenduar që ka si qëllim të minimizojë krimet,” tha Durakoviç.

“Do të doja që partitë serbe të vinin së bashku me një platformë të re zhvillimi ekonomik, por kjo është e trishtueshme,” shtoi ai.

Analistët politikë besojnë se fakti që partitë boshnjake dhe serbe do të paraqesin një kandidat të përbashkët për kryetar komune në Srebrenicë do të thotë se fushata do të karakterizohet nga retorika nacionaliste dhe do të përqendrohet në çështje që lidhen me gjenocidin.

Analisti Srdjan Puhalo vuri në dukje se partitë boshnjake dhe serbe shpesh kanë mosmarrëveshje me njëri-tjetrin, por arrijnë të bashkohen si një bllok etnik, kur ndjehen se komuniteti i tyre është i kërcënuar.

“Kur kanë një kundërshtar të jashtëm, ata ndryshojnë qasje dhe ne shohim të lindë një konsensus i lehtë nacionalist,” tha Puhalo.