Modernizohet Objekti i Gjykatës së Istogut (TV)

Objekti i gjykatës së Istogut që nga 21 qershori ka fituar një pamje të re, një transformim fizik që do të mundësojë kryerje më të lehtë të punëve.

Gjykata e Istogut nga fundi i qershorit ka dy salla gjykimi me hapësirë më të madhe për prani nëpër seanca të qytetarëve, një monitor elektronik njoftimesh për gjykimet dhe aktivitetet tjera që do të ngjajnë në gjykatë.

Gjykata gjithashtu tash ka dy zyra, ku avokatët do të mund të intervistojnë të mbrojturit e tyre, si dhe dy qeli për mbajtjen e të paraburgosurve, para se ata të hyjnë nëpër seanca.

Gjykata është bërë edhe me një sportel për informim, sallë pritjeje për ata që kanë punë në gjykatë dhe tri zyra ku menaxhohen lëndët gjyqësore.

Gjykatës i është mundësuar të ketë edhe një arkiv të organizuar mirë, ndërsa në objektin e gjykatës pas renovimit, edhe personat me aftësi të kufizuar përmes një shtegu të veçantë mund të kenë qasje në gjykatë.

Daut Demiri, gjyqtar ne degën e Istogut për Gazetën Jeta në Kosovë thotë se renovimi dhe pamja e objektit të gjykatës krijon kushte dhe rrethana më të mira të punës si për stafin , ashtu edhe për palët.

“[Renovimi] do të sigurojë një trasparencë të gjyqësorit, një punë më efikase dhe një rezultat më të arritshëm”, shprehet ai.

Kjo gjykatë është renovuar duke qenë e përzgjedhur nga projekti i USAID-it për gjykatat model, ndërsa fonde shtesë për modernizimin e kësaj gjykate ka dhënë edhe ambasada norvegjeze në Kosovë.

USAID-in dhe ambasadën norvegjeze për rregullimin e objektit të gjykatës e falënderuan përgjegjësi i Gjykatës Themelore të Pejës-Dega në Istog, Ramadan Shatri dhe kryetarja e Gjykatës Themelore të Pejës Elmaze Syka.

Syka siguroi ata që dhanë paratë e renovimit se sistemi gjyqësor në Istog tash e tutje do të jetë më transparent dhe më i pavarur.

Shteti norvegjez që një dekadë investon në përmirësimin e sistemeve gjyqësore të shteteve ballkanike. Më parë këtë e ka bërë në Bosnjë e Mal të Zi, ndërsa tash po e bën edhe në Kosovë.

Edhe USAID-i amerikan vazhdimisht është i interesuar për përmirësimin e kushteve të gjyqësorit në Kosovë.