Edona Vatoci. Foto: Atdhe Mulla

Mjeshtria Modeste: Edona Vatoci Del në Pah

Këngëtarja e re nga Kosova, Edona Vatoci, është rritur me zërat e grave, dhe kënga e saj e fundit dëshmon se ajo ka filluar të mëvetësohet si artiste.

“Unë shkruaj për vete, por po ashtu dua të shkruaj për gratë”.

Tingujt e frikshëm por romantikë të Vatocit janë frymëzuar nga shija e saj e shumëllojshme e përbërë nga Bjork, Britney Spears e viteve të 90-ta deri te muzika popullore shqiptare, të gjitha të lidhura me lajtmotivin e femininitetit. Ajo publikoi këngën dhe videoklipin e saj të fundit të titulluar “Mirëmëngjes” javën e kaluar. Edhe pse është vetëm kënga e saj e dytë, ajo ka një mbështetje premtuese në rajon.

Ajo ka një gjallëri ngjitëse që vihet re si në performanca ashtu edhe ballë për ballë. Në një koncert verën e kaluar për Etno Muzikë e Re, Vatoci transformoi këngë popullore shqiptare me sintesajzer dhe meloditë e saj mistike dhe të ngrohta. Ishte magjepsëse; ajo është e shkathët dhe bisedare, dikush që të gëzon në ndodh ta takosh rastësisht në Klubin M.

Por ajo nuk ka pasur gjithmonë kaq shumë besim në vete. Vatoci ka lindur në Prishtinë dhe është rritur pranë një familjeje muzikantësh. Babai i saj luante klarinetën, dhe familja e saj vazhdimisht lëshonte muzikë popullore në kaseta. Ajo vijoi shkollën e muzikës për piano për tetë vjet por nuk këndoi para moshës 14 vjeçare. Ajo ishte paksa e druajtur dhe eksperimentonte me zërin e saj më vete derisa e befasoi vetveten kur u regjistrua për të marrë pjesë një garë televizive të këndimit.

“Shkova në ‘Voice of Albania’ kur isha 16 vjeç. Nëna dhe babai më thanë se më dëgjuan duke kënduar për herë të parë në televizor, pra ishte një befasi edhe për ta. Nuk u shkoi mendja se mund ta bëja një gjë të tillë”.

Gjatë asaj kohe, Vatoci filloi të eksploronte gjini të ndryshme muzikore. Kur studionte pianon, ajo e shihte Nina Simone-in si ikonë. Meqenëse ka lindur në vitin 1996, ajo po ashtu konsumoi hitet e pop-it ndërkombëtar të viteve të 90-ta dhe viteve të para të shekullit XXI. Në fund, ajo pa se tërhiqej më shumë nga skena alternative, sidomos nga zërat femërorë: kantautorja prodhimtare angleze PJ Harvey, këngëtarja shqiptare e xhazit Elina Duni dhe modeli Vatocit, e famshmja islandeze Bjork.

Edona Vatoci. Foto: Atdhe Mulla
Edona Vatoci. Foto: Atdhe Mulla

Në kohën kur ishte 18 vjeçe, ajo filloi t’i shkruajë dhe incizojë tekstet dhe meloditë e saj. Ajo tha se në atë kohë filloi t’i studionte muzikantët sikur Bjork-u në një nivel profesional. Brenda një viti, ajo kishte krijuar diçka të sajën të veçantë — “Hala”, këngën e saj të parë në vitin 2015.

“Isha tepër e druajtur. Shkova te Genci dhe Arbri për t’ua treguar këngën, isha mjaft e shqetësuar,” tha ajo, duke folur për Genc dhe Arbër Salihun, vëllezërit prishtinas që po ashtu prodhojnë muzikën e tyre.

“Nuk munda as ta përfundoja këngën, isha shumë e tendosur. Nuk është se ata janë kritikë të ashpër, kisha në mendje veprën e tyre… Djersitesha shumë, isha qullur,” kujtonte ajo.

Por vëllezërit e pëlqyen fort këngën e saj dhe Arbër Salihu vendosi ta incizonte atë bashkë me Tomor Kuçin. Pavarësisht mungesës së fondeve nga ana e Vatocit, anëtarët e komunitetit krijues të Kosovës kontribuuan me fuqitë e tyre për ta bërë një videoklip krahas këngës.

“Ishte një videoklip pa buxhet. Nuk ekziston ajo lloj industrie këtu, ku dikush tjetër merret me çdo gjë. Duhet ta marrësh përsipër vetë. Arbri dhe Genci më dhanë shumë ndihmë. Arbri dhe Tomor Kuçi e bënë orkestrimin. Dhe thirra disa shokë tjerë, punën e të cilëve e besoj dhe pëlqej”.

Regjinë e videoklipit e bëri Noar Sahiti, të cilin Vatoci e quan “pjesëtar i brezit të ri të regjisorëve të shkëlqyeshëm të vendit,” dhe me veshjen është marrë dizenjatorja Venera Mustafa.

“Hala” u prit mirë në rajon dhe ia siguroi Edonës nominimin për kategorinë Avantgarde Artist në Top Show të vitit 2016. Vatoci mori pjesë në ndarjen e çmimeve bashkë artistët e njohur si Era Istrefi dhe Noizy, dhe kujtoi se ishte një ndër artistet e vetme që nuk i përkisnin “rrjedhës qendrore”, edhe pse vetë Vatoci kundërshton ndarjet strikte të gjinive muzikore. Ajo foli për yjet ndërkombëtare si Rihanna dhe Frank Ocean dhe reperin vendor nga Ferizaji, Buta, si shembuj të shkrirjes moderne mes muzikës së pavarur dhe hip hop-in dhe repin e popullarizuar. Kjo është e veçanta e brezit të saj: gatishmëria për ta pranuar edhe muzikën e popullarizuar, edhe atë alternative. Nuk është e thënë që ato të dyja të jenë domosdo në konflikt.

Sidoqoftë, nominimi i Vatocit nga Top Channel tregon se njerëzit dëshirojnë një zë alternativ dhe femëror.

“Të rinjtë duan ta përfaqësojnë brezin e tyre me këta tinguj alternativë. Sigurisht që i kanë grupet muzikore të huaja, por ka nevojë për përfaqësim vendor. Është ndjenjë e bukur ta kesh dikë që banon afër teje, kalon kohën të vende të njëjta me ty dhe që bën muzikë sikur ti,” tha Vatoci.

Ajo ka në vetëdije rininë kosovare kur shkruan, por është posaçërisht e vëmendshme për femrat e audiencës së saj. Vatoci është një feministe, dhe thotë se është frymëzuar shumë gjatë kohës kur punonte në Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) kur kishte 17 vjet.

“Dëgjova rrëfime të grave që nuk e njihnin luftën e tyre, zërin e tyre, të drejtat e tyre; gra që u ka thënë shoqëria ta mbyllin gojën, t’i fshehin ndjenjat e tyre, të jenë vajza të mbara dhe të binden. ‘Mos flit për djem, t’i nuk duhet ta zbulosh veten tënde’”, tregoi ajo për përvojat me intervistimin e grave të vendit për botimet e RrGGK-së dhe punën me prokurim.

Vetëzbulimi emocional qëndron te rrënja e temës së këngës së saj të re, “Mirëmëngjes”, e cila u nxor më 27 dhjetor. Kënga njëkohësisht e ngathët dhe e gjallë, herë pas herë me tinguj të veçantë dhe të frikshëm të shkallës mol.

Edona Vatoci. Foto: Atdhe Mulla
Edona Vatoci. Foto: Atdhe Mulla

Ajo e përshkruan këngën si thirrje personale për promovimin e vetëshërimit emocional. “Gjithmonë kam dashur të cek pjesët emocionale dhe mendore të vetes. Depresioni nuk merret seriozisht në Kosovë. Në këngë vazhdimisht i them vetës të përdor gjëra të vogla sikur ujin, barin, dheun dhe ushqimin për të promovuar shërimin. Gjësende të vogla nga toka të cilave mund t’iu kthehesh kur e ndien vetën të brishtë. Është në rregull të ndihesh i brishtë,” tha ajo.

Vatoci do të vazhdojë të shkruajë tekste tejet personale për dashurinë dhe emocionet. Ajo thotë se e sheh këtë kohë të jetës së saj si skenë, disi ngjashëm me zhvillimin e PJ Harvey-it si artiste.

“Harvey u përball me emocionet e saj brenda fill e vetme, dhe kur frymëzohej shkruante për çështje më të mëdha. Mendoj se ende nuk kam mbërritur në atë pikë. Tani shkruaj për emocionet e mia më të thella, i trajtoj ato, e trajtoj veten time. Ndoshta do të më duhet shumë kohë derisa të jem e aftë të merrem me çështje të mëdha,” tha ajo.

Në fakt, Harvey, e cila vizitoi Dokufestin disa vite më parë, e ka tematizuar Kosovën në një ndër projektet e saj. Në vitin 2016, ajo nxori “the Wheel, një videoklip që u xhirua në Kosovë. Vatoci ka rezerva për të.

“Mendoj se ‘the Wheel” shfaq vetëm një anë të Kosovës”, tha ajo. “Jam kundër fetishizimit të një shoqëria dhe një shteti. Sigurisht që ka të drejtë, kemi bërllok. Mendoj se është një pamje e kufizuar, megjithëse e vërtetë. Kosova është një shtet i bërllokut dhe ndotjes andej këtej, por është gjithashtu një vend me energji pozitive, rini të mrekullueshme, gjë që duhet të tregohet,” tha ajo.

Estetika e Vatocit është e frymëzuar nga artistet me të cilat u rrit, por gjithashtu lidhet me ndërveprimet e saj me botën. Dashuria për atë që e quan “Prishtina bipolare” është themeli i këndvështrimit të saj krijues.

“Është çmenduri se sa e bukur mund të jetë [Prishtina], sa e shëmtuar mund të jetë, sa gjakatare mund të jetë. Zymtësia ndonjëherë mund të duket e bukur e ndonjëherë tmerrësisht e shëmtuar. E larme, e re, e brishtë. Ndonjëherë bëhet plakë që urren gjithësecilin, dhe ndonjëherë është një vajzë e bukur me flokë të ndritshëm e makijazh që ndihet për merak, sikur #wokeuplikethis.”

Natyra medituese dhe emocionale e tingujve të veçantë të Vatocit po e ngop një uri artistike në Kosovë, dhe është me të vërtetë bukur ta shohësh për së afërmi. Është e qartë se Vatoci po e ndërton veten si një artiste, feministe dhe kritike sociale. Sidoqoftë, Vatoci tha duke qeshur, “kam ende kohë të mësoj dhe të ndryshoj. Jam vetëm 20 vjeçare”.