Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Mjegulla Procedurale e Kërkesës për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale

Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, 43 deputetë nënshkrues (deputeti Islam Pacolli më pas u tërhoq), dorëzuan në kryesinë e Kuvendit kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, bashkangjitur edhe projektligjin për shfuqizimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu kërkesën e 42 deputetëve nënshkrues për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme dhe propozimin e projekt-ligjit të ri për shfuqizim në formën si është bërë e vlerëson jo-kushtetuese. Por, sipas saj nënshkrimet mbesin valide.

“Meqë seanca nuk është mbajtur dhe nëse s’janë tërhequr nënshkrimet, atëherë mbeten valide”, tha Haxhiu për KALLXO.com

E thirrjen e seancës së jashtëzakonshme për shfuqizimin e ligjit ajo e quan të pakuptimtë në aspektin ligjor.

Madje thotë se në mënyrën si është bërë, ajo lehtësisht mund të rrëzohet nga Gjykata Kushtetuese.

“Nismat ligjore, kur ka të tilla, së pari kryesia e Kuvendit i dërgon për mendim në qeveri, pas mendimit të qeverisë, mbetet në duart e Kuvendit, por që së pari ngarkohen komisionet e Kuvendit. Asnjëra prej këtyre nuk ka ndodhur. Pra çfarëdo nisme legjislative së pari duhet kaluar në këto procedura, në të kundërtën është shkelje e Rregullores dhe lehtësisht mund të rrezohet nga Gjykata Kushtetuese për mosrespektim të procedurave”, shpjegon Haxhiu, duke u thirrur në rregulloren e punës së kuvendit.

Sipas Albert Krasniqit nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i cili monitoron punën e Kuvendit, seanca e jashtëzakonshme është dashur të thirret në kohën dhe datën e kërkuar nga deputetët nënshkrues, ngase Kryetari i Kuvendit ka pasur për obligim vetëm që t’i shpërndajë ftesat për deputetët për të realizuar kërkesën e 43 deputetëve.

“Seancat e jashtëzakonshme thirren për të trajtuar një çështje të ngutshme, për të cilën nuk ka kohë që të ndjekin procedurat e rregullta që kërkojnë që seanca të thirret dhe materialet të shpërndahen të paktën tre ditë më herët”, tha Krasniqi për KALLXO.com.

Ai shton se më nuk ka asnjë kuptim që të thirret seancë e jashtëzakonshme me kërkesën e njëjtë të bërë para një muaji, prandaj, për të mbajtur seancë të jashtëzakonshme, sipas tij, do të duhej që nënshkrimet të mblidhen sërish, pasi “ato të 22 dhjetorit nuk janë më valide”.

“Por, nënshkrimet janë valide për nismën ligjore, pra shfuqizimin e ligjit për Specialen”, tha Krasniqi.

“Nuk janë valide për seancë të jashtëzakonshme, por nëse ka kërkesë për nismë ligjore janë valide. E për nismë ligjore procedurat zgjasin dhe këto nisma mund të merren nga 6 deputetë, në këtë rast edhe për shfuqizimin e ligjit”, tha ai.

Nëse kërkesa ka qenë e artikuluar në këtë mënyrë, sipas Krasniqit, atëherë mund të renditet si pikë e veçantë në rend dite në njërën nga seancat e Kuvendit, por që paraprakisht duhet të kalojë në shqyrtim brenda komisioneve.

Të martën sekretari i kuvendit, Ismet Krasniqi tha për KALLXO.com se 42 deputetët nuk i kanë tërhequr nënshkrimet e tyre.

Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës (OVLUÇK) dhe njëkohësisht nismëtari i idesë për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Nasim Haradinaj tha dje se pavarësisht që deputetëve po u bëhet presion diplomatik ata besojnë se shfuqizimi i Seciales do të ndodhë.

Të hënën, kreu i kuvendit në një kolumne të botuar në media tha se Gjykata Speciale nuk do të shfuqizohet.

E ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, i cili natën e 22 dhjetorit kur ndodhi nisma për shfuqizimin e kësaj gjykate, e quajti këtë akt “thikë pas shpine” të Kosovës ndaj ndërkombëtareve, dje e përshendeti qëndrimin e Veselit.

Por, më gjithë “ndryshimin” e qëndrimit nga kreu i Kuvendit, qëndrim nuk ka ndërruar shefi i qeverisë.

Në arsyetimi e datës së 22 dhjetorit, kur  43 deputetë nënshkrues (deputeti Islam Pacolli më pas u tërhoq), dorëzuan në kryesinë e kuvendit kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, bashkangjitur edhe projektligjin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, thuhej:

“Duke marrë parasysh obligimin Kushtetues që Republika e Kosovës është e obliguar që të mbrojë dhe garantojë të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, të parashikuara me Kushtetutë, në këtë drejtim me qëllim të mbrojtjes së interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe interesit të Reublikës së Kosovës për të parandaluar pasojat që mund të jenë të pariparueshme, zgjidhja më e mirë është shfuqizimi i Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës Nr.27, me datën 31 gusht 2015”.

Kuvendi i Kosovës nisë punën më 15 janar.