Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Foto: BIRN

Mitrovica e Veriut bën përmirësim të pjesshëm të gabimit në tenderë

Komuna e Mitrovicës së Veriut i ka publikuar dy njoftime për korrigjim të gabimeve, mirëpo gabimet nuk i ka përmirësuar siç i është kërkuar.

E përmirësimin e gabimeve, të cilat përbëjnë shkelje të Ligjit të Prokurimit, e ka kërkuar Agjencia Kundër Korrupsionit.

Kjo e fundit e ka lëshuar një opinion për dy aktivitete të prokurimit të iniciuara nga Komuna e Mitrovicës së Veriut. Në të dy aktivitetet kishte vërejtje të njëjta.

Përveç lartësisë së kontratave të realizuara si referencë, kjo Komunë ka përcaktuar edhe numrin e kontratave. E kjo sipas Agjencisë Kundër Korrupsionit përbën shkelje ligjore.

“Komuna do të duhej të kërkonte listat e kontratave bashkangjitur si dëshmi referencat mbi përfundimin e kontratave në vlerë totale të gjitha referencave të punëve të ngjashme të realizuara në tri vitet e fundit para publikimit të njoftimit për kontratë e JO si në rastin konkret të kufizohet numri i referencave në vlerat e caktuara”, thuhet në opinionin e Agjencisë Kundër Korrupsionit.

Kërkesat për kapacitete teknike e profesionale lidhur me kontratat dhe referencat e operatorëve ekonomikë të interesuar për të marrë pjesë në këta tenderë, Agjencia Kundër Korrupsionit konstaton se nuk ishin në pajtim me ligji.

Këtë opinion Agjencia Kundër Korrupsion (AKK) e ka dërguar te Komuna e Mitrovicës Veriore në muajin prill, lidhur me dy aktivitetet të prokurimit “Rindërtimi i trotuareve në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’ me numër të prokurimit 647-18-2470-521 dhe tenderin për Rregullimi i ndriçimit publik në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’ në Mitrovicën e Veriut”.

“Konsiderojmë se shkelje të tilla nuk duhet lejuar në aktivitete të prokurimit, andaj Agjencia Kundër Korrupsion rekomandon që të evitohen këto shkelje, përmes njoftimit standard për informata shtesë dhe për përmirësimin e gabimeve, duke i njoftuar operatorët të cilët i kanë tërhequr dosjen e tenderit”, thuhet në rekomandimin e Agjencisë.

AKK ka dhënë sqarime për lëshimet e bëra nga Komuna.

“Autoriteti kontraktues tek tenderi ‘Rindërtimi i trotuareve në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’ në Mitrovicën e Veriut’ rubrika III.2.4. Kapaciteti teknik dhe profesional, autoriteti kontraktues ka kërkuar nga operatorët ekonomikë që marrin pjesë duhet të përcaktojë se ka arritur me sukses të paktën tri referenca ose një certifikatë si dëshmi e projekteve në fushën e ndërtimit, të natyrës së njëjtë ose të ngjashme, në tri vitet e fundit me një vlerë minimale të kontratës prej 495,000 euro”, thuhet në opinion.

AKK konstaton shkelje edhe tek tenderi tjetër i kësaj komune.

“Ndërsa tek tenderi me titull “Rregullimi i ndriçimit publik në rrugën ‘Ivo Lola Ribar’ në Mitrovicën e Veriut” tek rubrika e kapacitetit teknik profesional- autoriteti kontraktues ka kërkuar nga operatorët ekonomikë që marrin pjesë duhet të përcaktojnë se kanë arritur me sukses të paktën tri projekte në fushën e ndërtimit, të natyrës së njëjtë ose të ngjashme në tri vitet e fundit (2015, 2016 dhe 2017), me një vlerë minimale të kontratës prej 150,000 euro”, thuhet në opinionin e AKK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë është interesuar të marrë vesh nga AKK se a ka marrë ndonjë veprim dhe në përgjigjen e tyre thonë se Komuna i ka bërë përmirësimet.

Kontesti

“Komuna e Mitrovicës Veriore për opinionin në fjalë i cili është dërguar për këto dy aktivitetet e prokurimit ka konfirmuar me shkrim se i ka bërë përmirësimet”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në anën tjetër nga Komuna bëjnë të ditur se u janë drejtuar Komisionit Rregullativ për Prokurim Publik lidhur me këta dy tenderë.

“Sipas rregullave dhe Udhëzimit Operativ për Prokurim Publik në faqen 58 është një paragraf që lejon, citojmë “Gjatë përcaktimit të shitjeve minimale, autoritetet përgjegjëse nuk duhet të tejkalojnë dyfishin e vlerës së parashikuar të kontratës. Kërkesa për shitje duhet domosdo të jetë e shprehur në shifra dhe të lidhet me vlerat më të larta në tre vjetët e fundit fiskalë. Atje ku përveç shitjeve minimale është e nevojshme edhe shitje minimale e caktuar në fusha të caktuara të mbuluar me kontratë, kjo shitje nuk duhet të kalojë një herë e gjysmë vlerën e parashikuar të kontratës”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Më tej në përgjigjen e kësaj Komune thuhet e zbatuan këshillën e AKK-së edhe pse Komuna kishte të drejtë.

“Pra, siç po e shihni, edhe në Ligj është i lejuar shfrytëzimi i mundësisë së 1,5 përqindëshit të vlerës së paraparë të kontratës, kur kërkohet shitje në ndonjë fushë të caktuar për tre vjetët e fundit. Por edhe pse është e lejuar dhe gati të gjitha institucionet e Kosovës e shfrytëzojnë këtë mundësi gjatë publikimit të njoftimeve për kontratë, gjë të cilën mund ta vërtetoni, ne e dëgjuam këshillën e Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe zbatuam atë që u kërkua prej nesh”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Sipas tyre, për të gjitha veprimet e ndërmarra është njoftuar Agjencia Kundër Korrupsion. Por, AKK-ja nuk ia kishte kontestuar lartësinë e kontratave të realizuara në tri vitet e fundit, mirëpo kishte thënë se është e kundërligjshme të përcaktohen numri i kontratave/referencave. Shembull, një OE mund t’i ketë përfunduar 10 kontrata që së bashku bëjnë 500 mijë euro, ndërsa një operator atë shumë e arrin me vetëm një kontratë.

Gazeta i ka kontrolluar dy njoftimet standarde për korrigjim të gabimeve. Njoftimet nuk janë të publikuara siç e kërkon Ligji, pasi në njoftimin që është në gjuhën shqipe tek pjesa e korrigjimeve është shkruar në gjuhen serbe. Pra, janë përdorur dy gjuhë në një njoftim. Për më tepër, në të dy njoftimet nuk është hequr kufizimi i numrit të kontratave/referencave. Por, Komuna e ka hequr vetëm vlerën e këtyre kontratave/referencave që duhet të dorëzohen. Edhe pse ky përmirësim përbën një kufizim më të vogël, prapë mund të jetë kufizues për ndonjë kompani që mund të ketë më pak se tri kontrata të realizuara, mirëpo që nga vlera mund të jenë më të mëdha.

Sipas të dhënave të Komunës, ishin dy operatorë ekonomikë që morën pjesë në tenderin për projektin “Rikonstruktimi i Rrugës dhe Trotuarit të Rrugës ‘Ivo Lolla Ribar’ në Mitrovicën Veriore” dhe katër operatorë ekonomikë që morën pjesë në tenderin “Rikonstruktimi i Ndriçimit Publik në Rrugën ‘Ivo Lolla Ribar’ në Mitrovicën Veriore.

Paraja te Paraja

Kompania fituese e këtij tenderi është kompania “RAD” nga Zveçani e cila ka fituar miliona euro nga komunat veriore të Kosovës dy vite më parë dhe po vazhdon të fitojë tenderë nga këto komuna.

I pyetur për këta tenderë, dy vite më parë, pronari i kompanisë “Rad” citohet të ketë thënë se kompania e tij nuk ka konkurrencë sa i përket cilësisë.

“Kompaninë RAD si kompani individuale e kam themeluar në vitin 2012, jam kompania më e madhe për asfaltim dhe rindërtim në regjionin ku jetoj, nuk kam konkurrencë sa i përket cilësive të punëve që i ofroj, kjo është një arsye që unë i fitoj tenderët”, kishte thënë Steviq për gJNK.

Bosi i Tenderëve të Veriut