Minutat e Fundit: Aplikimi i Kosovës për UNESCO

Pothuajse asgjë nuk ka ndryshuar në raport me anëtarësimin e Kosovës në UNESCO krahasuar me vitin 2015. Të gjitha veprimet dhe gabimet në hapa, të bëra para dy vjetëve që çuan në dështim, po përsëriten edhe sot. Ka paqartësi totale rreth aplikimit, nuk ka koordinim mes autoriteteve, nuk ka diskutim publik sa duhet, diplomacia e shtetit vazhdon të jetë anemike, trashëgimia, arsimi e shkenca edhe më të degraduara. Ende më keq, nuk po shihet as ndonjë reflektim nga qeveria për dështimin e para dy viteve. Dhe rreziku permanent që përsëri vendimi rreth aplikimit dhe udhëheqja e procesit të varen nga 2-3 politikanë. Vetëm disa muaj para mundësisë së ardhshme për aplikim për anëtarësim, qeveria e Kosovës ende nuk e ka një vendim të prerë për këtë.

Kur dështuam në vitin 2015, u kërkua përgjegjësi publike nga bartësit e aplikimit në UNESCO. Ajo përgjegjësi erdhi në formën më të çuditshme të mundshme: ministri i jashtëm u bë President, ndërsa zëvendës ministri udhëheqës i një fondi të madh të asistencës zhvillimore. Gjasat që e njëjta të ndodhë edhe sivjet, dmth që askush të mos ofrojë përgjegjësi për dështimit tjetër eventual, janë reale. Prandaj edhe udhëheqësit e institucioneve me një lehtësi të padurueshme tregohen neglizhentë ndaj çështjes së anëtarësimit në UNESCO. Për ta, më tepër rëndësi ka kalkulimi i poenëve politik që mund t’i nxjerrin, sesa vet anëtarësimi në UNESCO si synim për të mirën e shtetit. Sepse e dinë mirë që në Kosovë nuk funksionon sistemi i llogaridhënies publike, prandaj edhe dështimi i dytë për anëtarësim në UNESCO nuk i rrezikon aspak. Dhe si zakonisht, çmimin e dështimeve të tyre e paguan vetëm shoqëria.

UNESCO nuk është vetëm UNESCO. Kjo agjenci e Kombeve të Bashkuara gëzon prestigj të madh ndërkombëtar si krahu kulturor i OKB-së. Anëtarësimi në UNESCO përveç që është dëshmi e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës dhe përparim për një hap drejt ulëses së shumëdëshiruar në OKB, hap rrugë edhe për anëtarësime të reja në organizata të rëndësishme ndërkombëtare. Për më tepër, krijon mundësi të panumërta për autoritetet publike dhe grupet e shoqërisë që të përfitojnë nga dhjetëra programe të kësaj organizate. Prandaj, barasvlefshëm me anëtarësimin duhet kuptuar edhe dështimin për t’u bërë pjesë e UNESCO-s. E sidomos nëse dështojmë për dy herë radhazi brenda dy vitesh.

Tani që jemi në përmbyllje të tremujorit të parë të vitit dhe na mbeten vetëm edhe pak muaj deri në konferencën e ardhshme të UNESCO, qeveria e Kosovës është në minutat e fundit për veprim. Si hap i parë i domosdoshëm i qeverisë duhet të jetë hapja e lojës dhe lehtësimi i një diskutimi publik që do të na sjellë në vendimin deliberativ nëse në fund të këtij viti duhet të aplikojmë për anëtarësim.

Në rast të vendimit për aplikim, të gjitha kapacitetet e vendit, nga qeveritare deri te akademike e të shoqërisë civile duhet të mobilizohen rreth këtij synimi. Pa një mobilizim të tërësishëm të të gjitha strukturave shtetërore dhe shoqërore, aplikimi i sërishëm për anëtarësim do të ishte veprim shumë i rrezikshëm. Në vitin 2015 dështuam për tri vota, por asgjë nuk është ndërmarrë ndërkohë për të ndryshuar këtë balanc të votave. Një tjetër fakt dekurajues është edhe numri skajshmërisht i vogël i njohjeve të pavarësisë që kanë ardhur viteve të fundit. Përveç lobimit përmes kanaleve zyrtare diplomatike, këto grupe të shoqërisë duhet të angazhohen në diplomaci publike për t’i bindur shtetet anëtare të UNESCO-s dhe kundërshtuar propagandën destruktive të Serbisë. Përfundimisht, reformat në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, ngritjen e cilësisë së arsimit, lirinë e medias, barazinë gjinore, zhvillimin e shkencës dhe teknologjisë dhe fusha të tjera me interes për punën e UNESCO-s janë të rëndësisë jetike.