“Ministria e Shëndetësisë Kishte Rrjet Për Tenderë”

Të premten, më 22 shkurt 2013, ka vazdhuar seanca kundër Ilir Tolajt, Bujar Bukoshit dhe pesë të pandehurve të tjerë të cilët po akuzohen për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe autorizimeve. 

Në fillim të seancës u vazhdua me marrjen në pyetje të dëshmitarit Fadil Lubeniqi, pronarit të Pro Farm Helvetikas, kompani e dëmtuar sipas aktakuzës së prokurores Maria Bamieh.

Prokurorja Bamieh, që në fillim të seancës njoftoi gjykatën se Ilir Tolaj është parë në restorantin Tifany në Prishtinë tek po drekonte, ndërsa në tavolinë nuk kishte pas policë. 

Sipas prokurores kjo nuk është hera e parë që po ndodhë. 

Avokati Korab Rexhepi, tha se kjo është bërë me lejen e gjykatës ndërsa policët kanë qenë të ulur në një tavolinë tjetër. Ndërsa gjykata tha se do të merret më vonë me këtë çështje.

Gazeta Jeta në Kosovë, të enjten gjatë ditës ka raportuar me foto dhe xhirime se Ilir Tolaj, i cili gjendet në masën e arrestit shtëpiak, është parë duke drekuar në Tiffany dhe duke folur me njerëz të tjerë në këtë restorant. 

Pasi një ditë më herët prokurorja dhe mbrojtja kishin përfunduar marrjen në pyetje të dëshmitarit, pyetje për të shtruan të pandehurit Ilir Tolaj dhe Hajrullah Fejza. 

Tolaj, i cili që nga fillimi i seancave kundër tij, flet dhe pyet vetëm në anglisht e pyeti dëshmitarin për kontratën “një plus një” që ishte për furnizimin me infuzione. 

Dëshmitari Lubeniqi, tha se kontrata i është ndërprerë për shkak se nuk është pajtuar me kushtin që i ka propozuar Hajrullah Fejza, ndërsa shtoj se nuk e dinte që Ekrem Maliqi nga prokurimi dhe Ilir Tolaj si sekretar permanent në fakt e kishin nënshkruar këtë kontratë. 

Ai tha se kontratën e vazhduar po e sheh vetëm në seancë dhe se ai asnjëherë nuk ka qenë i njoftuar se kjo kontratë është nënshkruar. 

Mos nënshkrimin e kontratës Lubeniqi e lidh edhe me faktin se ai e kishte refuzuar ofertën e  dhënies së 10 për qind të fitimit për tenderin të bërë nga Hajrullah Fejza. Kështu, MSh-ja kishte shpallur tenderin për infuzione menjëherë. 

“Hajrullah Fejza në emër të Ilir Tolajt ma kërkoj 10 për qind, unë qëndroj prapa kësaj. Këta i kanë pas njerëzit e tyre që punonin për ta”, shpjegoi Lubeniqi për kolegjin e gjykatësve.

E në kohën kur pyetje po shtronte Hajrullah Fejza, i cili edhe pse nuk dinte mirë anglisht mundohej dhe insistonte që fjala djelmosha të përkthehet si “guys” për kolegjin, reagoi përkthyesja e EULEX-it me zë të ngritur duke i tërhequr vërejtjen se ishte ajo që po përkthente dhe i pandehuri po i humbte përqëndrimin. 

Pas këtij reagimi, dëshmitari, në insistimin e pyetjes nga Hajrullah Fejza, tregoi qartë se në ministri kishte një rrjet të njerëzve që merreshin me punët e tenderëve. “Ka qenë një rrjet në Ministrinë e Shëndetësisë që merrej me tender”. 

Lutfi Mulaku, ish punëtor në Ministrinë e Shëndetësisë, ishte dëshmitari i radhës që dëshmoi për periudhën nga 2004-ta deri kur kishte dhënë dorëheqjen në 2010-në. Tani Mulaku, punon në Agjensionin Kosovar për Produkte Medicinale.

Gjatë punës së tij në MSh, kishte qenë shef i divizionit të farmacisë dhe në vitin 2007 ishte larguar nga puna nga sekretari permanent Ilir Tolaj, por më pas ishte kthyer në punë prapë nga gjykata. 

Dëshmitari Mulaku tregoi se si në vitin 2007 ishin shpallur një ose dy tenderë emergjent edhe pse, sa kishte njohuri ai, ato produkte kishin qenë të përfshira në kontratën e Jona Med-it, e cila ishte shkëputur nga MSh-ja. 

Sipas dëshmitarit në këta tender në komision vlerësues kishte marrë pjesë edhe Arbenita Pajaziti. 

Në këtë kohë ish ministri Sadik Idriz, i kishte lejuar farmacistët që punonin në sektorin publik që të punonin edhe në sektorin privat dhe se këtë e kishte shfrytëzuar ai së bashku me gjithë kolegët e tij. 

Dëshmitari i tregoi kolegjit se në atë kohë Arbenita Pajaziti, kishte punuar për vëllain e Burim Shkodrës, pronarit që kishte fituar tenderët emergjent me kompaninë “Ekskluziv Gjilan”. Por dëshmitari tha se nuk e njihte asnjërin personalisht. 

I njëjti tha se nuk dinte nëse Tolaj dhe Pajaziti kishin pasur çfarëdo raporti tjetër pos atij të punës. 

Dëshmitari tregoi se si në fund të 2007-tës pasi që kompanitë kishin dështuar të sjellin me kohë barnat dhe materialin tjetër, ministria në një takim të gjatë kishte marrë vendim që këtyre kompanive të ju lëshonte të hollat para se ato ta sjellin mallin. 

“Përmes garancionit bankar do të realizohej furnizimi, kjo u bë pasi që nuk donim që mjetet e ministrisë të shkonin në suficit, shuma e të cilave ishte 100 mijë euro” tha Mulaku. 

Pasi që kryetarja e kolegjit kërkoj më shumë shpjegime për këtë çështje, Mulaku sqaroi se ai kishte marrë pjesë në takim dhe aty i ishte sqaruar e gjithë procedura. 

Procedura sipas dëshmitarit ishte se Ministria e Shëndetësisë, duhet të nënshkruante se e kishte pranuar mallin në depon e saj, pa e pranuar atë, dhe ti paguante kompanitë për mallin që nuk e kishte marrë. Kompania duhej të sjellte garancinë bankare, se në rast të dështimit të sjelljes së mallit MSh-ja të mund t’i kthente të hollat prapa përmes kësaj garancie bankare. 

Me këto veprime ishin pajtuar të gjithë, e edhe furnizuesi, i cili kishte marrë pjesë në disa mbledhje që ishin mbajtur në MSh. 

Mirëpo dëshmitari shtoi se ai nuk i ka parë asnjëherë garancionte pasi që ishte larguar nga puna. “Unë nuk i pash asnjëherë garancionet bankare dhe nuk e di kush i ka mbajtur ato, pasi që në atë kohë më larguan nga puna”. 

Mulakut i kujtohej mirë që kishte marrë pjesë në një seancë në Gjykatën Ekonomike në Prishtinë, ku MSh-ja ishte paditur nga Jona Med-i. Në atë seancë, gjykatësja i kishte këshilluar palët që të arrinin një marrëveshje në mes tyre, për çka ministria kishte organizuar një takim me Bekim Deshishkun. 

Në takim me Deshishkun, si pronar i Jona Med-it, kishte marrë pjesë dëshmitari Mulaku, Ekrem Maliqi dhe Arbenita Pajaziti. Sipas dëshmitarit takimi kishte shkuar në mënyrë të qetë derisa në takim kishte ardhur Ilir Tolaj, i cili kishte pas një ton të zërit më të rreptë se zakonisht. 

Por dëshmitari tha se pasi që Tolaj ishte futur në zyrën ku po mbahej takimi, e që ishte zyra e tij, ai kishte dal jashtë dhe nuk e kishte dëgjuar se çfarë kishte thënë Tolaj aty. 

Dëshmitari kur u pyet se pse kishte dal, ai shpjegoi se ishte ajo kohë që ai dhe Tolaj nuk flisnin dhe pas shumë pak kohësh ai ishte larguar nga puna. 

Lutfi Mulaku, do të paraqitet në seancë edhe të mërkurën e ardhshme në datën 27 shkurt, dhe i njëjti do të përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes dhe të pandehurve. 

Seanca gjyqësore vazhdon të mbahet në kinema ABC1 dhe kësaj herë ka filluar me 10 minuta vonesë për shkak të vonesës së palëve.