Ministria e Drejtësisë Nuk u Kthen Paratë të Burgosurve

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditorit për vitin 2016, evidenton shkelje dhe mospërfillje të rekomandimeve të mëparshme nga Ministria e Drejtësisë. Njëra prej shkeljeve të kësaj ministrie del që i ka dëmtuar direkte të burgosurit. Auditori ka gjetur se kjo ministri nuk ia kishte kthyer paratë personave që kishin vuajtur burgimin. E kthimi i parave në mirëbesim është obligim ligjor.

“Ligji mbi sanksionet penale dhe rregulla financiare 09/2012 për fondet në mirëbesim, e përcaktojnë që sendet personale dhe paraja e të burgosurve do t’i kthehen të burgosurit pas lirimit të tij. Ne kemi vërejtur që vlera prej 25,644€ janë para që nuk ju janë kthyer të burgosurve pas lirimit të tyre. Vetëm në Qendrën Korrektuese të Dubravës në fund të vitit 2016 vlera e mjeteve të pakthyera ishte 13,844€,” thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditorit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Drejtësisë.

Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se Ministria e Drejtësisë nuk e kishte realizuar buxheti sipas planit dhe për pasojë çoi në reduktim të shpenzimeve mbi 400 mijë euro.

“Realizimin e buxhetit për investime kapitale mbetet sfidë me të cilën përballet në vazhdimësi MD-ja. Buxheti final për investime kapitale është realizuar afro 100%. Megjithatë nëse i shohim lëvizjet e buxhetit në këtë kategori në mes të buxhetit fillestar dhe atij final, shohim se kjo kategori nuk ishte menaxhuar sipas planit të rrjedhjes së parasë. Si rrjedhojë e mos shpenzimit të buxhetit, kjo kategori ishte reduktuar për 409,388 euro. Kjo çështje ishte trajtuar në raportet e auditimit të viteve paraprake, mirëpo ende nuk është adresuar nga menaxhmenti”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Në 20 raste auditori kishte identifikuar parregullsi për plotësimin e pozitave me ushtrues detyre. Madje, emërimi i ushtruesve të detyrave ishte bërë në mënyrë të kundërligjshme.

“Mbulimi i pozitave me UD, në SHKK nuk ishte në përputhje me ligjin e shërbimit civil. Për me tepër, janë caktuar nga një pozitë në tjetrën, duke kaluar edhe nga katër (4) koeficient që janë në kundërshtim me ligjet përkatëse. Po ashtu në katër tjera është vërejtur se ne dosje mungonin raportet për vlerësimin e performancës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

MD përsërit zvarritjen e pagesave për të cilat ia kishte tërhequr vërejtjen auditori në vitin e kaluar.

“Në SHKK, kemi vërejtur që tetë (8) pagesa në vlerë 290,604€ janë kryer pas afatit të paraparë ligjor prej 30 ditësh. Vonesa më e gjatë, për 104 ditë është gjetur të pagesa për furnizim me karburante për vetura në vlerë 48,565€. Ndërsa në shtatë (7) pagesat e tjera vonesat ishin nga shtatë (7) deri në 53 ditë. Për këtë çështje, ne kemi dhënë rekomandim edhe vitin e kaluar, mirëpo nuk ishte zbatuar”, thuhet në raport. “Zyrtarët e SHKK-së vonesat i kanë arsyetuar me vështirësitë për alokimin me kohë të mjeteve, si dhe me problemet me sistemin e thesarit për të realizuar pagesat.”

Raporti thotë se kanë më shumë pasuri se sa kishin të evidentuar në regjistra.

“Në vitin 2016, MD së bashku agjencitë e saj kanë kryer procesin e inventarizimit të pasurive. Mirëpo raportet e inventarizimit nuk janë përputhur me regjistrin e përgjithshëm të pasurisë. Komisionet kanë identifikuar pasuri të cilat nuk figuronin në regjistrat e sistemit e-pasuria”, thuhet në raportin e Auditimit.

Auditori ka gjetur se Ministria e Drejtësisë nuk i kishte raportuar në mënyrë të drejtë obligimet.

“Pasqyra e detyrimeve të papaguara ndaj furnitorëve në fund të vitit 2016 ishte 1,032,689€. Këto detyrime janë bartur për t’u paguar në vitin 2017.”

Ministria e Drejtësisë nga 9 rekomandime të dala nga viti 2015 i kishte zbatuar vetëm 2, një është në proces të zbatimi dhe 6 të tjera nuk janë zbatuar.