Ministria e Brendshme në Arbitrazh në Paris

Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) do t’i kushtojë 99 mijë e 960 euro angazhimi i një avokati kosovar për ta përfaqësuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit në Paris.

Angazhimi i avokatit ka ndodhur pas shkëputjes së kontratës për furnizim me pasaporta biometrikë që kjo ministri kishte me kompaninë austriake OeSD më herët këtë vit. Asnjë palë e përfshirë nuk konfirmon se arbitrazhi është kërkuar për kontestin MPB-OeSD.

Por, arbitrazhi ishte parashikuar në pikën 41 të kontratës që ministria kishte me kompaninë austriake. Aty shkruan se “nëse palët nuk mund të zgjidhin problemin në mënyrë miqësore brenda 30 ditësh, atëherë secila palë mund të kërkojë të drejtën e vet”.

Ato janë në dy mënyra. E para me vendim gjyqi dhe e dyta me vendim arbitrimi.

Po në kontratën tashmë në ndërprerë në janar 2013 nga MPB-ja, në nenin 35, sanksionohen të drejtat e palës së dëmtuar – që janë kompensime për dëme dhe për ndërprerje të kontratës.

Në këtë rast, ministria ia kishte shkëputur kontratën OeSD-së. Kompania austriake pretendonte se asaj i mungonin 1.4 milionë euro që ministria thoshte se i ishin paguar. Përveç tyre janë edhe rreth 350 mijë euro taksa për pasaportat të cilat kishin hyrë në emër të ministrisë ndonëse, sipas kontratës, i takonte kompanisë të shlyente ato.

MPB përzgjedh avokatin

Me procedurë të negociuar, MPB-ja ka kërkuar avokat për ta angazhuar si mbrojtës ligjor në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit në Paris.

Rreth dy javë më vonë ajo e gjeti Ahmet Hasollin i cili është avokati që ka fituar kontratën në vlerë prej 99,960 eurosh për t’ia mbrojtur interesat.

“Nuk mund të flas tash për këtë çështje”, tha avokati Ahmet Hasolli për Gazetën Jeta në Kosovë, i kontaktuar për të mësuar pohimet e palëve. “Nuk kam çfarë të them”.

Heshtjen e preferojnë edhe zyrtarët e kompanisë austriake OeSD.

“Përgjigja e Drejtorit Gjeneral, z.Reinhart Gausterer, është se në këtë fazë nuk mund të themi asgjë”, tha kompania për Gazetën Jeta në Kosovë. “Asnjë informacion nuk lejohet të dalë jashtë kompanisë”.

Përveç njoftimit të 20 qershorit 2011 që shpjegon kohën kur patën fituar tenderin në Kosovë, asnjë njoftim tjetër në faqen e internetit të kompanisë nuk është publikuar.

Aty nuk ndodhet as lajmi për shkëputje të kontratës me MPB-së e as rasti në arbitrazh. Njësoj situata është edhe me faqen zyrtare te internetit të MPB-së.

Zyrtarët e kësaj ministrie nuk japin shpjegime të detajuara.

“Ministria e Punëve të Brendshme ka lidhur një kontratë për përfaqësime ligjore në arbitrazh”, thonë nga zyra për media në MPB.

“Kjo kontratë është lidhur për nevojat e MPB-së në rast të kontesteve eventuale të cilat mund të na duhen për në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit”.

Në tenderin e nënshkruar  më 15 prill 2013 ndërmjet avokatit Ahmet Hasolli dhe MPB-së nuk ka ndonjë afat se sa do të zgjasë angazhimi i tij në Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit.

Në përshkrimin e shkurtër të lëndës së kontratës së avokatit Hasolli shkruan shkurt “përfaqësimi ligjor në gjykatën e arbitrazhit në Paris”

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar edhe Tribunalin Ndërkombëtar të Arbitrazhit në Paris që tha se “rastet janë sekret dhe nuk bëhen publike”.


Foto: Ministria e Brendshme

Vendimet e arbitrazhit janë të prera 

Ekspertët e kësaj fushe thonë se harxhimet financiare në raste të tilla janë shumë të larta për palën humbëse, e cila në fund detyrohet të paguajë të gjitha shpenzimet.

Shuma që duhet paguar nga pala që humbet rastin, varet nga vlera e kontratës. Sa më e lartë të ketë qenë kontrata, aq më të larta janë shpenzimet e Tribunalit të Arbitrazhit.

Kontrata e shkëputur para kohe ndërmjet MPB-së dhe OeSD-së peshonte rreth 14 milionë euro.

Nëse ky rast do të paraqitej në Tribunalin e Arbitrazhit në Kosovë, bazuar në rregullat e tij, atëherë për kontratën nga 10 milionë deri 20 milionë, pala humbëse do të paguante 55.650 euro.

Nëse rast se çështja i është referuar Tribunalit Ndërkombëtar të Arbitrazhit në Paris, atëherë ajo ka tarifa e kosto tjetër.

“Nëse palët janë marrë vesh të zbatojnë rregullat e Odës Ekonomike Ndërkombëtare për procedurat e arbitrazhit, ajo ka tarifën e vet të shpenzimeve”, thotë Virtyt Ibrahimaga, nënkryetar i Tribunalit të Arbitrave në Oden Ekonomike të Kosovës.

“Vendimi i arbitrazhit nuk shkon në apelim. Është i plotë fuqishëm”.

Duke folur për Gazetën Jeta në Kosovë, pa paragjykuar ndonjë rast të veçantë, Ibrahimaga thotë se “në kontratat ndërmjet palëve ka mundësi të precizohen dy mundësi në rast të mosmarrëveshjeve, që janë – gjykata dhe arbitrazhi”.

Ibrahimaga shpjegon se nëse në një kontratë është përmendur gjykata dhe arbitrazhi, atëherë palët duhet të vendosin nëse duan të procedojnë rastin në gjykatë ose arbitrazh.  “Dy procese nuk shkojnë”.

Pas shkëputjes njëanshëm të kontratës me kompaninë austriake OeSD në janar 2013, MPB-ja ka shpallur tender të ri për furnizim me pasaporta biometrike.

Ky tender është fituar nga kompania gjermane G&D me të cilën MPB-ja ende nuk e ka nënshkruar kontratën. Kjo sepse kompania konkurrente sllovene CETIS ishte ankuar për parregullsi gjatë procesit në Organin Shqyrtues të Prokurimit .

Me 8 prill 2013, OSHP-ja i ka dhënë të drejtë MPB-së që të nënshkruajë kontratë me kompaninë gjermane e ka hedhur poshtë ankesën e kompanisë sllovene CETIS.

Si funksionin Tribunali i Arbitrazhit

Derisa OSHP-ja merrej me shqyrtimin e ankesave për tenderin e  ri  për furnizim me pasaporta, më 25 mars 2013, zyra e prokurimit të MPB-së ka shpallur tender të ri.


Virtyt Ibrahimaga

Virtyt Ibrahimaga, nënkryetar i Tribunalit të Arbitrave në Odën Ekonomike të Kosovës, thotë se palët kontraktuese kur e nënshkruajnë një kontratë, mund të merren vesh që në rast të mosmarrëveshjeve, zgjidhjen ta kërkojnë para një Tribunalit të Arbitrazhit e jo para gjykatës.

“Arbitrazhi është një alternativë e zgjidhjes së kontestit jashtë gjykatës. Edhe arbitrazhi është një lloj gjyqi”, thotë Ibrahimaga.

Ai shpjegon se janë dy lloje të Tribunalit të Arbitrazhit, si i përhershëm (sikurse i  OEK-ut) dhe Ad-Hoc (atypëratyshme).

Në Tribunalin Ad-Hoc të dy palët përzgjedhin nga një arbitër e këta dy përzgjedhin arbitrin e tretë ose të dy palët bien dakord vetëm për një arbitër.

“Vendimi i arbitrazhit është përfundimtar dhe i detyrueshëm. Nuk mundet të ankohet askush ndaj atij vendimi vetëm nëse ka ndonjë të metë shumë serioze e nuk përkon me rendin juridik të shtetit”, thotë Ibrahimaga.

“Në kontestet komerciale kryesisht kompanitë e mëdha nuk dëshirojnë të kenë procedura shumë të gjata gjyqësore”.

Ibrahimaga thotë se secili shtet ka ligj për arbitrazh me të cilën sigurohet ekzekutimi i  vendimit.

“Edhe Kosova e ka ligjin dhe përmes tij përcaktohet që vendimet e arbitrazhit janë të ekzekutueshme”, thotë ai.

“Për Kosovë, ligji i arbitrazhit e përcakton se një vendim i një arbitrazhi të huaj është i ekzekutueshëm në Kosovë”.