Vizita në Minierën e "Trepçës"

Minatorët Rritin Rrogat, Presin Aminin e Qeverisë

Punëtorët e Trepçës kanë arritur një ujdi me menaxhmentin e kësaj ndërmarrjeje për rritjen e pagave për 20 për qind, në mënyrë lineare. Kjo marrëveshje është nënshkruar më 27 janar të vitit 2017. Ende nuk dihet se prej cilës datë kjo marrëveshje do të jetë e zbatueshme, pasi Ministria e Zhvillimit Ekonomik si përfaqësuese e aksionarit kryesore, Qeverisë së Kosovës, nuk ka dhënë një miratim zyrtar për këtë rritje të pagave.

Nëse kjo marrëveshje jetësohet, minatorët e Trepçës do të marrin një pagë prej 780 euro, pasi aktualisht kanë një pagë prej 650 euro. Në marrëveshjen e nënshkruar thuhet se rritja prej 20 për qind është në mënyrë lineare, por nuk është sqaruar nëse edhe menaxhmenti do të përfitojë rritje prej 20 për qind.

Aktualisht, Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, ka një pagë vjetore neto prej 23 mijë e 910 euro. Tmava merr një pagë mujore neto prej 1,992 euro. Nëse mbi pagën aktuale të Tmaves kalkulohet rritja prej 20 për qind, i bie që ai në të ardhmen të marrë një pagë prej 2,391 euro. Kurse, nëse rritja është e barabartë për të gjithë punëtorëve, Tmava i bie të ketë një rritje prej 120 euro neto, apo do të kishte një pagë prej 2,012 euro.

Gazeta Jeta në Kosovë, ka siguruar dokumentin e marrëveshjes e cila parasheh tri kërkesa të cilat janë drejtuar nga punonjësit e Trepçës në mesin e së cilës është edhe rritja e pagës prej 20 për qind.

“Bazuar në tubimin e mbajtur më 26 janar 2017 është arritur pajtimi në mes të palëve nënshkruese që kërkesa e kryesisë së Sindikatës së Pavarur të zbatohen në tërësi. Kërkesat janë rritja e pagave prej 20 për qind në mënyrë lineare të bizneseve të parapara me Ligjin për Trepçën”, thuhet në marrëveshjen e nënshkruar nga menaxheri i Trepçës.

Ahmet Tmava, menaxher i Trepçës, thotë se në marrëveshja janë tri pika për të cilat është arritur pajtueshmëria.

“Ato ishin ngritja e pagës prej 20 për qind që është në funksion të sigurimeve të punëtorëve. Nga janari fillon së implementuari kjo marrëveshje”, tha drejtori Tmava.

Përkundër faktit që Tmava thotë se pagat me rritje do të paguhen duke filluar nga muaji janar, sërish është Ministria e Zhvillimit Ekonomik ajo që duhet ta miratojë një rritje të tillë.

“Për aprovim dhe implementim e kemi përcjellë edhe në Qeverinë e Kosovës, në Ministrinë për Zhvillim Ekonomik, në mënyrë që aksionari kryesor që tashmë me Ligjin e Trepçës është Qeveria e Kosovës të japë izën për implementimi”, tha Tmava.

Drejtori Tmava shpreson që kjo marrëveshje të implementohet nga MZhE pasi kjo do të ndikojë në rritjen e prodhimit dhe motivimit për zhvillim të mëtutjeshëm të ndërmarrjes Trepça.

E Ministria e Zhvillimit Ekonomik, si aksionare e Trepçës, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për Gazetën Jeta në Kosovë për aprovimin e kërkesës që punonjësit kompleksit mineral t’u rritet paga prej 20 për qind.

Gazeta Jeta në Kosovë i është drejtuar për gati një javë me pyetje mistrisë që drejtohet nga Blerand Stavileci.

Edhe pse ekziston një marrëveshje e tillë mes Sindikatës së Punëtorëve dhe Menaxhmentit të Ndërmarrjes Trepça, ka minatorë që shprehin dyshime se paga e tyre do të dalin me rritje më 10 janar kur bëhet pagesa për ta.

“Pas tri vjetësh pritet të rritet pagesa prej 20 për qind për punëtoret e Trepçës. Kjo na motivon por duhet të rritet akoma. Ne nuk e kemi marr rrogën hala dhe pa e marrë rrogën nuk besoj, sepse marrëveshja është nënshkruar, por kurrë nuk i dihet. Unë Sindikatës i besoj, por menaxherit jo derisa të na del rroga”, tha Isufi Beqiri, minator në Minierën Trepça në Stantërg të Mitrovicës.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës, Shyqri Sadiku, ka paralajmëruar protesta në rast se marrëveshja për rritje të pagave nuk zbatohet.

“Ne parashohim që pagat të dalin me rritje ose në të kundërtën punëtorët e Trepçës do të mbajnë sërish tubime”, tha Sadiku.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar marrëveshjen e nënshkruar mes Sindikatës së Punëtorëve të Trepçës dhe menaxhmentit të Trepçës, në të cilin parashihet edhe sigurimet shtesë shëndetësore dhe zbatimin e ligjit të punës dhe marrëveshjes kolektive.

“Të bëhet sigurimi i punëtorëve në nivelin më të lartë, duke pasur parasysh rrezikshmërinë, kushtet e rënda të punës dhe sëmundjet profesionale që shkaktohen në minierë dhe zbatimi i Ligjit të Punës dhe Marrëveshja e Përgjithshme Kolektive (orët e natës, pushimet mjekësore, vjetore, puna jashtë orarit etj)”, thuhet në marrëveshje.

Trepça ka kaluar në pronësi të qeverisë së Kosovës në muajin nëntor pas miratimit të Ligjit të veçantë për Trepçën. 80 për qind të aksioneve i takojnë qeverisë së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër e aksioneve prej 20 për qind i takojnë punëtorëve.

Ekskluzive: Përmbajtja e Ligjit për Trepçën