Mijëra Pensionistë në Muaj (TV)

Nuk kanë mjaftuar pesë mijë formularë për të evidentuar të gjithë ish të dënuarit, të burgosurit dhe të përndjekurit politikë të Kosovës.

Pas vetëm dhjetë ditësh, nga 4 prilli 2013 kur ka nisur procesi i regjistrimit të këtyre kategorive, është dashur të kërkohen kopje shtesë.

Janë kërkuar edhe 3 mijë formularë. 2 mijë për Kosovë e 1 mijë që t’iu dërgohen Ambasadave e Konsullatave të shtetit në vende të ndryshme të botës.

Interesimi për të qenë përfitues i beneficioneve që parashikon ligji për ish të burgosurit dhe të përndjekurit politikë, i nxjerrë më 2010, është i madh.

Shefik Sadiku, sekretar në Shoqatën e ish të Burgosurve Politikë të Kosovës, tërheq vërejtjen se jo të gjithë do të përfitojnë para.

“Vetëm ish të dënuarit politikë do të përfitojnë materialisht”, thotë Sadiku për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Ish të burgosurit janë të dënuarit deri në 60 ditë (e më lartë), e të përndjekurit janë qytetarët e larguar nga puna ose të gjykuar në mungesë”.

Ai shpjegon se kategoritë e tjera do të përfitojnë vetëm lehtësira në shërbime të ndryshme komunale dhe administrative.

Sadiku thotë se fushata e evidentimit është parashikuar të zgjasë një muaj. Kurse i gjithë procesi parashikohet të përmbyllet deri në mesin e vitit 2015, bazuar në nenin 21 të ligjit, ku flitet për afatet e realizimit të së drejtës së këtyre kategorive.

Komisioni qeveritar që do të shqyrtojë aplikacionet përbëhet nga Hydajet Hyseni kryetar, me anëtarët Rrahim Rama (MD), Basri Ibrahimi (MPMS), Qerim Telqiu (MSh), Halit Krasniqi nga Kuvendi i Kosovës, Mazllum Baraliu nga shoqëria civile dhe Shefik Sadiku sekretar.

Për Prishtinë, aplikacionet merren në selinë e shoqatës, aty ku dikur ishte Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Në qendrat tjera, në zyrat e shoqatës.

Shtohen pensionistët

Çdo herë e më shumë është duke u shtuar numri i qytetarëve që marrin pensione, si pjesë e skemës pensionale prej nëntë kategorive ekzistuese pa përfshirë të burgosurit.

Në muajin mars 2013 janë dhënë 175,500 pensione.

Në dhjetor 2012 ishin 170,947 pensione të ndara. Domethënë, për tre muaj, këtë vit janë shtuar 4.553 pensionistë.

Kur këto të dhëna të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) krahasohen me 1.7 milionë banorë sa ka vendi, del se gati çdo i dhjeti kosovar merr pension.

Buxheti i Kosovës për këtë vit është 1.6 miliard euro. Për vitin 2013, MPMS ka parashikuar 147 milionë e 69 mijë e 539 euro për t’i shpërndarë në formë pensionesh dhe ndihmash sociale, që është rreth 9 përqind e buxhetit.

Aktualisht pensione bazë jepen për 117,524 persona, për kontribuues pagues 35,818, persona me nevoja të veçanta 17,457, të parakohshme për minatorët nga “Trepça” 3,874, për TMK 751 dhe FSK-në 76 pensione.

Bazuar në të dhënat për vitin 2012 të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), edhe 13,232 pensione jepen për tri kategoritë e dala nga lufta e UÇK-së (Dokumenti 1).

Kategoria e fundit e përfituesve tash pritet të jenë edhe ish të Burgosurit dhe Përndjekurit Politikë.
 
Behxhet Gaxhqi, zyrtar për media në MPMS, thotë se në buxhetin e këtij viti, nuk bën pjesë edhe kjo kategori.

“Nuk kemi shifër të saktë të numrit të tyre sepse kjo dihet në fund, pasi për secilin shikohen kriteret e precizuara në ligj, e me ta do të merret komisioni përkatës”, thotë Gaxhiqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

“Presim derisa të përfundojë i gjithë procesi në mënyrë që të detajizohet në tërësi numri i përfituesve dhe shuma e parave që duhen”.

Aplikues me arsye të ndryshme

Arsye për të aplikuar për statusin e ish të Burgosurit dhe Përndjekurit Politikë nuk është vetëm dënimi për thirrjet “Kosova Republikë”.

Edhe rrahjen me një serb në vendin e punës dhe dënimin për këtë rast, e mendon si bazë për të përfituar nga ligji Hamdi Bllaca.

Hamdiu (70) është nga fshati Besi e Prishtinës. Ai thotë se nuk e ka lexuar ligjin, por i kanë thënë se mund të aplikojë sepse ka arsye. Thotë se policia serbe e ka rrahur duke i kërkuar armë.

Përveç kësaj, Hamdiu beson se ndoshta do t’ia sheh hajrin edhe rrahjes me një serb derisa punonte në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) në vitin 1977 dhe mbajtjes së 12 muajve burg për këtë ngatërresë. Të afërmit i kanë thënë se kështu shkruan në ligj.
 
“Me serbin u ngatërruam me fjalë dhe e rraha. Tash erdha të shoh nëse përfitoj diçka”, thotë Hamdiu për Gazetën Jeta në Kosovë. Për më tepër, thotë se edhe babanë e ka pasur kaçak të malit, i vrarë kur ky ishte vetëm 2 vjeç.

“E diellin mbi kokë na patën sjell në vitin 1996/97 edhe shqiptarët tonë në bashkëpunim me regjimin serb duke kërkuar armë”, thotë Hamdiu. “Më kanë rrah veç me shpirt që më kanë lënë”.

Neni 4 i këtij ligji u mundëson aplikim për beneficione të gjithë atyre që mund të dëshmojnë se kanë  vuajtur nën regjimet totalitare, “nga data 1 mars 1913 deri më 12 qershor 1999” (Dokumenti 2).

Ky ligj e precizon se për të fituar beneficione, duhet pasur edhe dokumente.

Pika 4 e nenit 13 thotë se: “Provë e nevojshme me shkrim është vërtetimi për vuajtjen e dënimit, aktgjykimi, përkatësisht aktvendimi gjyqësor nga institucioni kompetent, me të cilin vërtetohen: veprimi, pasoja, koha e qëndrimit në burg, dëshmia me shkrim e Shoqatës së të Burgosurve Politikë dhe e dëshmitarëve etj”.

Nevojën për posedimin e vendimeve për të vërtetuar statusin e ish të dënuarit, burgosurit apo përndjekurit politik, e thekson edhe Shefik Sadiku, sekretar i Shoqatës.

“Është me rëndësi që secili aplikues ta marrë vet aplikacionin dhe ta nënshkruajë vet sepse është numri i aplikacionit”, thotë Sadiku.

“E dokumentet më të rëndësishme janë aktgjykimi i Gjykatës Supreme ose fletë-lëshimi nga burgu apo dokument që dëshmon se është liruar nga burgu”.