Mësuesi Ngacmon Seksualisht Nxënësen 12-Vjeçare

Ahmet Tafa, mësues i gjeografisë në dy shkolla fillore të Suharekës, është denoncuar në polici nga prindi i një nxënëseje të mitur, për ngacmim seksual.
 
Mësuesi 52-vjeçar, tashmë i suspenduar, ishte kujdestar i vajzës 12-vjeçare, të cilën besohet se e ka prekur në pjesë të ndryshme të trupit.

Ngjarja ka ndodhur më 7 nëntor 2012, në prezencën e nxënësve të tjerë në klasë. Vajza ka shkuar në shtëpi duke qarë dhe i ka treguar babait se kujdestari i saj në shkollë e ka prekur në pjesë intime të trupit.

Prindi i revoltuar, po atë ditë ka shkuar në polici dhe e ka paraqitur rastin. Për ngjarjen, po nga prindi i vajzës ishte njoftuar dhe drejtori i shkollës.

“Isha në takim me një prind tjetër, kur hyri prindi i vajzës së dëmtuar. E pashë që ishte i tensionuar dhe shumë i revoltuar. Hyri në zyrë dhe tregoi se vajza i ka shkuar në shtëpi duke qarë dhe i ka treguar se mësuesi i gjeografisë e ka ngacmuar, duke e prekur në pjesët e trupit”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, drejtori i shkollës ku ka ndodhur rasti.

Po atë ditë, prindi ka biseduar edhe me drejtorin e Arsimit në Suharekë, Xhemajli Shala, i cili ndodhej jashtë vendit. Por, ai i ka njoftuar zyrtarët e tjerë të arsimit.

Më 8 nëntor, policia së bashku me zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në Suharekë, ka shkuar në këtë shkollë për t’u interesuar rreth rastit.

“Me kërkesën e drejtorit të Arsimit, kemi shkuar në shkollën fillore për ta hulumtuar rastin, pasi që nga drejtori i shkollës kemi marrë informacion se një nxënëse është keqtrajtuar seksualisht nga mësuesi i saj”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë, Agim Rraqi, pedagog në Drejtorinë e Arsimit në Suharekë.

Policia, së bashku me zyrtarët e arsimit, kanë zhvilluar një anketë me nxënësit në tri paralele të ndryshme, ku mësuesi Tafa ka dhënë mësim dhe kanë marrë deklaratë nga 14 nxënës, me qëllim që të kenë një pasqyrë të qartë të asaj që ka ndodhur.

Sikur bën të ditur pedagogu Rraqi, të gjithë nxënësit e anketuar kanë deklaruar se ky mësues gjatë orëve të mësimit ka përdorur fjalës të pista, ndërsa ndaj viktimës dhe vajzave të tjera, të cilët nxënësit i kanë përmendur edhe më emër, është afruar më shumë duke i prekur dhe ledhatuar.

Njësia e Hetimeve e Stacionit Policor në Prizren ka marrë edhe deklaratat e vajzës dhe të vetë mësuesit dhe nga kjo edhe ka ngritur kallëzimin penal ndaj mësuesit Ahmet Tafa.

“Ne jemi lajmëruar për rastin nga prindi i vajzës. Kemi zhvilluar hetimet dhe në bazë të hetimeve është konstatuar se ka bazë të mjaftueshme për ngritjen e kallëzimit penal. Lëndën e kemi dërguar në prokurori për vazhdimin e procedurës”, tha për Gazetën Jeta në Kosovë, togeri Jeton Krasniqi, mbikëqyrës i hetimeve.

Lënda në prokurori është dorëzuar, por lënda nuk është futur ende në punë nga prokuroria.

Prokurori Mehrem Hoxhaj ka konfirmuar për Gazetën Jeta në Kosovë se lënda është pranuar nga ai. “Ende nuk kam pasur kohë që ta shfletoj lëndën, por së shpejti do të merrem me rastin. Lënda duhet të shkoj me hetime, pasi çështja është e ndjeshme. Të gjitha palët prapë do të merren në pyetje”, tha Hoxhaj.
 
Drejtori komunal i Arsimit, Xhemajli Shala, e quan të turpshme këtë që ka ndodhur. Ai thotë  se do ta ndjekin deri në fund rastin dhe do të jenë të pamëshirshëm ndaj të gjithë arsimtarëve që e keqpërdorin detyrën, sidomos në këso rastesh. “Askënd nuk do ta fajësoj pa bazë, por nuk do të tolerojmë në këto raste”, shprehet ai.

“Fatkeqësia është se arsimtari është i lirë, ndërsa është dashur të jetë prapa grilave. Prindi është tejet i shqetësuar që ky person ndodhet në liri”, tha Shala.

Arsimtari Ahmet Tafa është suspenduar me 50 për qind pagesë, me një aktvendim të datës 19 nëntor 2012, deri në shqyrtim të rastit nga komisioni disiplinor. Drejtori i Arsimit tha se komisioni disiplinor shumë shpejt do të dalë me një raport.

Gazeta Jeta në Kosovë ka biseduar me arsimtarin Ahmet Tafa, i cili ka kërkuar mos të publikohet shkrimi në gazetë, pasi pret që të kthehet sërish për të dhënë mësim në këtë shkollë.

“Akuzat janë të pavërteta. Jam viktimë e rastit dhe e prindit të vajzës. Jam i pafajshëm dhe ju lutem mos e publikoni shkrimin, pasi më prishet imazhi”, tha Tafa.

Por, në deklaratën e dhënë për hetuesit e policisë dhe zyrtarët e Drejtorisë së Arsimit, ky arsimtar ka deklaruar se i është afruar vajzës për t’i ndihmuar në lëndën e gjeografisë. “Vetëm ia kam ledhatuar flokët në shenjë ndihme në mësim dhe assesi nuk e kam ngacmuar dhe prekur në pjesët intime të trupit”.

Vajza është duke e vazhduar mësimin. Ajo është vizituar nga një psikolog, në mënyrë që t’i ndihmohet t’i kthehet jetës dhe shkollës si më parë.