Raportoni Korrupsionin!

  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
  • 1
  • 2
  • 3
  • 4
FLM!

RAPORTI JUAJ
ESHTE DERGUAR

Meshkujt Të Pambrojtur nga Dhuna në Familje

Mbi 1000 raste të dhunës në familje janë regjistruar nga policia vitin e kaluar dhe në mbi 250 syresh viktima janë meshkujt. Por përderisa dhuna ndaj gruas shihet si sistematike dhe ka shumë organizata që merren me mbrojtjen e tyre, meshkujve askush nuk iu del në ndihmë.

Piskamat e britmat e gruas ndaj tij, ndoshta edhe atë ditë do t’i duronte. Kjo nuk do të ishte diçka e re. Kështu kishte bërë gjithmonë. 

NDËRLIDHUR

Por goditja me tavolinën e vogël të kuzhinës dhe grushtet mbi fytyrën e tij, ishin edhe fundi i durimit. Kjo e bindi atë përfundimisht që të kërkojë ndihmë.  

F.O., mori telefonin dhe lajmëroi Policinë e cila fillimisht u detyrua ta dërgojë për t’i dhënë ndihmë në Qendrën e afërt Emergjente, për shkak të  disa plagëve të lehta. 

F.O ishte rrahur nga F.B. (mbiemri i vajzërisë), e cila ishte askush tjetër, përveç se gruaja e tij. 

Viktima e gruas së vet është një qytetar nga rajoni i Prishtinës. Në muajin tetor të vitit të kaluar, rastin e tij, kur gruaja kishte ushtruar dhunë mbi burrin, forcat e rendit e regjistruan zyrtarisht si të tretin brenda 2011. 

Gazeta JnK ka arritur të sigurojë një pjesë të deklaratës së këtij personi të dhënë në polici, e cila në fakt, nuk ndryshon shumë nga ato që zakonisht femrat i japin kur ndaj tyre meshkujt ushtrojnë dhunë. 

“Kjo nuk është hera e parë. Ajo gjithmonë është e dhunshme. Zakonisht arsye janë kushtet e rënda ekonomike”, ka deklaruar ndër të tjera F.O. në polici. 

“Kjo nuk është hera e parë. Ajo gjithmonë është e dhunshme. Zakonisht arsye janë kushtet e rënda ekonomike” F.O

Rasti i rrahjes së burrit nga gruaja është i treti, por në Kosovë, të regjistruara janë 1.068 të tjera kur anëtarët e ngushtë të familjes shkrehin dajak mbi njëri-tjetrin. 

Hulumtimi i Gazetës JnK tregon se vëmendja në Kosovë është më shumë e përqendruar vetëm në trajtimin e dhunës ndaj femrës. 

Sigurisht, statistikat tregojnë se ajo është ende në nivel shumë të lartë. Së paku, kështu thonë zyrtarët përkatës.  

Por pavarësisht kësaj, edhe meshkujt janë objekt dhune, dhe atë jo vetëm nga gratë e tyre, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, kryesisht të  gjinisë së njëjtë. 

Brenda vitit 2011, policia ka të regjistruara 1.068 raste të dhunës në familje, ku përfshihet rrahja ndërmjet bashkëshortëve, prindërve e fëmijëve, kunatave e kunetërve, vjehrrave e nuseve apo gjyshërve e nipave. 

Por  kjo duket se nuk i bën përshtypje askujt.  

Në Kosovë ka dhjetëra Organizata Jo-Qeveritare që merren me mbrojtjen e femrave nga dhuna, por nuk ka as edhe një institucion shtetëror ose jo-shtetëror që u del në ndihmë meshkujve.  

Këtë e pohon edhe Naime Sherifi, drejtoreshë e Qendrës për Mbrojtjen e të Drejtave të Grave dhe Fëmijëve, një organizatë Joqeveritare e cila ka edhe disa qendra të tjera në vend. 

“S’ka organizata që i mbrojnë meshkujt. Unë di disa raste të dhunës ndaj meshkujve, por ato janë më të rralla”, thotë Sherifi për Gazetën JNK. 

Megjithëkëtë, nëse shikohen të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës, del se dhuna ndaj meshkujve të Kosovës, që janë të moshave të ndryshme, nuk është edhe aq e rrallë. 

Gjatë vitit 2011, janë 265 meshkuj në mbarë vendin  që kanë marrë dajak nga anëtarët e tjerë të familjes nga gjinia e njëjtë. 

“S’ka organizata që i mbrojnë meshkujt. Unë di disa raste të dhunës ndaj meshkujve, por ato janë më të rralla”

Statistikat tregojnë se në 132 raste, djali e ka rrahur babanë dhe Prishtina është rajoni që prin me 36 të tilla.

Por në këtë listë rrahjesh familjare, janë edhe 70 raste kur vëllezërit kanë ushtruar dhunë ndaj njëri-tjetrit, 37 raste kur vajzat kanë rrahur baballarët,  10 raste kur djali i axhës është rrahur nga vajza e axhës, 9 raste kur nuset kanë rrahur vjehrrin, katër të tjera kur nipi ka rrahur axhën dhe tre kur nipi ka rrahur gjyshin. 

Togere Tahire Haxholli kryeson Sektorin Kundër Dhunës në Familje në Policinë e Kosovës, e cila për Gazetën JnK tregon se as Policia, por as organet e tjera të shtetit, nuk kanë ndonjë sektor të veçantë për mbrojtjen e meshkujve. 

“Nuk është paraqitur nevoja dhe për këtë arsye nuk mund të krijohet strehimorja”, thotë Togere Haxholli. 

Por ajo e pranon se në rast dhune të rëndë ndaj një mashkulli, atëherë dorasi edhe nëse është femër, mund të paraburgoset sepse duke u thirr në ligj, ajo thotë se “të gjithë janë të barabartë”. 

Por çfarë të bëjnë meshkujt që janë të rinj në moshë, të cilët nuk kanë punë, nuk kanë strehim dhe ndaj tyre mund të ushtrohet dhunë. Apo çfarë të bëjnë gjyshërit kur ata rrahën nga nipërit!?

“Tash për tash, ata duhet të gjenden vet. Por dhunë ndaj të rinjve nën moshën 18 vjeç, kemi pasur vetëm rreth 20 raste, të tjerat janë të moshës madhore”, thotë Haxholli për Gazetën JnK. 

“Dhuna ndaj burrave është aty për aty, kurse ndaj femrave është sistematike”, argumenton Togere Haxholli. 

Sidoqoftë, kur vjen puna te dhuna në familje, shoqëria kosovare duket se është e njëjtë, pavarësisht përkatësisë etnike.

“Nuk është paraqitur nevoja dhe për këtë arsye nuk mund të krijohet strehimorja.Tash për tash, ata duhet të gjenden vet.” Tahire Haxholli

Në një anketë të kryer në vitin 2008, nga Rrjeti i Grave të Kosovës me mbështetjen e Programit të Kombeve të Bashkuara për Rindërtim dhe Zhvillim (UNDP), del se nga 1.256 të anketuar, përafërsisht 43 për qind e tyre kanë thënë se kanë përjetuar dhunë familjare.

“46.4 për qind e femrave dhe 39.6 për qind e të gjithë meshkujve kanë përjetuar dhunë në familje”, thuhet në këtë hulumtim (Kliko këtu për të shkarkuar hulumtimin)

Ky ishte një nga hulumtimet e rralla në këtë drejtim, ngase pjesa dërmuese e vëmendjes është përqendruar në sensibilizim të opinionit për dhunën ndaj femrës. 

Kështu, sipas të njëjtit hulumtim, del se shumica e të anketuarve, sjelljen e dhunshme ia atribuojnë papunësisë (62.4 për qind) dhe  alkoolit (43 për qind), dhe në të njëjtën kohë, besojnë se dhuna ka qenë “normale” ose e pranueshme në rrethana të tilla.

Shkaqet e rënda ekonomike, si arsye të dhunës së ushtruar nga gruaja ndaj tij, i kishte përmendur në Polici edhe F.O, kur kishte dhënë deklaratën. 

Fukarallëkun si arsye për dhunë në familje, e pohon edhe Togere Tahire Haxholli, nga Policia e Kosovës. 

“Në raste të dhunës së gruas ndaj burrit, është gruaja ajo që e merr tërësisht kontrollin mbi familjen dhe shkaqet ekonomike në të shumtën e rasteve janë arsyeja”, thotë ajo për Gazetën JNK. 

“Gjithashtu nëse gruaja punon e burri nuk punon”. 

Në raste të tilla, kur nuk ka punë, nuk ka strehim, nuk ka përkrahje, zgjidhjet që i mbeten një mashkulli që maltretohet nga gruaja apo anëtarët e tjerë të familjes, janë po aq të kufizuara sa edhe të një femre. 

Kështu kishte vepruar edhe F.O, nga komuna veriore fqinje me Prishtinën. As Policia dhe as punëtorët socialë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, nuk kishin ku ta çonin

I ndodhur në këtë pozitë, pas tërë asaj tollovie, F.O nuk e kishte mundësinë të strehohej diku tjetër përveç se t’i kthehej gruas së tij, në përpjekje për të rinisur bashkëjetesën, qoftë  edhe duke kapërdirë faktin se ajo në çdo kohë mund ta rrahë sërish. 

Deshi ose jo, sipas versionit përfundimtar të policisë, F.O ishte pajtuar me gruan e tij F.B për të vazhduar jetën sërish si bashkëshortë. 

Fakte:

Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, shihet se Prishtina radhitet e para me 268 raste, pasuar nga Peja me 207, Mitrovica me 187, Prizreni 172, Ferizaj me 130 dhe Gjilani me 104 raste.

Gjatë vitit 2011 kanë ndodhur 1068 raste të dhunës në familje në tërë Kosovën. Relacionet familjare janë të ndryshme. 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

ETIKETA

05 Mars 2012 - 01:30

Jeton Musliu 05/03/2012 - 01:30
NDËRVEPRIMI0
KOMENTE0

Meshkujt Të Pambrojtur nga Dhuna në Familje

by Gazeta JNK
NA NDIQNI