Deputeti Albin Kurti i drejtohet protestuesve - Foto: KALLXO.com

Mesazhet mes Rreshtave të Letrës së Albin Kurtit

Ndonëse nga vetë kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Hydajet Hyseni, u tha se në fazën në të cilën është partia, duke iu referuar kohës së zgjedhjeve të brendshme, kishin dilema se a duhej ta lexonin këtë letër, megjithatë kishin ardhur në përfundim se qëllimi i letrës ishte unifikues.

Madje në përpjekje për ta shtuar edhe më tej unitetin e brendshëm në kohën kur përplasjet mes anëtarëve të Vetëvendosjes u shpërfaqën më shumë se kurrë,  Hyseni tha se Arben Vitia, personi që është zgjedhur për të lexuar letrën,  është shumë i përfolur për sukseset dhe rolin e tij unifikues brenda Lëvizjes.

Megjithatë, ndonëse letra nga burgu e Kurtit kishte ‘mëlmesa’ amnistie ndaj Aida Dërgutit, referimi ofendues i së cilës ndaj Kurtit u bë pikënisja e cila nxori në pah një përçarje të thelle brenda Lëvizjes, gjuha e Kurtit e përdorur në letër nuk ishte unifikuese e aq më pak mirëkuptuese ndaj të tjerëve të përfshirë në komunikim.

Kurti në letrën e tij nga burgu, e quan të dhimbshme situatën e fundit të krijuar në Vetëvendosje,  ndërsa më tej ndonëse e fal Aida Dërgutin e cila i ishte referuar si “ai m…”, Kurti kujdeset që ta bëjë të qartë se falja vlen vetëm për Aidën, duke theksuar se “personalisht ajo”, nuk i ka borxh por kjo nuk vlen edhe për pjesën tjetër.

http://kallxo.com/biseda-ne-viber-qe-mund-ta-ndaje-vetevendosjen/

“Janë të dhimbshme ndodhitë brenda lëvizjes tonë, nuk është problemi tek gjuha që ka përdorur Aida, nuk më ofendojnë fjalët që ajo ka thënë, e fali edhe sikur ajo që mos më kishte kërkuar falje. Personalisht ajo nuk më ka kurrfarë borxhi mua”, lexohej në letrën e Kurtit.

Kurti më tej, ndonëse tha se e ka falur Aida Dërgutin për ofendimin, megjithatë e qorton atë për ‘qasjen destruktive dhe dëshirën e arrestimin”, ndërsa kritikon ashpër komunikimin e bërë siç e quan ai “tinza”.

Lëvizja ‘Tektonike’ e Vetëvendosjes

“Unë jam çuditur shumë dhe zhgënjyer thellë për qasjen destruktive, për dëshirën për arrestimin që na u bë, për linjën e posaçme të komunikimit prapa shpinës së organeve të Vetëvendosjes Thelbi nuk është fjalori i saj por kjo ndjenjë armiqësore ndaj meje, ky komunikim tinëz dhe kushedi se për çfarë qëllimesh e që janë fort shqetësuese”, thuhet në letrën e Kurtit.

Ndoshta pjesa më interesante e letrës së Kurtit, është pjesa ku ai arsyeton vendimin e faljes për Aida Dërgutin.  Kurti e vë në pah se Aida Dërguti nuk ka qenë në mesin e personave që ka pasur mosmarrëveshje me të, teksa vendimin për amnistimin e saj e bazon tek “mashtrimi” i Aida Dërgutit.

“Aida nuk hynë as në pestën , as në dhjetëshen e as në pesëdhjetëshen  e aktivistëve të Vetëvendosjes që unë kam pasur mospajtime më të theksuara dhe si erdhi ajo deri në këtë pikë, nuk kam shpjegim tjetër përveç mashtrimit e që do të thotë se ajo nuk është fajtore”, thuhet në  letrën e Kurtit e që tingëllon sikur shpallje e një aktgjykimi lirues ku i pandehuri lirohet ndonëse ka kryer veprën por për shkak se ka rrethana që përjashtojnë përgjegjësinë e tij, në rastin tonë, sipas Kurtit, Aida ishte e mashtruar.

Në fund të adresimit të tij lidhur me situatën, Kurti kujdeset që t’i kritikojë dhe njëkohësisht t’i paralajmërojë “të privilegjuarit” e Lëvizjes.

“Lëvizja Vetëvendosje ka nevojë për më shumë transparencë dhe llogaridhënie. Disa njerëz kur i humbin privilegjet thonë se kjo është padrejtësi. Ata duhet të fillojnë të mendojnë se ndoshta privilegjet paskan qenë padrejtësi “, thuhet në letrën e Kurtit.

Ndoshta mesazhi thelbësor i letrës së Kurtit shpërfaqet krejt në fund të pjesës së  letrës së tij ku i referohet situatës në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Secili aktivist i Vetëvendosjes është i nevojshëm por asnjëri i pazëvendësueshëm”, thuhet në letrën e Kurtit.

Por ajo që Kurti e lë enigmë është ajo çfarë aktivistët dhe anëtarët e Vetëvendosjes e presin më së shumti nga Kurti. Ai nuk tha asnjë fjalë nëse do të konkurrojë për kryetar të partisë atëherë kur VV t’i shpallë zgjedhjet e brendshme.