Formacioni muzikor i Mercan Dede

Mercan Dede Ndezi Tingujt e Javës së Xhazit Turk

Përmes një bashkërendimi të mahnitshëm mes tingujve mistikë Sufi, xhazit delikat dhe duartrokitjeve të përsëritura nga audienca e gjallë, Mercan Dede dhe katërshja e tij kanë hapur edicionin e pestë të Javës së Xhazit Turk.

Më shumë se gjysmë ore para se të fillonte performanca, Salla e Kuqe në Pallatin e Rinisë dhe Sportit ishte e stërmbushur me njerëz që kishin ardhur t’i dëgjonin këngët e para të Javës së sivjetme të Xhazit Turk.

Për vitin e pestë me radhë, Java e Xhazit Turk i sjell kosovarëve virtuozë nga Turqia, gjë që përshtatet mirë me trendin e vazhdueshëm të muzikës live që shijohet në kafenetë dhe sallat e koncerteve të Prishtinës.

I organizuar nga Instituti Yunus Emre në Prishtinë – një institucion që promovon kulturën turke anë e kënd botës – edicioni i këtij viti do të zhvillohet në pesë koncerte prej datës 12 prill deri më 19 prill. Të premten, Baki Duyarlar/Kemen Jazz performoi në Hotelin Swiss Diamond në Prishtinë.

Muzikanti turk Ercan Dede
Muzikanti turk Ercan Dede

Pas një prezantimi të zëshëm të performuesve, instrumentet e lashta u vunë në prizë dhe nuk dëgjohej asnjë zhurmë tjetër veç gumëzhimave që kumbonin nga altoparlantët.

Teksa Dede rregullonte tastierat në panelin e tij, një nga anëtarët e grupit rroku kamançen, një instrument harkor që i ngjan lahutës, dhe filloi ta rrëshqiste harkun përmbi tela. Dridhjet e mprehta të sazit erdhën menjëherë pas tij dhe krijuan një atmosferë qetësuese që të sillte ndër mend fushat e pafundme e Anadollit.

Anëtari i tretë filloi të rrihte diku tri vegla perkusioni në të njëjtën kohë, duke shkaktuar luhatje të pavullnetshme kokash dhe duartrokitje të pareshtura. Çdo tel që dridhej përshtatej në mënyrë të përkryer me pulsimet e zemrës sime.

Kur anëtari i fundit puthi majën e pipëzës së flautit, Dede shtypi sustat e miksetës dhe filluan të dëgjoheshin fjalë të herëpashershme në turqisht përmbi ritme orientale.

Këtë herë, gjithçka u shndërrua në një rrugicë të zhurmshme të Stambollit. Secila këngë i shtrëngonte audiencës nofullat nga drithërimi. Ishte për të ardhur keq që duhet të qëndronim ulur.

 

Për një çast, çdo tingull pushoi dhe një burrë në rrobe të zeza iu qas skenës. Shumë shpejt, muzika u kthye me fuqinë e mëparshme teksa ai hodhi mantelin e errët dhe shpërfaqi fustanellën e tij të mëndafshtë. Kur filloi të rrotullohej, fustani i valëzuar dukej mu si dallgë duke u përplasur në breg të detit.

Dede ia kushtoi këngën e fundit brezave të rinj.

“Luftërat duhet të ndalen dhe duhet të jetojmë të gjithë në paqe dhe vëllazëri; ky brez i ri e i mrekullueshëm do e bëjë atë të mundur”, tha ai duke buzëqeshur.

Një rrotullues tjetër erdhi në skenë, kësaj herë i veshur tërësisht në të zeza. Flatrat e fustanit të tij ishin të mbuluara me pasqyra të vogla që reflektonin dritat e vendosura pingul mbi të. Gjëja e vetme me të cilën mund ta krahasoj është një shi meteorësh të imët duke u shpërbërë në atmosferën e Tokës. Kur performancës i erdhi fundi, rrahjet e duarve u bënë më të fuqishme dhe Dede e falënderoi Prishtinën që e bëri të ndihej si në shtëpi.

Java e Xhazit turk do të mbahet prej 12 prillit deri më 19 prill 2016 në Prishtinë. Për hollësi tjera rreth eventeve të mund të shihni faqen e tyre zyrtare apo në Facebook.