Medalja e Majlindës nuk Është Pasqyrë e Kosovës, të Tjerat Janë!

Pas mbylljes së lojërave olimpike kanë mbetur disa çështje për t’u diskutuar: Imazhi i vendeve dhe medaljet, apo shteti që posedon armë bërthamore, por zuri vend më të ulët se Kosova në renditje. Vendet evropiane që dështuan, si dhe çka po vjen për 2020 në Tokio dhe nëse rriten gjasat e Kosovës me futjen e sporteve të reja?

Nëse Majlinda dhe rezultatet e xhudos së Kosovës në Lojërat Olimpike ishin një ëndërr, atëherë e tërë pjesa tjetër e paraqitjes së parë të Kosovës në këtë garë prestigjioze është realiteti.

Të gjithë sportistët tjerë shkuan në lojëra olimpike në bazë të ftesës së Komitetit Ndërkombëtar Olimpik, e jo në bazë të rezultateve të tyre. Ata u renditën të fundit, me përjashtim të një vendi të parafundit. Ndërsa bilanci në mes të sportistëve dhe zyrtarëve që shkuan në Rio është gjashtë me një. Për secilin sportist që Kosova ka dërguar në lojëra olimpike, kanë shkuar edhe gjashtë zyrtarë. Pra edhe në këtë rast paratë publike u shfrytëzuan për të bërë favore.

Duke pasur parasysh se zyrtarët kanë fjetur në lagjet më të shtrenjta të Rio De Janeiros, pra në Kopakabana (edhe pse shumë larg Parkut Olimpik), kostoja për një zyrtar sigurisht se ka kaluar shumën prej 4000 eurosh. Kjo gjithsesi nëse kanë udhëtuar me klasë ekonomike, secila biletë me biznes-klasë gjithsesi se ka kaluar shumën prej 5000 eurosh. Me këto llogari konservatore për 50 zyrtarët në Rio, shuma e udhëtimit të tyre është rreth 200 mijë euro, që është dyfish nga shpërblimi që ka marrë Majlinda Kelmendi për sjelljen e medaljes së artë dhe më shumë se buxheti vjetor i ndarë për këtë sport.

Komiteti Olimpik i Kosovës nuk ka pasur ndonjë sponsor vendor që ka zënë hapësirë para lojërave olimpike, përderisa të gjithë dizajnët e bërë gjatë fushatës janë montazh. Komiteti Olimpik nuk ka pasur as portrete të sportistëve pjesëmarrës në ueb-faqen e vet, por as në materialet promovuese që janë bërë. As Komiteti Olimpik, as Ministria e Sportit nuk është përgjigjur në pyetjet e BIRN-it rreth montazheve të fotografive delegacioneve dhe shpenzimeve. Vetëm Ministria e Bujqësisë ka shpjeguar se ministri Memli Krasniqi ka shkuar në Rio si kryetar nderi i Federatës së Xhudos.

Pra, heq suksesin e xhudos që është zhvilluar vetë dhe pastaj institucionet shtetërore e kanë ndjekur këtë sukses, realiteti kosovar sa i përket sportit është ky: Udhëtime luksoze për shumë zyrtarë, paraqitje e dobët në lojërat olimpike, duke i mbushur vendet e fundit.

Pa xhudo Kosova do të ishte vendi i fundit me rezultate në rajon, e ndoshta edhe në botë. Realiteti i sportit kosovar është shumë më afër zeros sesa mrekullisë së xhudos në Kosovë.

Kjo duket si një përshkrim i luftës së Vietnamit nga autori amerikan Tim O’Brian (parafrazim): Ndoshta ka ndodhur që një ushtar amerikan ka kërcyer mbi një bombë dore dhe me këtë akt heroik ka shpëtuar miqtë e vet, mirëpo kjo nuk është e vërteta. E vërteta është se nëse një nga shokët e luftës në Vietnam ka sharruar në gropë septike, në m… deri në fyt, pastaj i ka ftuar të gjithë shokët e luftës të kërcejnë duke i gënjyer se ku është. Dhe të gjithë kanë përfunduar në m… deri në fyt. Kjo e dyta thotë O’Brian ndoshta nuk ka ndodhur, por kjo është e vërteta.

Sporti dhe imazhi i vendit

Është shumë mirë për Kosovën që për imazhin e saj të jashtëm ka pasur xhudon që të prodhojë lajme që na bëjnë të dukemi si njerëz normalë, viktima të luftës dhe ku të rinjtë kanë pak mundësi, por megjithatë mund të shpërthejnë. Imazh ky i ndryshëm prej lajmeve të përditshme për gjyqet speciale, apo për kriminelët shqiptarë të Kosovës, trafikimin me organe, si dhe gazin lotsjellës dhe korrupsionin e thellë. Nëse dëshirojmë ta shfrytëzojmë sportin për këso gjërash duhet të investojmë në trajnerë dhe të sigurojmë që sportistët që zgjedhin të arrijnë rezultate kulmore, të kenë të ardhura konstante.

Në rajon, imazhin e vet përmes sportit e ngrenë kroatët dhe serbët- dy kombet më të suksesshme të rajonit në këto lojëra olimpike. Kjo është e vërtetë sidomos për kroatët të cilët kanë marrë pjesë me 88 sportistë në 18 sporte, si dhe kanë fituar 10 medalje, prej tyre 5 të arta 3 të argjendta dhe dy të bronzta. Medaljet i kanë marrë në gjashtë sporte të ndryshme. Kroacia ka vendin e 19-të sa u përket medaljeve në këto lojëra dhe pas vetit ka lënë edhe vende si Kanadaja.

E dyta më e mira në rajon doli Serbia me tetë medalje në shtatë sporte, me një pjesëmarrje në 15 sporte me 104 sportistë. Që në vendin e tretë në rajon të jetë Sllovenia me katër medalje në tri sporte, me pjesëmarrje në 16 sporte me 63 sportistë. E në vendin e katër vjen Kosova.

Mali i zi ka pasur një ekip mjaft të madh duke marrë pjesë me 35 sportistë në 7 sporte, por pa marrë asnjë medalje. Rezultatin më të mirë e kanë regjistruar në vaterpolo ku kanë marrë vendin e katërt pasi kanë humbur nga Italia në luftë për medaljen e bronztë.

Vendet me rezultatet më të këqija të rajonit mbeten Shqipëria dhe Maqedonia, pa ndonjë rezultat që mund të përmendet.

Sporti dhe rezultatet në lojëra olimpike të përkthyera në medalje nuk janë gjithmonë pasqyrë e një vendi, ekonomisë së tij, apo numrit të banorëve. Rezultatet paraqesin përkushtimin e shteteve në arritjen e rezultateve kulmore në lojëra olimpike.

Shembull të marrëdhënies së keqe në mes të numrit të banorëve dhe medaljeve është India, që është shtëpi e 1.3 miliardë banorëve dhe ka marrë dy medalje- një të bronztë dhe një të argjendtë. India renditet më poshtë se Kosova në lojërat e fundit olimpike. Përderisa Fixhi me 900 mijë banorë ka marrë një medalje të artë në një sport kolektiv siç është ragbi. Ai e ka mposhtur superfuqinë olimpike botërore Mbretërinë e Bashkuar e cila doli e dyta, pra është renditur para Kinës që ka numrin më të madh të banorëve.

Janë edhe dy vende evropiane- Austria dhe Portugalia- që janë në fund të tabelës së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe, me nga një medalje të bronztë. Austria mori pjesë në 25 sporte me 71 sportistë, kurse Portugalia mori pjesë me 95 sportistë në 20 sporte. Kampionët evropianë në futboll nuk angazhuan Ronaldon dhe shumë yje të tjerë të ekipit në lojërat olimpike, përderisa Brazili kishte marrë Neymarin.

Majlinda, në mesin e historive të bukura të lojërave olimpike

Majlinda ishte sensacioni i parë i këtyre lojërave.

http://kallxo.com/majlinda-krejt-kete-sakrifice-e-kam-bere-per-shtetin-tim/

Medalja e saj ishte në ditën e tretë të lojërave dhe kështu Kosova mori titujt e medieve botërore.

Menjëherë pas saj, lajmet i dominoi notarja siriane që mori pjesë në ekipin e refugjatëve, që u krijua në përkrahje të krizës botërore dhe shërbeu si një përpjekje për të hapur zemrat e njerëzve në botë.

Pas kësaj, notuesi nga Singapori mori medaljen e parë për këtë vend pesëmilionësh duke e mundur legjendën e notit olimpik Michael Phelps, në stilin flutur në 50 metra. Lajmi u bë shumë i madh pasi notari singaporian Joseph Schooling e kishte Phelpsin idhull dhe me të kishte bërë një fotografi kur ishte fëmijë. Në kuadër të fitoreve të para të medaljeve olimpike u radhit edhe Vietnami që mori medalje në qitje me revole dhe Porto Riko që mori medalje të artë në tenis.

Mungesa është lajmi kryesor i lojërave të ardhshme olimpike, të cilat do të mbahen në Japoni. Në Tokyo 2020 do të mungojë Phelps dhe Usain Bolt, dy legjenda olimpike në sportet e tyre. Mirëpo mund të kemi yje të rinj në sporte të reja, siç është karateja. Për Kosovën futja e karatesë është lajm i mirë, pasi edhe në këtë sport qëndrojmë mirë. Edhe nëse nuk do të kemi medalje, Kosova ka gjasa të mëdha që të ketë edhe ndonjë normë olimpike, pasi në garat evropiane një karateist kosovar është renditur i pesti. Duhet të presim pesë vjet për të parë rrugën që do të ndjekë Kosova. Shembulli i parë është ai i mëmëdheut (Shqipërisë), e cila ka mbetur pa medalje. Kurse, shembulli tjetër është tradita sportive e ish-Jugosllavisë që Kosova mund të arrijë duke arritur rezultate edhe në sportet tjera që dikur kanë pasur rezultate si: boksi, mundja dhe karateja.