Më Në Fund

Gjithmonë kam qenë i bindur në pafajësinë e ish-Guvernatorit të BQK’së, z.Hashim Rexhepi, sepse akuzat që u ngritën kundër tij dukeshin të pabazuara. Tashmë kjo edhe u konfirmua: të gjitha akuzat u hodhën poshtë. Do të doja t’i nxjerrja gjashtë përfundime nga ky rast, e që kanë të bëjnë edhe me BQK’në edhe me cilësinë e demokracisë së Kosovës.

1. Unë mendoj se elita e Kosovës u kthye kundër z. Rexhepi sepse ai i refuzoi kërkesat e tyre (depozitimin e parave të Kosovës në bankat mike, lëshimin e licencës së sigurimeve për një kompani të dyshimtë, me siguri edhe disa të tjerave) dhe për shkak se ata dëshironin të marrin në kontroll BQK’në dhe parat e saj. Prandaj, për këtë arsye ata kërkuan nga gazetat e tyre që të zhvillojnë fushatë kundër tij dhe me siguri e kanë udhëzuar SHIK’un që të përgatitë një dosje kundër tij dhe atë t’ia ofrojë Prokurorisë Speciale të Kosovës. Mendoj se kjo dosje është edhe prejardhja e vërtetë e këtij rasti.

2. Ajo që është e sigurt është se prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX’it kanë arrestuar dhe paraburgosur (për katër muaj) një njeri të pafajshëm duke u bazuar në akuza dhe dëshmi të cilat nuk i bënë ballë kontrollit adekuat gjyqësor. Gabimet që i shkaktuan janë aq të rënda (disa pika të akuzës ishin thjeshtë absurde dhe disa të tjera bazoheshin vetëm në letra anonime) dhe të shumta (gjatë atyre katër muajve, gjyqtarët kanë nxjerrë të paktën gjashtë urdhra për mbajtjen e z. Rexhepit në burg) sa që mund të mendohet që kanë rrjedhur qoftë nga neglizhenca flagrante qoftë nga besimi i gabuar.
Do ta lë këtë pyetje të hapur duke shpresuar që përgjigjen do ta gjejë një hetim i pavarur. Sidoqoftë, unë nuk mund të shoh se si EULEX’i mund ta rikthejë kredibilitetin e tij si mision i sundimit të ligjit pa reformuar veten, ndryshuar menaxhmentin dhe ndëshkuar ata që janë përgjegjës për këto gabime, duke filluar nga znj. Isabelle Arnal, e cila u largua nga EULEX’i e patrazuar.
Gabimet e EULEX’it shfaqeshin dalëngadalë, ndërsa akuzat ndaj z. Rexhepi zhdukeshin një nga një. Sikur të ishte gjykuar për të paktën disa prej pikave, EULEX’i do kishte shmangur një pjesë të turpit. Kështu, gjyqtari i EULEX’it që hodhi poshtë aktakuzën e plotësoi debaklin, mirëpo gjithashtu dëshmoi se jo të gjitha gjërat shkojnë keq me EULEX’in. Më duhet ta përmend emrin e gjyqtarit – z. Gianfranco Gallo – sepse në një artikull para pak kohëve kam kritikuar një aktgjykim të tij në një rast që përfshinte Ekrem Llukën, një aktgjykim për të cilin kisha shkruar se është precendent shqetësues për vendimin e tij të radhës lidhur me z. Rexhepin: Tani më duhet ta lavdëroj pavarësinë të cilën e ka treguar ky gjyqtar duke e hedhur poshtë këtë aktakuzë.

3. Menjëherë pas arrestimit të z.Rexhepi, Bordi i BQK’së – me përjashtim të Guvernatorit aktual – provuan ta shkarkojnë atë sepse menduan se kishte bërë diçka të keqe, ndonëse nuk kishin asnjë informatë zyrtare nga prokurorët. Ata nuk ia dolën sepse në vend se ta shkarkojnë z. Rexhepi drejtpërsëdrejti, edhe pse e kishin këtë kompetencë, ata kërkuan nga kuvendi dhe presidenti që ta shkarkojnë: dhe duke vepruar në këtë mënyrë ata e shkelën ligjin dhe humbën pavarësinë dhe autonominë e tyre. Ata votuan edhe një herë për shkarkimin e z. Rexhepi, duke u thirrur në një pretekst tjetër të rrejshëm por me procedurë të duhur; kësaj radhe kuvendi dhe presidenti u pajtuan me ta dhe e shkarkuan z. Rexhepi. Kështu, këta katër persona e shkelën ligjin dy herë dhe, në vend që ta mbrojnë, e dëmtuan pavarësinë e BQK’së, pasurinë më të madhe të saj: për ta rikthyer këtë pavarësi, ata të gjithë duhet të zëvendësohen në mundësinë e parë, përveç nëse ata do ta kenë dinjitetin për të dhënë dorëheqje. I pari që duhet të shkojë në shtëpi është kryesuesi, z. Gazmend Luboteni, i cili dëshironte vetë të bëhej guvernator: sipas ligjit, ai veçse është dashur të jetë jashtë BQK’së meqë ka kaluar më shumë se dhjetë vite në bord.

4. Z. Rexhepi nuk është sulmuar vetëm nga gazetat e afërta me elitën. Më kujtohet në veçanti një artikull që u botua në faqen e parë të Kohës Ditore më 25 korrik 2010, dy ditë pas arrestimit, që titullohej “Guvernatori, “Zot” i Kompanive të Sigurimeve”, i cili madje shkonte përtej akuzave të botuara në shtypin proqeveritar, duke cituar burime anonime sipas të cilave z. Rexhepi ishte pronar i disa kompanive të sigurimeve, të arritura përmes shantazhit dhe keqpërdorimit të pushtetit të tij. Në çfarë baze ishin shkruar ky dhe artikuj të tjerë? Kush ishte ky burim anonim? Pse janë botuar këto akuza qesharake? Ky rast dëshmon cenueshmërinë e shtypit të lirë në Kosovë ndaj informatave të rrejshme të shpërndara përmes militantëve të elitës.

5. Opozita parlamentare e Kosovës dhe shoqëria civile dukeshin të pashqetësuar me këtë rast. Fatkeqësisht, perceptimi i përgjithshëm duket se është se të gjitha institucionet janë të korruptuara – si shembull dua t’i nënvizoj bloget për korrupsionin të botuara javën e kaluar në ueb faqen e shkëlqyeshme Kosovo 2.0 (në të cilën gjendet edhe një shkrim jashtëzakonisht i cekët i ish kryeprokurorit të EULEX’it z. Johannes Van Vreeswijk) – prandaj edhe kur një personalitet i fuqishëm akuzohet për korrupsion shumë pak njerëz hamenden nëse akuzat janë të besueshme apo jo. Ato kundër z. Fatmir Limajt ishin, por ato kundër z. Rexhepit jo. Por shumë pak njerëz e vërejtën dhe shtypi nuk ndihmoi fare. Një gjë e tillë është e rrezikshme, sepse nëse pavarësia e gjyqësorit është e dobët, fushatat kundër korrupsionit lehtësisht mund të shfrytëzohen nga elita për t’i sulmuar oponentët e saj. Natyrisht, jo të gjithë ata që punojnë në institucione janë të korruptuar: Unë jam takuar me disa shërbyes civilë vërtetë të admirueshëm dhe shpresoj që herën e ardhshme që elita kthehet kundër ndonjërit prej tyre, ata ta kenë mbështetjen e opinionit publik. Kjo kërkon një qasje më të mprehtë. Ndoshta edhe shoqëria civile e Kosovës do interesohet më shumë për BQK’në, pavarësia e së cilës është e domosdoshme, ashtu që, mes tjerash, të sigurojë që bankat në të cilat qytetarët i depozitojnë kursimet e tyre janë të sigurta.

6. Prandaj, ky rast nuk shënon vetëm debaklin më të madh të EULEX’it: për gjashtëmbëdhjetë muaj, deri kur një gjyqtar më i mirë nuk e mori dosjen përsipër, nuk funksionoi asnjë nga mbrojtësit e shoqërisë demokratike: as sistemi i gjyqësorit, as institucionet përfaqësuese, opozita, mediat, e as shoqëria civile. Pas katër viteve të pavarësisë së mbikëqyrur, ky është një pasqyrim mjaft këndellës.

* * *