Faik Ispahiu; Foto: CdB

Me KALLXO.com Qytetarët Luftojnë Korrupsionin

KALLXO.com është një platformë raportuese online që u mundëson qytetarëve kosovarë të paraqesin në mënyrë anonime rastet e korrupsionit dhe të praktikave të këqija të qeverisjes për të cilat ata janë në dijeni. Ekipi i tij përbëhet nga gazetarë të Internews Kosova dhe Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, BIRN.

KALLXO.com vepron në bashkëpunim me Agjencinë Kundër Korrupsionit e Kosovës dhe e përkrahur nga Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP). Bisedë me Faik Ispahiun, njëri prej themeluesve.

Courrier des Balkans: KALLXO.com është platforma e vetme bashkëpunuese e Kosovës dedikuar luftës kundër korrupsionit. Si lindi ky projekt? Me çfarë objektiva?

Faik Ispahiu: Krijimi i KALLXO.com ishte thjesht një nevojë në vitin 2011 për ta menaxhuar fluksin masiv të informatave që na vinin në “Jeta në Kosovë”  dhe “Drejtësia në Kosovë”  (dy programe televizive të lansuara nga Internews Kosova dhe BIRN).

Qytetarët na drejtoheshin për t’i denoncuar aferat, qoftë sepse nuk i besonin askujt tjetër, qoftë për shkak se i kishin shterur tashmë të gjitha kanalet tjera që i kishin në dispozicion. Kështu ka lindur KALLXO.com.

Ne u jemi afruar UNDP-së, Agjencisë Kundër Korrupsionit dhe BIRN-it në mënyrë që projekti të bëhet realitet. Shumë shpejt, qytetarët vërshuan këtë hapësirë të fjalës së lirë për të sjellë informacione dhe dokumente që kishin të bënin me keqpërdorime zgjedhore dhe forma të ndryshme të korrupsionit: ryshfet, nepotizëm, etj.

Gazetarët e KALLXO.com si dhe ekipi i zyrës ligjore i dërgojnë të gjeturat dhe dosjet në institucionet kompetente, në Policinë e Kosovës, në Agjencinë Kundër Korrupsionit, në gjykata, në ministri të ndryshme dhe në komuna në funksion të rasteve. Përballë presionit qytetar, këta organizma janë të detyruara të veprojnë.

CdB: Veçantia e KALLXO.com qëndron në formatin e tij pjesëmarrës: gazetarët hulumtojnë në bazë të informacioneve të ofruara nga qytetarët. A mund të na shpjegoni mënyrën tuaj të funksionimit? A mundet shoqëria civile të luajë një rol në luftën kundër korrupsionit?

Faik Ispahiu: Ka pasur përpjekje nga shoqëria civile për të zhvilluar një platformë të ngjashme, por pa sukses. Ky është një model unik i gazetarisë “watchdog”. Suksesi ynë qëndron në besueshmërinë që e gëzojmë, në praninë tonë të fuqishme brenda institucioneve: ne e përcjellim nga afër çfarë bëjnë drejtësia, policia, qeveria dhe komunat. Deri më tani ne kemi pranuar më shumë se 8000 raporte, të cilat janë shoshitur nga ekipet tona të hulumtuesve, nga monitoruesit tonë dhe të gazetarëve tonë hulumtues. Shembulli i KALLXO.com tregon se shoqëria civile mundet dhe duhet të luajë një rol aktiv si ndërmjetës mes qytetarëve dhe institucioneve publike, sidomos meqë ka një deficit besimi karshi tyre.

CdB: Qytetarët mund të raportojnë parregullsitë për të cilat janë në dijeni përmes platformës online, rrjeteve sociale si dhe një aplikacioni për smartphone që ju e keni zhvilluar enkas. A munden teknologjitë e reja ta përmirësojnë luftën kundër korrupsionit?

Faik Ispahiu: Internews Kosova dhe BIRN janë shumë të kujdesshëm ndaj kanaleve të komunikimit në mënyrë që të jenë sa më afër audiencës sonë. Kjo është një sfidë e përditshme pasi që kjo kërkon përcjelljen e vazhdueshme të përdoruesve, trendet e fundit dhe të qenit vigjilent kur bëhet fjalë për çështje të sigurisë me qëllim të mbrojtjes së identitetit të burimeve tona dhe praninë tonë online.

Fatmirësisht, KALLXO.com është mbrojtur mirë nga “hakerët e bardhë” kosovarë. Ata besojnë në punën tonë dhe sigurohen që platforma jonë të gëzojë sigurinë më të  lartë.

CdB: KALLXO.com funksionon në saje të vigjilencës së qytetarëve, gjë që nuk është pa rrezik. Çfarë është legjislacioni në Kosovë për mbrojtjen e kallxuesve ?

Faik Ispahiu: Sot, Kosova i mbron shumë dobët kallxuesit. Nuk është as edhe një rast i vetëm që ligji kosovar t’i ketë kualifikuar kallxuesit. Para dy vitesh, ne, për shembull, kemi transmetuar një program televiziv lidhur me një rast që legjislacioni kosovar refuzonte ta konsideronte si të tillë. Kallxuesi, i cili punonte për njërën prej bankave më të mëdha të Kosovës, shumë shpejt është shpallur fajtor për “mosrespektim të rregullave korporative”. Ky vendim ka emocionuar shumë opinionin publik, sa që pas kësaj ka filluar një mbledhje të hollash për t’ia paguar gjobën.

Zyrtari i lartë që ishte në qendër të kësaj afere përfundimisht është dënuar me dy vjet burgim.

Në një rast tjetër, raportime lidhur me raste të keqpërdorimeve tatimore na kanë ardhur nga një punonjës i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK). Ky kallxues na ka njoftuar se rreth 200 ndërmarrje i detyrohen diku 200 milionë euro buxhetit të Kosovës për shkak të evazionit fiskal për çka ato konsideroheshin fajtore. Pasi që ai zbuloi këto informacione, për çka u nderua me çmimin për Guxim Qytetar, ai është ndëshkuar nga eprorët e tij zyrtar në ATK.

Transmetimi i emisionit tonë, megjithatë, kishte shtyrë qeverinë dhe drejtësinë të vepronte. Megjithatë, asnjë vendim konkret deri tani nuk është marrë.

CdB: Çfarë bilanci nxirrni nga përvoja e KALLXO.com? Hulumtimet e bëra nga gazetarët tuaj a i kanë lëvizur gjërat?

Faik Ispahiu: Raportet e qytetarëve dhe hulumtimet që janë trajtuar nga KALLXO.com kanë rezultuar me qindra vendime të institucioneve publike, vendime që kanë nxitur disa ndryshime legjislative.

Në bazë të raporteve që na janë ofruar, gjykatës, prokurorë, policë e së paku tre kryetarë komunash kanë qenë objekt i ndjekjeve penale dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shpallur shumë sanksione disiplinore.

Publikimet tona, po ashtu, kanë kontribuar në përmirësimin e praktikave të qeverisjes së mirë, edhe në nivel lokal dhe në atë qendror.

Vetëm për zgjedhjet e fundit janë regjistruar 70 shkelje dhe janë shpallur dënime me gjoba në vlerë 190 mijë euro.

Hulumtimet e KALLXO.com po ashtu kanë mundësuar të zbulohen shumë raste të pazareve të kurdisura dhe të privatizimeve me keqpërdorime. Që prej katër vjetësh, KALLXO.com merr pjesë në hartimin e Strategjisë kombëtare anti-korrupsion. Raportet që na janë ofruar nga qytetarët kanë mundësuar më në fund përparimin rreth çështjes së krimeve të luftës.

CdB: Më 13 tetor 2017, Vehbi Kajtazi, gazetar hulumtues dhe kryeredaktor i portalit “Insajderi” është sulmuar në Prishtinë, dy muaj pas sulmit ndaj drejtorit Parim Olluri. Për gazetarët, a është e mundur të hulumtojnë qetë në Kosovë?

Faik Ispahiu: Liria e mediave është shumë e brishtë në Kosovë, mirëpo ka pasur disa përmirësime në kohët e fundit. Në dy raste kur gazetarët e KALLXO.com janë sulmuar, institucionet kanë reaguar menjëherë duke u marrë me këto ankesa dhe duke proceduar me arrestime. Një prej sfidave me të cilën përballet mediat kosovare është edhe çështja e shpifjes. Kjo prek shumë portale që mizërojnë në internet dhe që i shpëtojnë çdo kontrolli. Me gjithë disa vendime të Këshillit të Mediave që dënon mosrespektimin e rregullores, nuk ka dënime kualitative në gjykata për rastet e shpifjeve.

Intervistë e marrë nga “Le Courrier des Balkans”