Mbyllja e Rrezikshme e Materniteteve

Në Kosovë ka filluar mbyllja e qendrave të maternitetit nëpër komuna të vogla, në të cilat janë të punësuara Mamitë, të cilat janë të specializuara për të përcjell një shtatëzani dhe lindjet normale.

NDËRLIDHUR

Mbyllja e materniteteve po shihet me rezervë nga punëtorët shëndetësor, pasi përveç zbehjes së rolit të mamive ka ndikim edhe tek shtatzënat.

Xhejrane Lokaj nga Dragashi është një nga mamitë më të vjetra në Kosovë ajo gjithë jetën e saj ia ka kushtuar profesionit të Mamisë, në vendin ku ajo punon qendra më e afërt spitalore është ajo e Prizrenit që i bie të jetë 40 kilometra larg.

“Është një vendim i pamatur një vendim i paanalizuar mirë dhe një vendim që do ta dëmtoj një pjesë të popullatës dhe sidomos pjesën rurale po flitet se do të mbyllet nga punëtorët shëndetësor dhe nga menaxherët që do të mbyllet por ne shoqata e mamive e kemi ngrit këtë çështje dhe zëri i mamive na dha sinjalet e para që disa maternitete veç janë mbyll”, tha Lokaj.

Magbule Elezi, drejtoreshë Ekzekutive e Shoqatës së Mamive në Kosovë, ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të parandalojnë mbylljen e materniteteve. Tha se meternitetet duhet të qendrojnë të hapura edhe atëherë kur nuk ka lindje.

“Duke pasur parasysh që roli i mamisë është të ofroj këshilla dhe ndihmë për një shtatzëni të shëndosha, menaxhimin e fazës së lindjes dhe përkrahjen e nënës pas lindjes e kujdesin e të posalindurit mamia është për të filluar dhe përfunduar kujdesin ndaj nënës shtatëzanë një maternitet nuk duhet të jetë i hapur vetëm nëse ka lindje”, tha Elezi.

Sipas saj, nëse meternitetet janë të hapura do të ketë shumë më shumë gra që do të vijnë aty të lindin.

“Nëse funksionojnë maternitetet jam shumë e bindur që qytetarët e Kosovës do të ofrohen në maternitete ku e kanë më afër dhe nuk do të vijnë në institucionin që e kanë më larg”, tha Elezi.

Albana Morina ushtruese e detyrës së divizionit të Kujdesit Parësor Shëndetësor në Ministrinë e Shëndetësisë thotë se ky problem është dashur të diskutohet fillimisht me Ministrinë e Shëndetësisë e jo me Komisionin Parlamentar.

“Maternitetet duhet të bëjnë promovim më shumë të shërbimeve që i ofrojnë, por ne nuk mundemi me i kushtëzu pacientët ku me vendos me lind, sepse është e drejtë e tyre ku dojnë me lind”, tha ajo.

Ministria, sipas saj, e ka adresuar këtë çështje dhe është në përpilim të formularit për vlerësimin e performancës së materniteteve.

“Pas rezultateve nga ky vlerësim Ministria e Shëndetësisë normal që do të hartojë politika për funksionalizimin dhe adresimin e duhur të kësaj çështje”, tha Morina.

Myrvete Paqarada, Drejtoreshë e Klinikës së Gjinekologjisë tha se Klinika që ajo drejton ka numrin më të madh të mamive dhe sipas saj ato nuk vlerësohen sa duhet.

“Mamitë akoma nuk e kanë marr atë rolin e duhur sepse gjithkund në Botë vetëm lindjet e komplikuara munden me u përcjellë prej Mjekut ndërsa është Mamia që e këshillon dhe mer pjesë në lindje”, tha Paqarada.

Në Kosovë, sipas saj, duhet të bëhet ndryshim në legjislacion pasi që ka Mami që kanë të kryer edhe nivelin bachelor dhe paguhen si të jenë më nivel të shkollimit të mesëm.

Naxhije Mavriqi Hamiti e cila është njëra nga mamitë më të vjetëra Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK thotë se tërë jetën ia ka kushtuar këtij profesioni, sipas saj roli i tyre duhet të vlerësohet më shumë dhe numri i mamive duhet të shtohet. Thotë se kanë shumë punë në QKUK sa shpesh është e vështirë që të gjitha gratë të ndahen të kënaqura. “I kemi 10 mijë lindje brenda vitit, por mundohemi me dhanë maksimumin”, tha Mavriqi-Hamiti.

Suzana Gjikokaj ka 18 vjet që punon si Mami në Komunën e Istogut. Istogu si komunë ka 51 fshatra me dikund rreth 51 mijë banorë. Mamitë e Istogut përvec punës në maternitet janë sistemuar edhe në emergjencë.

“Ka rrezik të bartjes së infeksionit, rreziqet janë edhe të tjera nëse unë jam në emergjencë dhe tani më vjen lindja, e në emergjencë ndoshta ka shumë punë ka aksident, Mamia psiqikisht e fizikisht nuk mundet me qenë e aftë dhe stabile me i qëndru Nanës afër, ka pasur raste kur na kanë kërku edhe në emergjencë edhe në maternitet”, tha Gjikokaj.

Atëherë kur janë kërkuar edhe në emergjencë edhe në maternitet, Gjikokaj thotë se janë thirr mamitë që e kanë përfunduar orarin e punës për të kryer lindjet, sepse ka qenë e pamundur të jesh në të njejtën kohë në të dyja vendet.

Në gjithë Kosovën gjatë vitit 2016 janë kryer 23 mijë e 261 lindje. Prej tyre, në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK janë kryer 10 mijë e 47 lindje.

Në spitalin e Përgjithshëm në Pejë janë kryer 2171, në Spitalin e Prizrenit 3619 lindje, në atë të Gjilanit  1852 lindje, në Spitalin e Ferizajt, 1644 lindje, në Spitalin e Mitrovicës, 1607 lindje, në Spitalin e Gjakovës 2116 lindje, kurse në Spitalin e Vushtrrisë 205 lindje ( numër i kufizuar meqë Spitali gjatë vitit 2016, ishte në renovim dhe shërbimet ofroheshin tek Spitali i Mitrovicës)”.

Në një dokument të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se në maternitete të nivelit primar kanë lindur vetëm 5 për qind e lindjeve, apo rreth 1 mijë lindje.

Në muajin shkurt të këtij viti materniteti i Klinës është mbyllur për lindje me arsyetimin se nuk janë plotësuar standardet e maternitetit por gjithashtu edhe për kosto shumë të lartë që thuhet se ky maternitet i ka pasur.

Ky arsyetim ka ardhur nga drejtoria e shëndetësisë në këtë komunë.

 

17 Korrik 2017 - 15:41

Paulina Nushi 17/07/2017 - 15:41
NDËRVEPRIMI0