Foto: Atdhe Mulla

Mbrojtja që nuk Kërkon Ushtri

Njëra ndër temat kryesore ditëve të fundit është krijimi i ushtrisë së Kosovës dhe rritja e aftësisë mbrojtëse nga ndonjë sulm që mund të vijë nga jashtë, veçanërisht nga Serbia. Këto thirrje u shtuan pas ndërrimit të pushtetit në ShBA, provokimeve të intensifikuara të Serbisë me ndërtimin e murit në pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës dhe me nisjen e trenit Beograd- Zveçan.

Nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova edhe më tej nuk e ka ushtrinë e saj dhe nuk e kontrollon tërë territorin e vendit. Mbrojtja është një ndër funksionet bazike të një shteti. Por, përveç mbrojtjes së kufijve të vendit, sa ka arritur shteti i Kosovës të krijojë mekanizma institucionalë për mbrojtjen e qytetarëve të tij nga rreziqet e brendshme? E me rreziqe të brendshme nuk nënkuptoj rreziqet nga sulmet terroriste apo krimet e ndryshme, por rreziqet e të jetuarit në një ambient të dëmshëm për shëndetin, si pasojë e dështimit të politikave qeveritare.

Ja disa shembuj se si qytetarët e shtetit të Kosovës rrezikohen çdo ditë nga mosfunksionimi i mekanizmave mbrojtës së shtetit:

Për shumë vite qytetarët e regjionit të Prishtinës jetojnë në ambient të rrezikshëm për shëndetin, për shkak të ndotjes së ajrit nga veprimtaria e termocentraleve, përdorimit të qymyrit dhe drurit për ngrohje, si dhe qarkullimit të veturave të vjetra. Por në tre muajt e fundit, falë matësve të vendosur nga Ambasada e ShBA-së, qytetarët janë më të alarmuar për nivelet e larta të ndotjes. Përkundër thirrjeve të vazhdueshme nga qytetarët, protestat dhe fushatat, Qeveria e Kosovës dhe komunat e rajonit të Prishtinës nuk kanë ndërmarrë asnjë masë për zvogëlimin e nivelit të ndotjes.

Ka më shumë se një vit prej kur janë hedhur akuza se produktet e qumështit përzihen me vaj palme, një produkt kancerogjen. Së fundmi, një përfaqësues i prodhuesve vendorë ka hedhur akuza ndaj disa kompanive për përdorimin e këtij vaji bimor në produktet e tyre. Në anën tjetër, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës deklaroi se nuk kanë ndërmarrë asgjë në verifikimin e këtyre akuzave, “ngase institucionet e larta dhe përfaqësuesit e Bashkimit Europian nuk kanë kërkuar marrjen e një vendimi të tillë”.

Tani e shumë vite është ngritur shqetësimi se produktet e naftës përmbajnë vlera të larta të sulfurit, çfarë paraqet rrezik shtesë për shëndetin e qytetarëve. Tre vjet më parë qytetarët e Prishtinës u alarmuan kur testet e naftës së ngrohjeve në shkolla rezultuan me nivele tepër të larta të sulfurit. Sipas matësve të vendosur nga Komuna e Prishtinës, dy lagje të Prishtinës, “Dardania” dhe “Kodra e Trimave”, janë më të ndoturat sa i përket prezencës së sulfurit. Kjo vjen si pasojë e naftës jocilësore. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk ka ndërmarrë veprime serioze për ndalimin e naftës me përmbajtje të lartë të sulfurit.

Në vitin 2014, Shqipëria bllokoi eksportin e miellit nga Kosova, për shkak të nivelit të proteinave nën standardin e kërkuar. Në shkurt 2015, deputeti Sali Salihu, njëherësh edhe profesor në Fakultetin e Bujqësisë, në seancë plenare hodhi akuza se mielli i importuar përmban krunde, apo është i vlerës së njëjtë me atë që përdoret për ushqim të kafshëve. Sërish, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk ka dalë me një raport hetimor për këto akuza.

Disa ditë më parë, ish-menaxheri i Sigurisë në Punë dhe Mbrojtje të Mjedisit z.Fahredin Maçastena deklaroi se trafot e KEDS-it përmbajnë vaj kancerogjen. Për këtë kishin shkruar edhe mediat një vit më parë, por nuk është ndërmarrë asnjë veprim deri më tani.

Po javën e kaluar, endokrinologët i kanë shkruar letër Ministrisë së Shëndetësisë që të largohet nga lista e barnave gensulina, një kopje joidentike e insulinës, përdorimi i së cilës nuk është i sigurt. Për këtë kërkesë, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani deklaroi se “në momentin që vërtetohet se nuk duhet të përdoret një bar i tillë, ata do të marrin masa”. Kush do të duhej të merrej me eliminimin e këtyre dyshimeve, nëse jo Ministria e Shëndetësisë?

Pa marë parasysh qëndrimit ideologjik ndaj funksioneve të shtetit, të gjithë pajtohen se një ndër funskionet e domosdoshme të shtetit duhet të jetë mbrojta e shëndetit publik. Për një mbrojtje të tillë nuk nevojitet ushtri, as armatim, as ndërrime kushtetuese, e as marrja e pëlqimit të të gjitha komuniteteve. Shembujt që përmenda më sipër kanë efekt të njëjtë tek të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, feje, seksualiteti apo gjinie.

Problemet si këto nuk duhet të shërbejnë vetëm si arsyetim për të krijuar struktura të reja administrative, për të punësuar shërbyes publikë, apo për të shpenzuar buxhet më shumë. Për secilin nga këto probleme të cekura më sipër, qeveria ka krijuar organet përgjegjëse, siç janë Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, Departamenti për Mbrojtjen e Konsumatorit në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

Për programet e shëndetit publik janë ndarë mbi 3.4 milionë euro për 2017 dhe janë të punësuar 302 shërbyes publikë. Për Agjencinë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit janë ndarë mbi 1.3 milionë euro dhe kjo agjenci punëson 84 persona. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës operon me buxhet prej 7 milionë eurove dhe punëson 181 shërbyes publikë. Për adresimin e këtyre problemeve janë aprovuar ligje e strategji, siç janë Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit, Strategjia për Mbrojtjen e Konsumatorit, Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Strategjia dhe Plani i Veprimit për Cilësinë e Ajrit, e shumë ligje e strategji tjera.

Andaj, kjo “ushtri” (dhjetëra institucione ekzekutive), me këta “ushtarë” (qindra shërbyes publikë), me tërë këtë “armatim” (buxhet, ligje e strategji), duhet të fillojë të mbrojë shëndetin publik të qytetarëve.