Mbretëria e Bashkuar “shtrëngon” regjimin e vizave

Zëvendës kryeministri britanik Nick Clegg njoftoi të premten në Londër, se Mbretëria e Bashkuar do të shtrëngojë regjimin e vizave për vendet me “rrezik të lartë”.

Sipas propozimeve të reja, të huajt që dëshirojnë të vizitojnë Britaninë do t’u duhet të sigurojnë shuma parash të cilat do të mbahen “peng” gjatë kohës sa gjenden në Britani, ka njoftuar The Independent.

Një regjim i tillë aplikohet në Austriali dhe ka rezultuar në uljen e numrit të personave që keqpërdorin kohëzgjatjen e qëndrimit apo mbesin  ilegalisht në vend.

Shuma e parave që aplikuesit duhet t’i sigurojnë për t’i lënë peng për vizë britanike është nga një deri në disa mijëra stërlina, varësisht nga  “rrezikshmëria” e vendit  prej nga vjen aplikuesi.

Agjenica Britanike e Kufijëve (UKBA), së shpejti do të bëjë  listën e vendeve me rrezikshmëri të lartë, ku pritet të hyjë Pakistani dhe vendet e nënkontinenit Indian, si dhe disa vende të Lindjes së Mesme.

“Personat që keqpërdorin kohëzgjatjen e qëndrimit në Britani paraqesin një sfidë të madhe për Agjencinë Britanike të Kufijve”, tha zëvendëskryeministri Clegg për, gazetën The Independent.

Z. Clegg ka kërkuar nga Theresa May, sekretare e shtetit, të dyfishojë maksimumin e dënimit për punëdhënësit që punësojnë emigrantë ilegalë si fuqi punëtore e lirë.

 Ai ka kërkuar që ky denim të rritet në 20 mijë stërlina për një punëtor ilegal.
 
Masa të tilla pritet të shkaktojnë reagime nëse nuk aplikohen edhe tek vendet me popullsi të bardhë të Commonuealthit.

Shkrimi bazohet në raportimin e The Indipendent