Fotografi nga takimi në rezidencën e famljes Rugova në lagjen 'Velania'. Foto: Facebook

‘Mbledhja e Prindërve’ për Votën e Teuta Rugovës

Ramush Haradinaj veproi ‘burrash’ të premten kur me një ‘mbledhje të prindërve’ u përpoq dhe si duket ia doli ta marrë mbështetjen për qeverinë që pritet ta formojë nga një deputete e re në moshë, nga një grup tjetër parlamentar rival me koalicionin parazgjedhor që ia besoi atij kandidaturën për kryeministër.

Një deklaratë që e lëshoi pas këtij takimi në të cilin e konfirmon “mbështetjen e familjes Rugova”, në asnjë fjalë nuk e përmendi synimin për të cilin kishte shkuar së pari me një tufë lule në duar te varri i Presidentit Rugova dhe më pas ishte lëshuar rrugës teposhtë lagjes Velania për te rezidenca e familjes.

Deklarata e gjatë i hynte historisë së ‘bashkëpunimit’ të Haradinajt me Rugovën prej vitit 2004 kur ish Presidenti ia kishte dhënë postin e kryeministrit për të bërë koalicionin me AAK-në e tij që e drejtoi njërën ndër qeveritë më të përfolura për afera korrupsioni të vendit deri në fund të vitit 2007, pavarësisht se Haradinaj u detyrua ta ndërpresë aktivitetin e tij nja tre muaj pasi e mori pozitën për shkak të aktakuzës që iu ngrit nga Tribunali i Hagës. Ajo vazhdonte me momentin e vitit 2010 kur Haradinaj ia la numrin 2 në listën e kandidatëve të AAK-së Ukë Rugovës, djalit të vogël e problematik të Presidentit që kishte mbledhur një grup bashkëpunëtorësh në krye me ish kryeministrin në ekzil, Bujar Bukoshi, për t’i bërë karshillëk politik LDK-së.

Por në deklaratë, Haradinaj nuk tregoi fije respekti për subjektivitetin që një deputet/deputete duhet ta ketë kur është në pyetje vota.

Deklarata e nënkuptonte votën e Teuta Rugovës si përcaktim familjar, e jo si vullnet të vetë deputetes.

Është bërë modë që politikanët të bëjnë poza pranë varrit të Ibrahim Rugovës dhe ta zbresin rrugën Velanisë teposhtë deri te rezidenca e familjes së Presidentit të ndjerë në përvjetorët e ditëlindjes (2 dhjetor) dhe të vdekjes së Presidentit (21 janar).

Por është e pazakontë që familja e Presidentit Rugova të marrë kaq shumë vëmendje në një ditë korriku me një vizitë të tillë.

Për t’u bërë kryeministër, Haradinajt i duhen vota më pak se gishtat e njërës dorë.

Me pretendimin që 20 votat e deputetëve të komuniteteve joshqiptare i ka ‘në xhep’ për shkak të pranisë automatike të tyre në çdo qeveri që mund të formohej, kreu i AAK-së ka nevojë edhe për dy vota tjera.

Ato duhet t’i kërkojë nga dy grupet e fortifikuara kundër tij: te Lëvizja Vetëvendosje dhe/ose te grupi i deputetëve të koalicionit LDK-AKR-Alternativa.

Kompaktësia tradicionale e grupit të parë e ka bërë Haradinajn që të mos shpenzojë energji për t’i bindur.

Grupi i deputetëve rreth LDK-së duket më poroz dhe një ‘studim fizibiliteti’ i Ramush Haradinajt e ka bindur që e ka më të lehtë të peshkojë brenda atij heterogjeniteti.

Në mënyrën se si është hartuar deklarata pas takimit në rezidencën e familjes Rugova, Haradinaj tregon se e ndjen që Teuta Rugova ia ka borxh votën atij për ta formuar qeverinë për shkak të bashkëpunimit që Ramush Haradinaj ka pasur me babanë e saj tashmë të ndjerë.

Pyetja kryesore që shtrohet në këtë çështje është pse duhet që familja e një deputeti të përfshihet në mbledhjen e votave të deputetëve për formimin e një qeverie?

Ose a duhet të ketë mbledhje të prindërve ose vëllezërve të deputetëve saherë që vendi gjendet para një vendimi të madh për t’u marrë në Kuvend?

Zyrtarëve të AAK-së nuk u ka pëlqyer asnjëherë dhe e kanë kundërshtuar me çdo fjalë, termin ‘kontrabandim i deputetëve’ saherë që nëpër studio televizive dhe nëpër rrjete sociale është bërë pyetja se si kryetari i tyre, Ramush Haradinaj, do t’i sigurojë votat e deputetëve për ta bërë qeverinë.

Nëse jo kontrabandim, ajo që ndodhi sot në lagjen Velania është vënie nën presion e një deputeteje të zgjedhur përmes familjarëve, prej të cilëve ka të tillë edhe me dosje të rëndë në gjykatë (Ukë Rugova), dhe një ish ministri (Dardan Gashi), deklaratat e të cilit pas takimit, nxorën sheshit se ka luajtur rolin e sekserit në procesin për t’ia mbushur mendjen deputetes së re që ta mbështesë një kryeministër të cilin partia e saj nuk e preferon ta shohë në atë pozitë.

Është e lehtë për t’u supozuar se pavarësisht kundërshtimeve personale eventuale që ka mundur t’i ketë, Teuta Rugova është ndier e pafuqishme për ta kundërshtuar llavën e burrave brenda asaj dhome.

Në natyrë, Teuta Rugova duket person i ndrojtur dhe e tërhequr.

Për dy vjet e gjysmë të punës së saj si deputete, është e vështirë t’ia gjesh emrin në transkriptet e Kuvendit.

Gjatë tërë asaj legjislature, ajo vetëm dy herë qe bërë lajm: herën e parë kur e drejtoi një copë të seancës si deputetja më e re, në kohën kur LDK, AAK e NISMA në mënyrë kontradiktore zgjodhën Isa Mustafën kryetar të Kuvendit.

Herën e dytë, për lulet që Hashim Thaçi ia lëshoi në dorë sapo për vete e siguroi pozitën e Presidentit të shtetit, duke ia hedhur asaj mbi supe tërë barrën e zgjedhjes së tij kontradiktore.

Por, nëse herën e parë mori tufë lulesh për votën e dhënë, kësaj radhe asaj po i kërkohet vota me një tufë tjetër të lënë në kodrën qindra metra larg shtëpisë së saj.

Në rast se vota e saj do ta rikthejë Ramush Haradinajn në postin e ëndërruar gjatë në krye të qeverisë, bashkë me të ajo do t’ia konfirmojë pushtetin edhe PDK-së, njerëz të së cilës në shkurt të vitit të kaluar u denoncuan nga Daut Haradinaj se donin t’ia linin mbi dhé kufomën e babait të saj.