Marrëveshja "Shpërblen" Kosovën dhe Serbinë

Kosova bëri hapin e parë në rrugën e saj europiane të premten, kur Këshilli i Europës vendosi të miratojë vendimin për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

I njëjti këshill vendosi që Serbia të hapë bisedimet për anëtarësim në muajin janar të vitit të ardhshëm.

Kjo ndodhi pasi të dy shtetet arritën marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh më 19 prill, ndërsa nga prilli deri në qershor i afruan përpjekjet për zbatim të marrëveshjes.

Serbia gjatë këtij muaji nisi të mbyllë disa nga vendstacionimet e strukturave të sigurisë në veri të Kosovës të mbështetura prej saj, ndërsa ndërpreu financimin e tyre, përderisa Kosova emëroi ushtruesin e detyrës së komandantit për katër stacione policore të veriut më 25 qershor.

Kosova gjithashtu të mërkurën ratifikoi në Kuvend Projektligjin për marrëveshjen e parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Për ratifikimin votuan tetëdhjetë e katër deputetë, tre ishin kundër, ndërsa një abstenoi, derisa jashtë dhe brenda kuvendit deputetë dhe aktivistë të “Vetëvendosjes”, u munduan ta pengojnë këtë proces.

Vendimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Serbinë, kreu i Këshillit të Europës Herman Van Rompuy e quajti historik, ndërsa shtoi se vendimi u mor pas marrëveshjes së këtij shteti me Kosovën më 19 prill, njofton Balkan Insight.

Vendimin pozitiv për të dy shtetet e përshëndeti nëpërmjet një deklarate përfaqësuesi special dhe shefi i  Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar.

Zhbogar duke mirëpritur vendimet e Këshillit të Europës për të dy vendet me histori të gjatë armiqësie, tha se vendimi paraqet një fazë të re të raporteve mes BE-së dhe Kosovës.

Për Zhbogarin, hapja e negociatave për MSA-në njeh progresin e Kosovës në rrugën e saj të integrimit dhe angazhimin në dialogun me Serbinë.

Vendimin për MSA-në e përshëndeti të premten edhe Qeveria e Kosovës, duke e konsideruar si një sukses të të gjitha institucioneve kosovare.

Të shtunën është paralajmëruar që për vendimin e nisjes së negociatave për MSA-në mes BE-së dhe Kosovës të flasë ministrja e Integrimeve Europiane Vlora Çitaku, ndërsa Zyra e BE-së në Kosovë nëpërmjet një komunikate paralajmëroi për të hënën vizitën e kreut të Këshillit të Europës Herman Van Rompuy në Prishtinë.