Marrëveshja e Brukselit mbetet shpresa më e mirë e Kosovës dhe Serbisë

Pesë vjet më parë, më 19 prill 2013, në Bruksel u nënshkrua një marrëveshje e jashtëzakonshme nga kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kur u zotuan të punojnë drejt “normalizimit të marrëdhënieve” midis Serbisë dhe ish-provincës së saj jugore.

E ashtuquajtura Marrëveshja e Brukselit përcaktoi pikat e negocimit dhe kompromisit në lidhje me pakicën serbe të Kosovës, natyrën e ndarjes së pushtetit midis komunave serbe dhe shqiptare të Kosovës dhe perspektivën e përfshirjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndoshta rezultati më i rëndësishëm mund të ketë qenë që dy anë diametralisht të kundërta më në fund gjetën kompromis nëpërmjet sponsorizimit të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Më në fund, u besua, se midis Beogradit dhe Prishtinës mund të fillonte të rritej një zgjidhje e realizueshme për të ardhmen e Kosovës, e cila shpresohej se do të përmirësonte cilësinë e jetës për komunitetet serbe dhe shqiptare në Kosovë.

Shtatë vjet pas shpalljes së njëanshme të pavarësisë, pavarësisht statusit të kontestuar, Kosova kishte një udhërrëfyes për të ecur përpara me planet e stabilizimit politik, zhvillimit ekonomik dhe, më e rëndësishmja, ato të angazhimit ndërkombëtar.

Megjithatë, pesë vjet më vonë, pak ka ndodhur, e le më të ndryshojë. Të dyja palët nuk kanë bërë ndonjë përparim.

Serbia mbetet një vend kandidat për në BE, por nuk është arritur një datë përfundimtare për anëtarësimin e saj. Kosova mbetet një shtet thuajse sovran, pa asnjë indikacion se çdo pengesë ndaj sovranitetit të saj të plotë ndërkombëtar do të zhduket sa më shpejt.

Si në shumicën e rasteve të tjera të ngjashme të negociatave të ndërmjetësuara nga ndërkombëtarët ku përfshihet zgjidhja e një konflikti, territore të kontestuara dhe ndarje e ndërlikuar e pushtetit, secila palë pretendon të jetë në mbështetje të marrëveshjes, fajëson palën tjetër për ngadalësimin, por bën shumë pak për të lehtësuar situatën.

Si rezultat, pesë vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, normalizimi i marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës duket se është pikërisht aty ku nënshkruesit e saj donin që ajo të ishte – askund.

Asociacioni i Komunave Serbe mbetet debati kryesor

Në qendër të marrëveshjes ishte krijimi i një të ashtuquajturit Asociacioni i Komunave Serbe (Zajednica Srpskih opstina – ZSO) i cili, siç nënkupton edhe emri, do të funksiononte si një organ koordinues për komunat me shumicë serbe të Kosovës.

Këto komuna përfshijnë katër në veri të Kosovës: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut; dhe gjashtë në qendër dhe në jug: Graçanicë, Novobërdë, Ranillug, Partesh, Kllokot dhe Shtërpcë.

Të gjitha u caktuan fillimisht me “kompetenca të zgjeruara” në Aneksin III të të ashtuquajturit Plani i Ahtisarit që e parashikonte Kosovën si shtet sovran demokratik dhe multietnik. Këto “kompetenca” përfshinin mbajtjen e lidhjeve të gjera me Serbinë.

Sipas Marrëveshjes së Brukselit, kjo shoqatë do të kishte “kompetencat e dhëna nga Karta Europiane e Vetëqeverisjes Lokale dhe Ligji i Kosovës” që sigurojnë “pasqyrë të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural” së bashku me “kompetenca të tjera shtesë që mund të delegohen nga autoritetet qendrore”.

ZSO bën shumë pak për të shtuar këto kompetenca komunale tashmë të parashikuara, por në mënyrë efektive afirmon autonominë institucionale të komuniteteve serbe të Kosovës duke u siguruar atyre një organ unifikues dhe koordinues.

Problemi qendror nuk është krijimi i tij, por qëllimi i aftësive të tij funksionale.

Prishtina druhet se ZSO do të jetë i ngjashëm me entitetin me shumicë serbe në Bosnjës, Republika Srpska, me pushtet për të vendosur veto ndaj legjislacionit.

Serbët druhen se nëse bëhet si do Prishtina, pushtetet e ZSO-së do të kufizohen në pak më shumë sesa ato të një organizate qytetare e aftë vetëm të organizojë konferenca dhe festivale popullore etnike.

Deri më sot, qeveria e Kosovës ende nuk ka votuar për zbatimin e saj dhe përpjekjet për ta bërë këtë kanë çuar në një sërë protestash dhe masash penguese nga partitë e opozitës që kundërshtojnë çdo negocim me Serbinë derisa ajo të njohë sovranitetin e Kosovës.

Kjo ka bërë që politikanët serbë në Beograd dhe Kosovë të akuzojnë homologët e tyre shqiptarë për zvarritjen dhe se po punojnë në mënyrë aktive për të dëmtuar një marrëveshje që ata ishin bashkë-nënshkrues.

Ndërkohë që ka pasur shumë pak progres mbi këtë çështje gjatë pesë viteve të fundit, një përmirësim i situatës duket akoma më larg pas përshkallëzimit të tensioneve midis Serbisë dhe Kosovës në javët e fundit pas arrestimit dhe keqtrajtimit të Marko Gjuriq, drejtori i Zyrës së Serbisë për Kosovën, me akuzën e “hyrjes në mënyrë të paligjshme” në territor.

Në mes të shpërthimeve dhe deklaratave nga zyrtarët serbë dhe shqiptarë të Kosovës pas këtij incidenti, anëtarë të komunitetit serb të Kosovës janë zotuar të krijojnë ZSO-në me ose pa miratimin e Prishtinës më 20 prill, në përvjetorin e pestë të Marrëveshjes së Brukselit.

Megjithatë, më 18 prill presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se Serbia do t’i jepte Prishtinës tre muaj kohë për ta bërë vetë këtë.

Të dyja palët i qëndrojnë pozicioneve të tyre

Zotimi i serbëve të Kosovës që do të vazhdojnë para mund të jetë bërë që Prishtina të vendosë të ratifikojë ZSO-në brenda sistemit të saj ligjor.

Por, siç u përmend më herët, në diskutim është qëllimi i aftësive të saj funksionale, që duket të jetë një problem në pothuajse të gjitha rastet e autonomisë të negociuara me një grup rajonal dhe një qeveri qendrore.

Në rastin e Kosovës, kjo dilemë përbëhet më tej nga statusi i saj ndërkombëtar i kontestuar, i cili limiton mekanizmin e saj politik dhe e bind Serbinë të mos e trajtojë atë si një aktor të barabartë ndërkombëtar.

Një pikë e rëndësishme e zënkës është se si do të vendoset ZSO-ja brenda “Ligjit të Kosovës” dhe kuadrit kushtetues të Kosovës – të dyja të lidhura me një shtet pjesërisht sovran që Serbia refuzon ta njohë.

Ndërsa Serbia pretendon të mbështesë domosdoshmërinë e zgjidhjeve të negociuara, ajo s’është treguar e turpshme për të theksuar lidhjet e vazhdueshme të ZSO-së me Beogradin. Ajo i sheh serbët në Kosovë, para së gjithash, si qytetarë të Republikës së madhe të Serbisë, të drejtat e të cilëve nuk duhet të kufizohen nga autoritetet në Prishtinë.

Ndërsa Bashkimi Europian bën thirrje për një zgjidhje, ai nuk është në gjendje t’i bëjë presion Serbisë që ta njohë Kosovën si një shtet sovran, gjë e cila i jep Beogradit një avantazh afatgjatë mbi statusin dhe të ardhmen e Kosovës.

Kjo ka përshtatur shumë nga negociatat midis Serbisë dhe Kosovës që rrjedhin dhe dalin nga Marrëveshja e Brukselit.

Në vend të takimeve midis dy shteteve të veçanta, Kosova negocion me autoritet të zvogëluar në sytë e Serbisë, si edhe vetë BE-ja, e cila nuk ka nxitur kurrë për njohjen e Kosovës si një shtet sovran.

Asgjë nga këto nuk është humbur nga zyrtarët në Prishtinë, të cilët kanë dyshuar prej kohësh se Marrëveshja e Brukselit hap rrugë për hyrjen e Serbisë në Bashkimin Europian, ndërkohë që e lë Kosovën si një konflikt të ngrirë.

Ndërsa ata marrin pjesë në bisedime, angazhohen për normalizim të marrëdhënieve dhe fajësojnë Serbinë kur progresi ngel në vend, lidershipit shqiptar të Kosovës i duket jo praktike të negociojë çdo gjë që thjesht do të dëmtojë sovranitetin e deklaruar të Kosovës.

Zyrtarët në Prishtinë tërbohen nga fjala “autonomi” kur i referohen ZSO-së, kryesisht për shkak se duket se ajo vepron si eufemizëm për përfshirjen e vazhdueshme të Serbisë jo vetëm në Kosovën e veriut, por edhe në rajonet qendrore dhe jugore të Kosovës, duke kërcënuar të krijojë një autoritet paralel brenda një shteti të vogël që përpiqet të fitojë sovranitetin e plotë ndërkombëtar.

Kjo situatë ka bërë që shumë analistë të arrijnë në përfundimin se këto marrëveshje janë akte të kota, pasi të dyja palët mbeten diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën.

Mbetet ende pak shpresë

Megjithatë, ka vend për optimizëm, pavarësisht se si shikohet.

Fillimisht, pavarësisht nga statusi i kontestuar i Kosovës, është në interesin e Prishtinës që zyrtarisht dhe ligjërisht të njohë detyrimet e saj për të mbështetur formimin e ZSO, e cila do të ketë një shkallë të konsiderueshme autonomie.

Kjo nuk duhet të shihet si diçka unike për Kosovën, as nuk duhet të kuptohet se kjo automatikisht i jep Beogradit qasje në ish-krahinën e tij.

Autonomia për popullsinë serbe të Kosovës përkrah parimet e kushtetutës së saj dhe retorikën e kulturës së saj politike – që Kosova është një shtet demokratik multietnik në të cilin ka pasur cikle dhune ndëretnike.

Së dyti, dhe sipas përkufizimit, gjithçka që është “autonome” ekziston brenda një organi më të madh ligjor që njeh autonominë e lartpërmendur.

Hong Kongu, Tiroli i Jugut, Katalonia dhe Kurdistani i Irakut të gjitha kanë shkallë të vendimmarrjes së pavarur; megjithatë ata të gjithë funksionojnë brenda strukturës ligjore kushtetuese të Kinës, Italisë, Spanjës dhe Irakut.

ZSO mund të veprojë “brenda ligjit të Kosovës”, por “ligji i Kosovës” siguron një shkallë të konsiderueshme autonomie dhe ruajtjeje lidhjeje me Serbinë.

Si Beogradi ashtu edhe Prishtina duket se e harrojnë këtë kur flasin për audiencën e tyre.

“Statusi special” i Kosovës, i përsëritur shpesh nga përkrahësit e saj ndërkombëtar, përfshin shkallë disproporcionale të autonomisë dhe ndarjes së pushtetit ndaj pakicës së saj serbe.

Së treti, modelet e autonomisë dhe ndarjes së pushtetit në rajone të tjera kanë treguar se me kalimin e kohës autonomia rritet në forcë dhe qëllim.

Pra, pavarësisht se sa të kufizuar mund ta dojë fillimisht Prishtina ZSO-në, duke pasur parasysh afërsinë e Kosovës brenda Europës dhe shpresën për anëtarësimin e saj në Bashkimin Europian, komunat serbe ka gjasa të fitojnë kompetenca në rritje në vitet e ardhshme, njësoj me atë që shihet tani në Tirolin Jugor dhe Katalonia.

Ky krahasim i fundit nuk është dhe aq jo realist për t’u menduar. Autonomia dhe prosperiteti që gëzon sot Tiroli Jugor erdhi pas dekadash të tëra tension, rezistencë nga Roma, këmbëngulje nga komunitetet lokale gjermane dhe një përpjekje të përkushtuar nga Komuniteti Europian i atëhershëm për të ndërmjetësuar një rezolutë për një konflikt të zgjatur.

Sigurisht që ka një ndryshim të madh pasi Austria dhe Italia janë të dyja shtete sovrane, por BE-ja, të paktën zyrtarisht, ka qenë po aq e vendosur për të arritur një zgjidhje midis Serbisë dhe Kosovës si një çelës për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Pavarësisht nga statusi dhe sovraniteti, zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, e cila përfshin fuqizimin e komuniteteve serbe të Kosovës nëpërmjet ZSO-së, do të zvogëlojë tensionet në një rajon të prekur nga vite të tëra inerci politike, ekonomike dhe diplomatike.

Alternativa e vetme është vazhdimi i një konflikti të ngrirë të papërcaktuar.

 

Michael Rossi është profesor në Departamentin e Shkencave Politike në Rutgers University, Nju Brunksuik, Nju Xhersi, dhe në Departamentin e Shekncave Politike në Long Island University Bruklin, Nju Jork. Ai po merret me një projekt bashkëpunues që analizon në mënyrë kritike natyrën e parashteteve në të gjithë botën.