Pamje nga Mamusha. Foto: Kallxo.com

Mamusha, ‘Fortifikatë’ e Vogël dhe e Mbyllur

Garës për të parin e Komunës së Mamushës i kanë hyrë tre kandidatë.

Kushdo që e merr besimin e qytetarëve të Mamushës më 22 tetor, ose katër javë më vonë në balotazh, për ta drejtuar këtë komunë, e pret shumë punë e obligime para vetes.

Mamusha nga fshat i Prizrenit, u shndërrua në Komunë në vitin 2008 dhe është ndër komunat më të vogla në Kosovë me 5 mijë e 507 banorë. Shndërrimi i saj në komunë u bë në kohën e decentralizimit dhe është njësi komunale pa asnjë fshat të vetëm.

Mamusha është vendi i vetëm në Kosovë me shumicë Turke – 93.1 %, pakicat tjera janë shqiptarë me 5.9% dhe një pakicë simbolike nga komuniteti RAE me 0.9%.

Ekonomia e kësaj komune është e bazuar kryesisht në bujqësi dhe në shkallë të vogël të tregtisë aktive. Mamusha njihet si vend bujqësor me kultivimin e bimëve bujqësore, e sidomos të domates, ku për çdo vit në këtë komunë të vogël prodhohen rreth 90.000 tonë domate, krejt kjo në një sipërfaqe prej 23 km2.

Komuna e Mamushës që nga themelimi i saj po ka telashe me mungesë të ujit të pijes, banorët e kësaj komune ujin e pijes e marrin në Prizren dhe fshatrat përreth. Ka vite që banorët e Mamushës kërkojnë kanalin e ujitjes për tokat bujqësore, ndërsa ujërat e zeza dhe mbeturinat vazhdojnë të derdhen në lumin “Topllua” që kalon nëpër Mamushë.

Mamusha është komunë pa asnjë parking, pa asnjë çerdhe publike dhe ende pa asnjë sallë sportive!

Njëra nga pikat ku çalon më së shumti kjo komunë është mungesa e transparencës, është komunë pa zyrtar për informim dhe pa koordinator për qasje në dokumente publike. Komuna nuk i publikon në sajtin e vet zyrtar as konkurset e veta për punësim.

Mbi të gjitha Mamusha, është komunë pa asnjë drejtori që udhëheqet nga gratë?!

Për t’u marrë me zgjidhjen e të gjitha këtyre problemeve, garës për të parin e komunës i kanë hyrë tre kandidatë: Abdylhadi Krasniç nga KDTP, Arif Bytyç nga KTAP dhe Riza Kryezi kandidat i pavarur.

Aktualisht, kryetar i Komunës së Mamushës është Arif Bytyç nga KTAP, i cili nuk ka pranuar të ballafaqohet drejtpërdrejt me kundërkandidatët në Debat Pernime. Duke u gjendur para një situate të tillë emisioni “Debat Pernime” ka realizuar intervista të veçanta me secilin kandidat për kryetar komune në mënyrë që prej secilit prej tyre të marrim programin qeverisës për mandatin e ardhshëm 4 vjeçar për komunën e Mamushës.

Për t’i zgjidhur problemet që ka Mamusha, Komuna ka 1.8 milionë euro në vit për t’i shpenzuar në investime kapitale.

Mungesa e ujit të pijes 

Ndër problemet më të mëdha që vazhdojnë ta kenë banorët e Mamushës është uji i pijes dhe mos mundësia e zgjidhjes së tij për shkak se Komuna nuk menaxhon ndonjë kompani komunale. Lidhur me këtë pikë edhe opozita edhe qytetarët shprehen të pakënaqur.

Qytetarët e Mamushës janë detyruar të blejnë filter për pastrimin e ujit të nxjerrë nga puset (bunarët) që kanë hapur në oborret e tyre, shuma e të cilëve filter shkon deri në 700 euro për familje.

Banorët presin që në mandatin e ardhshëm të zgjidhet çështja e ujit të pijes.

Kanali i ujitjes për fushat e Mamushës

Mamusha burim kryesor i ka të ardhurat nga bujqësia, bujqit në vazhdimësi janë premtuar se do të përkrahen nga komuna. Ata presin që t’u lehtësohet puna dhe zvogëlohen shpenzimet duke realizuar projektin e kanalit për ujitje të tokave.

Qytetarët ankohen se harxhojnë qindra euro në sezon vetëm në karburant, për shkak se i duhet për makinat me të cilat nxjerrin ujin nga puset e hapura në fusha, ata thonë se janë në gjendje që të paguajnë deri në 150 euro në muaj sikur ta kenë mundësinë e kanalit të ujitjes.

Fushat e Mamushës presin kanalin për ujitje. Foto: Kallxo.com

Ujërat e zeza dhe mbeturinat

Në komunën e Mamushës janë tri deponi ilegale të cilat gjenden kryesisht në periferi të Komunës.

Mbeturinat në pjesë të madhe hedhen në lumin “Topllua” që kalon nëpër Mamushë. Në këtë lum vazhdojnë të derdhen edhe ujërat e zeza dhe në vend që lumi të përçojë freski, banorët që gjenden afër lumit janë në hallë me kutërbimin e erës së keqe që lëshon rrjedha e ujit.

Lumi “Topllua” në Mamushë, më shumë ndot se freskon. Foto: Kallxo.com

Mungesa e transparencës

Njëra nga pikat ku çalon më së shumti komuna e Mamushës është mungesa e transparencës. Vlerësimi i KDI-së për komunën e Mamushës, sa i përket transparencës, del komuna me më së paku transparencë në kuadër të komunave të regjionit të Prizrenit, me vetëm 19.8% të nivelit të përgjithshëm bazuar në 44 indikatorë të marrë nga KDI.

Në këtë komunë të vogël nuk publikohen procesverbalet përmes ueb faqes si një nga elementet thelbësor të transparencës së punës të institucioneve lokale. Nuk është raportuar në Kuvend dy herë në vit, ashtu siç është e paraparë me ligj. Komuna nuk ka zyrtar për informim dhe koordinator për qasje në dokumente publike. Nuk praktikohet pranimin e vizitave javore për qytetarët.

Mungon publikimi në ueb faqe i konkurseve për punësim dhe kriteret.

Shëndetësia

Në komunën e Mamushës ekziston një Qendër e Mjekësisë Familjare, mirëpo banorët ankohen se shpesh here ka mungesë të materialeve bazike dhe nuk punon ndërrimi i tretë.

Mamushasit presin që në komunën e tyre të kenë një qendër spitalore apo të paktën një gjysmë klinikë ku do të përfshiheshin rastet kirurgji dhe gjinekologji, pasiqë këto shërbime që i marrin në Prizren krijojnë shpenzime dhe është largësi për banorët e Mamushës.

Arsimi

Komuna e Mamushës ka dy shkolla, një fillore dhe një shkollë të mesme, për të cilat ka ankesa në politizimin e arsimit.

Në tërë komunën e Mamushës nuk gjendet asnjë çerdhe publike, madje nuk ka as çerdhe private.

Kultura dhe sporti

Komuna e Mamushës nuk ka asnjë klub sportive aktiv dhe i mungojnë sallat sportive.

Shtëpia e kulturës në Mamushë rrin boshe dhe deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap për ta aktivizuar atë.

Tatimi në pronë

Komuna e Mamushës, sipas të gjeturave të auditorit, nuk kishte arritur ta kryejë verifikimin e 1/3 së pronave të paluajtshme siç kërkohet me Ligjin për tatimin në pronën e paluajtshme dhe udhëzimin administrativ në fuqi.

Nga gjithsej 1059 prona, deri më tani Komuna ka arritur të verifikojë vetëm 48 sosh. Komuna nuk ka arritur të azhurnojë sistemin me të dhëna, sepse ka pasur mungesa të zyrtarëve anketues në terren për verifikim të pronave.

Mos verifikimi i 1/3 të pronave mund të rezultojë me mangësinë e informatave të plota të pronës së tatueshme aktuale, me ndikimin e mundshëm që të hyrat e vlerësuara për tatimin në pronë të ulen. Mos aplikimi i ngarkesave sipas kërkesave ligjore të tatimit në pronë rrit rrezikun që të hyrat prej kësaj kategorie të jenë më të ulëta.

Përfaqësimi gjinor

Në Komunën e Mamushës deri më tani në asnjë mandat, asnjë drejtori nuk është udhëhequr nga gratë.