Majlindës 8 Mijë € Shpërblim për Medaljen e Bronztë (TV)

Xhudistja Majlinda Kelmendi ka arsye t’i gëzohet edhe më shumë medaljes së bronztë të fituar nga fundi i prillit të këtij viti në Kampionatin Europian të Xhudos në Budapest, duke e përfaqësuar Kosovën.

Pas miratimit të rregulloreve për shpërblime shtetërore për sportistët me rezultate kulmore, ajo do ta marrë shpërblim konkret nga shteti javën e ardhshme.

Ministria e Sportit thotë se Majlinda do të shpërblehet me tetë mijë euro për medaljen e fituar, ndërsa trajneri i saj Driton Kuka do të marrë katër mijë euro të tjera.

Trajneri Kuka tha për Gazetën Jeta në Kosovë se Majlinda është e kënaqur me rregulloren e shpërblimeve, ndërsa, sipas tij, rregullorja do të parandalojë largimin e sportistëve kulminantë kosovarë nga vendi. 

“Kjo rregullore ka siguruar ombrellë për sportin kulminant dhe shpërblimet janë të kënaqshme për sportistët”, thotë Kuka.

“Sportistët më nuk do të varen nga disponimi i dikujt. Tash dihet se sa është çmimi [i rezultateve të garave] dhe janë të mbrojtur edhe ligjërisht”, shton Kuka.

Kelmendi kishte mbajtur një takim me ministrin e sportit në muajin shkurt pas së cilit ministria kishte lëshuar një komunikatë me të cilën premtonte se sportistja e dalluar do të vazhdonte të përfaqësonte vendin dhe premtonte po ashtu një rregullore për shpërblime të sportistëve. Kjo rregullore u nxor në fillim të këtij muaji.

Për shembull, po të fitonte medaljen e artë, Kelmendi do të pranonte 20 mijë euro shpërblim.

Por rregullorja nuk kënaqë shumë sportistë vendës.

Shemsije Asllanaj, volejbolliste e KV Prishtina dhe e reprezentacionit të Kosovës, e cila pesë herë është shpallur më e mira në vend, rregulloren e e sheh të padobishme për të dhe shumë sportistë tjerë kosovarë.

Asllanaj thotë se ata nuk mund të mbërrijnë rezultate ndërkombëtare, pa pasur të drejtë per të marrë pjesë në gara të tilla, meqë pengohen nga Serbia.

Federatat sportive të shtetit serb vazhdimisht lobojnë që federatat kosovare të mos njihen ndërkombëtarisht, duke mbërritur shpesh të izolojnë sportistët kosovarë, në gara vetëm brenda vendit. Këtë fat e ka pasur federata e volejbollit.

“Në rregulloren për shpërblime mund të aplikojë vetëm Majlinda Kelmendi”, thotë Shemsije Asllanaj.

Vërejtje rregullores për shpërblime shtetërore për sportistët me rezultate kulmore, i gjen edhe sekretari i Federatës së Atletikës së Kosovë, Abdurrahman Shkodra. 

As kjo federatë nuk merr pjesë në gara ndërkombëtare.

Shkodra ankohet se ministria nuk ka marrë parasysh shumë nga kërkesat e tij.

Por, ai thotë se me rregullore është dashur të bëhet kategorizimi i sporteve dhe sportistëve.

“Në atletikë një sportist mund të vrapojë brenda dy ditëve të garave në katër disiplina dhe në to të bëhet kampion. Rregullorja nuk e shpjegon a do të shpërblehet për katër tituj, ose vetëm për njërin”, thotë Shkodra.

Shkodra çuditet se si është e mundur të vlerësohen më shumë medaljet olimpike në konkurrencë ekipore, nga ato që mund të fitohen në kampionate botërore.

“Shumë shtete në olimpiada, në konkurrenca ekipore nuk shkojnë me ekipe të para, pasi kampionatet botërore për to janë më të rëndësishme”, thotë ai.

Sipas Rregullores për shpërblime shtetërore për sportistët me rezultate kulmore, sportistët kosovarë që arrijnë një rekord olimpik do të inkasojnë në konton e tyre hiç më pak se 200 mijë euro.

100 mijë euro do të marrin ata që arrijnë të fitojnë medalje të artë në lojëra olimpike, 60 mijë për një medalje të argjendtë dhe 40 mijë për një të bronztë.

Ata sportistë që do të arrijnë rekorde në kampionatet botërore, Qeveria e Kosovës do t’i shpërblejë me 100 mijë euro, ndërsa fituesit e medaljeve të arta në këto kampionate me 40 mijë. 20 mijë për medalje të argjendtë dhe 14 mijë për një medalje të bronztë në një kampionat botëror.

Edhe sukseset në kampionatet europiane do të shpërblehen sipas kësaj rregulloreje.

Arritja e një rekordi europian nga një sportist kosovar do t’i kushtojë buxhetit  40 mijë euro. 20 mijë për medalje të artë, 14 mijë dhe 8 mijë për medalje të argjendtë respektivisht të bronztë.