Lushtaku dhe Të Tjerët Në Gjykim

Gjykimi në rastin kundër Sami Lushtakut, Rizah Hajdarit, Qani Mehmedit, Avni Azemit si dhe të tjerëve në veprën penale të kanosjes dhe shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës fillon të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në majin e 2012-ës, ish-Gjykata Komunale në Prishtinë kishte konfirmuar pjesërisht aktakuzën kundër të pandehurve në këtë çështje.

Gjykata me aktvendim e saj kishte vendosur që të konfirmojë aktakuzën për Sami Lushtakun, Rizah Hajdarin, Qani Mehmedin dhe Avni Azemin për veprën penale të kanosjes për të cilën, sipas kodit penal të Kosovës, pason dënimi 3 muaj deri në tri vjet. Ndërsa gjykata pat hedhur poshtë veprën penale të kanosjes për Arizona Dibran dhe Rexhep Hotin.

Sa i përket akuzës për veprën penale të shpifjes, gjykata e ka hequr nga aktakuza dhe e ka ndërprerë procedurën duke lënë mundësinë që kjo vepër të ndiqet me padi private.

Gjykata ka hedhur poshtë krejtësisht veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës.

Por, pas ankesës së prokurores speciale Maria Bamieh, kolegji prej tre gjykatësve nga EULEX-i në muajin qershor e kishte ndryshuar vendimin e gjykatësit të konfirmimit, ashtu që kishte konfirmuar veprën penale të shkeljes së statusit të barabartë të qytetarëve të Kosovës për të gjithë të pandehurit. Kolegji i gjykatësve tani konfirmonte edhe veprën penale të kanosjes edhe për Arizona Dibran dhe Rexhep Hotin.

Prokuroria Speciale e Kosovës, përkatësisht prokurorja e EULEX-it, kishte ngritur aktakuzë me të cilën i akuzonte Sami Lushtakun, Rexhep Hotin, Arizona Dibrën, Avni Azemin, Rizah Hajdarin dhe Qani Mehmedin, se në periudhën maj-qershor 2009 kishin nisur një fushatë mediale kundër Jeta Xharrës, drejtoreshës së Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) në Kosovë, duke kryer veprat penale shkelje e statusit të barabartë të banorëve të Kosovës, kanosje dhe shpifje.

Sipas aktakuzës, veprat penale ishin kryer pasi që Xharra kishte udhëhequr një nga edicionet e emisionit “Jeta në Kosovë”, në RTK, në të cilin kishte paraqitur keqmenaxhimin dhe kushtet e pafavorshme në Skenderaj, ku Sami Lushtaku shërbente si Kryetar i Komunës.

Fushata ndaj saj ishte zbatuar përmes botimit të artikujve për 12 ditë me radhë në gazetën Infopress ku, sipas aktakuzës, ishin përhapur gënjeshtra politike ndaj Jeta Xharrës me shprehjet si “Spiune e Serbisë, bombë profesionale, jetëshkurtër etj”.