Anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” gjatë ceremonisë përkujtimore | Foto: Josip Ivanovic

Ish-Luftëtarët Kroatë Festojnë me Slogan Fashist

Në memorialin e Forcave Kroate të Mbrojtjes, HOS, në rrugën Rudjer Boskovic në qytetin bregdetar të Splitit të dielën, mjeshtri i ceremonive Marko Skejo ftoi disa qindra njerëz të cilët erdhën për të shënuar përvjetorin e njësisë “Kalorësi Rafael Boban” për t’iu bashkuar atij në atë që ai e përshkroi si një himn tradicional kroat – sloganin fashist kroat të kohës së luftës ‘Za dom spremni’ (“Gati për atdhe”).

“Me ‘Za dom spremni’ (“Gati për atdhe”)’, ushtarë luftuan në luftë dhe vdiqën për atdheun e tyre. Është për shkak të këtyre “engjëjve të bardhë në uniformat e zeza” që ne sot kemi shtetin e lirë dhe të pavarur të Kroacisë,” tha Skejo.

Pastaj ai bërtiti: “Za dom!” dhe turma u përgjigj menjëherë: “Spremni”.

Ceremonia në Split u ndoq nga zëvendës ministri i veteranëve të luftës, Ivan Vukiç, deputetë të ndryshëm, këshilltarë dhe anëtarë të njësive të tjera HOS, dhe u udhëhoq nga Skejo, një ish-komandanti dhe kryetari i shoqatës së veteranëve të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” të HOS.

HOS u krijua si njësia paraushtarake dhe milicia partiake e Partisë Kroate të krahut të djathtë për të Drejtat e Njeriut në fillim të vitit 1991, jo shumë kohë para shpërthimit të luftës në vend.

Anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” gjatë ceremonisë përkujtimore | Foto: Josip Ivanovic
Anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” gjatë ceremonisë përkujtimore | Foto: Josip Ivanovic

Të gjitha njësitë HOS dhe disa parti të krahut të djathtë ende e çmojnë trashëgiminë jetëshkurtër të shtetit pro-nazist të Luftës së Dytë Botërore, Shteti i Pavarur i Kroacisë, NDH, dhe njësia e tij famëkeqe ustashe ushtarake, e cila ka kryer krime kundër serbëve, çifutëve, romëve dhe antifashistëve. Ata e tregojnë besnikërinë e tyre duke kënduar “Za dom spremni!”.

“Ëndrra kroate brenda një kohe të shkurtër u bë realitet në vitin 1941 me krijimin e Shtetit të Pavarur të Kroacisë,” tha Skejo në fjalimin e tij në ceremoninë e mbajtur në Split.

Ai fajësoi partizanët antifashistë që luftuan kundër NDH-së dhe aleatëve të tyre gjermanë nazistë për fundin e kësaj periudhe të shkurtër “pavarësie” në vitin 1945, kur Kroacia u bë pjesë e Jugosllavisë.

“Për fat të keq, për shkak të tradhtisë të një pjese të kombit kroat, NDH u shtyp dhe Kroacia ra në errësirë më të errët komuniste, në të cilën u persekutua çdo fjalë dhe ide kroate,” shtoi ai, duke u duartrokitur fort nga turma mirënjohëse.

Njësia e HOS “Kalorësi Rafael Boban” u formua më 10 prill 1991, me rastin e 50 vjetorit të shpalljes së NDH-së, dhe mori emrin e komandantit të njohur ustash Rafael Boban, i cili luftoi përkrah shteteve aleate të Gjermanisë gjatë Luftës së Dytë Botërore .

Së bashku me ish-njësitë e tjera të HOS, ajo po i bën thirrje autoriteteve kroate ta shpallin zyrtarisht sloganin “Za dom spremni’ për përdorim publik.

HOS e risolli në përdorim himnin në vitet 1990, duke e bërë atë pjesë integrale të stemës së tyre zyrtare.

Anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” gjatë ceremonisë përkujtimore | Foto: Josip Ivanovic
Anëtarë të njësisë “Kalorësi Rafael Boban” gjatë ceremonisë përkujtimore | Foto: Josip Ivanovic

Edhe pse slogani nuk është specifikisht i ndaluar sipas ligjit kroat, ndryshe nga përshëndetjet naziste në Gjermani në ditët e sotme, gjykata mund ta interpretojnë atë si gjuhë urrejtjeje kundër pakicave dhe si diçka që mund të nxisë dhunë. Në pjesën më të madhe të proceseve të tilla penale, autorëve u janë dhënë gjoba të vogla për prishje të rendit publik ose sjellje të pahijshme.

Memoriali i njësisë “Kalorësi Rafael Boban” në Split u përurua nga kryetari i bashkisë vendase më 9 maj 2014, në Ditën e Fitores mbi Fashizmin. Slogani “Za dom spremni” iu shtua më vonë në mënyrë të paligjshme, por u hoq nga policia pas disa ditësh në janar 2015.

Në ceremoninë e të dielës, Skejo tha se kjo arrinte në persekutim dhe se slogani duhet të rivendoset, duke argumentuar se ajo nuk është e ndaluar nga “ligjet aktuale”.

“‘Za dom spremni’ është, mund të thuhet, njësoj si “Lëvduar qoftë Jezusi dhe Maria” (një përshëndetje tradicionale katolike), e cila është përshëndetja më e nderuar. I gjithë populli kroat ishte i gatshëm për atdheun. Po të mos kishte qenë gati për atdheun, ne nuk do të kishim fituar dhe s’do të kishim pasur një shtet tonin,” tha ai për gazetarët.

Megjithatë përdorimi i sloganit është diskutuar shumë kohët e fundit. Ekipi kombëtar i futbollit është sanksionuar nga FIFA pasi slogani u këndua në ndeshjet ndërkombëtare, ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut shprehen se ai glorifikon regjimin fashist të Luftës së Dytë Botërore.

Skejo argumentoi se slogani duhet të specifikisht të listohet si i ligjshëm në ligjin që rregullon statusin e veteranëve të luftës të viteve 1990, për shkak se ai është kontroversial vetëm për “njerëz që nuk e kanë dashur kurrë ekzistencën e Kroacisë dhe të cilët sot s’e pëlqejnë flamurin, shtetin dhe popullin kroat”.

Madje, gushtin e kaluar disa mijëra njerëz nënshkruan një peticion që Ushtria Kroate të përdorte këtë himn, por ideja u hodh poshtë nga presidentja kroate Kolinda Grabar Kitaroviç.

Skejo u irritua shumë kur BIRN i kërkoi t’i përgjigjej akuzave se njësia “Kalorësi Rafael Boban” mori pjesë në dëbime ilegale të kohës së luftës të qytetarëve kroatë, shumica serbë, nga e njëjta rrugë dhe lagje në të cilën ndodhet monumenti.

“Si e ke emrin ti? E di se ku je këtu? Bëj punën tënde dhe mos fillo të provokosh,” u përgjigj ai, ndërsa një tjetër shtoi se policia duhet t’i arrestojë provokatorë të tillë.

Përvjetori filloi të dielën në mëngjes me një meshë të shenjtë të kujtim të anëtarëve të vrarë të HOS në kishën e Shën Anteut pranë stadiumit kryesor të futbollit në Split. Skejo tha se 46 nga anëtarët e njësisë së tij vdiqën në konfliktin e viteve 1990.

Prifti në meshë u ankua se HOS-ja, e cila u integrua në forcat e armatosura kroate në vitin 1992, ishte trajtuar në mënyrë të padrejtë, sepse nuk ishte një ushtri e rregullt. Ai shtoi se njerëzit në Serbi “nuk mund të pranojnë përgjegjësinë e tyre për luftën”.

“Për shembull, a erdhi ndonjë kroat me pushkë në Valjevo (një qytet në Serbinë perëndimore)? Sigurisht që jo. Ata erdhën të na sulmonin këtu. Por djalli nuk do ta pranojë kurrë që ai është Satani,” tha ai, duke argumentuar se luftëtarët e HOS-it u përndoqën se mbrojtën Kroacinë njësoj siç dishepujt mbrojtën Jezusin.

Pas meshës, ceremonia u zhvendos në varrezat qendrore të qytetit, ku anëtarë të njësisë marshuan me flamuj nga hyrja drejt një kryqi të dedikuar veteranëve të luftës, ku disa delegacione të ndryshme vendosën kurora me lule dhe qirinj.

Pas kësaj, një tjetër prift tha një lutje të shkurtër dhe mbajti një fjalim duke bekuar monumentin dhe njësinë.

“Zoti, familja dhe atdheu janë tre vlerat tona më të mëdha dhe ju na e keni treguar këtë. Ne mund t’i mishërojmë të tria këto, me përshëndetjen tonë të njohur historike kroate: Za drom!” bërtiti prifti dhe njësia u përgjigj: “Spremni!”