Ilusttrim

Lufta Shqiptare Kundër Krimit e Lë “Peshkun e Madh” të Paprekur

Ambasadori i SHBA në Shqipëri Donald Lu i rriti pritshmëritë nëntorin e kaluar kur tha se po priste të shihte ndonjë 'peshk të madh' në rrjetën e drejtësisë 'nga fillimi i vitit të ardhshëm' - por muaj më pas, pak gjëra kanë ndryshuar.

Në 7 nëntorin e vitit të kaluar, Ministria e Brendshme shpalli krijimin e “Task Forcë Speciale për luftën kundër krimit të organizuar” dhe operacionit “Forca e Ligjit”.

“Ne sot i japim rrugë dhe shpallim fillimin e një lufte multi-frontale, intensive dhe pa kompromis ndaj strukturave të organizuara kriminale, aseteve dhe bashkëpunëtorëve të tyre,” tha ministri.

“Ne do ta bëjmë vendin tonë, një vend armiqësor dhe të parehatshëm për këdo që mendon se mund të pasurohet në kurriz të të tjerëve dhe në dhunim flagrant të ligjeve në fuqi”, deklaroi ai.

Në të njëjtën konferencë, Ambasadori i SHBA-së Donald Lu tha se pritshmëritë nga një operacion i tillë ishin të larta.

“Presim që ky plan agresiv i Qeverisë së Shqipërisë të përfundojë me arrestimin dhe ndjekjen penale të disa peshqve të mëdhenj në fillim të vitit të ardhshëm, dhe që ky sukses të vazhdojë në vitin 2018 me SPAK-un dhe BKH-në”, deklaroi Lu.

Përdorimi i shprehjes Peshq të Mëdhenj nga Ambasadori Lu tërhoqi vëmendjen e medias. Që nga ajo kohë, shumë meme u shfaqën në median sociale duke treguar politikanë të ndryshëm, si dhe diplomatin amerikan në prani të peshqve të mëdhenj jofigurativë.

Media e thjeshtëzoi deklaratën e ambasadorit duke shpallur se vendi mundet me të vërtetë të presë vendosjen e drejtësisë për ndonjë peshk të madh “deri në janar”.

Gjithsesi pati mosbesim mbi afatin kohor të përcaktuar dhe shqiptarët duket se kanë dëgjuar diçka të tillë edhe më herët.

Gjatë verave të viteve 2014 dhe 2015, ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla pretendoi se “arrestime të mëdha do të ndodhin në shtator”. Media iu referua këtyre deklaratave si “Shtatori i Llallës”, një sinonim i premtimeve false.

Më 31 janar, Lu duket se iu përgjigj shakave me meme me një meme të ngjashme. Në faqen e Facebook të ambasadës u postua një karikaturë huazuar nga Ora News ku paraqitej ambasadori Lu në një varkë të vogël, ende duke peshkuar. Në karikaturë nuk duket asgjëkund asnjë peshk i madh, por deklaratat shoqëruese me karikaturën nuk ishte tamam me humor.

“Politikanëve, policëve dhe prokurorëve: ju u zotuat përpara popullit shqiptar dhe përpara nesh. Ne investuam në burimet për t’ju ndihmuar në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ku janë rezultatet?” pyeti Lu.

Pothuajse tre muaj pas fillimit të operacionit “Forca e Ligjit,” Ministri i Brendshëm Xhafa u shfaq edhe një herë në media të premten më 1 shkurt, kësaj here duke nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi mes ministrisë së tij dhe Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku. Marrëveshja pretendon se prokuroria do të krijojë “Seksione të Posaçme të Përkohshme” në prokuroritë e rretheve dhe në prokurorinë për krimet e rënda për të luftuar krimin.

Edhe një herë, Ministri Xhafa theksoi rëndësinë që qeveria e tij i jep luftës kundër krimit dhe korrupsionit. [Marrëveshja] çmohet me rëndësi të madhe për jetësimin e Task Forcës Ndërinstitucionale në kuadër të Planit të Veprimit të operacionit “Forca e Ligjit”,” tha Xhafa.

Që nga viti 2009, Prokuroria e Përgjithshme ka nënshkruar 13 marrëveshje të tilla, dy prej të cilave përfshijnë edhe Ministrinë e Brendshme. [Link] Këto marrëveshje nuk duket të kenë dhënë ndonjë rezultat konkret pavarësisht se kanë premtuar luftë të pamëshirshme kundër llojeve të ndryshme të krimeve.

Gjithsesi, partitë politike në opozitë nuk e morën lehtë këtë marrëveshjen e re. Demokratët dhe LSI e shpallën atë antikushtetuese dhe një shenjë se qeveria po punon për të shkatërruar Reformën në Drejtësi dhe për të kontrolluar sistemin e drejtësisë.

Marrëveshja krijon efektivisht struktura paralele duke përdorur prokurorët ekzistues, të cilët nuk kanë kaluar ende vetingun, aludon opozita duke shtuar se ajo e zëvendëson të shumëpriturin SPAK, (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar), e cila do të jetë një agjenci e re dhe për të cilën, SHBA dhe BE kanë premtuar sakaq trajnime dhe pajisje. Gjithsesi, SPAK nuk është krijuar ende ndërsa struktura e re e premtuar nga marrëveshja është “e posaçme e përkohshme“.

Reforma në Drejtësi në pritje

Politikanët shqiptarë miratuan një riorganizim masiv kushtetues të sistemit të drejtësisë së vendit 2016, pas presioneve të paprecedentë, të hapura dhe pas skenave nga SHBA dhe BE. Cilësuar “Reforma në Drejtësi”, ajo shihet aktualisht si rruga e vetme përpara në arritjen e sundimit të ligjit dhe eventualisht, anëtarësimit të Shqipërisë në BE në të ardhshmen.

Reforma ka nisur të zbatohet ngadalë që nga miratimi gati dy vjet më parë, duke kapërcyer rezistencën e fortë nga segmente të ndryshme politike si dhe nga vetë gjykatësit dhe prokurorët. Disa prej institucioneve kyçe të reformës nuk janë zbatuar ende ndërsa lufta procedurale duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Në mungesë të zbatimit të plotë të reformës, parlamenti zgjodhi mes protestave disi të dhunshme të opozitës një Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Mandati i prokurorit të mëparshëm përfundoi në fillim të dhjetorit ndërsa institucioni i ri përgjegjës për zgjedhjen e të riut, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nuk është krijuar ende. Prokurorja e re e Përkohshme, nga ana e saj, vendosi të krijojë “Seksione të Posaçme të Përkohshme” për të luftuar krimin e organizuar.

Peshku i madh bëhet shprehje e parapëlqyer politike. Këtu, deputeti i opozitës Ervin Salianji duke shkuar në parlament më 1 shkurt 2018. Foto: Malton Dibra/LSA

Prokuroria u përball me ndryshme të vazhdueshme në struktura dhe në pozicionet kyçe përgjatë viteve të fundit. Shumica e drejtuesve të prokurorive të rretheve ishin Të Komanduar dhe jo të emëruar në këto pozicione. Aludohet se ish-kryeprokurori Llalla përdori taktikën e delegimit të drejtuesve të Komanduar me synimin për t’i mbajtur prokurorët të dobët dhe nën kontroll. Kur Prokurorja e re e Përgjithshme E Përkohshme mori detyrën dhjetorin e kaluar, ajo hoqi disa nga drejtuesit e komanduar të rretheve të emëruar nga Llalla dhe i zëvendësoi ato drejtues të përkohshëm. Pritet që në një të ardhme, Këshilli i Lartë i Prokurorisë të krijohet, që anëtarët e këtij këshilli të kalojnë vetingun dhe që vendi të ketë prokurorë të rregullt të përgjithshëm dhe të rretheve, të cilët nuk do të jenë të Komanduar apo të Përkohshëm por të emëruar me një mandat të qartë. Gjithsesi, shqiptarët do të duhet të presin edhe ca deri sa të mbërrihet në këtë pikë.

Vetingu nuk ka nisur ende por sakaq është bërë modë

Procesi i vetingut u parapa nga Reforma në Drejtësi si një mënyrë për të hequr nga sistemi gjykatësit dhe prokurorët që nuk mund të justifikojnë pasuritë e tyre. Zyrtarisht komisioni i vetingut nisi punë tetorin e kaluar. Disa pretenduan se vendimet e para do të mbërrijnë “në fillim të vitit 2018”. Nga fillimi i shkurtit asnjë vendim nuk është marrë ende, megjithatë vetingu është bërë një term mode.

Ministri i Brendshëm propozoi një proces vetingu për oficerët e policisë ndërsa ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj premtoi proces të ngjashëm për drejtuesit e burgjeve.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë shqetësime të mëdha në Shqipëri dhe drejtësia e korruptuar apo e paaftë konsiderohet një faktor i madh në mungesën e ndëshkimeve.

Gjithsesi, jo vetëm drejtësia duket se ka një problem. Ministria e Brendshme dhe policia shqiptare nuk patën një vit të mirë më 2017, kur imazhi i tyre u dëmtua nga shumë incidente në të cilat oficerë policie u gjetën të përfshirë në trafik droge apo krim të organizuar apo nuk ishin në gjendje të bënin punën e tyre.

Në shtator, një i dyshuar kriminel goditi makinën e policisë dhe pastaj hyri në një treg privat në Elbasan. Videoja e sigurisë e rrjedhur në media tregoi se si oficerët e policisë, pasi ia goditën makinën me dhunë, nuk guxuan të hyjnë në treg dhe mbetën të ngrirë te dera. Rezultoi se tregu ishte nën pronësinë e një grupi të dyshuar kriminal në qytet. Ngjarja u komentua në media si një shenjë tjetër se policia ka humbur efektivisht kontrollin e territorit në qytetin e Elbasanit. Kjo ishte shenja më e qartë deri në atë ditë se policia nuk ishte në gjendje të luftonte krimin e organizuar që dyshohet se kontrollon pjesë të ndryshme të territorit të Shqipërisë.

Policia është kritikuar gjithashtu se nuk ka qenë në gjendje të arrestojë një të dyshuar të rëndësishëm për trafik droge, Kelmend Balilin, i cili aludohet se ndihmohet nga lidhjet e tij politike.

Megjithatë prova më e fortë për infiltrimin e krimit mes forcave policore erdhi në tetor 2017, kur përgjimet italiane zbuluan se pjesa më e madhe e forcave policore të Vlorës ishte e përfshirë drejtpërsëdrejti me trafikun e drogës. Edhe shumë oficerë të tjerë policie janë akuzuar për trafik droge gjatë dhjetorit dhe janarit. Gjithsesi, duke ekspozuar një dobësi tjetër të policisë, shumica e tyre janë zhdukur para se të arrestoheshin.

Përballur me një realitet të tillë të zymtë, Xhafa shpalli shtatorin e kaluar fillimin e “Procesit të Vetingut” për oficerët e policisë. Pesë muaj më vonë, ideja është ende në hapat e para. Pritet një një projektligj të hartohet dhe dërgohet në parlament për këtë qëllim. Askush nuk e di se kur kjo do të ndodhë.

Ndërsa Ambasadoru Lu pret për peshq të mëdhenj dhe Komisioni Europian pret për “rezultate konkrete”, politika dhe institucionet duken shumë të lumtura me procedurën e të punuarit dhe të premtuarit se një ditë, rezultatet do të vijnë vetë.

 

Gjergj Erebara është gazetar për BIRN në Tiranë. Ai ka mbaruar studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës dhe ka master shkencor (MSC) për Histori Ekonomike nga Universiteti i Lundit. I specializuar për gazetari ekonomike. Erebara ka punuar që nga viti 1998 në disa media të shkruara dhe vizive Shqiptare, si gazetar, redaktor dhe kryeredaktor.

06 Shkurt 2018 - 11:04

Gjergj Erebara | BIRN | Tiranë 06/02/2018 - 11:04
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend