‘Lufta’ me Kroacinë i ofron Vuçiqit trille të pavlera

E dukshme që Serbia shpenzoi gjithë municionin e saj për të krijuar njëfarë atmosfere konflikti në marrëdhënie me Kosovën. Meditimeve rutinë u ka dalë boja, kështu që erdhi koha për t’ia ngulur sytë drejt një tjetre armikeje të përjetshme të Serbisë – Kroacisë.

‘’Nëse kroatët duan luftë – do ta kenë’’, kreu serb i diplomacisë, Ivica Daçiq, tha në një intervistë aktuale me një gazetë pro-qeveritare.

Ai qartësoi se ‘’natyra’’ e kësaj lufte të fantazuar do ishte ‘’diplomatike’’. Daçiq pretendon se marrëdhëniet e Serbisë me Kroacinë ‘’bazohen në reciprocitet’’ dhe që ‘’problemi serb paraqet një sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme në Kroaci’’.

Ndërkaq Kroacia shpalli Ministrin e Mbrojtjes serb Aleksandar Vulin, persona non grata dhe ia ndaloi atij hyrjen në këtë shtet disa javë pas fyerjeve të ndezura dhe sharjeve drejtuar qeverisë Kroate, presidentit, kryeministrit dhe qytetarëve.

E gjitha kjo po ndodh ca ditë pasi një delegacion kroat praktikisht u dëbua nga Beogradi nga veprimet e kriminelit të luftës Vojslav Sheshel, i cili, edhe njëherë, ofendoi flamurin kroat dhe shtetin.

Media serbe, si gjithnjë e nënshtruar ndaj yjeve nacionalistë si Vojslav Sheshel, Daçiq dhe Vulin, me gjallëri zhvendosi fokusin nga Kosova në Kroaci dhe deklaroi që lufta po shquhet në horizont.

Shefi i kësaj maskarade lodhëse ngeli urtësisht në heshtje; Presidenti Aleksandar Vuçiq po shijon veprimet dhe deklaratat të nxitura ose jo të marionetave të tij, veçse ngandonjëherë duke i stimuluar për më tutje dhe për të bërë më shumë zhurmë.

Në këtë atmosferë, ndërsa serbët po tërbohen dhe kroatët nuk po ndihmojnë për të zbutur gjendjen, Vuçiq kish kohë ca ditë për të pushuar pak.

Por presidenti serb nuk pati fat – media raportoi me dhimbje që Putin kish vendosur të mos e ftojë Vuçiq në festën e tij përuruese në Moskë ‘’për shkak të afrisë së Vuçiq-it me Angela Merkel dhe Perëndimin’’.

Vuçiq, me shumë gjasa, thellësisht i lënduar nga ky lajm, disi në formë amatori, lëshoi një deklaratë duke thënë që edhe sikur ai të ish ftuar në përurimin e Putin-it, nuk do mund të kish shkuar meqë është shumë i zënë me vizitën e Rexhep Taip Erdogan në të njëjtën kohë dhe do të ishte shumë e pasjellshme nga ai të refuzonte presidentin turk.

Dy ditë të gjata dhe me shumë gjasa vërtet stresuese për Vuçiq, kaluan derisa më në fund u zgjua me lajme të mira – ftesa për paradën e Putin kish mbërritur në zyrën e tij.

Fitimtar, ai mbivendosi planin e tij për më herët në maj: pavarësisht agjendës së tij të mbingarkuar, disi do ia dalë t’i vizitojë të dy, Erdogan dhe Putin. Kombi, për një çast i shpërqendruar nga lufta e afërt me kroatët, psherëtiu i lehtësuar. Putin ende na ka në qejf.

Pra tani mund t’i rikthehemi ngazëllimeve propagandiste të vobekta siç është mundësia e luftës sonë të ardhshme me kroatët.

Kush, me mendje në rregull, do të besonte që Serbia do të niste luftë të vërtetë me një shtet anëtar të NATO-s dhe BE-së?

Mbase kurrkush në të vërtetë nuk beson në këtë armiqësi të sajuar, që elitat e Serbisë dhe Kroacisë të dyja po e ushqejnë përmes deklaratave të tyre publike të flluskuara, të cilat media nacionaliste i shkarkon me brohori në faqet e para të shtypit për javë të tëra.

Pavarësisht kësaj, retorika e të dyja palëve është e rrezikshme dhe dëmtuese për marrëdhëniet e dy vendeve.

Elitat politike nacionaliste në të dy shtetet, për ta perifrazuar Ministrin Daçiq, vuajnë nga një sëmundje vërtet e pashërueshme. Politikanët, si të Serbisë ashtu dhe të Kroacisë, njëherësh shfaqin shenja të kompleksit të inferioritetit dhe superioritetit kur flasin për njëri-tjetrin.

Në të njëjtën kohë, politikanët serbë dhe kroatë, në mendjet e tyre të mbrapshta, janë viktima dhe të fortë; fitimtarë dhe të mposhtur.

Vuçiq dhe gurët e tij të shahut, së bashku me disa nga opozitës serbe, pretendojnë që Kroacia ka ‘’problem me identitetin’’, duke lënë të kuptohet që Kroacia – pa e vënë identitetin kombëtar përbri atij serb – thjesht nuk ekziston.

Njëherësh, figura të spikatura publike e politike në Serbi qahen për padrejtësi se serbët vuajtën gjatë luftës në 1990 dhe ende po vuajnë nga kroatët e fuqishëm dhe inferiorë po ashtu.

Elitat kroate nuk janë më ndryshe; ato gjithashtu pretendojnë që Serbia është përgjegjëse e viktimave të panumërta të luftës dhe për agresionin (që është e saktë), por që njëkohësisht nuk iu intereson për askënd përveç fisit të tyre, gjë që i bën ata t’u ngjajnë serbëve më tepër nga sa do të donin.

Në mes qëndrojnë viktimat dhe familjet e tyre, një numër i papërcaktuar i personave ende të zhdukur që nga lufta dhe padrejtësi e poshtërim për të gjithë, përveç zyrtarëve publikë të Kroacisë dhe Serbisë.

Në mes qëndrojnë debatet e hapura dhe problemet e pazgjidhura mes këtyre dy vendeve, të cilat mund të ishin zgjidhur vite më parë, vetëm nëse ata, që na përfaqësonin shumë kohë para se Vuçiq e Daçiq, Grabar-Kitaroviq dhe Plenkoviq të vinin, kanë pasur në mendje interesin më të mirë të qytetarëve.

Në të kundërt, elitat tona ‘’pro-demokratike’’ po kaq morën pjesë në të njëjtat lojëra që ‘’nacionalistët’’ luajnë sot. Mos të harrojmë që gjatë pushtetit të Boris Tadiq dhe Ivo Josipoviq, marrëdhëniet mes dy vendeve ishin të ngjashme me këto që po dëshmojmë së sotmi.

Ata po ashtu i nxitën më tepër armiqësitë e vjetra, madje duke arritur deri aty sa t’i lejojnë vendet e tyre të padisnin njëri-tjetrin për gjenocid. Në vend që të shpëtonin njëherë e mirë nga broçkullat nacionaliste dhe vrerit narrativ, që Tadiq dhe Josipoviq gjetën në vendet e tyre pas 1990-ës, ata i përdorën për dobi politike, mbi kurriz të interesit publik dhe zgjidhjes përfundimtare të shumë çështjeve të hapura mes Kroacisë dhe Serbisë.

Kur nacionalistët ‘’u rikthyen’’, gjetën të paprekur atë çka kishin lënë pas – armiqësinë, propagandën nacionaliste, gjuhën e urrejtjes dhe luftënxitësit. A është befasuese që Sheshel, Daçiq, Vuçiq dhe Vulin gjenden në biznesin e të bërit luftë me Kroacinë përsëri?

Kësaj here, lufta e Serbisë me Kroacinë është verbale, meqenëse Vuçiq dhe forcat që ai me krenari i përfaqëson, e kanë humbur njërën. Prapëseprapë, Vuçiq ende qëndron pompoz kur flet për Kroacinë; i duhet ta ekspozojë madhështinë e tij dhe atë të Serbisë, në lidhje me ndokënd – këdo.

Meqë bisedimet e ashpra me Kosovën kanë shumë të ngjarë të përfundojnë me atë çka Vuçiq e parasheh si disfatë, i duhet ta shpërqendrojë vëmendjen e kombit tek një ‘’armik’’ më praktik, të cilin në të vërtetë as nuk mund ta prekë.

Megjithatë ekziston diçka tjetër mbi të cilën kroatët dhe serbët qëndrojnë të bashkuar – ndarja e unitetit të Bosnjë-Hercegovinës. Si Serbia ashtu dhe Kroacia, në mënyrë intensive po përforcojnë retorikën e ligë dhe haptazi po mbështesin veprime alarmante mes boshnjakëve serbë dhe atyre kroatë.

Si në 1990-ën, Serbia dhe Kroacia janë të bashkuara – të dy vendet po bëjnë plane si ta ndajnë dhe në thelb ta shkatërrojnë Bosnjën, duke mbështetur separatistët dhe nacionalistët e flaktë.

Ndërkaq, Sheshel, ish-këshilltari i Vuçiq i cili papritmas u bë marioneta e tij më e dobishme, mori leje nga gjykata për të mbajtur një takim në Hrtkovci, vend ku ai dhe Vuçiq mbajtën fjalime luftënxitëse që çuan në krime lufte kundër kroatëve, për të cilat vetëm Sheshel ishte fajtor para Gjykatës së Hagës, ICTY. Reagimi i Vuçiq? Nuk gjendet askund.

Tubimi i Sheshel-it është planifikuar për 6 maj, një nga ditët më të kremtuara mes të krishterëve ortodoksë serbë dhe për këtë duket që tubimi në të vërtetë do të mbahet. Nëse mbahet, mbledhja do të ishte kulmimi i fitoreve të Sheshel-it dhe Vuçiq-it.

Jo vetëm që Sheshel vazhdoi ta promovonte programin e tij politik ndër vitet e tij në gjyq përballë ICTY-së së paaftë, por ai ngeli fitimtar edhe pasi u shpall fajtor për krime lufte.

I mbrojturi i tij, Vuçiq, udhëheq vendin dhe qeveria e tij nuk po bën kurrgjë për ta ndaluar Sheshel-in apo për ta zhveshur nga pozita e tij si anëtar i kuvendit, pavarësisht se detyrohet me ligj ta bëjë këtë.

Vuçiq hesht kur bëhet fjalë për njoftimin nga kriminelët e dënuar të luftës, se ai do të mbajë një tubim në të njëjtin vend nga ku ai nxiti trupat e tij paraushtarake për të kryer krime lufte.

Përkundrazi, Vuçiq i lejon Sheshel-in dhe të tjerë ‘’palaço’’ si Vulin, të vazhdojnë të bëjnë atë që dinë më mirë – ta zërojnë Vuçiq-in, ndërsa ai bën sikur viktima e përjetshme, por rebele, njeriu më thellë i prekur nga fjalët dhe veprimet e veta, lideri i vetëm në ‘’rajon’’ i cili është sakaq më i forti, por dhe më i ndjeshmi.

Shtirja e Vuçiq-it është qartazi e mërzitshme, ndonëse ende prodhon trille mes serbëve, por është ende e rrezikshme ngase nuk kontribuon në asgjë tjetër përveçse shton urrejtjen dhe armiqësinë.

Me sa duket ‘’qendrat e fuqisë Perëndimore’’ janë ende të magjepsura nga ‘’shndërrimi i Vuçiq-it’’, pavarësisht dëshmive të pafundme që qeverisja e tij autokratike po kontribuon në gjithçka përveç ‘’stabilitetit në rajon’’, i cili me shikim miop shihet si qëllimi final i BE-së.

‘’Ithtarët e interesit perëndimor’’ të mbivlerësuar, siç vetë Vuçiq i quan, duhet të mbajnë shënime në atë çfarë po ndodh, bashkë me një plan veprimi konkret që do të mund të frenonte lulëzimin e tendencave të vjetra të cilat përsëri mund të kushtonin jetë njerëzish.

Me fjalë të tjera, duhet të bëjnë të kundërtën e asaj çfarë Donald Tusk po bën – të ndalojnë së deklaruari Vuçiq-in si ‘’shpirtin e tyre binjak’’, nëse nuk duan një tjetër ‘’lider’’ si Viktor Orban tek portat e tyre.