Ilustrim: Flamuri i Shqipërisë i shpalosur në një protestë të Vetëvendosjes | Foto: Atdhe Mulla

Lufta Identitare Kosovë-Shqipëri e Vetevendosjes

Një flamur i madh i Shqipërisë valëvitet në një nga rrethrrotullimet kryesore në Prishtinë, i njohur thjesht si “Te Rrethi” ngaqë është i pari i këtij lloji i ndërtuar në kryeqytetin e Kosovës.

Veturat dhe autobusët, pjesa më e madhe me targa të Kosovës me emblemën e flamurit vendas, vërtiten rreth flamurit të kuq me shqipen e zezë dykrenore të Kastriotëve, si në një tavaf të pavullnetshëm patriotik.

Dikur një flamur i Kosovës valëvitej “Te Rrethi” por pas marrjes së pushtetit vendor në Prishtinë nga Vetëvendosje në vitin 2013, ndryshoi edhe flamuri.

Ndonëse Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Shpend Ahmeti, nuk e ka pranuar kurrë zyrtarisht preferencën e saj ndaj flamurit kuqezi të Shqipërisë fqinje në vend të atij të Kosovës, ajo ka refuzuar në një sërë rastesh festash zyrtare apo ngjarjesh solemne që të vendosë flamuj të Kosovës.

Madje gjatë ceremonisë së betimit të tij si kryetar i Prishtinës në 26 dhjetor të vitit 2013, Ahmeti “ia mundësoi administratën komunale të betohet para flamurit kombëtar”, sipas njoftimit të publikuar në faqen e komunës, në vend të atij kosovar.

Në ditët e para të qeverisjes Ahmeti, pati një debat për faktin se ai nuk pranonte ta vendoste flamurin e Kosovës në sallën e kuvendit komunal. Për këtë iu drejtua për interpretim edhe Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, e cila tha se ligji e bënte të qartë se në institucionet e Kosovës duhet të ishte flamuri i saj. Dhe kështu flamuri i padëshiruar u vendos ku duhej. Ministri i pushtetit lokal në Kosovë është Ljubomir Mariq.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, pret shefen e re të Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Nataliya Apostolova, në zyrën e tij më 26 shtator. Ndër flamujt e larmishëm mungon ai i Kosovës | Foto: Komuna e Prishtinës

Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje ka qenë edhe më pak zemërbutë ndaj simboleve zyrtare të Kosovës. Përveç deklaratave të përsëritura kundër flamurit zyrtar dhe pro flamurit të Shqipërisë (së Madhe), nuk kanë munguar rastet kur ata i kanë mësyrë me forcë flamujve të Kosovës për t’i zëvendësuar me të Shqipërisë.

Duke festuar Pavarësinë e Shqipërisë, më 28 nëntor të 2010-s, dega e Vetëvendosjes në Ferizaj u angazhua për të hequr rreth 70 flamuj të Kosovës dhe për t’i zëvendësuar me ata të Shqipërisë, me arsyetimin se bëhej fjalë për “flamuj të imponuar”.

Një nga argumentet e partisë së përhershme opozitare të Kosovës ishte se nuk ka pasur referendum për ndërrimin e flamurit. Në fakt, referendumi sipas këtij kuptimi, mbahet për të ndryshuar diçka e cila ekziston e mbështetur mbi ligj. Edhe pse gjatë ish-Jugosllavisë lejohej mbajtja personale e flamurit të Shqipërisë, ai nuk lejohej në institucione dhe i vetmi flamur zyrtar ishte ai jugosllav.

A do të thotë kjo se nëse kosovarët duhet të mbanin një referendum, atëherë diçka e tillë duhet të bëhej për të ndërruar flamurin jugosllav me hibridin e flamurit të BE-së që është sot flamuri zyrtar i Kosovës?

Në vitin 2011, deputetët e Vetëvendosjes u betuan para flamurit kombëtar (të Shqipërisë) në Kuvendin e Kosovës ndërkohë që pjesa tjetër u betua mbi flamurin e Kosovës.

Qytetarë gjatë një tubimi të opozitës në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla
Qytetarë gjatë një tubimi të opozitës në Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Dëshira e flaktë për t’u bashkuar me Shqipërinë është përcjellë nga lideri historik i Vetëvendosjes, Albin Kurti, e deri te zyrtarët e aktivistët e thjeshtë të saj, duke tingëlluar në të gjitha rastet pothuajse në këtë formë identike:

“Ne duam që Kosova të jetë plotësisht e pavarur, gjë e cila sipas neve do të thotë e drejta për t’u bashkuar me Shqipërinë. Por nuk marrim ndihmë prej anash në avokimin e kësaj ideje. Neni 1.3 i kushtetutës sonë nuk na lejon t’i bashkohemi ndonjë shteti tjetër. Ne duam ta kemi mundësinë e bashkimit me Shqipërinë në një mënyrë paqësore dhe demokratike, por ajo nuk është e mundshme aktualisht për shkak të Kushtetutës sonë, e cila pak a shumë është shkruar nga fuqitë ndërkombëtare”, tha Albin Kurti në një prej deklaratave të tij për këtë çështje.

Ai shtoi se Kosova duhet ta ketë të drejtën e vet për ushtri, si kapacitet mbrojtës për popullin e saj por edhe të drejtën që t’i bashkohet Shqipërisë.

‘Dua më shumë Shqipërinë’

Në 23 gusht të këtij viti, Albin Kurti dhe pesë zyrtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje morën nënshtetësinë e Shqipërisë. Bashkë me Kurtin, kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri dhe zyrtarët e tjerë Dardan Molliqaj, Aida Derguti, Glauk Konjufca and Liburn Aliu, morën nënshtetësinë e Shqipërisë nga Presidenti Bujar Nishani për “merita të veçanta”.

Sipas një vlerësimi të BIRN, rastet e dhënies së nënshtetësisë shqiptare për shtetasit kosovarë kanë pasur rritje që pas vitit 2011, kur Shqipëria përfitoi nga regjimi pa viza në Bashkimin Evropian në vitin 2011. Ashtu si shumë të tjerë, edhe zyrtarët e Vetëvendosjes në fjalë do të gëzojnë nga lëvizja e lirë e Shqipërisë.

Ndërsa qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të vetmit në Ballkan që ende kanë nevojë për viza për të shkelur në vendet e BE-së, opozita ka bllokuar ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit kufitar me Malin e Zi, me pretendimin se i grabit vendit mijëra hektarë.

Pasaporta e Shqipërisë, përmbajtja e të dhënave | Foto: WIkipedia
Pasaporta e Shqipërisë, përmbajtja e të dhënave | Foto: WIkipedia

Agjenda e bashkimit kombëtar me Shqipërinë ka qenë kurdoherë një prej shtyllave qendrore të platformës së Vetëvendosjes, ndërkohë që partitë e tjera opozitare në Kosovë kanë pasur një qasje më tradicionale.

Mbështetja e ëndrrës së “Bashkimit Kombëtar” nuk ka kërkuar vetëm sakrifikimin e flamurit, por edhe të simboleve të tjera të një shteti. Ndërsa zyrtarët e lartë të kësaj partie nuk treguan zell të dukshëm për të uruar Kosovën në pjesëmarrjen e saj të parë në Lojërat Olimpike, megjithatë urimet dhe ekzaltimet ndaj sukseseve të Shqipërisë në sporte nuk kanë munguar.

“Sot Kombëtarja fillon rrugëtimin drejt Botërorit 2018. Kombëtarja e bashkimit, ajo që then kufijtë, dinjitozja e fitoreve, ajo që na e dëshmon se dobësinë nuk e kemi as natyrë e as kulturë, por vetëm politikë të dëmshme. Që na e dëshmon se të ndarë as nuk jemi më mirë, e as nuk mund të jemi më mirë. Përpara Shqipëri!” shkroi në faqen e tij në Facebook, Visar Ymeri, kryetar i Vetëvendosjes.

Ishte data 5 shtator dhe skuadra kombëtare e futbollit të Shqipërisë po luante përballë Maqedonisë për kualifikimin për në kampionatin botëror 2018. Po atë mbrëmje, Kosova që gjithashtu luante për të njëjtin kualifikim përballë Finlandës, shënonte herën e parë në historinë e saj që merrte pjesë në një kualifikim ndërkombëtar.

Deklarata e Ymerit mori rreth 2,300 pëlqime, por zemëroi shumëkënd në rrjete sociale dhe si rrjedhojë edhe 2,50 komente, një numër tepër i madh prej të cilëve përmbanin kritika, sharje e ofendime, deri në pikën kur e akuzonin për tradhti ndaj vendit apo se nuk e meritonte pagën si deputet që e merrte nga shteti i Kosovës.

Duke shpjeguar deklaratën e tij të një dite më parë, të nesërmen më 6 shtator, Ymeri pati një tjetër postim në Facebook për çështjen në fjalë. “Më mirë një fitore sesa dy barazime. Shqiptarët duhet ta kenë një kombëtare të përbashkët edhe në sport. Ideja provinciale e pavarësisë së Kosovës si pavarësi nga Shqipëria është shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet Serbisë”, shkroi Ymeri.

Ai mori shembullin e “dy Gjermanive” duke thënë se dikur Gjermania lindore fitonte trofe e medalje shpeshherë edhe më shumë sesa Gjermania perëndimore nëpër garat sportive. Ai shtoi se dy Gjermanitë kurrë nuk e braktisën synimin e bashkimit dhe e realizuan atë.

“Le të mos përpiqemi të bëhemi më të mençur sesa gjermanët. Në futboll ishim bashkë. Dhe bashkë korrnim fitore. Në vend se të bashkohemi aty ku jemi të ndarë, ne po ndahemi aty ku ishim bashkë”, shkroi Ymeri në faqen e tij në Facebook. Por as kjo deklaratë nuk i fashiti sharjet e ofendimet.

Si për ironi, po atë ditë, duke qenë se mbrëmjen e mëparshme ndeshja mes Shqipërisë e Maqedonisë ishte ndërprerë si pasojë e motit të keq, ajo vazhdoi duke shënuar fitoren e Shqipërisë me 2-1. Në fund vetëm ndeshja Kosovë-Finlandë përfundoi me barazim (1-1).

Kosova vs Shqipëria (e Madhe)

Jo të gjitha komunikimet e Vetëvendosjes kanë qenë në harmoni të plotë brenda propagandës partiake të ‘shqiptarëve të bashkuar’. Gjatë 2016-s, në kundërshtim të zhvillimeve të shumicës qeverisëse si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe apo demarkacioni me Malin e Zi, ka përdorur vazhdimisht sloganin “Për Republikën”, por nga ana tjetër, ka kundërshtuar apo shpërfillur energjikisht të gjitha simbolet e “Republikës”.

Himni i Kosovës, për shembull, nuk ka qenë kurrë pjesë e aktiviteteve të kësaj lëvizjeje, madje në disa raste është shpërfillur edhe nga Komuna e Prishtinës, duke ngritur dyshime për shkelje protokolli.

Analisti politik Imer Mushkolaj mendon se sakrifikimi i simboleve të Kosovës përballë atyre të Shqipërisë, për hir të idesë së “Bashkimit Kombëtar”, nuk bën kuptim dhe nuk mund të ketë rezultat në formë të sforcuar dhe të njëanshme.

“Bashkimi kombëtar është diçka që do të vijë natyrshëm dhe pavarësisht sforcimeve të partive politike për këtë çështje. Unë konsideroj se gjërat duhen lënë të rrjedhin vetvetiu dhe duhet kuptuar se më shumë jemi të bashkuar sesa të ndarë”, tha Mushkolaj.

Lidhur me dallimet preferenciale mes dy flamujve dhe dy skuadrave të futbollit, ai thotë se këto deklarata politike nuk ndihmojnë dhë më shumë shërbejnë për konsum të brendshëm politik. “Nuk i shoh reale, janë thjesht fjalë ndërkohë që nevojitet punë për realizimin e këtij synimi”.

Mushkolaj thotë se Vetëvendosje duhet të punonte më shumë për forcimin e shtetit duke qenë se një Kosovë e fortë do ta kishte më të lehtë të bashkohej me Shqipërinë.

“Jam kundër logjikës së Vetëvendosjes që Kosova t’i bashkohej Shqipërisë, por jam me logjikën që të bashkohet me Shqipërinë”, theksoi Mushkolaj.

Në fakt, pavarësisht faktit se ëndrra për një shtet-komb që bashkon shqiptarët mund të datojë shumë kohë më parë në mendjet e zemrat e intelektualëve e patriotëve, është e paqartë se kur është paraqitur për herë të parë në një platformë e mirëfilltë.

Spekulimet janë se hera e parë erdhi me termin “Shqipëri e Madhe”, në formën e një platforme të formuluar dhe të përmendur zyrtarisht jo më parë se periudha e Luftës II Botërore, kur Italia Fashiste tentoi të fitonte përkrahjen e shqiptarëve duke u përkëdhelur atyre ndjenjat patriotike.

Në vitin 1939, ministri i Jashtëm i Italisë (fashiste), Konti Galeazzo Ciano, mbajti një fjalim gjatë një vizite në Shqipërinë e pushtuar duke premtuar angazhimin e Italisë për realizimin e aspiratave për bashkimin e trojeve shqiptare.

Konti Galeazzo Ciano në Shqipëri (në qendër-majtas me uniformë më të çelët), në prill të vitit 1939, kur edhe mbajti fjalimin pro “Shqipërisë së Madhe” | Foto: Bundesarchiv

Kronikat e kohës thonë se fjalimi i Ciano-s – i cili më vonë do të shndërrohej në një nga personazhet më antipatike ndër shqiptarët – u mbyll me fjalët “Viva la Grande Albania”, çka përkthehet “Rroftë Shqipëria e Madhe”.

Ky premtim nuk mbeti vetëm në një fjalim. Më vonë, Italia e shpalli zyrtarisht projektin e Shqipërisë së Madhe (1941) ku sipas aspiratave do të përfshiheshin të gjitha trojet shqiptare në Ballkan. Pastaj Italia humbi luftën dhe dhjetëra mijë ushtarë italianë, të cilët Gjermania naziste i shihte si dezertorë, shpëtuan duke gjetur strehim te familjet shqiptare deri në përfundim të luftës.

Më vonë, nacionalistët shqiptarë – kryesisht ata nga Shqipëria – kanë preferuar të përdorin një tjetër term për të shpëlarë kujtimin e trashëgimisë fashiste të projektit, duke e quajtur “Shqipëria Natyrore”, e cila dallon nga “Shqipëria e Madhe” vetëm në emër por jo në përmbajtje kuptimore apo territoriale.

Termi “Shqipëri e Madhe” është përmendur së fundmi edhe nga Kryeministri i Serbisë, Aleksander Vuçiq – në përgjigje të një publikimi në Twitter të Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili kishte shkruar se “Shqipëria e Madhe është makth i Serbëve dhe jo projekt i yni”.

“Njerëzit që thonë se Shqipëria e Madhe është makthi ynë kanë absolutisht të drejtë. Por jo vetëm makth i yni, por edhe i Evropës, ankth i gjithë njerëzimit”, shkroi Vuçiq. Ndërkaq nuk mungojnë ata që thonë se “bashkimi kombëtar” nuk është e  njëjta gjë me “Shqipërinë e Madhe”.

Por, termi “Shqipëri e Madhe”, apo edhe vetëm ideja e bashkimit kombëtar ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë vazhdon të jetë çështje kundërthënëse qoftë ndër shtetet rivale të Kosovës, mes zyrtarëve të Bashkimit Evropian apo edhe brenda vetë shqiptarëve.

Një ndër dilemat madhore dhe gati të natyrshme kosovare është se ndërsa shteti është ai i Kosovës, kombësia është shqiptare, ndaj elementë kombëtarë siç është skuadra e futbollit, për shembull, kanë një mospajtim logjik në vetvete, kur vendosen nën kategorinë “…kombëtare e Kosovës”.

“Kam frikë se shtetësia e Kosovës po imponohet vetëm si status kalimtar në procesin e krijimit të një shteti shqiptar” – Dukagjin Gorani

Dukagjin Gorani, analist politik dhe anëtar i Vetëvendosjes, nuk pajtohet me tezën se përdorimi i simboleve të Shqipërisë, disa herë në kurriz të atyre vendore nga Lëvizja Vetëvendosje, përbën rast të sakrifikimit të identitetit vendor shtet-formues për hir të projektit të “Bashkimit Kombëtar”.

“Ne kosovarët jetojmë në një konstruksion të brishtë, të pasigurt dhe të pafuqishëm: është ky një fakt i pakëndshëm – por është fakt, megjithatë”, tha Gorani.

Ai thotë se është tërësisht i kuptueshëm entuziazmi i shqiptarëve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran… mirëpo, sentimenti është një gjë kurse faktet politike janë diçka krejt tjetër. “Kështu siç po rrjedhin zhvillimet në Ballkan, kam frikë se shtetësia e Kosovës po imponohet vetëm si status kalimtar në procesin e krijimit të një shteti shqiptar”.

Gorani thotë se gjërat kanë ndryshuar që nga viti 1999, kur Kosova shpalli pavarësinë, pas tërheqjes së trupave sere nga bombardimet e NATO-s. “Bota nuk është më ajo që ishte më 1999 – e me të as Ballkani, BE, Evropa Lindore apo edhe Lindja e Mesme. Sot, statusi i Kosovës vazhdon të mbetet në mëshirë të proceseve të ndërlikuara botërore dhe rajonale; diçka e ngjashme me Palestinën, ndonëse në një kontekst tjetërfare politik dhe të sigurisë”.

Marrë parasysh këto rrethana, ai thotë se çështjet identitare duhen parë si kategori dinamike dhe fluide dhe jo si koncepte të ngurta e të pandryshueshme: “Çka nëse nuk mund t’ia dalim të mbijetojmë si shtet i pavarur në një Ballkan të trazuar? Çfarë do të bëjmë? Ta braktisim Kosovën? Të vajtojmë? Apo, të përpiqemi për mbijetesë duke e konsideruar bashkimin në një shtet shqiptar si përpjekje gjithëpopullore?” – pyet Gorani.

Intervista e plotë e Dukagjin Goranit mbi këtë çështje, në linkun e mëposhtëm:

Gorani: Bashkimi me Shqipërinë Nuk e Asgjëson Kosovën