Tifozë kosovarë | Foto: Atdhe Mulla

Lufta e Sportit Kosovar për Njohje dhe Lavdi

Duke qenë se atmosfera festive do të fashitet në javët në vijim, është e domosdoshme që institucionet e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë vrull dhe të nisin reforma që do të vinin themelin për një sistem sportiv bashkëkohor në këtë shtet.

Ky muaj ka qenë jashtëzakonisht i mirë për Kosovën dhe qytetarët e saj. Pas një vonese shumë të gjatë dhe një muaj pas hyrjes në fuqi të Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për mbajtësit e pasaportave të Kosovës që të udhëtojnë pa viza brenda Zonës Shengen. Edhe pse ende duhet të aprovohet nga Këshilli Evropian, ky hap paraqet një zhvillim të madh për shtetin dhe qytetarët e tij, edhe praktik edhe simbolik.

Po aq të rëndësishme, së paku nga pikëpamja afatgjate, ishin depërtimet e Kosovës në asociacionet evropiane dhe botërore të futbollit, përkatësisht në UEFA dhe FIFA. Më 3 maj, Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) u pranua si anëtarja e 55-të e UEFA-s me 28 vota për, 24 kundër dhe dy vota të pavlefshme, në kongresin e 40-të të UEFA-s në Budapest. Kjo i dha fund çerekshekullit të izolimit të futbollit Kosovar dhe në të njëjtën kohë i hapi rrugën pranimit në FIFA dhjetë ditë më vonë. Me mbështetjen e menjëhershme të FIFA-s, Kosova pritet ta nis pjesëmarrjen e saj në ndeshjet kualifikuese të Kupës Botërore në shtator.

Arritjet ndërkombëtare të Kosovës në sport kanë rëndësi të trefishtë. Së pari, sikur edhe të gjitha federatat sportive të shteteve tjera anëtare, sportistet dhe sportistët kosovarë tanimë nuk kanë pengesa politike apo ligjore që të garojnë në skenën ndërkombëtare. Pavarësisht se është vetvetiu një sukses i madh, suksesi dhe lavdia nuk janë të garantuara. Suksesi në sport kërkon strategji gjithëpërfshirëse për infrastrukturë, financim dhe zhvillim të programeve të specializuara për stërvitje. Me njohje ndërkombëtare tashmë të siguruar, është koha që politikat sportive të Kosovës që përqendrohen në ndërimin e një sistemi modern të sportit kombëtar që integron sportin në sistemin arsimor dhe zhvillon infrastrukturë njerëzore dhe fizike (godina, stërvitës dhe atletë).

Anëtarësia në asociacione ndërkombëtare të sportit, veçanërisht në ato të futbollit, mundëson qasje në fonde të majme direkte të jashtme , si dhe investime në infrastrukturë dhe programe trajnimi për stërvitës, arbitra dhe atletë. Sidoqoftë, kjo nuk është dhe nuk do të duhej të ishte zëvendësim për investimet publike në sport. Kosova ka një kulturë dhe traditë të fortë të sportit që i ka rrënjët në socializëm, me një të shkuar të shkëlqyer arritjes, veçanërisht në sporte individuale. Kosova mund të mësojë nga e kaluara e saj si dhe nga përvojat dhe praktikat e shumta pozitive e shteteve të vogla por të suksesshme sa i përket organizimit dhe financimit të sportit në mënyrë që të zërë vend ndër kombet sportive të regjionit dhe më tej.

Fatkeqësisht, institutet e Kosovës kanë dështuar në përpilimin dhe implementimin e një strategjie gjithëpërfshirëse dhe plani veprues për të rritur kapacitetet trajnuese dhe organizative të atletëve kosovarë para fillimit të Lojërave Olimpike në Rio De Zhaneiro të Brazilit këtë vit, edhe pse Komitetit Olimpik të Kosovës i është dhënë anëtarësia në Komitetin Ndërkombëtar të Olimpik (IOC) në fund të vitit 2014.

Së dyti, sporti mbetet arenë qendrore shoqërore dhe politike në të cilën farkëtohet, nyjëtohet dhe përfaqësohet identiteti shtetëror/nacional. Meqë ngjarjet e mëdha të sportit bashkëkohor janë festivale të shtetësisë dhe kombësisë, kapaciteti i sporti për përhapjen e ‘markës’ shtetërore ka fituar rëndësi të lartë. Në botën bashkëkohore, sporti ua mundëson shteteve t’i shfaqin aftësitë e tyre dhe të përmirësojnë namin e tyre ndërkombëtarisht. Historikisht, edhe shtetet demokratike, edhe ato autoritare kanë investuar në sport për ta rritur legjitimitetin dhe prestigjin e tyre ndërkombëtar.

Afirmimi ndërkombëtar përmes sportit është shumë e rëndësishme për Kosovën si shtet me sovranitet të kontestuar dhe njohje të kufizuar ndërkombëtare. Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova, sportistet më të suksesshme të Kosovës, kanë hyrë në histori jo vetëm përmes ngadhënjimit në gara të mëdha ndërkombëtare në xhudo, por edhe luajtën një rol kyç në promovimin ndërkombëtar të shtetit dhe simboleve të reja të Kosovës, si dhe duke siguruar njohje të pasaportave kosovare në vende ku një gjë e tillë ishte e pamundur.

Titulli Evropian i Majlindës në Kazan të Rusisë këtë muaj përfaqëson një moment të rëndësishëm në luftën e Kosovës për përfaqësim simbolik ndërkombëtar, veçanërisht në pjesën e botës ku mohohet pavarësia e saj. Për herë të parë në histori, flamuri i Kosovës u ngrit krahas atyre të Rusisë dhe Francës, i nderuar nga ushtarët rusë.

Së treti, ndërkombëtarizimi i sportit në Kosovë mund të ketë një ndikim më të gjerë kur flasim për integrim social dhe pajtim ndëretnik. Prej përfundimit të luftës në vitin 1999, institutet e Kosovës dhe ato ndërkombëtare kanë dështuar në përdorimin e sportit për të promovuar zhvillim më të gjerë shoqëror dhe ndërtimin e paqes përgjatë komuniteteve të ndryshme etnike. Klubet sportive serbe të Kosovës ende janë nën ombrellën e federatave sportive të shtetit Serb dhe garojnë brenda sistemit sportiv të atij vendi. Në të kaluarën, një grusht ekipesh serbe janë munduar t’i afrohen sistemit sportiv të Kosovës, vetëm për t’u përballur me trysni të pamasë nga institucionet e Serbisë dhe Serb të vendit për t’i shkëputur këto lidhje.

Integrimi efektiv i atletëve dhe ekipeve sportive joshqiptare në aktivitetet sportive dhe jetën në Kosovë, në afatin e gjatë, do të ketë një ndikim pozitiv në identifikimin simbolik dhe pjesëmarrjen e komuniteteve minoritare brenda shoqërisë së gjerë. Nxitja për garë ndërkombëtare pas ndërkombëtarizimit të sportit kosovar jep një mundësi të rëndësishme për asociacionet kosovare të sportit dhe institucionet që të lehtësojnë përfshirjen e ekipeve dhe atletëve minoritarë.

Duke qenë se atmosfera festive do të fashitet në javët në vijim, është e domosdoshme që institucionet e Kosovës ta shfrytëzojnë këtë vrull dhe të nisin reforma që do të vinin themelin për një sistem sportiv bashkëkohor në këtë shtet, gjë që do të promovonte zhvillimin shoqëror së brendshmi dhe imazhin e shtetit së jashtmi. Ndërkaq, në vitet që na presin, Kosova sigurisht që do të mbështetet në talentin ndërkombëtar me origjinë nga Kosova për përfaqësim jashtë vendit (veçanërisht në futboll). Në afatin e gjatë, sfida kyçe është përcaktimi, ushqimi dhe zhvillimi i talenteve të vendit në disiplinat e ndryshme sportive.