Banorët e ishullit protestojnë në Zlatni rat. Foto: Frane dhe Roni Marinkovic

‘Lufta’ e Banorëve për ta Mbrojtur Plazhin e Artë

Banorët e ishullit Braç në Kroaci i thanë BIRN se ata do të vijojnë të protestojnë deri sa Kroacia të ndryshojë ligjin detar për të vënë bashkitë vendore dhe jo qarqet në rolin e përgjegjësit për plazhet nëpër ishuj.

“Shteti shpall fillimisht një zonë të mbrojtur, pastaj qarku jep një kontratë koncesionare. Ata po vjedhin tokat dhe burimet tona përmes ligjit”, deklaroi Josip Baçiq, anëtar i Iniciativës Bol Youth.

Ai foli pasi Ministria e Kroacisë për Detin, Transportin dhe Infrastrukturën anuloi një koncesion të dhënë nga qarku i zonës për një plazh, te një kompani private pas protestave publike.

Braç është një nga ishujt më të mëdhenj në Adriatik, i vendosur në Dalmacinë qendrore, një orë larg Splitit me traget. Supetar është qyteza kryesore por Bol është më i njohuri për turistët.

Shpesh i lavdëruar si plazhi më i bukur në Kroaci, forma e tij e pazakontë ndryshon vazhdimisht falë erës. Bol është gjithashtu destinacion i rëndësishëm për lundrimin me vela në Europë.

Duke tërhequr qindra mijëra vizitorë çdo verë, Braç është një ishull i rëndësishëm për ekonominë kroate, e cila varet pjesërisht nga turizmi.

Kështu, kur asambleja e Qarkut Split-Dalmaci i dha një koncesion për të menaxhuar plazhin një kompanie të panjohur nga Zagrebi, Super B, më 18 prill, banorët e Braçit u zemëruan.

Për 12 vjet, një kompani nën pronësinë e bashkisë ka menaxhuar plazhin që përbën interes jetësor për njerëzit që jetojnë atje. Banorët e ishullit fillimisht protestuan në Split para asamblesë së qarkut në të njëjtën ditë kur u mor vendimi.

Aktivistët përdorën letra higjenike për të shkruar “tokë e zënë” në Zlatni rat.Foto: Frane dhe Roni Marinkovic

Më 23 prill, një protestë tjetër u zhvillua në Zlatni Rad, ku qindra aktivistë përdorën letra higjenike për të shkruar “tokë e zënë” në plazh.

Presioni publik qe kaq i madh sa më 24 prill, një komision ekspertësh në Ministrinë e Detit e anuluan koncesionin, duke thënë se dhënia e tij kishte shkelur shumë ligje.

Këto përfshinin një afat për dorëzimin e ofertave, i cili nuk qe parashikuar në ligj, ndërsa informacioni nuk qe vënë në dispozicion të pjesëmarrësve në mënyrë të barabartë. Vendimi nuk duhej të bëhej pa lejen paraprake nga ministria.

Në të njëjtën ditë, Super B njoftoi se po tërhiqej nga Braç. “Në të ardhmen, ne shpresojmë që çështje të tilla të rëndësishme të vendosen nga ekspertët, të udhëhequr nga kritere të qarta dhe jo nga qendrat politike të pushtetit e pa argumente”, tha kompania.

“Nëse objektivi është për të krijuar një shoqëri transparente e të përparuar, një përqasje e hapur dhe progresiste ndaj investitorëve potencialë është rruga e duhur përpara”, tha kompania, duke refuzuar kërkesat e BIRN për më shumë komente.

Kur morën lajmin e anulimit, banorët e ishullit thanë se ata qenë të lumtur por jo euforikë.

“Ne jemi të lumtur por puna nuk ka mbaruar. Ata mund të përpiqen të na bëjnë budallenj. Ne nuk do të harrojmë se zgjedhjet vendore janë afër dhe ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Ivana Boshkoviq Iviçiq, drejtoreshë e Qendrës Bol për Kulturë.

“Ne po përgatisnim një protestë tjetër kur dëgjuam se kompania nga Zagrebi kishte hequr dorë nga koncesioni. Ky është lajm i madh për ne por kjo qe vetëm kërkesa jonë e parë. Ne duam që Ligji për Detin të ndryshohet dhe bashkitë të jenë përgjegjëse për dhënien e koncesioneve (në plazhe) dhe jo qarqet”, shtoi Boshkoviq Iviçiq.

Sipas Ligjit aktual Detar, ishujt dhe plazhet, të cilat janë kategorizuar si zona të mbrojtura, janë vënë nën juridiksionin e qarqeve ndërsa banorët e Braç dhe ishujve të tjerë duan më shumë decentralizim.

BIRN pyeti Ministrinë e Çështjeve Detare për komente mbi këtë kërkesë, por ministria i tha se detyra e saj qe ruajtja e cilësisë së detit ndërkohë që Ministria e Punëve Publike ka juridiksion mbi çështjet e pushtetit vendor. Gjithsesi, Ministria e Punëve Publike refuzoi të komentojë dhe ia referoi pyetjet sërish Ministrisë së Çështjeve Detare.

Ivan Kopriq, një profesor i ligjit në Zagreb, i tha BIRN se ky është një rast që dëshmon edhe më shumë mungesën e qartësisë në organizimin territorial të Kroacisë.

Megjithëse nuk është roli i tyre kushtetues, tha Kopriq, qarqet i kanë dhënë vetes rolin e menaxherit të burimeve të ndryshme si plazhet, të cilat duhet të jenë në duart e banorëve vendës.

“Nga ana tjetër, bashkitë tona dhe shumë qyteza janë shpesh kaq të vogla sa nuk kanë kapacitet për të menaxhuar punët e tyre, për të siguruar ligjshmëri dhe për të vendosur burime të tilla në funksion të zhvillimeve më të gjera shoqërore dhe ekonomike”, vërejti Kopriq.

Josip Baçiq i tha BIRN se fitorja në Zlatni Rat qe vetëm hapi i parë.

“Portet dhe plazhet janë burimet e vetme që i janë lënë ishullit dhe ne duam të kujdesemi për to. Gjithnjë e më pak njerëz jetojnë në ishull, kështu që nëse ata i marrin të gjitha të mirat që kemi, askush nuk do të mbetet këtu”, tha Baçiq.

Sipas të dhënave të fundit nga viti 2011, 1,661 njerëz jetojnë në Bol por që nga ajo kohë largimi i njerëzve ka vijuar dhe popullsia mund të jetë edhe më e vogël.

Baçiq shpjegoi se Braç nuk është ishulli i vetëm me probleme të tilla. Problemet janë të ngjashme në ishujt e tjerë të Kroacisë.

Ai dhe kolegët e tij nga Iniciativa Rinore si dhe shumë banorë të ishullit duan që bashkitë dhe qytezat të menaxhojnë vetë këto burime me rëndësi vendimtare.

“E njëjta gjë mund të ndodhë sërish”, paralajmëroi ai, “kështu që ne duam që qeveria ta ndryshojë atë nen të ligjit dhe t’i japë bashkive më shumë pushtet. Ata mund ta bëjnë këtë menjëherë”, shtoi Baçiq.

Tihomir Marinkoviq, kryebashkiak i Bol, i tha BIRN se asambleja e Kontesë Split-Dalmaci nuk duhej të kishte hapur kurrë një garë për koncesion për një nga plazhet më të bukura të bregut të Adriatikut.

Ai argumenton gjithashtu se një garë e tillë nuk ka kushtet bazë paraprake për të funksionuar për shkak se nuk ka një plan urban për plazhin.

Pa një plan urban, është e paqartë se çfarë lloj ndryshimesh do të lejohen në plazh e përreth tij.

Banorët vendës nuk duan infrastrukturë të re me tepri nga frika se ajo do të rrënojë bukurinë natyrore të plazhit.

“Qarku zgjodhi një kompani nga Zagrebi sepse ata premtuan investime të mëdha. Por kompania nuk kishte një plan serioz, oferta e tyre qe tërësisht jorealiste”, tha Marinkoviq.

“Ne jemi skeptikë mbi kompani të tilla për shkak se objektivi i tyre i vetëm është që të fitojnë para brenda një periudhe të shkurtër ndërsa ne duhet të kujdesemi për plazhin përgjatë të gjithë vitit”, shtoi ai.

Mirco Periq, drejtor i kompanisë që menaxhoi plazhin Zlatni Rat për 12 vjet, mendon gjithashtu se një plan i ri urban është i nevojshëm para se ndryshime të mundshme të  bëhen në të ardhmen.

“Ky plazh është unik. Ne kemi nevojë për kritere të forta mbi atë që mundet dhe nuk mund të bëhet mbi Zlatni Rat. Vetëm pasi të vendosësh se çfarë mund të bësh, mund të bësh gara për koncesion”, tha Periq, duke vërejtur se kompania ka aktualisht 32 banorë të zonës të punësuar si dhe ka financa të shëndosha.

Pasi Super B braktisi koncesionin, duke argumentuar se nuk do të veprojë kundër vullnetit të banorëve të zonës, Zlatni Rat duket se është një histori e mbyllur për ta. Por për banorët e ishullit, beteja sapo ka filluar. Ata duan të vijojnë ta mbajnë plazhin në duart e banorëve vendës.

“Ne do të luftojmë për fëmijët dhe nipërit tanë. Ky plazh duhet të mbetet në duar publike”, tha Marinkoviq.