Smira, fshati model i organizimit qytetar - Foto: Facebook

Lokalitetet që Qeverisin Veten

Mësime nga organizimi komunitar në gjashtë lokalitete të ndryshme të Kosovës, aktivizmi i të cilave do të duhej të shërbejë si model për përhapjen e organizimit qytetar.

Më 2006, banorët e fshatit Smirë të Vitisë kishin ndarë nga buxheti familjar mjete të mjaftueshme financiare për asfaltimin e një rruge lokale brenda fshatit.

NDËRLIDHUR

Grumbullimi i parave nga fshatarët për punë të përbashkëta në infrastrukturën e fshatit nuk ishte edhe aq problem, duke marrë parasysh që Smira kishte një traditë të hershme të aktivizmit.

Pas sigurimit të parave, Këshilli i fshatit shpalli thirrje publike për kompanitë e interesuara, me kushtet të cilat i kishin vënë banorët. Në fund, Këshilli përzgjodhi ofertën më të mirë dhe shtrimi i rrugës iu besua kompanisë e cila dha ofertën më të mirë.

Edhe pas 11 viteve, rruga e shtruar me vetëfinancim dhe me mbikëqyrje të banorëve është në gjendje më të mirë se shumë rrugë të tjera të shtruara në fshat nga komuna.

Por, angazhimi vullnetar i banorëve të Smirës është përjashtim dhe jo normë në Kosovë.

Sipas një ankete të realizuar nga Instituti GAP në fillim të këtij viti, 85% e qytetarëve kanë deklaruar se në 12 muajt e fundit nuk kanë kryer asnjë punë vullnetare; afër 97% kanë deklaruar se nuk janë pjesë e asnjë nisme qytetare apo shoqate; kurse 81% e qytetarëve të anketuar nuk marrin pjesë asnjëherë në debatet që organizon komuna.

Këto të dhëna janë dëshpëruese dhe një kthim mbrapa nga aktivizmi qytetar që kosovarët dëshmuan gjatë rezistencës politike në vitet e ’90-ta. Një dukuri të këtillë, kur në një sistem demokratik qytetarët nuk angazhohen fare në punët publike, profesori Edward C. Banfield e ka quajtur si “familjarizëm amoral”.

Por, ashtu sikurse Smira ekzistojnë edhe lokalitete të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, të cilat kanë arritur të organizohen mjaft suksesshëm.

Banorët e fshatrave Stubëll e Epërme, Dobërqan, Koretin, Isniq, Lubinjë e Epërme dhe Korishë, vetorganizohen në pastrimin e hapësirave publike nga mbeturinat, pastrimin e varrezave, ndërtimin e shtëpive të banimit për banorët me gjendje të rëndë sociale, financimin e aktiviteteve kulturore e sportive.

Banorët e Stubllës së Epërme të komunës së Vitisë, së bashku me ndihmën e shoqatave nga diaspora, kanë filluar punimet për ndërtimin e një shtëpie për të moshuar, në të cilën do të vendosen mërgimtarët gjatë kohës sa vizitojnë vendlindjen e tyre.

Aktivistët në fshatin Koretin të komunës së Kamenicës kanë filluar regjistrimin e të gjithë banorëve të të gjitha lagjeve të fshatit, duke publikuar statistika të detajuara për numrin e anëtarëve të familjes, numrin e anëtarëve që jetojnë në diasporë dhe të dhëna për personat më të moshuar në secilën lagje. Statistika të cilat do t’i kishte lakmi edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Këshilli i fshatit Hulaj në komunën e Deçanit ka një organizim më të veçantë se sa fshatrat e tjera. Këshilli i fshatit ka krijuar Komisionin për mbikëqyrje, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e investimeve infrastrukturore që Komuna i bën në fshat; Komisionin për financa, i cili është përgjegjës për grumbullimin e kontributeve financiare të banorëve për punët publike; Komisionin për gra, i cili është përgjegjës për avancimin e të drejtave të grave dhe angazhimin e grave në diskutimet publike.

Në një pjesë tjetër të Kosovës, për çdo vit banorët e fshatit Korishë grumbullojnë deri në 30 mijë euro për të investuar në infrastrukturën e fshatit dhe për të paguar katër punëtorët e rregullt të cilët kujdesen për hapësirat publike për çdo ditë.

Njësoj veprohet edhe në fshatin Dobërqan. Shoqata e vullnetarëve të këtij fshati punëtorët e mirëmbajtjes i zgjedh përmes konkursit publik, duke u dhënë përparësi banorëve me gjendje më të rëndë sociale.

Në tërë këto aktivitete ndihmën më të madhe financiare e japin ata që jetojnë në diasporë. Në kundërshtim me bindjen e krijuar se diaspora kosovare pas vitit 1999 nuk interesohet për punët publike dhe nuk financon asgjë përveç familjeve të tyre, hulumtimi i Institutit GAP dëshmon se në disa lokalitete diaspora është ende aktive, ashtu sikurse në vitet e ’90-ta.

Përveç diasporës, ndihmë të madhe në organizimin e këtyre fshatrave japin edhe bizneset që janë në pronësi të banorëve të këtyre fshatrave.

Këta shembuj të vetorganizimit qytetar do të duhej të ishin model për organizimin e banorëve në të gjitha fshatrat dhe lagjet e Kosovës.

Komunat nuk do arrijnë asnjëherë që të mirëmbajnë hapësirat publike të të gjitha lokaliteteve. Kjo për shkak të kufizimeve financiare që kanë komunat, por edhe për shkak të paaftësisë në qeverisje. Por, komunat dhe institucionet publike në përgjithësi mund të krijojnë lehtësira dhe të inkurajojnë vetorganizimin qytetar.

Ligji për Vetëqeverisje Lokale parasheh që komunat të ndihmojnë në themelimin e këshillave lokalë dhe të bashkëpunojnë me to për të adresuar çështje të ndryshme që bien në kompetencë të organizimit komunal.

Mirëpo, në shumë raste komunat nuk ndihmojnë në themelimin e këtyre këshillave dhe pengojnë punën e tyre duke i politizuar. Për shembull, Komuna e Klinës ende nuk i ka themeluar këshillat lokalë. E pothuajse në secilën komunë evidentohen raste të interferimeve politike të kryetarëve të komunave për të zgjedhur kryetarë të këshillave lokalë nga radhët e partive politike që ata u takojnë. Kjo ka sjellë konflikte partiake dhe pengimin e aktivizimit të mirëfilltë qytetar.

Përveç që komunat nuk duhet të bëjnë presione partiake në organizimin e këshillave, ato do të duhej të gjenin mënyra në angazhimin e qytetarëve në mbikëqyrjen e projekteve publike.

Rasti i Smirës dhe i fshatit Hulaj dëshmon se mbikëqyrja e projekteve publike nga banorët rrit cilësinë dhe qëndrueshmërinë e projekteve.

Shumë nga kryetarët e këshillave lokalë ankohen se nuk informohen asnjëherë për investimet që ndodhin në lokalitetet e tyre, e aq më pak që të përfshihen në planifikim e mbikëqyrje. Po ashtu, komunat dhe institucionet qendrore duhet të krijojnë bazë ligjore për njohjen dhe promovimin e punës vullnetare, duke përfshirë edhe dhënien e mirënjohjeve jofinanciare.

Gratë janë tërësisht të përjashtuara nga aktiviteti i këshillave lokalë në fshatra dhe qytete. Mbi 99% e këshillave lokalë udhëhiqen dhe përbëhen nga burrat. Por ka edhe përjashtime. Në Komunën e Shtimes gratë udhëheqin me këshillat lokalë të dy fshatrave, Belincë dhe Zborc.

Përveç fshatit Hulaj, i cili ka themeluar Komisionin për gratë, edhe në fshatin Begracë të komunës së Kaçanikut funksionon shoqata e grave e cila avokon për fuqizimin e grave.

Funksionalizimi i këshillave lokalë dhe inkurajimi i formave të tjera të aktivizmit qytetar është i domosdoshëm për funksionimin e një sistemi demokratik qeverisës.

Këto forma të organizimit ndihmojnë edhe vetë komunat në kryerjen e punës së tyre me sukses.

Po ashtu, forma të tilla të organizimit, ndikojnë  në forcimin e lidhjeve me diasporën, duke i mbajtur ata të angazhuar në çështjet publike në vendlindjen e tyre.

E shembujt e lartcekur dëshmojnë se organizimi komunitar në Kosovë është i mundshëm, madje është shumë më kreativ, më efikas e më parimor sesa organizimet e sponsorizuara nga komunat apo donatorët ndërkombëtarë.

14 Maj 2017 - 18:06

Agron Demi 14/05/2017 - 18:06
NDËRVEPRIMI484

Lokalitetet që Qeverisin Veten

by Agron Demi
NA NDIQNI

Send this to a friend