Protestues në Beograd shprehin zemërim ndaj asaj që e shohin si autoritarizëm në rritje në Serbi pas zgjedhjeve presidenciale të Prillit 2017, zgjedhje që u shoqëruan me aludime për korrupsion. Foto: Beta

Lojëra Partish: Kukafshehti me Paratë e Zgjedhjeve

Në fillim ata nuk kërkuan asgjë në shkëmbim.

Një anëtar i zonës i partisë në pushtet në Serbi e pati ndihmuar të gjente një vend pune si mësuese. Ajo njihte shumë raste të tilla të njerëzve që kishin gjetur punë në institucionet publike apo në kompanitë e drejtuara nga njerëz me lidhje me Partinë Progresive të Serbisë. Nuk kishte turp për këtë, veçanërisht për shkak se norma e papunësisë është gati 15 për qind.

Ndërsa zgjedhjet presidenciale po afronin në pranverën e vitit 2017, partia e ftoi atë në takime të përjavshme. Aleksandar Vuçiç, kryeministri i atëhershëm i Serbisë, qe kandidati konkurrues i Progresivëve për kreun e shtetit.

Fitorja do t’i jepte partisë së tij suksesin e katërt radhazi në zgjedhje presidenciale e parlamentare në pak më shumë se gjashtë vjet dhe do të çimentonte pozicionin e Vuçiçit si njeriu më i fuqishëm në politikën e Serbisë.

Në një takim, një zyrtar e mori mësuesen mënjanë dhe i dha asaj para të thata: 40 mijë dinarë, në atë kohë afërsisht të vlefshme sa 320 euro. Këto vinin nga një donacion i madh, shpjegoi zyrtari, pa dhënë detaje të mëtejshme. A do t’i dhuronte ajo pas te partia nën emrin e saj?

“Unë thjeshtë mora zarfin me para dhe një numër llogarie për t’i paguar ato,” tha ajo. “Çdokush e dinte se çfarë po ndodhte kur unë shkova në bankë. Ata sakaq e dinin se si funksiononin pagesat. Më vonë, unë i dërgova atyre faturën si dëshmi që i kisha paguar paratë.”

Me frikë se ajo mund të humbte punën e saj, gruaja refuzoi të identifikohej. Ajo tha se pa zyrtarët e partisë që i kërkonin të tjerëve në mbledhje të ngjashme të bënin donacione të tilla.

“Nëse ajo nuk e bënte, dikush tjetër mund ta bënte, e çfarë mund të them?”

Një investigim nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Investigative, BIRN, tregon se rasti i saj nuk qe i izoluar por pjesë e një praktike nga Progresivët në përdorimin e donatorëve të rremë për të fshehur burimin e vërtetë të dhuratave për fushatën – praktikë kjo ilegale sipas ligjit Serb të financimit të aktiviteteve politike.

Demonstruesit krahasojnë presidentin e sapozgjedhur të Serbisë Aleksandar Vucic me diktatorin e Koresë së Veriut. Pankarta lexon: “A fle në paqe Kim Jong Un?” Foto: Beta

Ndërsa qe e pamundur të gjurmohej prejardhja e parave që dyshohet se po pastrohej përmes donatorëve fals, investigimi zbuloi prova të shkeljes sistematike të ligjit nga partia në këto dhe në zgjedhje të mëparshme.

Partia nuk iu përgjigj kërkesave për komente.

Investigimi vuri gjithashtu në dukje kulturën e pandëshkueshmërisë.

BIRN mund të zbulojë se autoritetet anti-korrupsion dëshironin që prokurorët të nisnin hetime penale në lidhje me aktivitetin e dyshuar ilegal gjatë zgjedhjeve më 2014, por asnjë person nuk është akuzuar, duke hedhur dyshime mbi pavarësinë e shërbimeve të prokurorisë të Serbisë.

Analistët nxjerrin paralele me republikat e tjera të ish-Jugosllavisë ku elitat politike kanë rrëmbyer institucionet publike për përfitim të vetin ndërsa kanë nxjerrë jashtë loje opozitën.

“Ata më morën në telefon një natë dhe më thanë të shkoja te zyra e partisë”

– një burrë anonim i cili thotë se ai funksionoi si donator i rremë për partinë në pushtet në Serbi

Në Malin e Zi dhe Maqedoninë, autoritetet kanë mbyllur sytë prej kohësh në aludimet për financim të paligjshëm të partive në pushtet përmes pastrimit të parave dhe mjeteve të tjera.

Por luftëtarët kundër korrupsionit tregojnë Maqedoninë si një rast studimor se çfarë mund të ndodhë në rastet kur prokurorët mbeten të pafuqishëm.

Pas një skandali korrupsioni që rrëzoi qeverinë, ish-kryeministri i Maqedonisë dhe bashkëpunëtorët e tij të ngushtë u vunë nën hetim për përdorimin e donatorëve fals për të pastruar paratë. Ata janë akuzuar gjithashtu edhe për manipulim të zgjedhjeve.

Listë misterioze

Në Serbi, BIRN gjeti mësuesen dhe katër të tjerë të cilët pranuan se kanë bërë donacione false nga një listë me emra të publikuara në faqen e internetit të Agjencisë Anti-Korrupsion, ACA, institucionin e pavarur shtetëror që ka për detyrë policimin e aktiviteteve financiare të politikës.

Partitë në Serbi janë të detyruara me ligj të raportojnë paratë e fushatës, përfshirë donacionet, brenda 40 ditëve pas zgjedhjeve. Agjencia pastaj publikon emrat e donatorëve dhe shumave si pjesë e një kontrolli rutinë mbi financimin e fushatave.

Por kjo listë qe ndryshe nga të tjerat.

Për një gjë, 98 për qind e donatorëve individualë të Progresivëve kanë dhënë saktësisht të njëjtën shumë: 40 mijë dinarë. Kaq shumë, në fakt, aq iu desh agjencisë një javë për të vendosur të 6,789 emrat në databazën e saj në internet.

Radovan Lazic, president i bordit të sindikatës së prokurorëve, thotë se emërimi i prokurorëve në Serbi është një “proces politik par excellence”. Foto: Bojana Bosanac

Nuk kishte asgjë ilegale në këto shuma. Sipas ligjit Serb, individët mund të japin donacion te partitë deri në 20 herë pagën mesatare mujore, e cila qe gati 385 euro në Mars. Dhe ndryshe nga vendet e tjera në rajon, Serbia nuk ka kufizim për fondet e përgjithshme që partitë mund të mbledhin për të bërë fushatë.

Por është gjithsesi vepër penale, e ndëshkueshme me deri pesë vjet burg, nëse përpiqesh të fshehësh burimin e donacioneve.

Shumë njerëz të kontaktuar nga BIRN refuzuan të komentojnë, por pesë prej tyre në mënyrë të pavarur nga njëri-tjetri konfirmuan se u qenë dhënë 40 mijë dinarë nga zyrtarë të partisë për t’i dhuruar për Progresistët më 2017.

Që të gjithë kërkuan të mbeten anonimë.

“Ata telefonuan një natë dhe më thanë të shkoja te zyra e partisë,” tha një burrë, 27 vjeç. “Nuk pati më shumë shpjegime në telefon.”

Bashkërisht, ushtria e Progresistëve me donacione çuditërisht uniforme individuale kontribuoi për më shumë se dy milionë euro për fushatën e Vuçiç – më shumë se një e treta e të gjitha fondeve të saj për fushatën, të cilat qenë 6.5 milionë euro. Shumica e pjesës tjetër erdhi nga buxheti i shtetit në përputhje me rregullat elektorale.

Këto fonde qenë ndjeshëm më të larta se sa të ardhurat e përbashkëta të dhjetë kandidatëve të tjerë, të cilat qenë pak më shumë se 4.3 milionë euro gjithsej.

Kjo fuqi shpenzuese lejoi që Progresistët të mobilizonin manifestime masive, të mbushnin vendin me pankarta dhe të zbusnin gazetat me reklama.

Në fakt, partia shpenzoi 83 për qind të financave të fushatës vetëm në reklama – më shumë se sa 5.3 milionë euro, shifër kjo më e madhe se sa shpenzimet e të gjithë kandidatëve të tjerë të marrë sëbashku.

‘Pastër si biblil’

Në fund, Vuçiç fitoi me shumicë dërrmuese prej 55 për qind të votave pas zgjedhjeve të cilat grupimet e monitorimit thanë se qenë të cënuara nga blerja e votave, frikësimet dhe kontrolli i medias. Kandidati i dytë në garë mori vetëm 16 për qind.

“Veçanërisht të gjithëpërhapura… qenë raportet për presione m bi punëmarrësit e shtetit dhe institucioneve të lidhura me shtetin për të mbështetur z. Vuçiç dhe për të siguruar, në formë ujëvare mbështetje nga të varurit e punëtorëve, familjarë dhe miq të tyre,” tha Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë në raportin e saj në qershor.

Një polic me veshje antiprotestë po qëndron pranë një ndërtese të spërkatur me bojë në Shkup gjatë “revolucionit shumëngjyrësh” të Maqedonisë më 2015. Zemërimi mbi akuzat për abuzim me pushtetin në fund sollën rrëzimin e qeverisë. Foto: BIRN

Në orën 10.25 të 2 prillit, shpejt pasi u shpallën rezultatet, Vuçiç u ngjit në një podium në selinë qendrore të Partisë Progresiste në lagjen e biznesit në Beograd. Njeriu që pati shërbyer si ministër informacioni për diktatorin Serb Sllobodan Millosheviç, në fund të viteve 1990 nuk qe i panjohur me akuza:

Fitorja e tij qe “e pastër si bilbil”, tha ai para gazetarëve.

Ditën tjetër, mijëra demonstrues, më së shumti të rinj, morën rrugët nëpër qytetet e të gjithë Serbisë, duke i fryrë biblilëve dhe duke i rënë kusive.

“Vuçiç, ti i vodhe zgjedhjet,” kënduan protestuesit. “A fle i qetë, Kim Jong Un?” lexonte një pankartë, duke e krahasuar Vuçiçin me udhëheqësin e Koresë së Veriut.

Protesta e Serbëve Kundër Diktaturës, siç i quajtën organizatorët këto demonstrata, qenë reminishencë e rebelimeve të kohëve të fundit në Malin e Zi dhe Maqedoni, ku protestuesit bënë thirrje për dorëheqjen e sundimtarëve të vjetër, duke i akuzuar ata për korrupsion, abuzim me pushtetin dhe mashtrim elektoral.

Protestat i bënë jehonë edhe demonstratave masive në vitet 2000 të cilat rrëzuan Millosheviçin pas zgjedhjeve të diskutueshme. Por ndryshe nga ajo shprehje zemërimi, protestat anti-Vuçiç u fashitën pas disa javësh.

Megjithëse roli i presidentit është gjerësisht ceremonial, kritikët thonë se rezultati i hapi rrugën Vuçiçit për të shtrënguar më tej kontrollin e tij mbi pushtetin në një vend ku patronazhi politik dhe klientelizmi ecin dorë më dorë me autoritarizmin shtypës.

“Rezultatet kanë shkatërruar institucionet e parlamentit dhe të qeverisë, të cilat janë tashmë funksione të presidentit,” tha Zoran Gavrilovic, drejtor i Byrosë për Kërkime Shoqërore, një institut kërkimor në Beograd.

Ndërsa zgjedhjet e ardhshme parlamentare janë në vitin 2020, Vuçiç dhe Progresistët duken të pasulmueshëm.

Gjurmë financiare

Si fytyra e shpresave të Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Europian, Vuçiç ka projektuar një imazh udhëheqësie të qëndrueshme në një rajon të trazuar edhe pse kritikët në shtëpi e akuzojnë atë se ka manipuluar sistemin në favor të partisë në pushtet.

Ai u bë kryeministër më 2014, një vit kyç në të cilin Progresistët realizuan fitoren e parë të shumicës së thjeshtë në parlament që nga rrëzimi i Milloshevicit. Vuçiç më herët pati shërbyer si ministër mbrojtjeje dhe zëvendëskryeministër pas zgjedhjeve të vitit 2012 të cilat e ngjitën Partinë Progresive në pushtet.

Anëtarë të Prokurorisë së re Speciale të Maqedonisë, të ndërtuar për të hetuar krimin e nivelit të lartë, japin një konferencë për shtyp në Shkup. Prokurorja Lence Ristoska është e dyta nga e majta. Foto: BIRN

Dyshimet për pastrim parash shoqëruan të dyja këto sondazhe. Parti të tjera kishin gjithashtu donacione të dyshimta, përfshirë kompani që dhanë me bujari pavarësisht se kishin bilance me humbje. Por Progresivët qenë unikë në pasjen e mijëra kontribuesve të cilët dhanë saktësisht të njëjtat sasi.

Këto shuma u bënë gjurmë financiare të aktivitetit të dyshimtë gjatë fushatës së Progresivëve.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2012, 98 për qind e 2,300 donatorëve individualë dhanë që të gjithë 19 mijë dinarë.

Shuma e parapëlqyer qe 40 mijë dinarë në fushatat e mëvona. Më 2014, 95 për qind e më shumë se 2,800 donatorëve dha të njëjtën shumë, ndërsa më 2017, qenë 98 për qind nga pothuajse 7 mijë dhurues.

Përjashtimi qe te zgjedhjet parlamentare të vitit 2016, kur Progresivët morën vetëm 17 donacione, të gjitha në masën 40 mijë dinarë. Shumica e parave atë vit erdhi nga burimet e vetë partisë pas një ndryshimi në ligj që lejoi përzierjen e fondeve të rregullta me fondet e fushatave.

ACA pati një arsye të vjetër për të pasur dyshime mbi donacione e Progresivëve.

Në vitin 2012, agjencia ngriti flamur të kuq për 33 donacione për partinë nga njerëzit që ishin në skemat e ndihmës ekonomike, sipas një raporti të publikuar në faqen e saj të internetit pas zgjedhjeve.

“Kontribute të caktuara të këtyre njerëzve përbëjnë 50 për qind apo më shumë të ndihmës ekonomike që ata kanë marrë,” tha agjencia, duke shkaktuar spekulime se donacionet çuditshëm dorëgjera nga këta përfitues të ndihmës ekonomike mund të jenë emra fals për donacione të fshehta.

Investigimi i BIRN zbuloi se agjencia pati gjithashtu shqetësime serioze mbi fushatën e vitit 2014 pas një raporti nga një institucion tjetër shtetëror, Administrata për Parandalimin e Pastrimit të Parave, përgjegjës për inteligjencën financiare.

“Vuçiç, ti i vodhe zgjedhjet!”

– thirrje nga demonstruesit pas zgjedhjes së Aleksandar Vuçiç si president në prill

Katër ditë pas zgjedhjeve, ACA mësoi se 135 transaksione bankare në të cilat njerëzit patën depozituar 40 mijë dinarë në llogaritë e tyre bankare qenë pasuar nga transferime të të njëjtave shuma në llogarinë e Progresivëve si donacione.

Pothuajse tri vjet më vonë, në Mars, ACA dorëzoi një raport te prokurorët duke i nxitur ata të nisin procedime penale në lidhje me transaksionet e tyre, me vlerë gati 46 mijë euro.

Agjencia supozoi se donacionet qenë “në të vërtetë nga aktivitete ilegale, mes të tjerave nga pastrimi i parave,” në një raport që është parë ekskluzivisht nga BIRN.

Raporti i ACA vuri gjithashtu në dukje dy transferta të dyshimta bankare për parti të tjera, njëra me vlerë 5,600 euro për Partinë Socialiste të Serbisë dhe një tjetër 690 euro për Rajonet e Bashkuara të Serbisë. Raporti nxiti prokurorët që të vepronin edhe në lidhje me këto transferta.

Rajonet e Bashkuara të Serbisë tashmë është e mbyllur ndërsa Progresistët dhe Socialistët nuk iu përgjigjën pyetjeve të BIRN për përmbajtjen më specifike të raportit të ACA apo ndonjë akuze potenciale në lidhje me zgjedhjet e vitit 2014.

Progresistët gjithashtu nuk iu përgjigjën pyetjeve mbi pesë personat që pranuan se kishin qenë dhurues fals më 2017 dhe zbulimit nga ana e ACA e donatorëve që vinin nga shtresat në nevojë më 2012.

Ndërhyrje politike?

Pyetur mbi vonesat trevjeçare të agjencisë në dorëzimin e raportit mbi zgjedhjet e vitit 2014 te prokurorët, Bozo Drashkoviç, një ish anëtar i bordit të ACA ia hodhi fajin “ndërhyrjeve politike”.

“Kini parasysh se njerëzit në ACA marrin sinjale nga bordi,” tha ai. “Nëse bordi është i pavarur, ai do të vendosë nën presion drejtorin dhe të tjerët për të bërë punën, por nëse ai është nën ndikim politik, njerëzit rrezikojnë të humbasin vendin e tyre të punës. Ky është thelbi i çdo gjëje. Dhe pastaj nga eksperienca e kam që ata shtyjnë punën për më vonë”.

Jelena Gjorgjeviç, një këshilltare në departamentin e ACA për Kontrollin e Deklaratave Financiare të Subjekteve Politike, tha se agjencia nuk kishte fuqi të hetonte apo ekzaminonte dëshmitarë, gjë që e bënte të vështirë të niste akuza penale. Për atë arsye, ky departament ia ka dërguar gjetjet e veta prokurorëve.

Zyra e prokurorit tha se i ka kthyer mbrapsht raportet te ACA për kontrolle të mëtejshme. Ai refuzoi të komentojë më tutje. Sa për publikimin, ai nuk ka ngritur akuza.

Progresistët nuk iu përgjigjën pyetjeve specifike të BIRN mbi raportin ACA, për akuzat potenciale në lidhje me zgjedhjet e vitit 2014 apo të pesë donatorëve falso të vetërrëfyer të vitit 2017.

Nemanja Nenadiç, drejtor programi në organizatën e luftës kundër korrupsionit Transparency Serbia, tha se prokurorët kishin detyrën për të shqyrtuar donacionet e dyshimta dhe të gjenin se nga kishin ardhur paratë.

“Kjo nuk është bërë kurrë dhe nuk ka asnjë justifikim të pranueshëm për dështimin e prokurorisë për të vepruar,” tha ai.

Në Serbi, prokurorët publikë emërohen nga qeveria dhe konfirmohen nga parlamenti, gjë që do të thotë se zgjedhja e tyre varet nga maxhoranca në fuqi. Ata shërbejnë me një mandat deri në gjashtë vjet dhe mund të rizgjidhen në pothuajse pafundësi.

Unik në rajon, ky sistem është një “proces politik par excellence” që hap derën e pengimit të drejtësisë, tha Radovan Laziç, president i bordit të sindikatës së prokurorëve të Serbisë.

“Nëse prokurorët e dinë se ata do të duhet të rizgjidhen pas një periudhe të caktuar sërish nga politikanët, ata nuk kanë arsye që të gjejnë fajtorë mes tyre,” tha ai.

“Edhe nëse një prokuror është shumë i motivuar nuk do të gjejë vepër penale në mënyrë që të sigurojë një mandat të ri.”

Serbia renditet në vend të 118 nga 137 vende në terma të pavarësisë së sistemit të drejtësisë në raportin e fundit mbi Konkurrueshmërinë Botërore, të Forumit Ekonomik Botëror, menjëherë pas Bosnjës, Mauritanisë dhe Mozambikut.

Një analizë e Bankës Botërore më 2014, tregoi se 25 për qind e gjykatësve dhe 33 për qind e prokurorëve në Serbi mendojnë se sistemi i drejtësisë nuk është i pavarur.

Kur prokurorët janë të pavarur…

Përtej kufirit në Maqedoni, prokurorët janë të njohur mbi ndërhyrjet politike. Por disa po kundërveprojnë dhe luftëtarët kundër korrupsionit thonë se shembulli i tyre përbën një frymëzim për hetuesit anti-korrupsion në Serbi dhe gjithkund tjetër.

Në Shkup, prokurorja publike Lence Ristoska rikujton një ngjarje një natë më 2016, kur ajo dhe kolegët e saj po punonin natën vonë në zyrën e Prokurorisë Speciale, SJO, të krijuar për të hetuar krimin e nivelit të lartë.

Ata dëgjuan zhurma nga jashtë dhe u afruan te dritarja. Këto qenë kohë të trazuara në Maqedoni, SJO qe krijuar si pjesë e një marrëveshjeje për zgjidhjen e krizës të ndërmjetësuar nga BE pas skandalit të përgjimeve që pati paralizuar vendin.

Ata panë një turmë me njerëz që bërtisnin “Bravo!” dhe “Rruga e duhur!”

“Qe kaq inkurajuese të shihte se dikush më në fund e vuri re dhe pranoi që ne po bënin gjënë e duhur, se ne nuk ishim vetëm në këtë betejë,” tha Ristoska. “Kjo qe dita kur ne kuptuam se nuk kishte kthim pas për ne.”

Njerëzit jashtë dritares qenë protestues që kërkonin dorëheqjen e Nikola Gruevskit, në atë kohë kryeministër dhe udhëheqës i partisë në pushtet të njohur nga akronimet VMRO DPMNE.

Kjo qe në krye të muajve të tërë trazirash të njohura si “revolucioni shumëngjyrësh” për shkak të bojës që demonstruesit derdhën mbi ndërtesat publike dhe monumentet.

Zemërimi shpërtheu më 2015 pasi udhëheqësi i opozitës Zoran Zaev pretendoi se qeveria e Gruevskit qe pas përgjimeve ilegale të 20 mijë njerëzve dhe krimeve të tjera, përfshirë manipulim të zgjedhjeve, akuza të cilat Gruevski i mohon.

Mes gjërave të tjera, SJO po heton aludimet se Gruevski dhe dhjetë bashkëpunëtorë të tij financuan ish partinë në pushtet përmes parave të pista.

Me emrin kod “Talir” [monedha e argjendtë], hetimi kundër pastrimit të parave mbulon një periudhë mes viteve 2009 dhe 2015. Prokurorët dyshojnë se partia pastroi së paku pesë milionë euro duke përdorur donatorë fals.

Tranparency Macedonia pati theksuar në mënyrë të përsëritur shqetësimet mbi pastrimin e parave para prokurorëve, auditorit të shtetit dhe autoriteteve fiskale. Askush nuk veproi, pjesërisht për shkak se emrat që u shfaqën në listat e donatorëve refuzuan të pranonin se kishin qenë pjesë e mashtrimit.

“Njerëzit ngurojnë të ngrihen në këmbë përballë frikës publike se mund të humbasin vendet e punës, apo dyqanet mund të mbyllen apo mund të ndëshkohen në mënyra të tjera,” thotë Slagjana Taseva, presidente e grupit anti-korrupsion. “Sundimi i tyre qe sundimi i frikës në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës.”

Ndërkohë, SJO përballej me rezistencë nga organizmat e tjerë shtetërorë, tha prokurorja Ristoska, përfshirë vonesa në dorëzimin e të dhënave të kërkuara dhe fshehjen e dokumenteve të arkivuara.

Nga 20 kërkesa para gjykatësve për të mbajtur personat e dyshuar të ndaluar, vetëm dy u miratuan, megjithëse kërkesa të tilla zakonisht janë rutinë.

“Unë isha gati për çdo gjë, por thjeshtë nuk mund të besoja se kolegët e mi, gjykatës apo prokurorë, mund t’i jepnin vetes kaq shumë liri në interpretimin e ligjit, thjeshtë për të justifikuar vendimet e tyre të gabuara,” tha ajo. “Ky qe një zhgënjim i madh për mua.”

Por prokurorët specialë vijuan të këmbëngulin.

Në qershor, SJO ngriti akuzë ndaj Gruevskit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për manipulim të zgjedhjeve. Ish-kryeministri, i cili dha dorëheqjen në fillim të vitit 2016 por mbeti udhëheqës partie, mund të përballet me 27 vjet në burg nëse gjendet fajtor ndaj të gjitha akuzave.

Hetimet mbi pastrimin e parave vazhdojnë, megjithëse dritarja për akuza të reja është mbyllur. Sipas marrëveshjes që solli krijimin e saj, SJO kishte vetëm 18 muaj kohë nga marrja e përgjimeve për të ngritur akuza. Afati skadoi më 30 qershor.

Tashmë ka thirrje që SJO të integrohet në zyrën e prokurorit publik në mënyrë që të mund të vijojë të punojë e papenguar nga kushtet e marrëveshjes.

Pas në Beograd, Laziç nga sindikata e prokurorëve tha se mundësitë janë kundër prokurorëve në Serbi sa i përket mbrojtjes së pavarësisë së tyre. Së paku jo tani shpejt.

“Mendoj se është e vështirë të nxjerrësh leksione [nga Maqedonia] për shkak se situata këtu është që politikanët janë të paprekshëm për sa kohë janë në pushtet,” tha ai. “Ata [prokurorët në Maqedoni] i ngritën gjithashtu akuzat vetëm kur Gruevski nuk qe më në pushtet.”

Aludimet në Malin e Zi

Aludimet për pastrim parash të fushatave kanë prekur prej kohësh politikën në Malin e Zi, ku partia në pushtet Partia Demokratike e Socialistëve, DPS, ka mbajtur qeverinë për më shumë se dy dekada nën udhëheqësinë e Milo Gjukanoviçit.

Kritikët e përshkruajnë fqinjin e vockël të Serbisë dhe kandidat për BE si një feud të drejtuar nga elitat politike. Ata akuzojnë DPS-në për keqpërdorim të fondeve shtetërore, abuzim me detyrën, mashtrim elektoral dhe blerje votash, të gjitha të mohuara nga partia.

Në tetor 2016, DPS arriti fitoren e saj të shtatë elektorale në zgjedhjet e shoqëruara nga akuzat për një komplot për grusht shteti të mbështetur nga Rusët dhe ndasi të thella mbi anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, anëtarësim që ndodhi në qershor.

Prokurorët po hetojnë udhëheqësit e opozitës për përfshirje të mundshme në komplotin e aluduar.

Ata po shikojnë gjithashtu mbi aludimet se Nebojsa Medojevic, udhëheqës i aleancës kryesore të opozitës, Fronti Demokratik, ka pastruar para për të financuar koalicionin gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, akuza të cilat ai i mohon.

Kritikët thonë se prokurorët janë më pak të prirur të hetojnë aludimet mbi pastrime të ngjashme të parave nga DPS, e cila vijon të udhëhiqet nga Gjukanoviçi megjithëse ai ka dhënë dorëheqjen si kryeministër tetorin e kaluar.

Në vitin 2011, media vendëse publikoi emrat e njerëzve që mohuan se ata patën dhënë para te DPS megjithëse emrat e tyre u shfaqën te lista e donatorëve të publikuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve.

Prokurorët filluan hetimin e rastit në vitin 2012, por vetëm pasi grupimi antikorrupsion i quajtur MANS dorëzoi kallëzim penal kundër partisë për pastrim të mundshëm parash.

Pesë vjet më vonë, asgjë nuk ka ndodhur me këtë çështje. Zyra e prokurorëve specialë të shtetit refuzoi të komentojë.

Ndërkohë, aludimet nuk kanë diskurajuar donatorët nga dhënia e parave për DPS-në. Në zgjedhjet e vitit 2016, donacionet individuale përbënë më shumë se gjysmën e të gjithë thesarit të fushatës së partisë, duke arritur në rreth 680 mijë euro.

 

Vladimir Kostic është një gazetar investigativ me bazë në Beograd i specializuar në financat publike, korrupsionin dhe krimin. Ky artikull u prodhua si pjesë e Bursës Ballkanike për Gazetari Ekselente mbështetur nga Fondacioni ERSTE dhe Fondacionet për Shoqëri të Hapur në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative.