Foto: HBO

‘Loja e Numrave’ dhe Politika Kosovare e Westerosit

“Loja e Froneve” (Game of Thrones) është seri televizive e zhanrit fantazi dramë, e adoptuar nga seria e librave te George R. R. Martin të quajtur “Një këngë e akullit dhe zjarrit”. Kjo seri e librave, përveç botës fiktive me krijesa mitologjike si dragonj dhe ujq të tmerrshëm, përmban edhe strategji politike komplekse të kalkuluara me imtësi të familjeve mbretërore, që e luajnë lojën e froneve për të hipur në fronin e hekurt apo për të fuqizuar pushtetin e tyre brenda 7 mbretërive të Westerosit.

“Game of Thrones” ngërthen shumë tematika brenda saj, si ajo luftës, e nderit, e migrimit, e kalorësisë, e martesave strategjike, e pozitës së kopilëve, xhuxhëve, grave, e të varfërve brenda sistemeve feudale, etj. Por, sidoqoftë një temë mbizotëron në prapavijë gjatë çdo epizode në krahasim me gjithë temat e tjera. E ajo është se familjet fisnike të Westerosit përderisa i thurin strategjitë e tyre komplekse politike për të fuqizuar pozitat e tyre në 7 mbretëritë, e injorojnë të keqen më të madhe ndodhet andej murit dhe do t’i asgjëson një ditë të gjithë. Nëse familjet fisnike nuk i lënë anash strategjitë e tyre, e nëse nuk bashkë e për të luftuar ushtrinë e të vdekurve andej murit që po vjen bashkë me dimrin, atëherë pozitat e tyre dhe mbretëritë e tyre pak do të kenë rëndësi, sepse nuk do të ekzistojnë më. Çështja se si në “Game of Thrones” njerëzit duke u marrë me problemet e tyre të vogla e interesin e vetvetës harrojnë rrezikun e madh është interpretuar nga Vox si metaforë e ngrohjes globale. Por, si mund të kuptohet politika kosovare përmes ngjarjeve që ndodhin në “Game of Thrones” dhe gabimet që bëjnë familjet duke luajtur lojën e froneve?

Loja e Numrave që po ndodh në Kosovë që nga zgjedhjet nacionale me 11 qershor, ngërçi politik i 2014-tës si dhe aleancat e ndryshueshme partiake ne Kosovë kanë ngjashmëri me shumëçka që ndodh gjatë serialit “Game of Thrones”. Madje problemet që iu kthehen bumerang shkaku i vendimeve të tyre të pakalkuluara mirë gjithashtu ndodhin në botën mitike të George R. R. Martin.

Partitë politike kosovare përderisa e luajnë lojën e numrave dhe ndjekin interesat shkurtpamëse partiake, e injorojnë rrezikun më të madh që i kanoset Kosovës, e ajo është që shteti mund të dështojë për shkak të jostabilitetit, problemeve të përkeqësuara ekonmike, papunësisë, korrupsionit, etj. Përderisa partitë politike luajnë lojën e numrave e thurin strategji të sofistikuara se si t’i bëjnë numrat, shteti i Kosovës vazhdon të humbë para, qytetarët mbesin të izoluar dhe procesi i integrimit në BE nuk përparon.

Game of Thrones gjithashtu karakterizohet me faktin se vendime të gabuara të protagonistëve kanë pasoja të rënda që shpesh shpien në humbje të mëdha e edhe në vdekjen e papritur të protagonistëve përgjatë tregimit. Shpesh këto gabime janë vendime politike të familjeve fisnike që e luajnë lojën e froneve në Westeros. Prandaj edhe mund të nxjerrim paralele mes gabimeve të familjeve fisnike në lojën e froneve dhe partive në politikën kosovare.

Loja e Cercei Lannister në Game of Thrones, ngjason në strategjinë e PDK-së në Lojën e Numrave në politikën kosovare. Cersei në episodin e fundit të sezonës së shtatë vendosi të injorojë rrezikun e ushtrisë së të vdekurve,  në mënyrë që të maksimizojë fuqinë e vet politike dhe interesat e saj afatshkurta, duke injoruar rrezikun e kobshëm që vinte nga ushtria e të vdekurve dhe White Walkers  Njëjtë PDK në vitin 2014, për interesin afatshkurtër të mbajtjes së pushtetit luante lojën e numrave duke e zvarritur formimin e qeverisë për 6 muaj. Zvarritje që eventualisht solli edhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, që ishte në favor të PDK-së në vitin 2014,  por do të përkeqësonte jetën parlamentare në Kosovë për të gjitha partitë në të ardhmen. Cersei mënjëherë pas vendimit të saj humbi komanduesin kryesor të ushtrisë së saj, Jaimie Lannister, ndërsa PDK pas atij gabimi të zvarritjes e keqqeverisjes humbi elektoratin e saj në zgjedhjet e 2017.

Koalicioni AAK-NISMA nuhatën krizën e PDK-së dhe e përdorën për interesin e tyre shkurtpamës- duke shfrytëzuar dobësinë e PDK-së- për ta marrë pozitën e kryeministrit në një koalicion parazgjedhor këtë vit duke ia zgjatur kështu jetën PDK-së e duke e ‘tradhtuar’ elektoratin e vet e duke dëmtuar kështu demokracinë kosovare, sepse po provojnë t’ia mundësojnë mandatin e katërt një partie në rënie e cila gjatë qeverisjës së vet ka parë korrupsion, kapje të shtetit, ikje masive të popullatës në vendet e Europës perëndimore dhe mosbesim të shtuar të qytetarëve ndaj institiucioneve shtetërore. Pra për interesin e tyre shkurtpamës të kryeministrisë, AAK provon ta mbajë në pushtet PDK-në që tashmë ka përjetuar rënie të madhe. Njëjtë Randyll Tarley tradhtoi Shtëpinë Tyrell se cilës i ishte përbetuar më herët, për interesin shkurtpamës që ta fuqizojë pozitën në mbretërine e re të Cercei Lannister. Randyll Tarley bashkë me djalin e tij Dickon digjet nga dragoi pas betejës kundër Daenerys me Dothrakit e saj, ngjashëm sikur AAK është ‘djegur’ në betejën zgjedhore të 11 qershorit duke fituar shumë më pak ulëse sesa kishin paramenduar e duke pasur probleme të mëdha për krijimin e qeverisë.

LDK në lojën e vet të froneve në vitin 2014 tradhtoi bllokun opozitar të VLAN duke u bashkuar me PDK-në për interesin e tyre shkurtpamës që të jenë në një qeveri të koalicionit me PDK-në, por me kryeminstrin e LDK-së. Në 2017, LDK ra nga partia e dytë më e madhe në vend në vendin e tretë, përkundër koalicioneve parazgjedhore me AKR-në dhe Alternativën. Njëjtë Walder Frey në “Game of Thronës” tradhtoi Shtëpinë Stark në ‘Dasmën e Kuqe’ duke i vrarë ata për të fituar më shumë pushtet për vete. E në fund shtëpia Frey humbi gjithçka. Tash LDK luan lojën e saj të froneve duke e refuzuar tërësisht PDK-në, por edhe duke i dhënë mesazhe të përziera e ngatërruese Lëvizjes Vetëvendosje sa i përket koalicionit me ta. Duke dhënë kontributin e saj në vonesën e formimit të institucioneve, LDK vazhdon të tregojë papërgjegjësi, ndërsa për Shtëpinë Frey “dimri ka ardhë”.

Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2014 ndërmjetësoi formimin e bllokut të opozitës. sikurse Tyrion Lannister në sezonin e gjashtë që ndërmjetësoi në Mereen marrëveshjen me tregtarët e skllavëve në Astapor. Njësoi si Tyrion në “Game of Thrones”, po ashtu VV humbi kohë në negociata duke pasur besim në palët tjera që nuk do ta thejnë marrëveshjen. Në “Game of Thrones” tregtarët e skllavëve e sulmojnë qytetin e Mereen duke thyer marrëveshjen, ndërsa në Kosovë LDK tradhtoi bllokun duke u bashkuar me PDK-në. Vetëvendosje po ashtu në vitin 2017 bëri gabimin e njëjtë që Mance Rayder, Mbreti përtej murit, e bën kur nuk i përkulet Stannis Baratheon. Mance Rayder rrezikon jetën e popullit të tij për shkak të principeve të tij dhe përfundon duke u djegur nga Stannis. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të sulmojë LDK-në për korrupsion e keqeverisje, duke e rrezikuar seriozisht mundësinë e saj për të formuar qeverinë me LDK-në që në konstelacionin e tanishëm është partia e vetme me të cilën do të mund të formonte koalicon. Kështu VV sikurse Mance Rayder, për shkak të moskompromisit dhe principet rrezikon të digjet e të humbë gjithçka.

Ajo çka harron, injoron apo dëshiron të mos e dijnë partitë politike kosovare është që perderisa këta luajnë lojërat e tyre të numrave dhe të aleancave politike të sofistikuara, rreziku më i madh mbetet se Kosova vazhdon të dështojë si shtet. Përderisa në ngërçin politik 6 mujor partitë ndërtonin dhe ç’ndërtonin koalicionet e tyre, në Kosovë akumulohej frustrimi që ndikoi ne eksodusin e azilkërkuesëve  që filloi pikërisht pas koalicionit PDK-LDK në fund të vitit 2014.

Ndërsa këtë vit partitë kanë filluar me avazin e njëjtë që po shkakton krizën institucionale të radhës, ku secila parti prioritizon interesat e ngushta partiake duke injoruar rrezikun më të madh që i kanoset Kosovës me probleme si rrezikun ekonomik, të sovranitetit, të krijimit të ushtrisë, të izolimit, me një fjalë rrezikun për të dështuar si shtet. Sikurse familjet fisnike te Westerosit që prioritizuan deri tash interesat e tyre të ngushta dhe injoronin rrezikun që u kanosej në veri të murit, poashtu partitë kosovare vazhdojnë të prioritizojnë interesat e tyre e jo ato të shtetit të Kosovës. Prandaj edhe ka ardhur koha që partitë kosovare të bëjnë kompromise duke lënë anash interesat e veta e duke prioritizuar me në fund të ardhmen e Kosovës.